Albspirit

Media/News/Publishing

Trilogjia e Maria Teresa Liuzzo, përkthyer në shumë gjuhë të botës, vjen edhe në shqip

Angela Kosta

Trilogjia e Maria Teresa Liuzzo e përkthyer në shumë gjuhë të botës dhe së shpejti përkthehet edhe në shqip.
Maria Teresa Liuzzo ka lindur në vitin 1956 në Saline Montebello dhe jeton në Rexho Kalabria, qyteti ku studioi dhe vazhdon punën e saj të larmishme edhe sot e kësaj dite. Ajo është: pedagoge universiteti, gazetare, kritike letrare, shkrimtare, poete, dramaturge dhe drejtoreshë e Revistës Ndërkombëtare të Artit dhe Kulturës ‘Le Muse’. Maria Teresa Liuzzo ka filluar të botojë për herë të parë në vitin 1970. Ajo është vlerësuar me çmime të shumta gjatë karrierës së saj të pasur she të larmishme. Në pesëvjeçarin e fundit Maria Teresa Liuzzo botoi trilogjinë e saj e cila pati shumë sukses tek lexuesit por gjithashtu është botuar dhe po botohet në shumë gjuhë të botës si: anglisht, arabisht, gjermanisht, rusisht, tashmë në shqip, etjer. Ja çfarë shkruan në kopertinat e librit autorja:
“E TANI DO FLAS – E ADESSO PARLO”
Rrënoja ngjyrash, zemra e shpuar tej përtej deri në shtyllën e gënjeshtrës dhe një zinxhir dielli e ndanin Meryn nga bota. Dhe ajo gjeti forcën tek Zoti që mbarte në qafë. Ishte ngrohtësia e akullt e tmerrshme pas siparit, ku jeta imitonte veten, teksa ëndrrat e një fëmije vdisnin në buliminë e dritës. I kujtoheshin mallkimet dhe vuajtjet, cigaret e fikura tek këmbët e saj, tufat e flokëve që ngatërroheshin mes gishtërinjve të të atit, i cili kur e rrihte e kapte nga flokët dhe e rrotullonte sikur të ishte turtull, duke ia përplasur kokën nga njëri cep muri në tjetrin nëpër dhomë. Apo ajo kohë kur gjumi triumfoi mbi lodhjen e një vajzeje tetëvjeçare; ishte në atë moshë kur Mary duke i çuar kafen babait të saj ende në shtrat, nuk e kishte vënë re që një mizë kishte hyrë në filxhan. Sa grushta atë mëngjes dhe goditje me rrip, pa mëshirë. Nëna bëri sikur nuk e kuptoi ndërsa babai i kërkoi Maryt të hante mizën: ajo duhej të ndëshkohej sepse nuk ishte treguar e kujdesshme. Nëna e Maryt e zgjonte atë në zemrën e mesit të natës dhe i thoshte: Çohu, babai yt duhet të të rrahë! Mundohu mos t’i përgjigjesh, sillu mirë dhe pastaj bjer në gjunjë dhe kërkoi falje.

MË THUAJ QË DASHUROVA ERËN – NON DIRMI CHE HO AMATO IL VENTO

I imi është një ditar gjaku. Jastëku im është prej guri, çarçafi im prej toke, qielli im prej kockash, aroma ime prej lotësh, vitet e mia prej lufte. Oh Myosotis qiellor… Si gjithmonë, Zoti bëri që Mary të mbetej e kthjellët, por zbulimi i kënaqësisë mizore së nënës, e zhyti atë në humnerën e errët dhe të thellë të më shumë se një arkivoli. Por djallit i pëlqente të maskohej, sytë e tij ishin më të zinj se pendët e korbit. Mary nuk kishte frikë nga hija; Drita ishte trasformuese,  mashtruese në shkëlqimin e saj të pamasë.

HIJA E URITUR E NËNËS – L’OMBRA AFFAMATA DELLA MADRE
Mendova në një fare mënyre nënë, bashkë me ty të kisha lindur, edhe pse fëmijë e ardhur në këtë botë me gërsheta të zeza, të hedhura mbi supe dhe një vello frike rreth e qark. Shpesh e kam përjetuar dyshimin si një e deportuar e cila asnjëherë nuk e njohu gëzimin, si një send i ngjeshur në sirtar dhe kurrë dorën tënde brenda times. Ndonjëherë kam pirë lot të cilat me kalimin e kohës shëruan plagët ejetës; pa balsam apo fije për t;i qepur.
– Unë me fytyrën në mur, si të ishte dërrasë e zezë: një aksident rrugëtimi ishte jeta ime, dhe mjerë po të merrja frymë, o e mprehur bëhesha porsi një laps. Hapat dëgjoja t’i afroheshin murit, silueta e hijes së një përbindëshi në dhomë, digjej si letër fryma dhe vrapi shkurtonte distancën. Prej druri ishte kryqi dhe britma ime për ndihmë përfundonte në erë. Fshihesha në përskuqjen e damarëve, e strehuar për të vëzhguar krimbin dhe keqdashjen tënde, të përzier aq sa të dukej gati joreale.

Please follow and like us: