Albspirit

Media/News/Publishing

Spasse Thanasi: “PSE”- ja SHQIPTARE E STERJO SPASSES…

  • Nga një “ strehëz” e vogël buzë liqenit, çeli një shkëndijë prej qiellit!…”

–              KONSTADIN PAPAJ, SHBA – në një artikull të shkruar në gazetën “Ylliria” të Bostonit më 12 Gusht 1984, ve në “qoshen e merituar” shkrimtarin Sterjo Spasse, një nga themeluesit e vërtetë të socrealizmit shqiptar. Në harkun e urës që lidh të kaluarën me të sotme ai simbolizon botën letrare të Sterjo Spasses në lartësinë e një shenjti: – “PSE?!” – ja dhe veprat e më vonshme të tij treguan se ai u bë një shkrimtar-simbol i një shoqërie e periudhe të tërë kombëtare…

Vetёm 21 vjeç, normalisti Spasse, ende i pazoti nё furtunat e jetёs, me fantazinё tepёr tё lakmueshme, i prekur thellё nё ndjenjat e veta shpirtёrore, ai boton romanin e parё “PSE?!”. Nё atё kohё pёr shumicёn e autoriteteve letrare ky ishte njё shpёrthim tepёr ambicjoz dhe krenari nё rrugёn e formimit tё autorёve tё rinj nё letёrsi. Gjithashtu pati edhe mosbesim pёr ketё autor “kapricioz” qё sulmoi faqet e romanit me njё fantazi romantike dhe njё mendjemadhёsi intelektuale tё tepёruar nё artin e tij tё veçantё…

Romani “Pse ?!” ёshtё njё triumf mendor nё hapat e fillimit tё krijimtarisё. Njё libёr ku mbizotёron fund e krye njeriu pesimist i revoltuar, filozofia e autorit pёr ekzistencёn, jetёn dhe vdekjen. Nё pёrmasat e veta artistike ky roman pёrbёn njё nga dimensionet mё tё suksesshme tё njё shkrimtari tё ri, guximi krijues dhe baza masive e romanit historik pёr tё cilat do tё “investohet” e gjithё puna e ardhёshme. Tek Sterjo Spasse koha i gatoi dukshёm kёto parametra dhe e ngjiti atё nё korpusin e madh letrar, ku ai dallon me zёrin e vetё original…

Besimi nё shprehjen e shpirtit tё vetё, u kthye nё njё tё vёrtetё tё madhe pёr botёn letrare dhe artin njerёzor. PSE –ja e madhe “letrare”, romani – pyetje me konturet e njё jete tё zymtё tё botёs shqiptare, mbushi tёrё rrethanat e jetёs sё kёtij shkrimtari tё ri. Njё roman-ndjenjё qё ka ngjallur nёpёr vite diskutime nё tё gjitha shtresat e shoqerisё. Zёrat dhe pasionet personale sa kanё vёnё nё dyshim talentin e autorit, por nuk kanё zbehur aspak shkёlqimin e shkrimtarit, sferёn e njohjes sё jetёs e tё kulturёs nё “peshoren” e artit modern.

Pёr atё kohё tё trishtuar, kur nga njё dhomёz tё vogёl frymёzimi nё fshat, kishte dalё njё “PSE?!” e çuditshme, qё bёri tё ndaluar romancёn fantastike, Siri Sulejmani, koleg i shkrimtarit, shkruan mirёfilli:

“Kur isha nё klasё tё parё tё shkollёs sё mesme, unё kisha hapur librin mbi gjunjё dhe po lexoja fshehtas pas kokёs sё shokut pёrpara. Ashtu i humbur pas mendimeve dhe fatit tё Gjon Zaverit, mё vjen e pёrplaset nё gjoks njё shkumёs i dёrguar nga profesori i trigonometrisё Sami Kothere. E fsheha librin menjёherё poshtё çantёs sё shokut pёrbri. Profesori mё ngriti nё kёmbё dhe mё pyeti pёr se flitej e shkruhej nё dёrrasё…

– Nuk e di profesor, – i thashё

– Po, çfarё di ti mor kalandar, ku e ke mendjen, mos nuk tё pёlqen mёsimi?

– Tё them tё drejtёn profesor, ky Pitagora nuk mё pёlqen, ai  nuk ёshtё i sinqertё, pse nuk e thotё ku e ka hallin xhanёm?!

– Ç’i duhen kёto sinuse e kosinuse?, – i thashё i sinqertё si Gjon Zaveri, por ai, tepёr i nervozuar mё nxorri jashtё pёr krahu.

– I prekur nga egёrsia e tij te dera i thashё: – Ngadalё profesor se nuk u bё qameti, nuk shava një hero të njohur, fundja njё grek ёshtё Pitagora…”.

Ç’i do fjalёt, puna shkoi gjatё dhe unё u prisha pёr fare me profesorin. Megjithatё gjysma e sё keqes, pasi pёr fat ai nuk kontrolloi tё gjente librin “PSE”, qё atёhere ishte i ndaluar. Ndryshe pasojat do tё ishin mё serioze. Edhe sot romani “PSE?!” nuk ёshtё njё rёnkim i kobshёm nga era e fortё e kohёs. Kёnaqёsia e veçantё nё leximin dhe rileximin e tij qendron se Sterjo Spasse, shkrimtar nё njё moshё fare tё re, diti t’u futet tё vёrtetave tё jetёs me thellёsinё e plugut tё qilizmёs. Prandaj edhe nё vazhdim tё analizёs dhe skicimit tё pёrshtypjeve nga leximi i romanit, Siri Sulejmani do tё shtonte nga “shtegёtimet” e tij mbi 30 vjeçare:

“Nuk ёshtё zotёsi tё akuzosh Gjon Zaverin (personazhin e romanit “PSE”) pёr shpirtin e tij pesimist e fundin e tij tragjik. Ai, pёr tё mos dёgjuar “profka” tё filozofёve nga pozicionet “kundruall”, thirri mohimin e jetёs. Ai jurist qё dёnon pasojat dhe fёrkon duart i kёnaqur se plagёt i shёroi, mund tё jetё çdo gjё, por jo jurist… Jo, jo. Njeriu, me sado pak mend nё kokё, duhet tё dijё tё vёrtetёn elementare se nё bazё tё çdo pasoje ёshtё shkaku qё kondicionon veprimin. Shkaqet dhe rrethanat e shpien njeriun, bile edhe njerёzimin drejt buzёs sё Kosornikut!…”.

Me sa duket inati i tё gjithёve ndaj Gjon Zaverit nuk qendron te meraku pёr pesimizmin apo fundin tragjik tё tij, por te faktet qё ai hoqi dorezat , grisi maskёn e jetёs, i zhveshi plagёs “JETЁ” dregzёn e tregoi me gisht mikrobin e hipokrizisё, formalizmit, boshllёkut, etiketёs etj. I hoqi kapakun kazanit plot ankthe tё jetёs dhe bёri tё dalin andej jo vetёm psherёtimat, por edhe ulerimat. Si nuk e ka vёnё re Nirvana, qё nёpёrmjet personazhit kryesor, me gojёn e personazheve tё tjerё, apo dhe me ndёrhyrjen e autorit, nё “PSE-nё” goditёn qё nё atё kohё ato koncepte qё ishin berё vargonj pёr njeriun, qё pengonin pёr tё hedhur qoftё edhe njё hap pёrpara drejt progresit shoqeror…

Si nuk i bie nё sy fakti , qё Gjon Zaveri, pёrveç pesimizmit e ka shtrirё mendimin nё kohё dhe demaskon “Evropianadёn”, ata njerёz qё pasi nuhatёn pesё ditё parfumet e Evropёs liberale, u kthyen nё Shqipёri dhe e pёsuan si ai i dёnuari qё pasi e lanё tre ditё pa bukё, i sollёn pёrpara njё sofёr me tё gjithё tё mirat, por medet u sёmurё nga stomaku e iu shfaq simptoma e njё sёmundje me rreziqe tё pashmangshme…

Pёr satirё kjo tingёllon edhe sot aktuale. E ndjek me simpati Gjon Zaveri tek u futet nё jetё e nё shpirt njerёzve qё e rrethojnё e pasi u pёrkёdhel formёn, aparencёn, u zbulon pёrmbajtjen e ndotur… (Zonja P… qё nё rastin e parё tradhёton burrin, profesori, e ёma, e shoqja apo dhe Pola e bukur, qё çdo bukuri, çdo veprim ja kanё kushtuar interesit). Por Gjon Zaveri fatkeq zgjatet mё lart nё kohё e nё shkallё mё tё gjerё dhe shfaq mendimin qё diplomatёt hipokritё duhej tё kishin mendjen e zemrёn e bariut, pёr tё mos firmosur marrёveshje tё fёlliqura. Shkurt, Gjon Zaveri i ka bёrё tё gjitha, ashtu siç perceptonte llogjika e tij e kondicionuar nga karakteri e rrethanat ku ndodhej… Ai mund tё jetё pesimist, inaktiv, anemik, i pazoti tё rrёmbejё nga jeta atё copё kёnaqёsi qё ka mbetur pёr tё, ai mund tё jetё njё ekstremist i pamёshirshёm por, pёr faqet e zeza tё jetёs, pёr boshllёkun, pёr hipokrizinё, pёr ndyrёsitё e veshura me rroba fisnike, nuk ёshtё fajtor… as me faj. Qё nuk i shёron as ngrohtёsia e diellit e qё s’i lan e zbukuron dot as drita e hёnёs plagёt e jetёs, nuk ka pse akuzohet fatziu Gjon Zaveri… Ai i takon patologjikisht kohёs dhe jetёs qё “shfleton” vetё, kurse shqetёsimet e tij, jo tё gjithё janё ezauruar akoma… Unё po ta kisha njohur personalisht Gjon Zaverin do t’i thosha: “Mё dёgjo, o i dashur gur shahu, meqё nё këtё jetё tё sjellin pa tё pyetur dhe pёrsёri pa tё pyetur dёshirёn, tё rrёmbejnё e tё hedhin tutje, pёrshtatu “valles sё madhe” dhe ec drejt fundit, pasi çdo sakrificё jotja nuk do t’ia ndryshojё dot kurrё zakonin e çuditshёm plot humor tragjik kёsaj bote!…”.

Pёr sa i takon mendimit nёse ёshtё apo jo “iluzion” dashuria, kam frikё se e keqja qёndron tek fakti i hidhur qё kur na vjen dita (me a pa mёshirё) pёr tё shkuar atje ku nuk kthehemi mё, goxha mallёngjehen e hidhёrohen tё mbeturit mbrapa, bile disa çirren me ulёrima, madje pyesin: – “Ç’e dua, o Zot pa ty jetёn”! Por, kur arkivoli i tё ikurit zbret nё varr, askush nuk harron t’i shpёtoj goja tё qendroj pranё tij pёr shoqërim tё pёrhershёm… Ç’t’i bёsh, ka forcё e jo shaka dashuria!… Kurse pёr karakterin e gruas apo pёr marrёdhëniet bashkёshortore, populli e ka thёnё mё hidhur se Gjon Zaveri: – “Burri dhe gruaja janё dy gjarpёrinj qё flenё nё njё jastёk e pjellin fёmijё”!

Me gjithё intiligjencёn prej jetimi sё fundi, Gjon Zaveri nuk ia fal faktin qё, megjithёse i njohur me Khajamin e bekuar, nuk mori prej tij asgjё. Nga kjo ai arriti deri nё mohimin e ndjenjave filozofike qё, megjithёse nё dukje vulgare, janё faktori i parё e i domosdoshёm pёr tё mbajtur gjallё prodhimin njerёzor…

Shpirti njerёzor nuk ka gjetur deri mё sot pёrgjigje tё pyetjes “Pse”?!

 

GJON ZAVERI, I MPOSHTURI I DЁSHIRЁS

(Duke shpallur jetёn e vet tё gabuar, ashtu si nё hapin e fundit nё romanin “PSE?!”** )

Djalosh i bukur dhe intelektual

Simpatik e mё i dituri nё katund

Njeriu i “tepёrt nё jetё”.

Mendimi i tij i fundit, formula e famshme:

“Bota e Hiçit, prej Hiçit, pёr Hiçin

Rrotullohet rreth qёllimit tё Hiçit!…”.

Gjon Zaveri i revoltuar

I pezmatuar nga realiteti i kohёs

Nuk gjente shteg tё çante

I mallёngjyer e pesimist

Vetimtar e i brengosur.

Nё greminёn e Hiçit flakёroi!…

SPASSE THANASI, pjesë nga libri “STERJO SPASSE, NJERIU I FISËM I SHEKULLIT”.

 

Please follow and like us: