Albspirit

Media/News/Publishing

NËPËR SEKRETET E SINQERITETIT KRIJUES TË ROMANIT TË PARË TË ADRIAN CERGËS

Natasha Lako

Kur Ardian Cerga  më dha me një autograf romanin e tij ”Kohc dashurish të harruara” te lokali i njohur ’Shend e verë’, nuk e dija se atje ishin shkruar faqe të tëra të këtyre trillimeve të vërteta si i quan ai vetë. Dhe kjo vërteton atë stil të çlirtë jete, që fillon të ravijëzohet që në kalimin si personazh nga një lokal në tjetrin edhe në faqet e romanit të tij të parë.

Është njësoj si të evokosh deri sot, edhe emrin e romanit “Tre shokët” të Remarkut, i cili duket se shfaqet si fare spontanisht nëpër faqet e librit, por që tregon kaq sinqerisht, atë prirje drejt një fryme të gjerë shoqërore që ndërtohet nëpër faqet e librit, ku dashuria bëhet gjithënjë e më komplekse.bDhe jashtë realitetit të përgjithshëm dallohet takimi si një rrjedhë fati, e një Nani të ri  dhe e një burri që do të vdesë, një marrëdhënie ku ndërthurret ai fill romanesk, nga ato të një finese trishtuese, si një nënshtrese e dytë rrëfimi.

Dhe romani “Kohë dashurish të harruara” vërteton se suksesi i çdo vepre letrare, varet nga sinqeriteti i thellë i asaj që një autor merr përsipër të thotë.

Këtë të vërtetë krijuese e mësojmë pothuajse teorikisht, shpesh prej autorësh që ndodhen larg, si në kohë si në vendosje gjeografike, madje edhe kultura të dallueshme nga njera-tjetra. Por nga pranë Adrian Cerga e vë në provë, me Beratin e tij dhe Beratin që e njohim të gjithë, madje me një periudhë, që vazhdon të artikullohet vazhdimisht dhe gjithnjë e më tepër, periudhë ku njeriu e kishte të pamundur të tregonte të gjithë aftësitë e tij, si i ndodh edhe aktorit të talentuar, të cilin e ‘rrasin’ në pozicionin e një Pallati Kulture, ku prapë se prapë ai gjen shpirt, madje edhe lirinë e tij plot ndërlikime.

Në këtë roman të gjithë personazhet janë të dorëzueshëm në dashuri, në kuptimin më të gjerë të saj, aq më tepër në botën e një të riu të talentuar, ku sinqeriteti nuk mund të ketë lidhje me mllefin që në disa romane krijon një mekanikë krejt të jashme, sa herë që reflektohet për periudhën kur “s’kishe ç’t’i bëje gomarit dhe i bije samarit”.

Romani “Kohë dashurish të humbura” jashtë çdo klisheje të gatshme gjykimi , hyn në kujtime të drejtpërdrejta, të një djali që sa ka filluar karrierën artistike, në një realitet të cilin nuk ka si ta shuajë frazeologjia e jashtme e jashtë fateve dhe këtë e ndihmon edhe konkretësia që rrjedh nga eksperienca filmike dhe skenike. Dhe vetë qyteti i Beratit bëhet me fat, që Adrian Cerga i dhuron një roman me kaq vërtetësi njerëzore dhe jetë të pasur  diskrete. Unë që njoh edhe Çimin si personazh real dhe emërimin e tij prej Beratit në Kinostudio, e kuptoj menjëherë, se sa pranë është edhe qartësia me sinqeritetin, por dhe sa thellësisht krijohet ndërthurja romaneske në saje të këtyre vetive të etikës së krijimit.

Ka qenë e pamundur t’i shkulësh një qyteti si Beratit, ato lokalet e vogla si kujtesë mejhanesh të vjetra, ku hyn edhe një i ri kryeqytetas, të cilin ‘jeta e madhe’ e ka zhvendosur në një qytet ku edhe njerëzit ruajnë shijen e sqimës me të cilën janë ndërtuar deri me një dyzim të bukur të jetës  që sfidon me një tharm të veçantë që vazhdon të egzistojë, së bashku me muzikën e Armstrongut të famshëm. ‘Kthetrat’ nuk arrijnë as te apartamenti i vogël i Danielës, ose Danielit, ku jeta sigurohet dhe reziston me një makinë qepëse. Dhe ngjarjet vijnë si kujtime të freskëta, kur edhe situata prej të deklasuarish reale dhe jo të stisur krijon një sfond.

Romani fillon qetë, pothuajse poetikisht, deri sa, në një qytet ku nuk përdoren biçikletat, shfaqet edhe ajo e para, për të filluar edhe historia e dashurisë së protoganistit Nani me vajzën e re, aktoren më të re të trupës.

Më kujton skena e takimit të babait të saj, me vetë autorin personazh, sjelljen e gjithë familjeve shqiptare, të cilat ndonjëherë me plot trusni, kërkonin të mbyllnin, fatet e dashurive me martesa të imponuara.

Dhe kështu më kujtohet edhe një novelë e harruar e Fatos Arapit “Patat e egra” me ngjarje po në Berat, ku plot trishtim tregohet ajo ndrydhje tradicionale, që ka ngurtësuar edhe fatet e familjeve shqiptare, ku dashuria derdhej me  doza të pakta, për të merituar edhe një mirënjohje të ndrydhur.

Adrian Cerga kujton rininë e tij, në atë rrjedhë të sinqeritetit të brendshëm, që kërkon të përmbushë lirinë e tij dhe që sfidon gjithçka që nuk ka lidhje me fatin e tij të moshës.

Dhe nëqoftëse ky roman ka një sekret të madh, brenda trillimit plot të vërteta, si emrat e shumë personazheve reale ai shfaq edhe emrat e dy shkrimtarëve autorëve të tij të dashur, Remarkut dhe Conrad, pa frymën e të cilëve ky roman nuk do të kishte marrë gjithë shtjellimin. Romani “Tre shokët” i  Remarkut, një nga më të dashurit e lexuesit që përpin gjithçka humane, shfaqet herë pas here nëpër faqet e romanit, si një bashkëshoqërues i atmosferës së miqësive të autorit, të rrethuar nga arti i kulinarisë, atmosferë që përcjellin detaje të tjera jete, me doza të theksuara realiste. Deri sa shfaqet edhe rakia e mirë e një babai edhe ai Wiski i rrallë i siguruar për të sjellë rrokopujën. Rrethi shoqëror herë pas here hapet drejt ngjarjeve dhe ndodhive të rrezikshme për politikën e ditës, por gjithënjë me finesë të madhe, duke iu nënshtruar fillit dramatik të narracionit, që kulmon me ditët e vdekjes së diktatorit, që pengon një takim të ri dhe shumë të pritshëm dashurie. Dhe midis këtyre faqeve përpëlitëse, kur shfaqet një dashuri e re, diku si padashje dhe fare shpërfillshëm, shfaqet titulli i një libri të Conrad, i cili pothuajse ka kaluar pa u vënë re përpara lexuesit shqiptar të asaj kohe, po jo për Adrian Cergën. Dhe alteregoja e tij shfaqet  me një vërtetësi të thellë që i kapërcen edhe caqet e sinqeritetit, duke treguar ato rrëshqitje të thellësive të botës njerëzore dhe etjes për njeri të seksit tjetër. Dhe befas nga një roman që fillon thjesht si një histori dashurie, lexuesi  gjendet para një ngjarje të rëndë mëkati përtej një akti erotik që kthehet deri në një përdhunim. Dhe kjo është një kthesë dramatike që i jep romanit dhe personazhit të tij një peshë të një përvoje tjetër njerëzore, ku përkatësitë gjinore shfaqen të turbulluara dhe të tronditura.

Dhe ndodh që një akt adhurimi, që ka lindur fshehtë, që prej mikut të tij më të afërt, trondit thellë një marrëdhënie moskuptimi.

Nëpërmjet një rrjedhe të natyrshme kompozicionale, që buron gati prej nënvetëdijes, duket sikur ndodh fare pakujdeshëm paraqitja  jo thjesht e qëllimshme e Danielës, Daniel, që në faqet e para të romanit, për të krijuar një ndërthurrje dramatike, që përgatitet gati si pavetëdijshëm por që tregon se fajeve dhe moskuptimeve edhe më të thella se ndarjet, nuk mund t’u shpëtosh lehtë. Dashuria ndoshta u vonua. Asgjë nuk përmbyset, ndërsa brenda dashurive jeton edhe tragjizmi që ndron një shkallë të jetës, për të cilin aq thellë ka shkruar edhe Conrad.

Adrian Cerga na thotë se nuk di të gënjejë, as në përshkrimin e lumit dhe lagjeve beratase,as në atë që i ndodh njeriut.Dhe të mos gënjesh,nuk është aq gjë e lehtë.

Dhe kjo  pafajësi edhe në rrugën e zgjedhur për të treguar, deri sa fitohet një tonalitet i ri, shoqërohet në roman me marrëdhënie të kthjellta njerëzore të drejtrpërdrejta, ku përfshihet edhe një grup aktorësh që ndërtojnë një trupë teatrale, por edhe sfera e dashurisë.

Ky është suksesi i autorit me një roman dhe një personazh që nuk mund të gënjejë as veten. Dhe kjo nuk është pak në prozën e re shqiptare, ku sapo ka trokitur një prozë kaq e sinqertë edhe në gjininë e vet. Mbi të gjitha i ngjashëm me rrjedhat e Osumit, sa për të thënë sa paralelisht shfaqen ca skena të  rrjedhës njerëzore, në penën e Adrian Cergës.

Urime Adrian, realist me zemër, i një prej sinqeriteteve, që kaq bukur lidhet me diçka aq bizare, sa profesionalizmi i fshehtë narrativ. Ndoshta kjo mund të quhet edhe elegancë krijimtarie, e ngjashme me rafinimet e verës.

Please follow and like us: