Erotika në letërsinë shqipe/ Duket se shembujt e rrallë në letërsinë tonë kanë të bëjnë me emancipimin e fuqishëm shpitëror në jetën fetare të vendit. Përveç tyre, poetët e tjerë e kanë respektuar urdhrin, rregullin, “ligjin” e komunitetit që i përkasin. Debati i njohur në vitet ’30 të shekullit të kaluar mes Fishtës dhe Poradecit për moslëvrimin e temës erotike prej të parit

 Lili Sula

Ka mbetur e njohur një bisedë mes Fishtës dhe Lasgushit diku në vitet ’30. Adhuruesi i poezisë së Lasgushit, Fishta, kur thoshte me keqardhje se nuk mund të bënte një poezi si ajo e Lasgushit, kishte parasysh zhgunin e fratit, që sigurisht nuk e lejonte të shkruante lirika dashurie. Kjo bisedë çon në një mënyrë a në një tjetër te një çështje me të cilën historia e letërsisë sonë nuk është marrë fare. Është fjala për marrëdhënie të pazakonta të poetëve klerikë me motivimin e dashurisë. Për të ofruar në një farë mase një zgjidhje të mundshme të kësaj çështjeje, është e nevojshme t’i hidhet një sy trajtimit të motivit të dashurisë në letërsinë e vjetër të bejtexhinjve dhe në periudhat që pasuan.

Në letërsinë shqipe, lirika erotike është pak e zhvilluar. Përveç arsyeve letrare e kulturore, duhet të shënojmë edhe një sociologjike; një pjesë e mirë e poetëve tanë kanë qenë klerikë. Letërsia e vjetër e shekujve XVI-XVIII, veçanërisht qarku katolik i shqipërisë së veriut, aty ku u ngjizën librat e parë dhe me përbërje artistike ( Budi, Bogdani, Bardhi), u lëvrua prej misionarësh katolikë. Edhe pse paraletrare, kjo fazë nuk e njohur lirikën erotike. Letërsia e bejtexhinjve u shkrua nga klerikë dhe jo klerikë. Mënyra si e trajtuan motivin erotik poetët bejtexhinj është mjaft prolematike. Nezimi dhe Sulejman Naibi, që e trajtuan më shumë këtë motiv, nuk punuan si klerikë, ndërsa Hasan Zyko Kamberi vetëm vitet e fundit i kaloi si dervish. Poetët klerikë të Rilindjes Kombëtare, historiografia jonë i ka grupuar te poetët minorë. Në tekste të tilla, këtyre poetëve ose u kushtohen fare pak rreshta, duke dhënë disa tipare të përgjithshme, ose nuk përmenden fare. Kështu përmendim Leonardo De Martinon, Pjetër Zarishin, Pashko Babin, Ndue Bytyçin, Engjëll Radonë, Preng Doçin etj. Megjithatë, ndër arbëreshët pati një poet të shquar, siç qe A. Santori. Në libërthin Këngëtorja arbëreshe, Santori të kujton Këngëtaren e Petrarkës. Vepërza e Santorit hapet në një formë jo të zakontë, me dy strofa katërshe, si një hyrje a shpjegim katarsist para lexuesit për temën tabu: lirikën erotike që do të rrëfente. Poeti e shihte të domosdoshme të merrte paraprakisht pëlqimin e receptuesit. Këngëtorja arbëreshe nuk është produkt i historive të mia jetësore as thjesht krijim fantazish. Me këto vargje Santori merr përsipër të rrëfejë ato që kishte mësuar dhe lexuar nga librat.

 

Për dire për namuri shumë vjershe shkruejta,

moj ndë ktë zemër namuri së ndieta:

ndë gjellë sa mbeta ndonjë kopile së ruata,

e vetëm ate çël dhuovasa ani rrëfyeta

 

qeva ndë dhe, e tas me dhenë së luata

e ndë të mira o [të] liga [të] tij s’u lajta,

se nd’atë [të] shkurtur mot çë vasha ruata

isha pa ftesë e mengu ç’ishin pieta

Vepra më tej përmbante odhi, vjeresha, këntik (kantika), kangjel e valles (këngë e korit) një dialog mes trimit dhe vashës të titulluar “Të përpjekurit” (Takimi). Argumentet që e shtynë Santorin ta hapte këngëtoren në një mënyrë të tillë, Francesco Solana i gjen te dëshira për t’u mirëkuptuar nga lexuesit që duhej t’i merrnin vargjet e tij si “ushtrime letrare” apo si nevoja për t’u shfajësuar para tyre…Me ç’duket, vetëm të marra së bashku, këto hamendje mund të shpjegojnë atë hapje të pazakontë, i shtyn më tej gjykimet prof.A. Xhiku. Për të, organizimi i poemës me vargje klasike dhe popullore, shkruar më së shumti në vetë të dytë si këngë që një djalë i ri ia kushtonte së dashurës, sillte një nga ndjesitë më të përhapura të poezisë romantike: dashurinë e pamundur. Me ç’duket, vetë Santori ka qenë i interesuar të shpjegonte pozicionin e tij të vështirë në marrëdhënie me lirikën intime, po aq sa edhe me receptuesin e veprës së vet, se kishte shkruar këngë dashurie, ndërkohë që kishte zgjedhur udhën e misionarit të perëndisë. Tradita religjioze qe e fortë në pjesën katolike të Shqipërisë së Veriut, për një sërë arsyesh historiko-kulturore, që në thelb kanë të bëjnë me ruajtjen e besimit fetar kristian. Gjatë gjysmës së parë të shek.XX pati mjaft poetë të shquar klerikë, si Fishta, Mjeda, Prenushi, Shantoja, Palaj etj. Qe e kuptueshme që te këta poetë lirika e dashurisë të mos lëvrohej, për shkak të urdhrit fetar ku bënin pjesë; dhe askush nuk priste prej tyre të vjershëtonin në këtë hulli. Pikërisht ajo që s’pritej ndodhi. Edhe për letërsinë shqipe që qe e ere në krahasim me atë evropiane, dolën poetë klerikë që, sido që të mund të duket e guximshme, të kujtojnë mundimet dhe vuajtje te Abelarit dhe Heloizës në fillim të shekullit XII, epistolarin e tyre të famshëm, kompozimet e këngëve të dashurisë të Abelarit për të dashurën, një histori dashurie që tejkalon çdo kufi, tabu fetare dhe humane. Edhe pse të rrallë, janë të njohur shembujt ku përmasa poetike e tejkalon atë të besimit. Ndërsa merret me marrëdhëniet e besimit me erosin, G. Bataille shënon: “Përdhosja e krishterë, duke qenë në kontakt me fëlliqësinë, shkonte drejt e në zemër të botës së shenjtë, hynte në fushën e ndaluar. Por për kishën kishte gjithsesi nga ana formale, logjikën e vet. Me kufij të saktë dhe formale, që ishin bërë pjesë e traditës, Kisha kishte veçuar qartë nga bota profane gjithçka ajo quante të shenjtë. Fusha erotike, e fëlliqët, djallëzore nuk ishte e veçuar aq qartë: u mungonte një lloj përkufizimi formal, një kufi i përpiktë që të dallohej lehtë”. Nga historia e letërsisë botërore është i njohur prifti dhe poeti anglez Gerard Manley Hopkins (1844-1889). Përveç pak poezive të botuara në periodikët e kohës, vepra e Hopkins-it, u publikua postum. Ai vlerësohet edhe sot nga kritika për mosrespektimin e metrikës tradicionale dhe krijimin e një strukture të re metrike sprung rhythem, për përdorim mjeshtëror të gjuhës arkaike, dialektore dhe krijimin e neologjizmave. Studiuesit bashkëkohorë besojnë se te Hopkins-i kanë  peshë të veçantë impulset erotike. Ato kanë vlerë në cilësinë artistike të poezive, në ndjeshmërinë dhe tonet e saj, si dhe në përmbajtje. Megjithëse duken shumë pretenciozë, disa studiues argumentojnë tekstet poetike të Hopkinsit si tekste dhe lexime homoerotike, jo thjesht erotike, jo thjesht homoseksuale, por në thelb është këndim i erosit në kuptimin më artistik të fjalës ose estetizmi  i erosit.

Duhet të ketë qenë arsye të mjaftueshme këto që Hopkinsi t’i digjte herë pas here poemat dhe krijimet e veta ose t’ia jepte mikut të tij, poetit laureate Robert Bridges, që t’ia botonte vetëm pas vdekjes.

Nga poetët shqiptarë të gjysmës së parë të shekullit të XX spikat Lazër Shantoja. Nën pseudonimin Lilian, Shantoja botonte tek “Ilyrija” (6.5.1934) tufën e tingëllimave “Për nji puthje të vetme”, e cila, që në titull, e ka të shprehur sensualitetin. Përmes lyrës që simbolizonte dashurinë e poetit dhe kunorës, simbol i devocionit fetar si prift, me formë artistike të latuar, me një përkujdesje të spikatur për ligjërimin poetik, metrin dhe ritmin e poezisë neoklasike,  me stilin e shkëlqyer, mjaft të ngjashëm me atë të Koliqit e Mjedës, pesë tingëllimet e këtij cikli janë poezitë më të realizuara artistikisht të Shantosë. Ato i kushtohen vashës që shkoi në mëri, si dhe një prej vuajtjeve më të rënda që mund të përjetonte një poet: pamundësinë për të shprehur veten derinë fund, për të treguar se nën veladon është njeriu,burri, mashkulli.

 

V

Ah, mos e lup at varg!…Asht shumë ma mirë

korimbat t’tu mos t’dijnë ça do me thanë

me qen poetë e mos me qenë i lirë,

me këndue me goj’kur zemërngrita qanë.

 

Kshtu qenka jeta…me nji lamtumirë

lyrën qi për ty kappa due me e lanë

por teli i saj, o lile, dridet vshtirë

kur jehon’ tjetër s’ka përveç nji zanë.

lulzo ti prap! Un i padashtun jetën

tash ekaloj, i vetmi ndër poetën;

e tue kujtuemun puthjen e nji dite,

 

puthjen t’ande n’mërgim…un tash i a kndoj

ma t’bukrin varg, hyjneshës Afërdite

ndër bije t’qiparisavet kur t’shkoj…”

Tjetër krijim i Shantosë, i pa vënë re deri tani për ngjyrat erotike, është Bylbyli i cofun. Parateksti i saj përmban titullin, tipologjinë “Elegji (këndon një vashë) kushtue F.Sh”. Poezia është krijuar më 1920, viti kur Dom Lazri kthehet nga studimet teologjike na Austria dhe shugurohet prift. Poezia u botua për herë të parë më 2005, në publikimin e plotë të veprës së autorit. Si për çudi, titulli i saj nuk gjendet në përmbajtjen e lëndës. Vetëm një shfletim dhe lexim i kujdesshëm i veprës së poetit na e nxjerr parasysh poezinë. Të jetë gabim shtypi?! Të jetë harresë e përgatitësve të botimit?! Ndoshta një përkujdesje dashamirëse….Ndoshta deri në këtë vit Shantoja ia ka lejuar vetes tabunë poetike…

Duket se elegjia nuk i kushtohet bylbylit, po mikut a mikes. S’është e vështirë të identifikohet bylbyli me lirikun; jeta e rregulltarit Dom Lazer Shantoja me jetën e bylbylit n’kafaz. Këmbimet e ligjërimeve nga vetë e tretë, pozicioni i narratorit tek ai i unit lirik përmes vetës së parë, këmbimet e gjinive dhe elementë të tjera nuk e lënë shumë jashtë Dom Lazrin, siç do të donte ose si na lë të kuptojmë nga parateksti shpjegues, po e fusin atë në tekst, madje në thelbin e tij. Duke dashur të mbulohet a të fshihet teksti poetik na e nxjerr krejt zbuluar lirikun.

Në kafaz kalon nji jetë

vetmitare plot qetim,

kuer telin rreh me fletë

aj lypë vashën me përmallim

Duket se kemi të bëjmë me të njëjtën praktikë si te mistifikimi i këngëve arbëreshe të Santorit, tashmë historia dashurore nuk është e lexuar, por e kënduar nga një vashzë. Dom Lazri sikur ia sjell lexuesit, ashtu siç sillen këngët e folklorit. Por nga lënda, poezia është shumë e ngjashme me ciklin e tingëllimave. Për nji puthje të vetme, kemi të bëjmë me pamundësinë e realizimit të dashurisë, humbjen e një prej të dashuruarve, vajtimin për të; një skemë tipike romantike po kaq romantike është poezia për nga raportet që vendos me krijimet popullore mitologjinë, me ligjërimin poetik, organizimin metrik etj…

A nji mik qi me dashtëni

zemrën vashës nuk ja dhuron:

por t’u bamun shoq në vetëmi

vashës motin ju shkurton.

…………………………….

kurr s’jam kndaqë si shoqet e tjera

me jazmin, lil o zymyl;

por me shkoi moti shënd e vera

veç me ty, o i shkretë bylbyl…

 

E po tash qi circirimi

t’and, bylbyl, un ma s’e ndi,

si t’a pres unë tash agimin,

si të pres natën në vetëmi?

…………………………….

Kjani zana, të tanë prej malli

dhe vajtoni zogun t’em!

qi me të puthuna së mund ta njalli

së mund t’a baj me kërcye m’gem.

 

I kaloj tash vashës vashnia

qyshë se zanin ma s’ta ndjeu;

pusho tash nen kto selvija

bylbyl, në vorr i let të kjoftë dheu!

Duket se shembujt e rrallë në letërsinë tonë kanë të bëjnë me emancipimin e fuqishëm shpitëror në jetën fetare të vendit. Përveç tyre, poetët e tjerë e kanë respektuar urdhrin, rregullin, “ligjin” e komunitetit që i përkasin. Le të sjellim edhe një herë debatin e njohur të viteve ’30 të shekullit të kaluar për Fishtën dhe Poradecin rreth moslëvrimit të temës erotike prej të parit. “Edhe Fishta ndiqte shembullin e shkrimtarëve evropianë që quhen të mëdhenj!- thoshte Lasgushi P. Kolevicës. Se kanë shkrojtur shumë. Edhe ai shkruante shumë, lloj lloj poezish. Po dëgjo tash të të them ç’më tha Fishta kur u takuam në Shkodër. Ai kishte shumë respekt për mua. Unë isha më i ri në moshë dhe më i ri si poet sesa Fishta, por ai kishte respekt: Zoti Lasgush,- më tha,- edhe unë mundem me  shkrue si ju, por kam frikë shnedën. Ç’desh të thesh me këtë? Desh të thesh se poezia që bën ti bëhet, po kërkon shumë punë, punë që mund të të dëmtojë shëndetin. Po arti kështu bëhet. Poezia kështu bëhet. Shëndeti shkatërrohet dhe xhepi shpohet”?Sigurisht që rrëfimi i Lasgushit apo i Lasgushit përmes Kolevicës është deri diku i besueshëm. Sigurisht, si e përmendëm dhe më lart, Fishta nuk e lëvroi motivin erotik. Ai vërtet mund të shkruante poezi dashurie, siç i shprehej Poradecit, po aq mirë sa mundi të shkruajë dhe të tilla atdhetare e fetare. Arsyeja nuk ka të bëjë me shëndetin a mundësitë ekonomike, po me tabunë e dashurisë dhe lëvrimit të saj poetik nda françeskanit.