Albspirit

Media/News/Publishing

Astrit Lulushi: Atë e Albë

 

Përpara të gjithëve ishin pellazgët, me qytetet Atikë e Albë. Pastaj erdhën Thezeu dhe Romuli, të cilët kishin shumë veçori të përbashkëta, thotë Plutarku. Të dy, të lindur jashtë martese, kishin reputacionin e të ardhurve nga perënditë. Të dy vepruan me fuqinë e trupit dhe mendjes; njëri bëri që Athina të banohej dhe tjetri ndërtoi Romën. Dhe nga fundi i jetës të dy qeshën me të madhe, nëse mund t’i marrim historitë e tyre si udhërrëfyes drejt së vërtetës.

Prejardhja e Thezeut, filloi me Erëtheun dhe banorët e parë të Atikës. Nga ana e nënës, ai ishte pasardhës i Pelopës. Sepse Pelops ishte më i fuqishmi nga të gjithë mbretërit e Peloponezit, jo aq për nga pasuria sesa nga numri i madh i fëmijëve që kishte. Njëri prej tyre quhej Pittheus, gjyshi i Thezeut. Ai ishte guvernator i qytetit të vogël të Troezanës (Trojezënës) dhe kishte reputacionin e një njeriu me dijen dhe mençurinë më të madhe të kohës së tij. Pittheu shquhej kryesisht për maksima të thella, kishte shkruar edhe një libër. Ashtu si Hesiodi që mori famën me poemat. Në fakt, midis tyre është një që ia atribuojnë Pittheut. Por një miku i mjafton një çmim i përcaktuar, siç e përmend edhe Aristoteli. Edhe Euripidi, duke e quajtur Hipolitin “dijetar i Pittheut të shenjtë”, tregon mendimin që bota kishte për të.

Pse qyteti i Romës, një emër kaq i madh në lavdi dhe i famë në gojën e të gjithë njerëzve, u quajt kështu? Autorët e lashtë nuk janë dakord me arsyen.

Disa janë të mendimit se pellazgët, duke u endur në pjesën më të madhe të botës së banueshme dhe duke nënshtruar shumë kombe, u fiksuan këtu dhe e quajtën qytetin Romë. Të tjerë thonë se me rënien e Trojës, disa pak që shpëtuan u hodhën në det. Të shtyrë nga erërat, ata mbërritën në brigjet italiane dhe arritën të ankoroheshin në grykën e lumit Tiber. Gratë të lodhura nga deti, i dogjën anijet pa pyetur burrat, dhe e quajtën bregun Toskanë (toka nga kishin ardhur); qytetin që ngritën për të jetuar e quajtën Romë (të rrojmë).

Me këtë akt burrat në fillim u zemëruan, por pasi e panë vendin shumë të mirë dhe njerëzit të sjellshëm, u qetësuan. Nga kjo ka zbritur zakoni në Romë që gratë të përshëndesin të afërmit dhe burrat e tyre me puthje; sepse këto gra, pasi kishin djegur anijet, përdorën puthjet për të qetësuar burrat e tyre.

Disa thonë se Roma, bija e Telefit, ishte e martuar me Askanin, djalin e Eneas. Të tjerë thonë se qytetin e ndërtoi Romani, i biri i Uliksit dhe Circes. Ka edhe nga që thonë se qyteti u krijua nga Romus, mbret i latinëve, pasi dëboi tirrenët, të cilët kishin ardhur nga Thesalia. Edhe ata autorë, të cilët thonë se Romuli i dha emrin qytetit, ndryshojnë në lidhje me lindjen dhe familjen e tij. Romuli ishte djali i Eneas dhe Dexithes, dhe bashkë me vëllain e tij Remin, në fillimet e tyre, u transportuan në Itali, thotë një legjendë. Duke qenë në lumë, kur filloi përmbytja, të gjitha anijet u shkatëruan, përveç asaj ku ndodheshin dy vëllezërit, të cilët u ulën butësisht në një breg. Të dy u shpëtuan dhe prej tyre vendi u quajt Romë.

Disa thonë se Roma, vajzë trojane, ishte martuar me Latinin, djalin e Telemakut dhe u bë nëna e Romulit; të tjerët japin thjesht fabula të origjinës së tij. Tarchetius, mbreti i Albës, kishte parë një vegim i çuditshëm. Kur e pyeti orakullin e Tethit në Toskanë për shpjegim, ai mori përgjigjen, se me një virgjëreshë do të lindte një djalë, i cili do bëhej shumë i njohur – i shquar për trimëri, pasuri dhe forcën e trupit – me emrin Romul.

Please follow and like us: