Ana Llazo: Fëmijët shqiptarë, interes për gjuhët e huaja
Ana Llazo prej vitesh punon si mësuese e gjuhëve të huaja në arsimin 9-vjeçar dhe atë të mesëm. Ajo që në moshë të vogël ka qenë e pasionuar pas gjuhëve të huaja dhe zotëron mjaft prej tyre. Vitet e fundit ajo ka punuar edhe si guidë turistike, duke shoqëruar grupe turistësh të huaj që vizitojnë Shqipërinë. Ka marrë pjesë në disa konferenca shkencore ndërkombëtare në fushën e turizmit dhe arsimit si dhe ka sjellë edhe disa kërkime shkencore në këto fusha. Në një intervistë për Radio Ejani Ana tregon për pasionin dhe punën e vazhdueshem në fushën e arsimit si dhe atë të guidës turistike.
CMG: Si ka nisur rrugëtimi juaj në fushën e edukimit dhe mësimdhënies, për të realizuar këto arritje që ju keni sot?
Ana Llazo: Unë edukimin e kam pasur pasion dhe dëshirë të madhe që në moshën e fëmijërisë, duke qenë se e kam dhe trashëgimi nga prindërit mësues. Kam pasur dëshirë që e vogël të jem mësuese. Pasioni im më i madh kanë qenë gjuhët e huaja dhe jam munduar t’i mësoj në moshë të vogël, kryesisht anglishten dhe italishten. Kam zhvilluar kurse dhe gjatë gjithë kësaj periudhe jam marrë që nga mosha e fëmijërisë dhe deri në vitet e fakultetit. Përveç lëndëve të tjera, kisha pasion por dhe një dëshirë shumë e madhe për të studiuar për edukimin dhe kryesisht për t’u bërë mësuese e gjuhës angleze. Në këtë mënyrë nisi rrugëtimi im i gjatë.
CMG: Ka qenë i vështirë ky rrugëtim në mësimdhënien e gjuhëve të huaja tek fëmijët?
Ana Llazo: Unë e shikoj si diçka shumë pozitive të jesh një lektore e gjuhëve të huaja në përgjithësi dhe kryesisht e gjuhës angleze sepse duke qenë se anglishtja është një gjuhë ndërkombëtare të krijon shumë mundësi punësimi. Përveç punës së përditëshme që bëj merrem edhe me trajnime dhe kurse të ndryshme dhe e shikoj gjithmonë si diçka pozitive. Këtë gjë e kam parë që në fillimet e mia, por dua të theksoj diçka që është shumë e rëndësihsme që të gjithë personat që studiojnë gjuhën angleze apo një gjuhë tjetër të huaj, është shumë e rëndësishme që të njohin mirë dhe gjuhën shqipe. Unë gjithmonë e kam marrë me pozitivitet këtë profesion edhe pse ka dhe probleme në mësimdhënie, apo gjëra që nuk përshtaten ashtu si duhet, por në përgjithësi e kam parë si diçka shumë të mirë.
CMG: Përveç punës si mësuese e gjuhës angleze, a keni punuar dhe si përkthyese?
Ana Llazo: Unë e kam ushtruar profesionin e përkthyeses më shumë si guidë profesionale, ku kam bërë një kurs trajnimi për t’u bërë eksperte guide dhe për 3-4 vite gjatë gjithë sezonit veror jam marrë me guidën, duke e ushtruar gjuhën në një formë tjetër, përkthyese por në guidë. Këtë gjë e shikoj shumë pozitive sepse më ka ndikuar që unë të promovoj Shqipërinë tonë të bukur. Pra, përveç ndikimit financiar ka pasur dhe një impakt pozitiv në promovimin e Shqipëisë. Unë jam marrë edhe me përkthime të materialeve të ndryshme, por më shumë jam fokusuar te pjesa e mësimdhënies dhe guidave turistike.
CMG: Si ka qenë eksperienca juaj si guidë turistike gjatë shoqërimit të grupeve të turistëve të huaj?
Ana Llazo: Unë do të thoja se numri i tutistëve ka qenë shumë i madh dhe kjo vlen për t’u vlerësuar dhe duhet të ndjehemi shumë krenarë. Ka pasur turistë nga e gjithë bota, por kryesisht unë kam shoqëruar turistët europianë, italianë që ka qenë një numër i madh, por edhe spanjollë, francezë, gjermanë dhe anglezë. Duke qenë se unë jam në zonën e Durrësit dhe këtu kryesisht në sezonin veror ka një numër të madh turistësh të huaj, ka qenë një impakt shumë pozitiv në promovimin e vendit tinë dhe për mua ka qenë një eksperiencë shumë e bukur.
CMG: Gjatë punës suaj si guidë për turistët e huaj, ju keni parë edhe vetë vende të tjera.
Ana Llazo: Unë kam vizituar disa vende, kryesisht vendet e Ballkanit dhe kjo është një kënaqësi sepse ne bëjmë një shkëmbim kulture, por përveç kësaj kemi dhe shumë ngajshmëri ku ndjehemi komod në këto vende. Kjo gjë më ka shërbyer si një eksperiencë shumë e mirë dhe pozitive. Gjithashtu kam qenë dhe në disa shtete të BE-së, por kur më është dhënë mundësia kam udhëtuar edhe në vendet aziatike. Kur kam shoqëruar grupet turistike në vende të huaja kam komunikuar në gjuhën angleze, por kur kam qenë në Itali kam komunikuar në italisht sepse ka qenë më e thjeshtë apo në Spanjë kam komunikuar në spanjisht, por në përgjithësi anglishtja ka kryesuar gjithmonë.
CMG: Si e menaxhoni kohën tuaj me gjithë këto angazhime që keni?
Ana Llazo: Unë vërtetë kohën e kam të ngjeshur dhe e shikoj si diçka shumë të çmuar, por mendoj se çdo minutë e shkuar kot nuk është mirë, ndaj jam munduar që gjithmonë t’i bëj gjërat me plan dhe t’i menaxhoj ashtu si duhet. Përveç mësimdhënies dhe fushës së turizmit që angazhohem në sezonin veror, unë kam marrë pjesë në disa konferenca ndërkombëtare shkencore, më është dashur të bëj disa studime vetë dhe kjo më ka ndihmuar që të ngrihem më shumë në karrierë. Gjithashtu jam futur edhe te fusha e arsimit, por dy konferenca kanë qenë të fushës së turizmit. në Itali dhe në Maltë. Ndërkohë që konferenca e fundit dhe studimi i fundit që kam bërë ka qenë në muajin dhjetor me temën se sa dëshirë kanë të rinjtë që të studiojnë në Shqipëri apo jashtë vendit, si dhe shumë konferenca të tjera gjatë kësaj kohe. Kjo më ka ndihmuar që të rritem nga ana profesionale dhe më ka bërë që të ndjehem më mirë. Përpos kësaj unë merrem dhe me shkrime dhe artikuj të ndryshëm ku trajtoj tema shoqërore, duke qenë se jam e fokusuar më shumë tek pjesa e mësuesisë e cila më ka ndihmuar por dhe ka ndikuar shumë për këto shkrime.
CMG: Sa të interesuar janë fëmijët apo të rinjtë për të mësuar gjuhët e huaja?
Ana Llazo: Fëmijët shqiptarë dhe të gjithë të rinjtë, pra shqiptarët si komb janë aq të zgjuar për të mësuar gjuhë të huaja dhe e kanë aq të lehtë për t’i mësuar sa nuk mund ta imagjinosh dot. Kjo vjen për faktin se dhe vetë gjuha shqipe është një gjuhë shumë e bukur dhe e vështirë që na ndihmon ne shqiptarëve për t’i mësuar shumë më lehtë gjuhët e huaja. Gjithashtu ne jemi gjuhëdashës, por do të thoja se tek fëmijët nga eksperienca që kam pasur ndër vite dhe nga studimet që unë kam bërë, më ka rezultuar që dëshira e fëmijëve dhe e prindërve është shumë e madhe. Ndoshta thjesht për faktin që e shikojnë si gjuhë ndërkombëtare, por dhe thjesht se mund t’ju duhet në jetë edhe brenda Shqipërisë. Përveç kësaj fëmijët janë të interesuar për të mësuar dhe gjuhë të tjera, kryesisht kohët e fundit është futur shumë në trend gjermanishtja dhe italishtja. Unë e kam parë gjithmonë si diçka pozitive këtë gjë, që sa më herët të mësohet një gjuhë e huaj aq më mirë është, dhe i ndihmon shumë fëmijët kur të rriten si aktorë ndërkulturorë. Gjithashtu shumë prindër janë të interesuar që t’i çojnë fëmijët e tyre në kurse private, ku kohët e fundit ka ardhur më shumë në rritje.
CMG: Cila është kënaqësia që merrni nga fëmijët kur ju mësoni gjuhët e huaja?
Ana Llazo: Unë përveç se e kam dhënë në kurse, por e kam bërë edhe si eksperiment në shkollë ku kam marrë një klasë dikur që ta shikoja si funksiononte, dhe përveç kësaj kam mësuar fëmijët shqiptarë që jetojnë jashtë ku kam bërë shkëmbim të gjuhës shqipe dhe anglishtes. Kjo gjë më ka rezultuar që janë të mrekullueshëm, pra unë kam punuar ndër vite me mosha të ndryshme. Unë mendoj se dëshirën e madhe që kanë fëmijët për të mësuar një gjuhë të huaj dhe atë dashuri të madhe që kanë kur të shikojnë në sy është e pakrahasueshme. Sa herë që kam dhënë mësim me fëmijët e vegjël jam ndjerë shumë e motivuar dhe shumë mirë nga ana shpirtërore.
CMG: Besoj se edhe këtë sezon veror do të jetë një periudhë e ngarkuar për ju me shoqërimin e turistëve të huaj që vizitojnë Shqipërinë.
Ana Llazo: Patjetër që unë do të jem në shërbim të turistëve dhe do bëj të pamundurën që ta promovoj sa më shumë Shqipërinë tonë të bukur, është ndër kënaqësitë më të mëdha që mund të ndjejë një person që e do vendin e tij dhe dëshiron ta promovojë në botë. Mendoj se kemi gjithë kapacitetin e duhur për të fituar sa më shumë nga turizmi, por dhe admirimin e të huajve për vendin tonë. Unë këtë punë do ta bëj me shumë kënaqësi.
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj.
Ana Llazo: Unë i përshëndes të gjithë dhe i falenderoj që më ndoqën.
Intervistoi: Gazmend Agaj