Astrit Lulushi: Gjuha sot
Shtypi, media, interneti janë përgjegjëse për ndotjen e gjuhës – ato ndihmohen edhe nga sjelljet dhe fjalët banale të zyrtarëve më të lartë të shteti. Gjithashtu, më shumë njerëz hapin sot fjalorët e huaj për të kuptuar një shprehje “shqipe”.
A mund të ketë pastrim të gjuhës?
Pastrimi i gjuhës në Shqipëri u politizua, ndërsa PPSh e hodhi poshtë gjuhën popullore si “mbeturinë mikroborgjeze”. Kjo narrativë ndryshoi pas vitit 1991, kur me hapjen e shtetit ndaj botës, shqipja filloi të zevendësohej në mënyrë të pakthyeshme me fjalë të huaja. Sot njerëzit nuk dinë të dallojnë gjuhën e folur nga gjuha e shkruar. Si rezultat, ajo që shqiptarët mendojnë për purizmin gjuhësor është shumë e njëanshme dhe shpesh e trazuar.
Ata e kanë të vështirë të shohin standarte të dallueshme nga gjuha popullore “autentike”. Gjithashtu, e kanë të vështirë të shohin se në vitet 1960, shqipja e pastër ishte në fakt një mjet progresivizmi që i shërbente komunizmit – “folësit anglisht në Amerikë a gjetkë nuk janë vëllezërit tanë socialistë”. Nëse dikush dënohej nën akuza politike, atij i rëndohej akuza se dinte një gjuhë të huaj ose dëgjonte radio apo muzikë të huaj.
Gjuha shqipe në gjysmën e dytë të shekullit të 20-të u komprometuar me politikën, e cila synonte që vendi të nderohej në të gjithë botën, dhe të huajt të mos talleshin, duke e paraqitur diktatorin me figurë prej kartoni.
Ata (komunistët) e ngatërruan shtresëzimin shoqëror të gjuhës me ndjenjën më të përgjithshme të nativizmit gjuhësor, për të propaganduar purizmin e tyre.
Dhe tani ndodh, në të folur, që njerëzit të jenë po aq purist në mohimin e formave të pastrimit të gjuhës, siç ishin pedantët komunistë në refuzimin e fjalorëve të huaj.
Please follow and like us: