Albspirit

Media/News/Publishing

Gjashtë poezi zgjedhur e përkthyer nga Rudolf Marku

Zgjedhur dhe përkthyer nga Rudolf Marku. Me shpresën se do te kujtoheni se janë shkruar për Ju, edhe pse disa prej tyre 1600 vite më parë!
SAFO 610 ( BC 610-550 BC): E DASHURA NANË
E dashura Nanë, s’e kam veten në dorë,
Është një djalë që ma bën shpirtin plojë,
Tek më ndez me epsh të zjarrtë.
Vetë Afërdita e Mirë e kurdisi këtë lojë.
Nga që zarin e hodha, Aferditë kunorë-Artë
Të lutem më ndihmo të fitojë këtë radhë!
KALIMAKU {310 bc -240 bc): E NJOH
Mysafiri kishte një plagë të fshehtë.
A e vure re ç’ofshamë të dhembshme
Nxori nga gjoksi i vet,
Pas kupës së tretë të verës?
Trëndafilat e kurorës
Ranë të gjithë përtokë, përdhe.
Sigurisht, përcëllon dashuria.
Dhe, për Zotat, kam të drejtë ta them,
Unë, hajdut, e njoh nga shenjat hajdutin!
OVIDI (43 BC- 18 AC)
NGA AMORES ( KENGA E DYTE)
Ma mirë të jem me një grua në Ferr
Se në Parajsë me engjëjt pa seks.
Grindemi! E ëmbla Korinë prapë më mashtron,
Por ja, pas pak sikur asgjë s’ka ndodhë.
Llampa e Dëshirës nxjerr tym -vërtetë
Por shto ca vaj dhe flaka merr përpjetë!
Ju e dini si ndodhë: Kali k’cen papritë
Dhe kalorësi i humbur tërheq frenat me frikë.
Ose varka të cilën rryma e çon nga bregu larg,
Kur velëzat e saj era i bën çorap.
Shigjetat e Kupidit e dinë mirë ku shkojnë,
Më mirë se në këllëf kur trupin ma shpojnë.
Jetën e marrim me qira. Pse të flemë tetë orë,
Dhe Kupidin fluturues dhe gazmorë ta harrojmë?
Gjumi është një Vdekje pa vdekë
Do ketë plot kohë për netët e qeta!
Kështu që gjuaj, me një sy mbyllur, o Kupid çapkën,
Leri gjithmonë shigjetat në zemrën time të flenë!
EFELIA ( 1622-1685): ATIJ QË PYETI PERSE E DASHUROJ J.G.
Përse e dua? Shko e pyet diellin lavdimtar,
Përse qarkon çdo ditë botën mbarë!
Pyet Thamizin, Tiberin, pse kanë baticë dhe zbaticë,
Pyet trëndafilat e bukur pse në qershor shpërthejnë papritë;
Pyet akullin dhe breshërin pse janë të ftohtë,
Përse bukuria, tek ikin vitet, plaket e rrudhoset.
Të gjithë do thonë se Fati që çdo gjë në botë urdhëron,
I bën ato t’i binden dhe mua më bën të dashuroj;
Arsyeja nuk shpjegon as urrejtjen dhe as dashninë,
Urrejtja dhe dashnia të pamposhtur rrijnë.
Ai nuk ka pamjen që kam ëndërruar, e di:
Nuk është i pashëm, por prapë e shoh me simpati,
Nuk është se ka gjuhë të mprehtë që mendjen me ta marrë,
Në prehtësinë e gjuhës jemi barabar;
Dhe sjelljet e tij nuk bëjnë për vete askënd,
Është brutal, i pagdhendur, gati të shes mend,
Ka natyrë të mbrapsht, tekanjoz, i pa-njerëzi,
I paqëndrueshëm, falls, i gatshëm për xhelozi,
Temperamenti i tij nuk ka sjell asnjë favor,
Është njeri me hanë, ndryshon çdo orë,
Dhe vitet e rinisë që gratë i admirojnë aq shumë
Nuk i ka më; është më tepër se dy herë në moshë nga unë;
E prapë unë e dua këtë njeri të pavlerë dhe falls,
Me gjithë pasionin që një grua mundet me dashtë.
I dua pa kushte mangësitë e tij, ndonëse nuk shoh asgjë,
Tek ai për t’u dashuruar. E dua dhe nuk di përse.
Ngase kjo gjë është dekretuar në Librin e errët të Kismetit
Mua më mbetet veçse ta dua, ndërsa ai mosmirënjohës le të mbetet.
FYODOR TYUTCHEV (1803-1873): DASHNIA E FUNDIT
Kur fundit tonë i afrohemi se jeta na mbaron,
Më shumë trazim dhe butësi na jep dashnia;
Mos na le, mos na le, o dritë që po shkon.
O dashnia jonë e mbrame, shkreptin si lamtumira.
Ja, gjysmën e qiellit hija po e mbulon,
Pak rreze mbeten në një cep të Perëndimit;
Shkëlqe, shkëlqe, o dritë e fundit e ditës që mbaron,
Jepna forcë të shohim e t’i besojmë shajnimit!
Më i ftohtë e më i hollë gjaku na u bë,
Por prapë e dhembshur zemra rreh prej lumturimit.
Dashni e fundit, dashni e fundit, ç’emër ty të vë?
Kapitullim mortor, bërë prej helmit dhe gëzimit.
EZRA POUND (1885-1972): ERAT HORA
‘’Të falënderojë, çfarëdo të ndodhë’’.
Dhe pastaj ajo u kthye pas,
Dhe, ashtu si rrezja diellore që mbi lulet varëse,
Lëbardhet ngadalë kur era i zhvendos mënjanë,
U largua këmbëlehtë. Çfarëdo që të ndodhë,
Një orë qe plot me diell dhe Zotat më të Fuqishëm,
Nuk mund të mburren se kanë parë gjë më të mirë
Se sa kët’ orë që sapo kaloi.

 

Please follow and like us: