Kuvendi të njohë holodomorin si gjenocid rus ndaj popullit ukrainas
Nga Shaban Murati
E kaluara tragjike e popujve dhe të vërtetat historike të krimeve kundër njerëzimit nuk mund të ndahen nga jeta e përditëshme diplomatike dhe ndërkombëtare. Popujt e civilizuar i binden dhe e zbatojnë këtë aksiomë. Në datën 18 maj 2023 senati i Francës miratoi një rezolutë, në të cilën e njeh holodomorin si gjenocid rus ndaj popullit ukrainas. Sipas rezolutës franceze: “uria, deportimi dhe vrasjet metodike të miliona ukrainasve në vitet 1932-33 ishin shkaktuar me qëllim nga pushteti sovjetik dhe synonin asgjësimin e identitetit ukrainas dhe për zhdukjen e kombit ukrainas”. Në muajin mars 2023 dhe Dhoma e Ulët e parlamentit francez miratoi një rezolutë, ku e njeh holodomorin si gjenocid rus ndaj popullit ukrainas.
Holdomor, (“gollodomor” në rusisht), është vdekja nga uria dhe përkufizon vdekjet masive nga uria masive në Ukrainë, e provokuar nga politika e Moskës në vitet 1932-1933. Me dekret të posaçëm të Stalinit u urdhërua në vitin 1932 konfiskimi i plotë dhe i tërësishëm në shkallë kombëtare i të gjitha të korrurave të grurit në Ukrainë, si dhe konfiskimi i të gjitha produkteve ushqimore të të gjithë fshatarëve ukrainas. Si rezultat i këtij plani diabolik vdiqën nga uria 7 deri në dhjetë milion ukrainas, gra, fëmijë dhe burra të pafajshëm, që përbënte rreth 25 përqind të popullsisë ukrainase. Gazeta britanike “Daily express” botonte në 6 gusht 1934 reportazhi me titull “Tmerri i Ukrainës-njerëz të vdekur dhe kuaj të ngordhur nëpër rrugë”. Ishte një krim i përbindshëm qeveritar rus, të cilin regjimi bolshevik me dorë të hekurt të fshehur të fshehur nga opinioni publik brenda dhe jashtë vendit për dekada me rradhë. Holodomori ishte një politikë dhe strategji paranaziste e Moskës për të nënshtruar Ukrainën dhe popullin e saj dhe për të eliminuar çdo përpjekje për identitet kombëtar dhe pavarësi. Holdomori rus është pararendës i holokaustit nazist.
Bota demokratike dhe e civilizuar perëndimore nuk mund të pranonte rrasën e varrit rus për një krim të tillë makabër si holodomori. Deri në prill të vitit 2023 parlamentet e rreth 30 shteteve të botës kanë miratuar rezoluta, ku kanë njohur holodomorin si gjenocid rus ndaj popullit ukrainas. Qeveria amerikane në vitin 2006 autorizoi ngritjen e “Memorialit të gjenocidit të holodomorit”. Në 14 mars 20018 senati amerikan miratoi rezolutën, që njeh holodomorin si gjenocid. Në 25 nëntor 2022 në ditën përkujtimore të holodomorit, presidenti i SHBA, Xho Bajden, theksoi se “Holodomori është vdekja nga uria, ku regjimi i Stalinit imponoi politikat e egra dhe represive për Ukrainën, përfshirë krijimin e një urie të qëllimëshme në 1932-33, që shkaktoi zhdukjen e miliona grave, burrave dhe fëmijëve të pafajshëm”.
Në 15 dhjetor 2022 Parlamenti Europian miratoi rezolutën, që e njeh holodomorin si gjenocid ndaj popullit ukrainas. Në rezolutën e Parlamentit Europian holodomori përcaktohet si “veprim i qëllimshëm i regjimit stalinist për organizimin artificial të urisë”. Në fund të nëntorit 2022 Bundestagu gjerman miratoi rezolutë të posaçme për njohjen e holodomorit si gjenocid. Me rezoluta të posaçme e kanë dënuar holodomorin si gjenocid rus ndaj popullit ukrainas edhe parlamenti i Belgjikës, i Polonisë, Rumanisë, Bullgarisë, Irlandës, Islandës, Moldavisë, Çekisë, Hungarisë, Kanadasë, Portugalisë, etj. Shumë kohë më parë e kanë dënuar holodomorin si gjenocid rus parlamentet e atyre shteteve, që dolën nga Bashkimi Sovjetik dhe e kanë provuar në kurrizin e tyre represionin e egër të Rusisë kundër popujve jorusë. Në vitin 1993 parlamenti i Estonisë e njohu holodomorin si gjenocid. Parlamenti i Lituanisë dhe parlamenti i Gjeorgjisë e njohën në vitin 2005 dhe parlamenti i Letonisë në vitin 2008.
Gjenocidi rus ndaj popullit ukrainas, i ndodhur në mes të Europës, është një krim masiv i përbindshëm kundër njerëzimit. Ndaj nuk mund të qendronin indiferentë as qeveritë dhe parlamentet e shteteve në kontinentet e tjera. Kështu holodomorin si gjenocid rus ndaj popullt ukrainas e kanë dënuar me rezoluta edhe parlamenti i Meksikës, i Brazilit, i Kilit, i Perusë, i Paraguajit, i Ekuadorit e deri parlamenti i Australisë.
Ky dënim i përbotshëm shtetëror, qeveritar dhe paralmentar i holodomorit si një gjenocid dhe krim kundër njerëzimit përbën një zhvillim pozitiv, që konfirmon nevojën historike dhe gjithmonë aktuale për dënimin e krimeve dhe politikave kriminale shtetërore, që kanë synuar të zhdukin fizikist dhe etnikisht popujt, siç janë tmerret e holokausti dhe të holodomorit.
Kemi një dallgë të fuqishme mbarëbotërore të dënimit të gjenocidit të holodomorit, si një solidaritet mbarënjerëzor dhe mbarëndërkombëtar me popullin e shumëvuajtur ukrainas. Është e turpshme që edhe pas 90 viteve të këtij gjenocidi rus dhe krimi makabër kundër njerëzimit i kryer nga regjimi stalinist i Rusisë, Kremlini jo vetëm nuk kërkoi falje, por në mënyrë të mjerë po përpiqet ende me stilin e egër sovjetik ta mohojë ekzistencën e holodomorit. Ambasada ruse në Paris në 18 maj 2023 nxorri një deklaratë, ku sulmon senatin e Francës për rezolutën e nohjes së holodomorit si gjenocid se “don të rishkruajë historinë”. Kurse zëdhënësja e MPJ të Rusisë, Maria Zaharova, në 1 prill 2023 e sulmoi Asamblenë Kombëtare të Francës për rezolutën e holodomorit , duke e cilësuar “shprehje e rusofobisë së kundërshtarëve tanë europianë”.
Mendjeshkurtësia e qendrimit të Rusisë së Vladimir Putinit për holodomorin dhe qendrimi absurd mohues rus komprometohen duke i ballafaquar me vetë qendrimet e mëparëshme të Kremlinit. Rusia zyrtare e ka pranuar dikur të vërtetën e holodomorit. Në vitin 1991 presidenti i Rusisë, Boris Jelcin, e pranoi publikisht holodomorin dhe pasojat e tij tragjike të vdekjes së miliona vetëve. Në vitin 2003 OKB miratoi një deklaratë të posaçme të përbashkët për “urinë e madhe”, holodomorin, të viteve 1932-33 në Ukrainë. Këtë deklaratë të OKB për holodomorin e pranoi dhe e nënshkroi edhe vetë Rusia, bashkë me 25 shtete të tjera. President i Rusisë në viti 2003 ishte Vladimir Putin, pa urdhërin e të cilit nuk mund të mendohet pranimi dhe nënshkrimi nga Rusia i delaratës së OKB për holodomorin. Vladimir Putin, që vazhdon të jetë edhe sot e kësaj dite president i Rusisë, bën sikur e ka harruar pranimin e holodomorit, dhe tani ka urdhëruar varrosjen dhe heshtjen kombëtare ruse për holodomorin. Ne 19 tetor 2022 forcat pushtuese ruse në qytetin ukrainas të Mariupolit me dhunë hoqën dhe prishën monumentin në qendër të qyteti kushtuar viktimave të holodomorit, i cili ishte vendosur në vitin 2004.
Kemi një përpjekje antihistorike dhe të dështuar të Kremlinit, sepse terrori shtetëror rus mund t’i mbyllë me dhunë gojën popullit rus, por nuk ia mbyll dot as sytë, as memorjen historike dhe as dënimin e holodomorit nga shtetet dhe popujt demokratë në të gjithë botën.
Në planin diplomatik, politik dhe propagandistik është tepër e qartë përse Kremlini kërkon t’i mbajë në varrin e heshtjes skeletet e krimeve të tij masive. Së pari, Rusia e Putinit po ndjek të njejtën politikë staliniste të zhdukjes së identitetit kombëtar, të pavarësisë dhe të ekzistencës së popullit ukrainas. Strategjia e agresionit ushtarak rus të ndërmarrë prej tij në vitin 2022 kundër integritetit dhe sovranitetit të Ukrainës është e njejtë me strategjinë gjenocidiale staliniste për holodomorin e viteve 1932-1933. Së dyti, agresioni fashist i Rusisë kundër Ukrainës, që vazhdon sot e kësaj dite, ka shkaktuar masakra, vrasje masive dhe krime të reja kundër njerëzimit, të cilat e detyruan Gjykatën Kriminale Ndërkombëtare të Hagës të lëshonte urdhër ndërkombëtar arresti për presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, si kriminel ndërkombëtar lufte. Së treti, ambicja imperiale e presidentit Putin për rikrijimin e Bashkimit Sovjetik synon që të aneksojë dhe të gllabërojë shtete dhe popuj të pavarur, që kanë qenë dikur koloni sovjetike të Mosës. Presidenti Putin është arkitekti i agresionit rus në vitin 2008 kundër Gjeorgjisë, të cilës i aneksoi dy territore, dhe i dy agresioneve ushtarake kundër Ukrainës në vitin 2014 dhe 2022 , duke aneksuar me dhunë Krimenë dhe pjesën lindore të Ukrainës.
Përballë rrymës gjithnjë e më të fuqishme shtetërore, qeveritare dhe parlamentare ndërkombëtare të dënimit të holodomorit si gjenocid rus ndaj populit ukrainas, lind nevoja e një aktivizimi adeguat të Shqipërisë, si pjesë dhe përkatësi e civilizimit perëndimor. Shqipëria duhet të bashkohet me veprimin dhe me qendrimin e drejtë të parlamenteve të aleatëve tanë strategjikë të NATO-s dhe të BE, që e kanë dënuar holodomorin si gjenocid rus ndaj popullit ukrainas. Kuvendi i Shqipërisë duhet të jetë koherent dhe sa më parë të miratojë një rezolutë për dënimin e holodomorit si gjenocid rus. Kjo përbën për Kuvendin një detyrë morale dhe drejtësie përpara të vërtetës historike, por edhe një detyrë kmbëtare dhe kriter për harmonizimin e politikës sonë të jashtëme me atë të NATO-s dhe të BE, parlamenti i së cilës ka miratuar rezolutë të posaçme për holodomorin.
Shqipëria e ka nevojë jetike të ndërmarrë një hap të tillë, jo vetm për Ukrainën dhe për NATO-n e BE-në, por edhe për të respektuar veten e saj. Sepse është shtet që ka borxhe të mëdha ndaj të kaluarës tragjike kombëtare dhe ndaj të vërtetave historike të kombit shqiptar. Miratimi i një rezolute parlamentare për holodomorin si gjenocid rus në Ukrainë do ta ndihmonte për të mbajtur gjallë në memorien shtetërore dhe diplomatike krimet masive ndaj shqiptarëve dhe shkaktarët fqinjë të tragjedive gjenocidiale kundër popullit shqiptar.
Nuk e nderon asnjë qeveri shqiptare dhe asnjë udhëheqës të Shqipërisë fakti që gjatë 32 viteve të sistemit demokratik nuk kanë guxuar të flasin njëherë për gjenocidin grek në Jugun e Shqipërisë në vitin 1914, ku u vranë masivisht mbi baza etnike dhjetra mijra shqiptarë. Nuk kanë guxuar të përmendin kurrë masakrat dhe gjenocidin çam. Nuk kanë përmendur kurrë gjenocidin serb ndaj popullit të Kosovës. Nuk kanë folur dhe nuk flasin kurrë për masakrën e Tivarit, ku u masakruan masivisht dhe pabesisht mbi 4 mijë të rij shqiptarë të Kosovës nga forcat polciore dhe ushtarake të Serbisë, e cila për ironi ishte aleate e Shqipërisë së asaj kohe.
Shpresojmë se Kuvendi i Shqipërisë, duke miratuar një rezolutë për holodomorin, do të mësonte si të çvarrosë të vërtetat tragjike të historisë shqiptare. Shqipëria ka nevoje jetike të ngrejë ndërgjegjen kombëtare, shtetërore dhe ndërgjegjen diplomatike, për të kuptuar sa më parë se në botën e sotme nuk mund të avancohet në rrugën për progres, nesë nuk luftohet edhe e keqja e sotme, edhe e keqja e djeshme.
Qendrimi i sotëm i botës së civilizuar perëndimore ndaj holodomorit dhe holokaustit përbën modelin kryesor për Shqipërinë si si duhet të notojë në rrjedhat diplomatike rajonale. Sjelljet poshtëruese të kompleksit të inferioritetit shtetëror, qeveritar dhe diplomatik ndaj shteteve fqinj, të cilat kanë bërë gjenocid ndaj shqiptarëve, i bëjnë turpshme thirrjet levantine në Tiranë për të harruar të kaluarën në emër gjoja të së ardhmes. Modeli dhe qendrimi perëndimor ndaj së kaluarës është rruga efikase dhe dinjitoze për shtetin dhe diplomacinë shqiptare dhe jo ajo, që na mëkojnë tinzisht shtetet gjenocidiale ballkanike për të harruar të kaluarën tonë tragjike, që don të thotë të harrosh historinë dhe identitetin tonë kombëtar.