Astrit Lulushi: Libra të ndaluar
Dil nga facebook. Hiq dorë nga twiter, mos shiko email. Thirrje të tilla dëgjohen jo rrallë. Më parë ka patur ndalime librash, edhe ka. Shumë autorë, artistë dhe filozofë kanë argumentuar se asnjë libër nuk duhet të ndalohet kurrë, pavarësisht sa njerëz mund të ofendojë.
Isaac Asimov, autori i trillimeve shkencore dhe ish-presidenti i Shoqatës Amerikane Humaniste, e shprehu kështu: “Çdo libër që ndalohet është një libër që ia vlen të lexohet”.
Pavarësisht konsensusit rreth fjalës së lirë midis disa prej shkrimtarëve dhe mendimtarëve më të mëdhenj, një numër i madh librash shpesh sfidohen dhe ndalohen nga distriktet shkollore dhe bibliotekat. Ironikisht, shumë prej këtyre librave të ndaluar konsiderohen klasikë – tituj që mund të shfaqen lehtësisht në një listë leximi të rekomanduar nga një profesor ose kritik letrar. Disa prej librave të ndaluar janë nga ‘Aventurat e Huckleberry Finn’ deri te ‘The Hunger Games’.
“E drejta është e drejtë, e gabuara është e gabuar dhe një njeri nuk bën gabim kur nuk është injorant dhe e di më mirë”.
‘Aventurat e Huckleberry Finn’ nga Mark Twain ka qenë subjekt i ndalimeve që kur u botua për herë të parë në 1885, për shkak të keqinterpretimit të temës së tij racore dhe përdorimit të gjuhës popullore historike që përfshin sharje racore.
“Është me të vërtetë çudi që nuk i kam hequr të gjitha idetë e mia, sepse ato duken kaq absurde dhe të pamundura për t’u realizuar. Megjithatë i mbaj, sepse pavarësisht gjithçkaje, ende besoj se njerëzit janë vërtet të mirë në zemër”.
‘The Diary of a Young Girl’ nga Anne Frank u ndalua në vitin 2010 nga një sistem shkollor në Virxhinia për atë që e konsideronte përmbajtje seksuale.
“Djemtë si ne, që punojnë në ferma, janë më të vetmuarit në botë. Nuk kanë familje. Nuk i përkasin asnjë vendi… Tek ne nuk është kështu. Kemi një të ardhme”.
‘Of Mice and Men’ nga John Steinbeck është ndaluar ose sfiduar më shumë se 50 herë që nga botimi i tij në 1937, ndër të tjera, për përdorimin e sharjeve dhe stereotipeve racore, gjuhës fyese, të qenit “anti-biznes” dhe “vulgaritet”.
“Do të doja të besoja se kjo është një histori që po tregoj. Më duhet ta besoj. Duhet ta besoj. Ata që mund të besojnë se histori të tilla janë vetëm histori, kanë një shans më të mirë”.
‘The Handmaid’s Tale’ nga Margaret Atwood është sfiduar ose ndaluar shpesh, duke përfshirë një ndalim të kohëve të fundit në Teksas, ndër të tjera, për t’u konsideruar seksualisht eksplicit dhe ‘anti-krishtere’.
“Pecola-s i kishte shkuar në mendje disa kohë më parë se nëse sytë e saj, ata sy që mbanin fotografitë dhe i njihnin pamjet – sikur ata sytë e saj të ishin ndryshe, domethënë të bukur, ajo vetë do të ishte ndryshe”.
‘Blue Eyes’ nga Toni Morrison ka qenë një nga librat më të ndaluar në Shtetet e Bashkuara në dekadat e fundit, për shkak të temave të diskutueshme duke përfshirë racizmin, inçestin dhe abuzimin e fëmijëve.
“Kaq shumë njerëz hyjnë dhe largohen nga jeta juaj! Qindra mijëra njerëz! Duhet ta mbani derën hapur që të mund të hyjnë! Por kjo gjithashtu do të thotë që ju duhet t’i lini të shkojnë”!
‘Extremely Loud…’ nga Jonathan Safran Foer ishte një nga librat më të ndaluar dhe më të sfiduar në SHBA midis 2010 dhe 2019, zakonisht për përdorimin e “materialeve të shthurura dhe ndoshta fyese”.
“Për sa kohë që mund ta gjeni veten, nuk do të vdisni kurrë nga uria”.
‘The Hunger Games’ nga Suzanne Collins është, ndoshta çuditërisht, një nga librat më të ndaluar të dekadës së fundit; vetëm në vitin 2010, kishte 348 raste që përfshinin ndalimin e trilogjisë për shkak të pandjeshmërisë së perceptuar, gjuhës fyese, dhunës, përmbajtjes okulte/satanike dhe të qenit “antifamiljar” dhe “anti-etnik”.
Por si ‘molla e ndaluar’, edhe librat kur shpallen të ndaluar tërheqin më shumë lexuesin, mbushin raftet e së ardhmes, ushqyejnë një brez ose përmysin një sistem. Masa e ndalimit bën efekt të kundërt. Siç thotë Salman Rushdie, “Çfarë është liria e shprehjes? Pa lirinë për të ofenduar, ajo pushon së ekzistuari”.
Please follow and like us: