Miho Gjini: Në ditët e librit në Athinë
Në këto ditë, me “ethe votimesh”, qëlluan edhe “ditët e librit” dhe po sot në Ambasadën Shqiptare të Athinës, u mblodhën edhe shumë shkrimtarë, artistë e lexues, për të përshëndetur edhe disa nga librat e mia të shkruara, po këtu e të botuara në Tiranë, me “derte” nga jeta e komunitetit tonë në Greqi. Poetha moderatore, Brikena Qama, pasi prezantoi 10 librat e mia të viteve të fundit, ia dha fjalën zonjës Eliverta Radomi, në emër të Ambasadës sonë, e cila nënvizoi këtë atmosferë krijuese në dobi të “Urës shpirtërore” në fqinjësisinë e mirë të popujve tanë, duke u ndalur edhe në kontributin e “armatës” së madhe të shkrimtarëve e artistëve shqiptarë midis dy kulturave. Duke vazhduar me tej me referimin “Njeriu dhe Artisti” nga shkrimtari Thanas Medi… Biseda e mëpastajme, midis autorit e të pranishmëve krijoi një atmosferë intime e të dobishme, jo vetëm për krijimtarin time letrare –artistike, po edhe për librin në tërësi, si një “dritare për të parë botën”. Pas fjalës së shkrimtarit Grigor Jovani, aktores Merita Dabulla, e mori fjalen e dhe kandidati për depuet i “PASOK”-ut Fatos Malaj. Në shënjë mirënjohje ndaj të pranishmëve, e quajta të domosdoshme të mbaja edhe fjalën e mëposhtme:
“NJË VËSHTRIM NË JETËN TIME KRIJUESE”
Të dashur miqë, e nderuara Përfaqësuese e Ambasadës së Shqipërisë, Eliverta Radomi! Ju falenderoj që sot jeni këtu për mua, që erdha 32 vite më parë, midis afro 800 mijë të tjerëve, me ëndërrat tona të dërmuara, me dhimbjet që kishim prej jetës së nxirrosur që patëm e që lamë andej nga ikëm: shtëpitë, dashuritë, e zemrën tonë që kullonte. Dhe që u përplasëm këndej pari, për një jetë më të mirë, për të ngritur ëndrra të reja, për vete e për të tjerët, pse jo, duke forcuar edhe atë që quhet “ura shpirtërore” midis dy vendeve tona.
As që e pata ndërmënd , kur erdha këtu , se mund të shkruaja edhe 25 libra, pas atyre 10 librave, dramave e komedive që kisha shkruara atje, në vendin tim, në kohë të vështira, kur do ma thyenin “lapsin” e do ta pësoja rëndë, pas hekurave, nga e drejta e fjalës dhe e shprehjes së lirë. Mirëpo këtu, gjeta edhe shqiptarë të tjerë të njëhershëm e të “thekur” për dije, sikundër qe, Aristidh Kola, arvanitasi trim, i cili mezi priste kur vinte atëhere në atë Ambasadën tonë të ngushtë, në një rrugicë të pjerët të skajit të Athinës e këndonim shqip. E unë do t’i lutesha që të më botonte edhe mua diçka, sikundër kishte botuar falas edhe dy libra prej nesh, që donim të shprehnim edhe këtu dertet e shpirtit. E megjithatë, edhe pse dilnim në “Omonia” për të “shitur krahët” për punë, që të siguronim bukën e gojës, mblidheshim edhe nëpër kafenetë e Athinës, të flisnim shqip nga malli, të guxonim të ngrinim shoqatat e para patriotike, kulturore, ato letraro-artistike, të guxonim të dilnim edhe në sheshet kryesore të Athinës kundër operacionit “FSHESA”, të nxirrnim edhe ndonjë gazete e të bënim edhe ndonjë stendë, gjer edhe ndonjë panair libri, për të përhapur midis nesh librin shqip. Gjersa të ngrihej nga shteti ynë edhe kjo godinë, në një parcelë toke shqiptare, ku valëvitet dhe sot, flamuri ynë e ku jemi mbledhur edhe qindra herë për të promovuar librat tanë, po dhe për të kënduar e vallzuar…
Jam i lumtur që kam arrdhur këtu me dhjetra herë për të tjerët e për vete. Si edhe sot, me10 tituj librash të shkruara gjatë këtyre viteve të fundit. Ndër to ka edhe shumë dhimbje, nga vuajtjet tona të së kaluarës, po edhe nga ato gëzimet që ka njeriu kur nis e realizon ëndrrat e veta. Qysh kur rropateshim para 20—30 viteve të shkuara, me Robert Goron e Mihallaq Qillerin, me Piro Lolin e me vëllezrit Qirixidhi, me Stefan Martikon, Hiqmet Meçen, Astrit Hajdinin e Thanas Boçin, me Lefter Simonin e Merita Dabullën, me Telemak Koçën e Thanas Medin, me Nase Janin, Grigor Jovanin, Iljaz Bobaj, Vasil Vasilin, Novruz Abilekën, Murat Alinë, Myslim Maskën, Spiro Xhavarën, Arqile Gjatën e me artistë të skenës e të ekranit, si Nikolla Llambro, Karafil Shena, Marsela Lena, Bujar Alimani, Laert Vasili, Gjenovefa Redhi, Anastas Kozdine, Aleksandër Rapi etj, me artistë të penelit si Leonidha Bullgari, Librand Dhrami, Ari Metollari e Agron Dingo, me kompozitor si Spartak Tili, me të shoqen Anthulla (këngëtare) e me pjanistin Sandër Çefa, ma artistë të daltës si Ilirjan Shima e mjeshtra qeramistë si Kiço Krisiko, si edhe me shkrimtarë, poetë e artistë më të rinj akoma si Brikena Qama, Armela Hysi, Elona Gjergo, Liljana Furxhi, Eduart Konica, Festim Zaçe, Alma Zekollari, Dritan Mesuli, Mimoza Eliona Osmani e të tjerë krijues të larguar, apo edhe ata që janë në qytete të tjera, krijues të pakursyer, në përhapjen e kulturës shqiptare në vendin fqinj, sikundër janë përkushtuar, me kurajo të pashembullt gazetarët Robert Goro, i cili jovetëm që mbajti mbi supet e veta gazetë e parë në Athinë, po krijoi edhe Kanalin Televizir Shqiptar “TRIBUNA”, duke vazhdur edhe me Kolec Tramboinin, Ramadan Bigzën, Andi Stefën, Dritan Haxhian, Sonila Laçin, Grigor Jovanin, Abdurahim Ashikun, Shpëtim Zinxhiriajn e të tjerë. Njerëz jo të qetë, të komunitetit tonë të madh në numër e në talente, që shpesh evidentohen këtu, po që jo pak herë edhe harrohen në vendin e tyre, pa mundur të bëjme lista më të plota e më të gjata, me muzikantët shqiptarë të orkestrës së madhe në “Megaro Muziqi” e të dhjetra te tjerëve, që mund të na kenë dalur nga “rrethi i vëmendjes” sonë të lodhur. Krijues që vijnë nga vuajtja e dëshpërimi, nga ëndrrat e dashurive të humbura e atyre të reja. Sepse nuk mundem ta haroj edhe atë fjalën e urtë të Ezopistit, fabulistitit të fshatit tënë, Vasil Gjivoglit, i cili, pasi lexoiiTrilogjinë time “Dëbimi,-udha për ne Ferr”, më tha: “A e di ti se kanë bërë mirë ata që të futën në burg, se nuk do të kishe shkruar, me kaq me ndjeshmëri e fort mirë se sa tani”! Është e trishtuar kjo ngjasje, po megjithatë, kështu është realiteti ynë i dhimbjeve dhe i krijimeve tona, kur vuajtjet e shtrëngesat bëheshin shpesh edhe pa rrugëdalje, kur njeriu krijon e ngrë krye për liri krijuese e të drejta qytetare.
Kur erdha këtu e jetoja në një barangë me rrota llastiku (“Trohospito”), as që mendoja se do merresha edhe me letërsi, pasi i kisha shkruar edhe ato 10 monografi e portrete për artistët tanë të skenës e të ekranit e as ato tre librat për vendlindjen time, midis Sarandës e Himarës, që quhet Piqeras, po ja që, peripecitë e vështirësitë e jetës, si edhe shpirti që regëtinte pa rreshtur, nuk të lë pa provuar të shkruash e të shprehesh, kur papritur në mes të një dimri doli e ma mori përroi barangën time dhe, si shpëtuam, u ula e shkrova tregimin e parë, me titullin “Shtëpia me rrota”! Duke u marrë edhe me publiçistikë (një pasion i hershëm i imi), po edhe me artet e bukura, që përbëjnë krijimtarinë time kryesore, më tërhoqi kështu, çmendurisht edhe letërsia, fillimisht si sprovë e pastaj me tregime, novela e me ato dy romane që i hodha në letër pa pretendime, si një qytetar i paqetë. Kisha parasysh edhe ato fjalë që më tha edhe nje fshatar tjetër i imi, pasi me shpallën si ”Qytetar Nderi i Bregdetit” dhe kur dikush e grisi posterin me fotografin time, duke më thënë: “Ç’ke bërë ti për fshatin tënë, kur unë kam bërë atë e ketë…” e m’i numuroi që të gjitha punët që kishte bërë ai dhe që më yshtën të shkruaja edhe ato tre libra për fshatin tim. Po fusha e krijimtarisë, asnjëherë nuk mbaronte, sepse nuk mund të merresh vetëm me veten tënde, me shpirtin tënd krijues, pa iu përkushtuar edhe të tjerë miqve e kolegëve, të cilët “bashkudhëtojnë” me ty, po njëlloj si edhe për veten tënde, me lexime të ndërsjella, me biseda e analiza, po edhe me shkrime kritike në shtypin periodik e atë letrar. Krijimtaria është vetiake, po ama ajo bëhet midis njerëzve e krijuesve të tjerë, si në një “bashkëjetesë” krijuesish. Ndaj edhe, bashkë me shokët e mi e krijuam dhe e mbajtëm për 16 vite “Lidhjen e Shkrimtarëve e Artistëve”, me të cilën lamë gjurmë të mira, si në një familje të përbashkët krijuesish, me dhjetra-qindra promovime të tilla, me analiza, panaire libri, ekspozita të artit pamor, festivale të fjalës artistike, sesione shkencore, shfaqje teatrale dhe koncerte muzikore, si edhe me veprimtari të përbashkëta me Lidhjen e Shkrimtarëve e Artistëve Grekë. Dhe njeriu e ndjen veten mirë, kur bën diçka mbresëlënëse për vëndin e vet, për kulturën kombëtare. Vetëm se nuk e di asnjëherë se si e sa i ke arritur vlerat e dobishme, me artin e letërsinë tënde… Këtë e dini vetëm ju e kritika profesioniste, pa të cilat nuk mund të ecet më përpara…
Në gjithë këtë retrospektivë jete, kur arrita gjer në librin 36, kam kaluar dy epoka historike dhe ndodhem 32 vite në të tretin, me stuhira e dallgë të forta, kur megjithatë kam ecur më lirisht e më mirë me krijimtarinë time, që ende nuk ka përfunduar akoma, edhe pse mosha ka bërë të vetën, gjersa kam shkelur vitin e 85-të, pa mundur që të na përkulë koha, as tërmeti e as Covidi-19, as Shën Mëhilli e Shën Pjetri, që më lejuan të vijë përsëri këtu. Mirënjohje edhe ndaj shtetit tim që më ka akorduar urdhëra e tituj të lartë, shoqërisë time të mirë, atje e këtu, po edhe bashkëshortes sime, Elenin, që unë e thërres me emrrin ARËZA e që më thotë se: “Ti do jetosh e do shkruash edhe 400 vite të tjera, gjersa përcolle aq e kaq breza, bile që ‘e hëngre’ edhe një mbret vitin e kaluar”!
Le të mbetemi po kaq optimistë, si edhe ARËZA e mos qoftë i fundit edhe ky promovim libri!
Athinë, 7 maj 2023.