Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. dr. Bardhosh Gaçe: Nën qiellin poetik të Ibrahim Vasjarit

(Shënime mbi vëllimin poetik “Kur treten hijet” të poetit Ibrahim Vasjari)

 

Në librin e tij të fundit, të titulluar “Kur treten hijet”, të poetit Ibrahim Vasjari, në kopertinën e fundit ka një reliev poetik (po e quaj reliev?), i cili duket se e kapërcen komunikimin që zakonisht mbart një poezi nga poeti te lexuesi. Vargjet janë këto: “Thërras kujtimet/Mbledh copa-copa veten nëpër vite.” dhe më pas “Dhe kujtimet s’më binden/Arratisen, rebelohen, grinden./ Dalldisin kur kohët nga gjumi zgjoj”, dhe më tej vargu emblematik “Nuk dua të ribëhem, të rivua.”, një pasazh që komunikon mes poezisë, duke përcjellë kumtin dhe sentimentin e brendshëm sëmbues, që qëndron brenda poetit me muzën e tij.

Pasazhi poetik është mjaft i ngjeshur, pasi brenda tij qëndron koha reale dhe koha shpirtërore e poetit Ibrahim Vasjari. Pasazhi ka një brishtësi të zilishme prej poeti, ka një pezulli interesante, e cila lufton në mënyrë ekzistenciale brenda tij, që është e pamundur t’i shmanget ligjit universal të dialektikës, e cila nuk lejon t’i shkëputësh kohët, veçmas të shkuarën me të sotmen. Përmes një lloj “frike” të tillë, poeti ka mbetur brenda asaj që ka shkuar (kaluar), pavarësisht një forme të mrekullueshme, siç është sendërtimi artistik-poetik. Pjesa më e madhe e poezisë së Vasjarit mund të lexohet përmes kësaj marrëdhënie problematike.

Për të përmbushur këtë lloj marrëdhënie, e cila shfaqet në fragmente dhe në sythe të vogla në të gjithë poezinë e Vasjarit, poeti e ka njoftuar si një lloj kredoje poetike dhe në këtë libër përmes poezisë “Vorbulla jete”, një poezi sa meditative, brenda së cilës lëviz një drithërimë, një ftohmë, një drithërimë e vazhdueshme, që përveç një lloj marrëdhënieje që shpalon poetin me kohën, ajo mbart në vetvete dhe një lloj kumti jetësor. Poezia është shkruar me një nerv të fortë emocional, ku shtjella, si një shtjellë e rrezikshme uji është në të gjithë poezinë, e cila në karakteristikën e poezisë së Vasjarit është e gjatë dhe mbart kumtin e një poeme. Ai shkruan: “Seç  më del një shtjellë befas më zë pritë,/ Më përthith një vorbull kohësh, më robit...”, ky është një kumt, dhe kumti ka një karakteristikë të vetën, është i rëndësishëm, del nga thellësitë shpirtërore të qenies, por dhe shtrihet në kohë, pra mbart kohën.

Thellësisht ky kumt nis që nga fëmijëria. Të shkruash për fëmijërinë në një moshë të pjekur, relativisht të vonë, nuk është as e thjeshtë dhe as e rastësishme. Fëmijëria pastaj shfaqet përmes natyrës sintagmatike, si “vegimesh dritë- hije”, “qasem i përmallur”,dhe vargu “M’i përpin një erë e egër, brisk e ftohtë…” dhe marrin po kaq natyrë lirike dhe dramatike njëherësh kur shkruan vargun më me peshë në këtë poezi : “Po më ligu pleqëria, zë e dridhem…”.

Kjo kujtesë dhe ky raport që poeti ka me të kaluarën dhe jetën në vorbull, është e pakalueshme në të gjithë hapësirën e këtij libri, pasi sendërtimi i këtij raporti është kaq i përjetueshëm dhe i ndërtuar me “legjendën” e jetës. Besoj dy stofat dyvargore, të cilët po i sjell në këtë hyrje të mendimeve artistike-estetike të poezisë së Ibrahim Vasjarit, e përmbushin kuptimin e kumtit që përcjell poezia parathënëse e librit: “Kovë e dhimbjes zbret e ngjitet helm e vrerë,/ Pusit rreth i nxihen gurët, gjiri i shter”, dhe “Tek ky pus ku qan, çikriku me oi,/ Është ajo që lan përjetë atë shami…”.

Ashtu siç shkruan Sadik Bejko, njëri nga estetët dhe studiuesit e poezisë dhe krijimtarisë së Ibrahim Vasjarit, duke cituar një mendimtar të njohur të lashtësisë dhe kulturës botërore, Agustinin, se: “Themeli i shpirtit është kujtesa”, dhe Ibrahim Vasjari i ka ofruar lexuesit, njohësve të tij, poezisë dhe kulturës shqiptare një tablo të gjerësishme shpirtërore, e cila përmes kujtimeve të tij lidhet me kohën dhe përmes poezisë së tij lidhet me kondicionin shpirtëror dhe kulturën poetike. Libri i tij me kujtime dhe përjetime, “Kristale në errësirë”, me fakte dhe dëshmi, i ndërtuar përmes një zhanri miks (monografi, histori, përjetime dhe fakte të tjerë), nuk është më pak se një poezi e shkruar në një formë tjetër, ashtu siç dhe vëllimi poetik “Kur treten hijet”, një libër poetik në të cilin ka po kaq shumë detaje të kronikës jetësore të tijën nëpër kohë.

I lidhur fort historikisht dhe shpirtërisht me një horizont të rëndësishëm tradicional-familjar dhe vetë po kaq i ndjeshëm dhe me një ndjesi të prekshme me vendin, historinë, njerëzit, traditën kulturore, i lidhur fort me dëshminë e një treve që mbart mbi supe një peshë të madhe ngjarjesh, njerëzish, atdhetarësh, familjesh të njohura, kronika historike që përtërihen sa herë që shpaloset karakteri njerëzor, një trevë me një shpirt brilant poetik dhe lirik, në komunikimin që poeti ka me kohën dhe njerëzit, shenjat e këtij udhëtimi dhe “etnije” janë të freskëta të njoma dhe që gjethojnë në çdo stinë.

Në profilin poetik të Ibrahim Vasjarit shquajnë tiparet e një rrjedhe të vazhdueshme ndjenjash dhe mendimesh dhe pse nga thellësitë, ndjesi të brendshme që prekin një reliev të madh jetësor, qoftë të poezisë lirike, asaj sociale, asaj me detaje historike, poezisë së dashurisë, në përshkrimin e peizazhit, në temën e ditës dhe jo të ditës. Poezia është një zeje e hershme  e komunikimit njerëzor, e cila ndërtohet mbi “konstelacionin” e fjalëve, lidhjes së tyre, të cilat krijojnë një kimi të brendshme, ndjenjat dhe ndjesinë e komunikimit, që në poezinë e tij vjen përmes një komunikimi kaq të thjeshtë, por të besueshëm. Duke krijuar një gjendje intimiteti, që do të thotë, se poezia e tij është burimi i tij jetësor, se ajo është nxënë dhe shpreh gjendjet e tij shpirtërore, ajo ndjesia lirike dhe shpirtërore, që përcillet tek lexuesi është e gjitha e tij.

Dhe pse, gati e gjithë poezia e tij është ndërtuar mbi këto raporte, natyra korrekte e poetit nuk e ka lejuar që përmbajtja dhe një lloj virgjiniteti detajesh dhe emocionesh të shpërbëjë formën e poezisë, as arkitekturën e saj, çka e reflekton poetin mjaft të talentuar dhe me një profil të vetin. Poezia e Vasjarit është një poezi e natyrës liriko-meditative, atij i pëlqen ta ndërtojë poezinë mbi botën meditative, për shkakun e një bote shpirtërore të bruztë, lehtësisht e lëvrueshme, jo vetëm pse poeti ka zotësi poetike, por dhe të një pasurie të madhe gjuhësore, ku shquajnë sinonimia poetike, një nga pasuritë e mëdha dhe të njohura të gjuhës shqipe. Ibrahim Vasjari shpërfaq edhe një poezi të natyrës së mendimit, pra lëvron dhe poezinë e mendimit, e cila përveç karakteristikave të saja lirike-meditative, apo e çdo natyre tjetër, ka dhe një tipar tjetër të rëndësishëm për të qenë e tillë, tiparin filozofik. Natyra filozofike në poezi sendërtohet mbi raportet fondamentale të lëvizjes, zhvillimit dhe të zbulesës sociale.

Vëllimi poetik “Kur treten hijet” është një nga librat më të rëndësishëm të profilit poetik të Vasjarit, jo vetëm nga gjerësia tematike, por dhe përvojës poetike dhe pse talenti i tij është shfaqur që herët në vitet ’60-të të shekullit të XX, në shtypin periodik të kohës, si plejada e poetëve të poezisë moderne shqiptare. Duke qenë një libër i ndërtuar mirë, tre kapitujt e tij përbëjnë gjithashtu dhe një përkujdesje që Vasjari ka synuar për të ndërtuar madje dhe metaforën e një komunikimi kapital të tij me njerëzit, kohën, e cila mbart peshën e gjithë ndërgjegjes dhe perceptimit poetik të tij, për çfarë shkruan dhe mediton. Ciklet poetike: “Jehonë rinore”, “Mozaik nate”, dhe “Mall e mbresa” përbëjnë në vetvete një vetë-rrëfim dhe shenjat e një rrugëtimi që poeti ka nisur 50-60 vjet më parë përmes poezisë. Poezia ngjan nganjëherë lidhur me shtresimin e kohës dhe të kujtesës, si një torbë e vjetër, që “bariu’ e mban gjatë gjithë kohës mbi shpinë. Aty brenda saj kohët, ndjesitë, dhimbjet dhe gëzimet ngjishen fort, por aty mbesin.

Cikli “Jehonë rinore”, duket se ngjan me një cikël i konservuar, i cili ka pasur fatin e mbijetesës për shkakun një raporti kohor të poetit, i lidhur në dy cepat e saj. Poeti e fsheh kohën e krijimit në këtë cikël, duke i besuar një lloj aktualiteti që e përcjell poezinë e tij, qoftë kur ai shfaqet përmes un-it poetik qoftë kur vet-a lëviz në paradigmën e poezisë.  Poezia “Ne erdhëm në jetë” shenjtëron një lirizëm përmes të cilit përpiqet të tregojë vendlindjen e tij, por dhe formimin e tij jetësor, “karakterin” që i ngjan vendlindjes së tij. “Unë erdha në jetë,/ Në motin tymosur…” dhe më pas rrjedhin kohët, lufta, Vjosa, zalli dhe bota e tij e mendimeve që fshiheshin poshtë ballit, që do të përballej herë pas here me stuhinë dhe rrebeshin që kalëronte gjithmonë. Ndërsa rinia e tij shihet përmes një retrospektive, e mbetur thellë brenda tij, të cilën e zë i gjithë qerthulli i strofës së parë, ku poeti shkruan:”E largëta rini!/ Prangosur për këngë, Fajtore për ëndrra./ Bukuroshe e brishtë, me duart në gji.” (E largëta rini).

Poezia “Fshati im” është një model i mirë, një poezi në të cilën poeti beson praktikisht se dhe një poezi ngjan të jetë një arkiv, një histori e tërë e shkruar në pak vargje, ku gjithçka flet, ku çdo varg është një kronikë. Mjafton të kesh një qasje analitike në dy vargjet “Shtëpitë me hije të rëndë/ Gurë-gurë e historisë…”, për t’i lënë rrugë meditimit lirik dhe disallojësh, për shkakun e nyjëtimit që përcjellin dy vargjet, ku mjeshtërisht fjalët që përdorë poeti arrijnë të shpërthejnë në përfytyrime. Poeti, raportin me vendlindjen dhe fshatin e tij e shpërfaq edhe në toponimet, “vathët e maleve”, Vjosa, shkëmbinjtë, retë, rrufetë, karakteret e njerëzve, që tipizojnë mjaft mirë mjedisin historik dhe social, ku poeti gjen vendin për të mësuar “Abece”, ku përzihen bashkë fëmijëria, dëshira për dije, rilindja dhe vendlindja.

Ciklin që lidhet me rininë e poetit, ku natyrisht në të zënë vend gjërat fondamentale, por që mbartin në vetvete një aktualitet të qartë, nuk mund ta sillte pa një lidhje të natyrshme me poezinë lirike dhe atë të dashurisë, një ndjesi që përgjithësisht e përshkon pjesën më të madhe të poezisë. Poezia e Ibrahim Vasjarit është jetësore dhe lidhet shumë me natyrën e brendshme njerëzore, ku detajet dhe burimet e zbulesës poetike janë të natyrshme, njerëzore dhe tokësore. Poezia “Vetëm ne të dy”, ka gati një kumt të lashtë, një lirikë dashurie, ku me një idealitet të tillë ndjesish, ai arrin ta vizatojë atë dhe në natyrë. Ai shkruan: “Nga deti thellë, Orfej mbi krahë valësh,/ Na ndiqnin pas me fyej dashurie…”, ku shikohet se në çfarë magjie dhe një gërshetim kohësh e përjeton këtë “dualitet” hyjnor, ai dhe ajo, që në fund të fundit është kaq njerëzore, se: “Të heshtur çapitnim zbathur mbi rërë...”, dhe pse për çaste bota ishte ajo apo nuk ishte.

Në zgjatimin e këtyre ndjesive njerëzore dhe hyjnore njëherësh është dhe një përzgjedhje e brendshme, gjithsesi për të qenë e tillë në shpirtin e një poeti, ndjesi për të bukurën, dhe që poeti arrin ta përcjellë. Natyrisht, ndjesia e të bukurës është një instinkt i brendshëm i njeriut në përgjithësi, por vizatimi dhe mesazhi i saj për të tjetër është diçka tjetër. Poezia “E bukura” reflekton raportin dhe lidhjen e fortë dhe të harmonishme që poeti ka me të bukurën. Poezia në fjalë është e tillë, ku plazmojnë njëra-tjetrën shija estetike dhe ndjesia për të bukurën, të cilat jo çdo herë mund të shfaqen kaq harmonikisht dhe bashkë. Vasjari shkruan: “Gjithçka përreth;/Dhe jerm, dhe e vërtetë,/ Në shpirtin tonë frymonte Eteri,/ Me krahët tanë flatronin qiellit retë./ Nga balli ynë u var vetull- ylberi/ Mbi sy të kaltër valësh përmbi det…”, një vizatim brilant. Këtë cikël e mbushin dhe poezi të tjera me këtë ndjesi të epërme si: “Lot i ndarjes”, “Pas vitesh”, “Një mbrëmje”, “Gjethe të rëna”, “Këngë e trimit” (një peozi me një ekspresivitet të brendshëm tipik i anëve të poetit), etj.

Cikli “Mozaik nate” ngjan me një pikturë sureale, ku hanë djersën e njëra tjetrës errësira me dritën, e dukshmja me të padukshme, realja me irealen, syri me imagjinatën, pra e një enumeracioni kontekstual të shumëfishtë antitezash dhe oximoronesh, që në fund të fundit kanë një bazë të qëndrueshme meditimi dhe arsye pranimi. Fjala që e lidh gjithë këtë “paradigmë” hipotetike qasjesh dhe refleksionesh është pikërisht përdorimi mjeshtëror i fjalës “mozaik”, dhe “mozaik nate” madje.

Cikli “Mozaik nate” shquan poezi të natyrës meditative dhe ato të mendimit, natyrisht si një paralele të nënteksteve që mëton të thotë poeti. Sintagma që prinë ciklin: “Nata zezon/ Gërnjarje, sypafjetur/ Qielli- morg pa hënë e yje vdekur”, duket se përmbush një raport përtej natës, yjeve të vdekura dhe hënës nën zezonën e natës. Poezi të tilla si, “Dimërim”, “Dhembje” (Nënat zgjidhën djepet./ Pleqtë shkarkuan varret, plagët, elegjitë.), “Sonte të dy pa gjumë”, “Këtë pak dritë”(Trazoj hirin, gërvisht./E diçmë dhemb në shpirt./I lashtë si guri i vatrës,/ Në mozaik të natës.), “ Shpirti rebel” (Kjo copë botë e kyçur në kamare,/ Më kot blaton, në heshtje ndez qirinj./ E vogla me dhembje kaq të madhe/ Ka rënë rob nën Zota të këqij), “S’ju ndajmë dot, mite”, disa motive nga motivet antike dhe të tjera, përbëjnë një kontekst real tematik të gjerësishëm në poezinë dhe vëzhgimin e hollë të poetit Ibrahim Vasjari.

Cikli i tretë, i titulluar “Mall e mbresa” ka detaje të brendshme shpirtërore të poetit, ku lëvizin motive të brendshme dhe fondamente si gjendje, si përjetime, si motive të natyrës së dukshme qytetare, që lidhen me lirinë, ndjesitë e tjera jetësore, të njeriut të vendosur në kohë dhe në mjediset sociale. Poezia “Vërtetë i lirë?”, shpërfaq një shqetësim të brendshëm të poetit dhe njeriut në përgjithësi, i cili shfaqet përmes dilemave të shumta (Kam AKP, përse ta dua pronën./ (Ç’fat që m’u dha, o Zot, ç’qe gjithë ky nder!?)As hipotekës nuk ia kam nevojën,/ S’më hyn në punë,… i kam letra me vlerë.). Një botë e thellë emocionale përmblidhet në mjaft poezi si: “Aty ku flenë varret”, një poezi e mrekullueshme, në të cilën ngjizet gati gjithë jeta (Aty ku meken zhurmat/ Aty ku treten hijet.), apo në poezitë “Loti i nënës”, “Përcjellje nënës” dhe “Babait” dhe mjaft motive që mbartin një peshë të madhe të botës shpirtërore të poetit, përzihen bashkë malli e dhimbja, dashuria dhe kujtesa (për nënën ai shkruan “Nderur pezull një afsh fëmijërie,/ Gulçe kohësh të thella diku,/ Sy përlotur, përhumbur në hije,/ Kalëruar mes mjegullash blu.”, çfarë përmase dhe hapësire, ka shpirti i nënës brenda shpirtit të poetit, po ashtu dhe babai: “Ti nuk ke varr…/ Ti thellë vdekjes endesh./ Pa arkivol, pa rrasë, pa gur, pa ritual,/ Sikur të thërrisnin legjendat e ringjalljes,/ Mbi ç’kalë do të hipje, si do të vije vallë?”). Po ashtu, në mjaft poezi të tjera si: “Kur vritej prifti?”, “Dadanit”, “Mikut tim”, “Baladë për Muhedinin”, “Nostalgji” (Vendlindja! E mjegullt, e largët,…”), “Pendë të këputura ditësh”, “Vetmi” dhe poezi të tjera që përshkohen nga një lirizëm i dukshëm njerëzor, përcjellin një botë poetike të mbushur me motive dhe shqetësim qytetar të thellë dhe të përditshëm, që në fund të fundit është profili poetik i poetit Ibrahim Vasjari.

 

Tiranë- Vlorë, qershor 2023

 

 

 

 

Please follow and like us: