Albspirit

Media/News/Publishing

Epopeja legjendare e 3 heronjve të Shkodrës

 

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Monografi për një epope…

Autori dhe veterani Vehbi S. Fishta, ka shkruar monografinë “Epoeja legjendare e 3 heronjve të Shkodrës”, ku përshkruan një nga ngjarjet më kulmore të historisë të LANÇ-it. Monografia përshkruan thjeshtë dhe me detaje në pjesën e parë të saj për ngjarjen që tronditi themelet e pushtuesit fashist në shkodërnë mesin e vitit 1942.

Autori, tashmë i larugar nga jeta, me shumë saktësi dhe vërtëtësi ka përshkruar luftën epope të tre të rinjve antifashistë nga krahina të ndryshme të vendit, por që luftonin si antifashist për të çliruar Shqipërinë nga çizmja e pushtuesit fashist italian.

Më 22 qershor 1942, në mëngjes herët, të trokiturat e forta në derën e shtëpisë së Jordan Misjes, zgjuan tre trimat që ishin brenda bashkë me pjesëtarët e familjes të të zotit të shtëpisë, në lagjen Fushë-Firej. Me anë të kryeplakut të lagjes, që fashistët kishin marrë me vete, u kërkuan tre luftëtarëve të lirisë të dorëzoheshin se ishin të rrethuar dhe çdo kundërshtim do të ishte i kotë. Shtëpia, në të vërtetë, ishte e rrethuar me rreth mjaft policë e milicë fashistë të armatosur mirë.

Përgjigja e prerë e të rrethuarve që “Luftëtarët e lirisë nuk dorëzohen!”. Të tre trimat vendosën të luftonin në radhë të parë për të çarë rrethimin dhe, nëse nuk do të mundnin ta bënin këtë, do të luftonin me vetmohim si burrat. Si armatim ata kishin vetëm tre revolverë, një pushkë të gjatë me rreth 500 fishekë dhe disa bomba dore. Para se të fillonin luftën të tre trimat larguan nga shtëpia ku e kthyen në kala nënën, motrën dhe vëllain e Jordanit.

Luftuan dhe nuk u dorëzua

Autori përshkruan luftimin e tre të rinjve kundër mjaft forcave fashiste, policë e xhandarë që kishin rrethuar lagjen e shtëpinë ku gjendeshin antifashistët. Në vendin e ngjarjes, në krye të forcave të mëdha fashiste, qëndronte edhe vetë kuestori i policisë fashiste të Shkodrës së bashku me prefektin. I pari që provoi të çante rrethimin isht Branko Kadia, i cili hodhi një bombë dore dhe me nagantin e tij në dorë u hodh në oborrin e shtëpisë për të dalë në kopësht. Por plumbat, e mitralozave e të pushkëve të fashistëve të shumtë nuk e lanë të bëjë veç disa hapa, sepse e shtrinë përdhe të vrarë. Lufta po zhvillohej e ashpër. Armiqtë nuk i kursenin fishekët, plumbat binin si breshër mbi dritaret dhe derën kryesore të shtëpisë.

Dy trimat e mbetur, Perlati dhe Jordani, qëllonin me kursim dhe vetëm në shënjë mbi fashistët, të cilët nuk po e kuptonin si po qëndronin dhe rezistonin gjatë… Ata dërguan nënën e Jordanit për t’u thënë edhe njëherë të dorëzoheshin. Nëna, pasi u kthye nga dy trimat, i tha prefektit se “ata nuk dorëzohen të gjallë!”. Kjo i tërboi më shumë armiqtë. Kapiteni italian i kuestures i inatosur mori me vete 20 fashistë karabinierë e milicë dhe vendosi ta sulmojë shtëpinë, duke e mbuluar me zjarr të dëndur të mitralozit e pushkëve. Mirëpo ky guxim i kapitenit i kushtoi shtrenjtë, sepse sa vuri këmbën në oborr, mbeti përdhe nga plumbat e luftëtarëve të lirisë. Lufta që zhvillohej në Fushë-Firej të Shkodrës mori dhenë. Ajo u bë e ashpër. Fatin e kapitenit të kuesturës e pësuan dhe policë e milicë që tentuan të futen në kalanë e trimave.

Kishin kaluar tri orë luftimi të ashpër. Fashistëve ju shkon në ndihmë dhe një aeroplan gjuajtës që sillej duke fluturuar ulët mbi shtëpinë “kala”. Avioni donte të mitralonte dhe të bombardonte, por ishte e pamundur sepse përreth shtëpisë ndodheshin mjaft fashistë. Të inatosur dhe të tërbuar fashistët vendosën t’i vinin zjarrin shtëpisë, por, para se ta bënin veprimin e detyruan dhe një herë nënën e Jordanit të fliste me dy luftëtarët që të dorëzoheshin. Ajo përsëri kur u kthye, i tha prefektit të njëjtën përgjigje si dhe herën e parë “ata nuk dorëzohen të gjallë!”.

Perlati i mbetur vetëm vazhdonte duke luftuar sa nga njëra dhomë në tjetrën. Kjo qëndresë heroike e pashembullt që po vazhdonte prej disa orësh, i kishte mbuluar me turp fashistët italianë e tradhëtarët. Një hero i vetëm brenda një shtëpie që po digjej rezistonte e nuk dorëzohej i gjallë. Nervozizmi i fashistëve kishte arritur kulmin. Ata i tmerronte pa masë kjo qëndresë, pasi ajo do të bëhej një burim i madh frymëzimi për të gjithë popullin e Shkodrës dhe mbarë popullin shqiptar në luftën për liri e pavarësi.

Fashistët menduan se kësaj qëndrese i duhej dhënë fund. Kështu, oficer fashist, të shoqëruar nga një numër i madh karabinierësh e milicësh, hyrën në shtëpi. Perlati vazhdonte luftimin… Por, breshëria e një arme fashisti godet dhe Perlatin, i cili ra heroikisht, duke mbetur yll i pashuar i lirisë.

Fashistët Jordanin me trupin tërë plagë e varën…

Shtëpia po digjej, por luftimi vazhdonte. Fashistët me grupe përpiqeshin të hynin brenda duke përfituar nga tymi e flakët. Përpjekjet e tyre të shumta shkonin kot, dhe ktheheshin nga kishin ardhur. Zjarri erdhi në shtëpi duke u shtuar dhe bëri punën e vet, ai po depërtonte në dhomat e shtëpisë. Flakët kishin përfshirë trupin e Jordanit. Ai i mbuluar me flakë dhe gjak, detyrohet të hidhet nga dritarja e të binte në pusin e shtëpisë. Në pus, ashtu në agoni, pa lëvizur fare në ujë, e kapën fashistët.

Me vendim të gjykatës ushtarake, fashistët e dënuan për vdekje dhe e varën në litar Jordan Misjen, në mes të Shkodrës, tek Truma e Dugajeve të Reja, më 12 gusht 1942. Fashistët, për të ngjallur frikë në popullin e Shkodrës, Jordanin, me trupin tërë plagë e varën në qendër të qytetit. Qëndrimi i tij para litarit ishte shumë burrëror e heroik.

Në revistën letrare ilegale “Liri” të rinisë antifashiste të Shkodrës që doli më vonë, shkruhej “…Breznitë e ardhshme, Jordan, kanë me të këndue, kanë me të madhnue flijimin tand e të shokëve të tu dhe kanë me marrë guxim për vepra më të nalta fisnike. Flijimi yt ka me u shkrue në rrasën e martirëve, pranë Qemal Stafës, Vojo Kushit, Perlat Rexhepit, Branko Kadise, Vaso Kadisë… pranë gjithë dëshmorëve të Shqipërisë së re”.

Kjo epope legjendare, një nga ngjarjet më heroike të LANÇ i dha zemër dhe ngriti peshë të gjithë luftëtarët e lirisë, popullin përparimtar e patriot shqiptar që luftonte për lirinë e pavarësinë e atdheut. Ky ishte një fakt i madh historik që nuk do të harrohet kurrë. Lufëtarët e lirisë si Perlat Rexhepi, Branko Kadia e Jordan Misja e qindra heronj e dëshmorë në të gjithë vendin i dolën zot vatanit jo me përralla e fjalë boshe, alla balliste “prit, të presim” por me shembullin e gjakun e tyre shkruan këtë epope të lavdishme. Ata e dhanë jetën e tyre për atdhe dhe për popull, prandaj dhe populli përparimtar e patriot i Shkodrës dhe i gjithë Shqipërisë, do t’i kujtojë e do t’i nderojë sa të jetë jeta këta heronj të lavdishëm. Në këtë luftë heroike armiqtë e paguan shtrenjtë, duke lënë të vrarë e të plagosur.

Duke shkruar për këtë epope, gazeta “Zëri i Popullit”, më 12 janar 1943, shkruante “Kush pandehte se tre heronj në Shkodër do të kapërcenin çdo imagjinatë, do të bënin të vërtetë në ditët tona edhe epopenë më legjendare të një “Osoje”, do t’i kapërcenin me krenari edhe disa nga heronj të e Homerit vetë”. Figura, sa patriotike, aq heroike, por edhe artistike e Jordan Misjes ka frymëzuar vazhdimisht edhe njerëzit e krijimtarisë letraro-artistike për ta përjetësuar në veprat e tyre.

Nderimi në përjetësi…

Pas çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë dhe bashkëpunëtorët e tyre më 29 nëntor 1944, shtëpia e djegur e Jordan Misjes në lagjen Fushë-Firej u restaurua ashtu siç ishte më parë dhe u bë muzeu i “Tre Heronjve të Shkodrës”. Por, në mënyrë të papërgjegjshme, pushtetarët lokalë, e nxorën jashtë funksionit këtë shtëpi. Më vonë, po këtë fat pasoi edhe Shtëpitë Muze e Luigj Gurakuqit, Pashko Vasës e Migjenit, të cilat shërbenin si qendra të rëndësishme të edukimit patriotik të banorëve të Shkodrës e më gjërë.

Në nderim të heronjve disa shkolla dhe rrugë në Shkodër, Vlorë dhe Tiranë mbajnë emrat e tyre, për Heronjtë janë bërë puste, piktura, si dhe janë shkruar libra e bërë poema e poezi nga mjaft artistë dhe shkrimtarë. Detyra jonë është që përsëri muzeumet t’i ribëjmë, t’i mësojmë e t’i publikojmë tërë veprat e bërë për ta në këto 81 vite, për ta kthyer nderimin ndaj tyre në përjetësi… Përkujtimi ishte dhe një thirrje për reflektim e qëndresë ndaj çdo lëvizje e lufte pushtuese, në formën e neofashizmit, që rrezikojnë rajonin, Europën dhe Botën, të cilat nuk janë dukuri kalimtare të historisë, prandaj dhe antifashizmi nuk është një vlerë e lëvizje e së shkuarës, por dhe e së stotmes dhe së ardhshmes. Nderim Dëshmorëve, nderim emrit e veprës së Perlat Rexhepi, Jordan Misja dhe Banko Kadia!

Jetëshkrimi i Vehbi S. Fishta

Vehbi S. Fishta ka lindur më Shkodër më 6 shtator 1930. Familja e tij ishte e shquar për atdhetarizëm. Pas përfundimit të shkollës së mesme në Shkodër, ka përfunduar arsimin e lartë me profesion Inxhinier Mekanik. Pas çlirimit ka punuar në ndërmarrje dhe institucione të ndryshme në Tiranë dhe në Shkodër. Ka bërë botimet tekniko-shkencore për Udhëzues për mekanike, me bashkautor, në Tiranë 1975, Puna racionale e tornitorit, në Tiranë 1977 dhe Ripërtëritja e detaleve të makinave, në Tiranë 1982. Në vijimësi ka bërë përkthime nga teknologjia speciale e prodhimit të telave dhe kabllove elektrike të arkivit të UTE Shkodër.

Vehbi S. Fishta ka shkruar dhe ka botuar libra për heroj, dëshmorë dhe luftëtarë të lirisë. Të tillë janë librat: Portrete dëshmorësh të LANÇ të Shkodrës, Shkodër 2005, Portrete dëshmorësh të LANÇ të Shkodrës, vëllimi II, Shkodër 2006, Heroj, dëshmorë dhe luftëtarë të lirisë, Shkodër 2007, Ded Gjo Luli – Hero i Popullit, Shkodër 2014, Epopeja legjendare e 5 heronjve të Vigut – 1944-2014, Shkodër 2014 dhe Epopeja legjendare e 3 heronjve të Shkodrës – 1942-2014, Shkodër 2014.

Për kontribut të dhënë në ndërtimin e Shqipërisë është vlerësuar me mjaft urdhra dhe medalje, si dhe ka qenë Nderi i Organizatës së Veteranëve të Shqipërisë. Ai ka qenë veteran i LANÇ dhe për disa vite ka mbajtur detyrën e Kryetart i Komitetit të Veteranëve të popullit shqiptar të bashkisë Shkodër. Ndërroi jetë më 17 prill 2017 dhe u përcoll me nderime nga populli shkodran.

Please follow and like us: