Astrit Lulushi: Luftë për vepra
Lufta për punën, veçanërish kur rezulton në libër a vepër, është luftë e keqe, e padrejtë Por duhet të shkatërrojnë dukurinë që të marrin edhe emrin.
Një fat të tillë të tillë tragjik ka patur edhe Sabiha Kasimati, disidente, e cituar si një nga gratë e para shkencëtare në Shqipëri. Ajo u arrestua nga regjimi komunist më 20 shkurt 1951, pas bombës në ambasadën sovjetike. dhe disa ditë më vonë u ekzekutua pa gjyq së bashku me 21 intelektualë të tjerë.
Sabiha Kasimati (1912 – 1951) ishte nga një familje e njohur intelektuale me origjinë nga Libohova. Ajo lindi në Edirne, (në Turqinë e sotme) nga Abdurrahman Kasimati dhe Zehra Mbreshtani. Sabiha ishte më e vogla nga pesë vëllezërit e motrat. Babai, Abdurrahmani, kishte kryer studimet universitare për Mjekësi në Turqi. Në vitin 1927 u kthye familjarisht në Shqipëri dhe u vendos fillimisht në Korçë, dhe më pas në Elbasan, ku shërbeu si mjek.
Pasi u vendos në Korçë, Sabiha filloi studimet në Liceun Kombëtar, i njohur ndryshe si Liceu Francez, emër i mbetur që nga koha e Luftës së Parë Botërore, kur prezenca franceze kishte qenë mjaft domethënëse. Një nga shokët e saj të klasës ishte diktatori i ardhshëm Enver Hoxha. Në vitin 1930 Sabiha u bë gruaja e parë që u diplomua nga kjo shkollë. Ajo zotëronte rrjedhshëm disa gjuhë. Menjëherë punoi për disa kohë si mësuese në shkollën normale të vajzave të qytetit, duke dhënë lëndët Edukata morale dhe Gjuhën frënge. Më vonë u transferua si pedagoge në shkollën shqiptaro-amerikane në Kavajë, ku dha mësim Biologjinë, një nga pasionet e jetës së saj. Në vitin 1936 mundi të përmbushë dëshirën për studime të larta. Shteti shqiptar i dha një bursë studimi në Universitetin e Torinos, në Fakultetin e Shkencave Biologjike, të cilën e përfundoi me sukses. Në verën e vitit 1941, Sabiha Kasimati mbrojti doktoraturën, me temë: “Fauna ittica di acqua dolce d’Albania” (Peshku dhe fauna e ujërave të ëmbla të Shqipërisë). Me kthimin në atdhe, Kasimati emërohet mësuese në Institutin Femëror “Nana Mbretëreshë”, i cili pas pushtimit italian quhej “Donika Kastrioti”. Paralelisht me punën e saj pedagogjike, ajo i dha një vend të rëndësishëm edhe studimit të biologjisë së peshqve të detit që jetojnë në laguna, këneta, si dhe mbledhjes së materialeve për përgatitjen e veprës madhore të së ardhmes, monografinë: “Peshqit e Shqipërisë”. Për arsye shëndetësore u detyrua ta linte punën pedagogjike dhe të trajtohej në sanatoriumin kundër tuberkulozit në veri të Italisë, në Bolzano. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Kasimati vendosi të kthehej në vendlindje në vitin 1947, ndërkohë që komunistët sapo kishin ardhur në pushtet. Me krijimin e Institutit të Studimeve emërohet menjëherë si specialiste shkencore. Një vit më vonë, kur instituti mori emrin Instituti i Studimeve Shkencore, emërohet specialiste zoologe, e profilizuar për peshqit, në seksionin e shkencave biologjike. Gjatë kësaj kohe Kasimati bëri punën voluminoze të përcaktimit të bibliografisë shkencore që gjendeshin në Shqipërinë e asaj kohe. Kasimati arriti të shkruante një artikull të gjatë programor me titull “Problemet e peshkut dhe peshkimit në vendin tonë”, botuar në Buletinin e Institutit. Në atë artikull tekniko – shkencor ajo trajtoi në mënyrë analitike pasurinë iktiologjike të vendit sipas sipërfaqeve, problemeve e mbarështimit dhe kultivimit të nevojshëm të disa llojeve, veçanërisht të krapit, koranit, levrekut evropian etj. Fillimisht në artikull ajo. paraqet kushtet natyrore mjaft të përshtatshme që ka Shqipëria, për një faunë të pasur lumore dhe detare. Ajo citon autorë dhe studime italiane, të cilët kanë përmendur pasurinë iktiologjike dhe mundësitë ekonomike të shfrytëzimit të ujrave. Më tej, Kasimati analizoi faktorët natyrorë të përshtatshëm, duke filluar nga konfiguracioni, gjiret e mëdha dhe të mbrojtura, kënetat, uji jo shumë i kripur dhe që nuk ngrinte dimrit.
Rëndësi të veçantë ajo i atribuoi rrymave ujore, të pasura me peshq, që vinin nga deti Jon deri në veri të detit Adriatik. Një kusht tjetër i rëndësishëm që trajtoi Kasimati ishte konfigurimi i shtratit të platformës nëndet e cila është e gjerë e shtruar me rërë të imët ose baltë, ku gjenden të gjitha llojet e bimëve ujore dhe molusqeve të vogla, me të cilat ushqehen peshqit. Sipas të dhënave të studimit të saj, në këto zona gjenden kryesisht peshq të cilësisë së lartë, si Sturgeon, levreku evropian, Twait shad, Orata dhe Ngjala. Këto të fundit, sipas Kasimatit, udhëtojnë mbi 300 km deri në kënetën e Maliqit. Ajo tregon eksperimentet për rritjen dhe kultivimin me sukses të krapit në fushat e orizit. Për të bindur publikun dhe ekonomistët, ajo analizon dhe ofron disa sugjerime se ku mund të përfitojë shteti nga peshkimi, kryesisht në zonën e Nartës, ndërsa në zona të tjera potenciali ishte edhe më të madh, si në Butrintit, për shkak të mungesës së anijeve moderne. Një fenomen negativ që kishte konstatuar Kasimati ishte shfrytëzimi pa kriter i peshqve me vlera të larta tregtare dhe për pasojë sillte varfërimin e faunës detare me këto specie.
Në vitin 1949 Departamenti i Shkencave të Natyrës kreu një ekspeditë të gjatë studimore në zonat Kukës, Bicaj, Pukë, Burrel, Qafë-Shtamë; Bogë, dhe Theth, duke realizuar kështu një verifikim të gjetjeve në ujërat shqiptare. Në përfundim të kësaj ekspedite, Kasimati arriti të përshkruajë përfaqësuesit e familjeve, urdhrave, gjinive dhe llojeve të të gjithë peshqve në Shqipëri. Pas një pune shkencore, ajo i dorëzoi institutit për botim vëllimin prej rreth 200 faqesh, me titull “Peshqit e Shqipërisë”. Ky punim përmblodhi 257 lloje peshqish, të grupuar në 211 familje, duke lënë pa identifikuar dhjetë lloje peshqish, të cilët zakonisht vijnë shumë rrallë në ujërat e vendit, ose që nuk ishin hasur ende në detin Adriatik. Por pikërisht në kohën kur libri ishte në shtyp në fazat e fundit të botimit, Kasimati arrestohet.
Ajo prej kohësh kishte kundërshtuar shumë nga politikat e regjimit komunist të pasluftës, veçanërisht pas eliminimit dhe internimit të disa intelektualëve shqiptarë, të cilët shpesh nuk kishin patur asnjë lidhje me kundërshtarët politikë të PPSH-së. Një rast i tillë që e tronditi ishte vrasja e shkencëtarit dhe profesorit Selaudin Toto, njëkohësisht drejtor i Institutit të Studimeve Shkencore ku të dy kishin ndihmuar në ngritjen e institucionit. Ose siç ishte rasti i intelektuales dhe shkrimtares Musine Kokalari, motra e dy vëllezërve të pushkatuar, e cila u dënua dhe u burgos.
Këto të gjitha e kishin shtyrë Kasimatin të takohej personalisht me Enver Hoxhën, të cilin e njihte që në kohën e Liceut Francez. Për këtë takim disa studiues citojnë Kasimatin të ketë thënë:
“Kam ardhur t’ju them se po vrisni të gjithë intelektualët, dua t’ju pyes se me kë keni ndërmend ta ndërtoni Shqipërinë, me teneqexhinjtë apo këpucarët?”, dhe Hoxha iu përgjigj: “Mos lexoni iluminizmin francez, ju këshilloj të lexoni Marksin dhe Leninin”.
Më 19 shkurt 1951, një sasi e vogël dinamiti (që konsiderohej bombë) u hodh në oborrin e Ambasadës Sovjetike në Tiranë. Disa dhjetëra shqiptarë u arrestuan dhe pas hetimeve, torturave të të gjitha llojeve gjatë 2-3 ditëve, u ndanë vetëm 22 persona. Mes tyre ishte edhe Sabiha Kasimati, për të cilën autoritetet nuk dhanë asnjëherë asnjë shpjegim se çfarë e lidhte me këtë ngjarje. Në fakt, siç u mësua pas rënies së komunizmit, të gjithë të akuzuarve dhe të ekzekutuarve nuk iu bë asnjë lloj gjykimi, asnjë mundësi për t’u mbrojtur dhe asnjë apel. Më 26 shkurt, vetëm një javë pas ngjarjes, ata u morën në afërsi të fshatit Mënik, buzë lumit Erzen dhe u pushkatuan. Mehmet Shehu, në atë kohë ministër i Punëve të Brendshme, ishte përfshirë personalisht në hetimin e shkurtër të Kasimatit. Më 5 mars, ministri i atëhershëm i Drejtësisë, Manol Konomi, u shkarkua për mospajtim me shkeljen e ligjshmërisë dhe sajimin e një gjyqi që nuk ishte zhvilluar për ata 22 të vrarë tashmë.
Vepra e Sabeha Kasimatit “Peshqit e Shqipërisë” ku ajo dokumenton peshqit e liqeneve, lumenjve dhe deteve shqiptare, u botua, por jo me emrin e saj. Libri mban emrin e shkencëtarit rus Anatoly Poliakov dhe dy studiuesve shqiptarë në vitin 1955. Pas rënies së diktaturës, mos thoni se nuk kishte hezitime; Vetëm në tetor 2018, Kasimatit iu njoh merita e krijimit të idesë së një Muzeu Kombëtar të Shkencave të Shqipërisë. Në tetor 2018 u njoftua se Muzeu Kombëtar Shqiptar i Shkencave do të quhej Sabiha Kasimati dhe një zonë e muzeut do të ndahej për historinë e jetës dhe sakrificën e saj.
Please follow and like us: