NJË PORTRET ORIGJINAL I GJERGJ KASTRIOTI SKENDERBEUT, 5 NËNTOR 1465
Ilustrimi 1 – Potreti i Gj. K. Skënderbeut
Medalioni i Gj. K. Skënderbeut nga viti 1449 qe ruhet në Zagreb
F. 1re i Kodikut ku ruhet portreti i Gj. K. Skënderbeut
F. 32 e dorëshkrimit ku ndohet portreti i Gj. K. Skënderbeut
Në dorëshkrimin e Kodikut Mss. T. 496 me titull “De Romanorum Magistratibus” i 5 nëntorit 1465 janë dy ilustrime cilësore dhe tepër të rëndësishme për historinë e mesjetës shqiptare në përgjithësi dhe për Gj. K. Skenderbeun në veçanti. Sipas një studiuesi shqiptar këto “dy ilustrime mjaft domethënëse me tematikë arbërore” gjenden në faqen parë të Kodikut 1r dhe në faqen e fundit f. 32r, të cilat janë të punuara me mjeshtri dhe profesinalizëm të lartë. Është mëse e dukshme që autori, e ka parë me sytë e tij Gjergj Kastriotin Skenderbeun dhe ne mendojmë se nuk qëndron pohimi se “portreti i Skendeebut është kopje nga një dorëshkrim tjetër!” Miniatura në f. 1r siç e vëren një studiues shqiptar është e “një prifti dominikan që i dhuron” dorëshkrimin e kodikut “një princi shqiptar” që ne mendojmë se ky pohim nuk qëndron nëse shikojmë me kujdes miniaturën, duke studiuar veshjen e pranuesit të dorëshkrimit të Kdoikut. Duke ndjekur ngjarjet historike dhe duke analizuar faktet e datat rreth këtij dorëshkrimi, ne arrijmë në përfundim se në miniaturë është Gherardo di Giovanni Maffei nga Volterra (1398–1466) dhe jo “një e një princ shqiptar!”
Dr. Musa Ahmeti
Center for Albanian Studies
Budapest
Studimet dhe hulumtimet shkencore për epokën e Skënderbeut, në arkiva e biblioteka shtetërore e private, muze e koleksione të ndryshme vazhdojnë të japin rezultate të reja në fusha dhe lëme të ndryshme të historiografisë. Jo vetëm me fitoret e tij për mbrojtjen e krishtërimit nga perandoria osmane, por edhe me personalitetin e tij, Skënderbeu ka vulosur jo vetëm kulturën dhe historiografinë e kohës së tij, por edhe atë të periudhave pasardhëse, gjë që vërehet në larminë dhe pasurinë e padefinuar akoma të dokumenteve, dorëshkrimeve dhe veprave të shkruara për të anembanë Evropës e më gjërë. Jeta dhe vepra e Skënderbeut është përdorur kryesisht si shembull frymëzues për shumë popuj të tjerë, të cilët të ndodhur në robëri, qoftë nën sundimin turk apo edhe nën sundime të tjera, luftuan gjatë shekujve për liri dhe çlirim kombëtar. Duke pasur pothuajse gjithmonë një mision të tillë, sigurisht që me kalimin e kohës, figura e Skënderbeut ka pësuar edhe transformime në përputhje me politikat e caktuara të promovuesve të figurës së tij. Si rezultat miti i krijuar për Skënderbeun në raste të caktuara është kaq i larmishëm saqë të duket sikur figura e Skënderbeut jeton diku midis ëndrrës për liri dhe imagjinatës. Nga një këndvështrim i tillë, dokumentet më të hershme që janë më afër realitetit kohor, kanë një vlerë tepër të rëndësishme dhe të veçnatë për historiografinë, sepse ato na sjellin më afër të vërtetën, duke na larguar nga pasaktësitë, shtrembërimet dhe idealizimet e tepruara që në raste të caktuara shkojnë deri në ekstreme të skajshme.
Në disa raste, përpjekjet e historianëve për çmitizimin e figurës së Gj. K. Skenderbeut kanë bërë që ajo të kalojë nga një skajshmëri në tjetrën, duke mos i përballuar kohës dhe të vërtetës shkencore-historike. Në këtë kuadër vlen të përmendet edhe njëherë pohimi i F. Nolit “Çdo heroi në histori i është dashur të kalojë përmes tri fazave: të glorifikimit, të asgjësimit dhe të rivlerësimit. Kjo do të thotë se në fillim, ai është ngritur në qiell prej admiruesve të tij; pastaj është dërrmuar në mënyrë të pamëshirshme prej kritikuesve të tij; dhe, më në fund, është nxjerrë përsëri në shesh, nga varri, me durim, me mundim dhe me mëshirë është vënë në vendin që i takonte prej historianëve të arsyeshëm, që s’kanë qenë verbuar as prej fanatizmit të admiruesve të heroit, as prej tërbimit të kritikuesve të tij.”
Studiuesët dhe historianët shqiptarë por edhe të huaj, gjatë gjithë kohës, kanë hamendësuar në lidhje me portretin autentik të Gjergj Kastriotit Skenderbeut, duke mos pasur në dorë, qoftë edhe një të tillë, origjinal nga koha kur jetoi heroi kombëtar shqiptar.
Shpresat për të gjetur një portet autentik të kohës, shpesh kanë bërë që disa historianë të bëjnë vlerësime të gabuara për portrete të ndryshme, origjina e të cilave ishte e dyshimtë. Megjithatë, përfundimisht, kësaj radhe kemi në dorë një portret origjinal, autentik, të kohës, kur jetoi Gj. K. Skenderbeu, nga 5 nëntori 1465, i cili ruhet në një dorëshkrim autograf, të një autori anonim, në Londër.
Ne nuk kemi arritur të sigurojmë informacione për origjinën e tij të mëhershme, pronarin ose pronarët, vendin ku është shkruar, kohën ose mënyrën se si kishte arritur ky dorëshkrim në Londër, etj, [të cilat shpresojmë se do bëhen në të ardhmen gjatë studimeve dhe kërkimve të reja derisa po përgatitet për botim dorëshkrimi komplet], përkundër përpjekve të shumta, jo vetëm tonat por edhe të kolegëve e studiuesve të tjerë. [Me këtë rast u shpreh konsideratat dhe mirënjohjen time edhe studiuesve shqiptarë: dr. K. Naska, Sh. Sinani dhe E. Lala të cilët më ndihmuan me të dhëna dhe informacione të ndryshme, qoftë nga Biblioteka Mbretërore e Belgjikës, ajo e Vjenës dhe BAV dhe DPA].
Në katalogun: “Rare Books and Early Mss. Davis et Orioli” që njëherazi është përshkrimi i parë i njohur deri me sot për dorëshkrimin ku ndodhet portreti i Skenderbeut, nuk jepen informacione dhe hollësi të tjera, por përshkruhet si “vepër anonime në latinisht për priftërinjtë, magjistrat dhe zyrtarët romanë, dorëshkrim i iluminuar në vellum, me një shkrim të bukur kursiv humanist” duke lënë të pazgjidhur historinë dhe rrugën që ka kaluar ky dorëshkrim deri sa ka arritur në Londër.
British Library disponon një komplet të plotë të katalogjeve që kanë bërë, Davis dhe Orioli. Në këtë katalog, në zërin 166, në faqen 13, nën numrin rendor 43, janë të dhënat për dorëshkrimin ku ruhet portreti i Gjergj Kastritotit Skenderbeut dhe poshtë, në të djathë është i shënuar edhe çmimi fillestar prej £750.
Davis dhe Orioli e kishin identifikuar tekstin e dorëshkrimit në gjuhën latine me autor Domenico Fiocchi (Andreas Dominicus Floccus). Domenico Fiocchi ishte nxënës i Emanuel Krisolorës. Më vonë bëhet jurist dhe humanist i njohur, për t’u emëruar kanonik i Firencës në vitin 1427 dhe më vonë edhe sekretar i papës Eugeni IV. Vdes në Firence në vitin 1452. Është autor i shumë veprave, të cilat kryesisht u botuan post mortum; ndërkohë që ka lënë shumë dorëshkrime të cilat edhe sot e kësaj dite janë të pabotuara.
Autorët e katalogut Davis dhe Orioli kanë gabuar rëndë kur dorëshkrimin ku ruhet portreti i Gjergj Kastritotit Skenderbeut dhe një të dytë, atë që mban datën 14 gusht 1465, dhe që sot ruhet në Bibliotekën Muzeut të Victorias dhe Albertit, në Londër, ia atribuojnë Domenico Fiocchi (Andreas Dominicus Floccus) si vepra të tij. Një gjë e tillë është e pamundur dhe jo logjike, ngase D. Fiocchi kishte vdekur në vitin 1452, ndërsa të dy dorëshkrimet autografë, janë nga gjysma e dytë e vitit 1465, përkatësisht, 14 gushti dhe 5 nëntori. Si duket një ngatërresë e tilla ka ndodhur, kur Davis dhe Orioli pohojnë se D. Fiocchi “kishte shkruar këtë tekst para vitit 1443 me pseudonimin ‘Lucius Fenestella dhe u botua (me këtë emër) në vitin 1475.” [Një gabim të ngjashëm bën edhe dr. Sh. Sinani, duke u mbështetur te Davis dhe Orioli].
Ne kemi bërë një krahasim të dorëshkrimeve të Domenico Fiocchi (Andreas Dominicus Floccus) që ruhen në Biblioteken Apostolike të Vatikanit, me dy dorëshkrimet që i atribuohen atij, dhe jemi të bindur se nuk janë të të njëtit autor, ngase dy dorëshkrimet që ruhen në Londër, janë identike si për nga shkurtesat, kaligrafia, shenjat e interpunktimit, inicialet dhe paraqitja paleografike, gjë që nuk mund të thuhet për dorëshkrimet e Fiocchi-t. Pas këtyre analizave dhe krahasimeve të bëra, ne mendojmë, se dorëshkrimet e Londrës, assesi nuk mund t’i atribuohen Fiocchi-t, por ato janë me autor anonim.
Dorëshkrimi i Londrës në gjendjen e sotme, është i lidhur me kopertina kartoni të forta, ngjyrë kafe të errët, me një nuancë vishnje, ndërsa kurrizi është prej lëkure, ngjyrë kafe të çelët. Katër faqet e para dhe të fundit janë boshe, ngase janë vënë në kohën e mëvonëshme dhe u takojnë kopertinave kur është bërë lidhja e re, aty nga fundi i shekullit XIX.
Dorëshkrimi është shkruar në pergamen të butë e fin, ku vërehen vijat e rreshtave të secilës fletë. I tërë dorëshkrimi është i shkruar me ngjyrë kafe nga një dorë e vetme. Ka një paginim, lart në të djathtë, që fillon nga f. 1r dhe vazhdon deri në f. 32,v pra gjithsej 64 faqe.
Dorëshkrimi ka dimensione: 30.8 x 20.6 cm, ndërsa dimensionet e shkrimit në faqet e Kodikut janë 20 x 11.9 cm. Është në gjendje të mirë, edhe pse lartë në të djathë, është pak i dëmtuar nga lagështira. Shkrimi është humanist kursiv-italik i kohës, me shkurtesa të shumta gjë e zakonshme për kohën kur u shkrua, gjysma e dytë e shekullit të XV.
Faqja e parë e dorëshkrimit është e ilustruar, përkatësisht iniciali [nistorja] i parë, por edhe këndet e tërë faqes 1r, me motive floreale, të praruara në flori, ndërsa inicialet e tjera janë më të vogla dhe zakonisht janë me dy ngjyra blu e errët dhe e kuqe. Dorëshkrimi është datuar nga vetë autori dhe mban datën 5 nëntor 1465, e cila ndodhet në rreshtin e fundit të faqes 32v.
Portreti i Gjergj Kastriotit Skenderbeut nga 5 nëntori i vitit 1465, ndodhet në f. 32r dhe ka dimensione: horizontalisht 17.6 cm dhe vertikalisht 15.9 cm [17.6 x 15.9 cm].
Portreti është i rrethuar me nje dekoracion floreal, ndërsa në qendër ndodhet Gjergj Kastrioti Skenderbeu, i kthyer në profil, djathtas, me shikim në anën e djathtë. Është me mustaqe dhe mjekër të gjatë, të zbardhur dhe me flokë të shkurtëra. Në kokë mban një kapelë venedikase të lartë, të ashtuquajtur “alla Carmagnola” nga lëkura e kafshëve, me një shirit të gravuar poshtë, pa ndonjë dekorim të veçantë apo ndonjë shënim tjetër. Në qafë, vërehet jaka e një këmishe të bardhë mëndafshi. Të veshur ka një pelerine mëndafshi venedikase, të stilizuar me punime dore qëndisje, të zbukuruar me fije floriri, i vënë në rreth nga dy rradhë gjethesh.
Në brendi, prapa kokës së Gj. K. Skënderbeut dhe para fytyrës, në nivelin e hundës, ndodhen dy iniciale. Ai prapa kokës është një “E” ndërsa ai para fytyrës është një “V” [këto iniciale janë deshifruar fillimisht në katalogun: “Rare Books and Early Mss. Davis et Orioli” kopjen e të cilit pati mirësinë të na e dërgojë historiani anglez, dr. Noel Malcolm, të cilin e falënderojmë për këtë, dhe për ndihmën e kontributin tjetër si dhe për informacione dhe të dhëna rreth dorëshkrimit], të cilat supozohet të lexohen si: “E = Epirotarum /Epirota?/ dhe V = Victor.”
Portreti i Gj. K. Skenderbeut nga dorëshkrimi i Londërs, është krahasuar me portretet e mëvonshme të Gjergj Kastritotit Skenderbeut dhe ngjashmërinë më të madhe e ka me portretin që është botuar te vepra e Marin Barletit, “Historia de Vita et Gestis Scanderbegi Epirotarum Principis” Romë, 1506-1508, f. 4v, si dhe me medalionin e Zagrebit, fotografinë e të cilit ne e kemi botuar para disa kohësh në këtë gazetë, [ky medalion është prej bronzi me dimensione: 95 x 97 mm dhe peshon 169.96 gr, është punuar në Venedik në vitin 1449], dhe me skulpturën e Skenderbeut që ruhet në katedralen e Shibenikut, vepër e mjeshtrit shqiptar, Ndre Lleshit, te cilin po ashtu e kemi botuar ne, në këtë gazetë [paraqitja është ballore, me një kthim të lehtë djathtas. Skenderbeu, në kokë mban një kapelë venedikase të rrumbullakët, me thyerje para. Mjekren e ka të gjatë, shikim e fortë, përpara, ndërsa hundën karakteristike, shqiponjë. Ka dimensione: gjatësi: 39.7cm dhe gjerësi: 28.9cm].
Pra përfudnimisht, nuk kemi nevojë të imagjinojmë ose përftyrojmë një portret të Gjergj Kastriotit Skenderbeut nga koha e tij; nuk kemi nevojë të lëshohemi në paragjykime dhe hipoteza se kush portret është më afër kohës dhe epokës se heroit tonë kombëtar, sepse tashi kemi në dorë një tillë, gjë që nuk përjashton mundësinë të ekzistojnë edhe të tjerë, p.sh, siç tregon pohimi i Makiavelit nga viti 1467, se “sapo mbarova stemën e Skenderbeut, i bëra edhe një portret” [BAV].