Astrit Lulushi: Origjina e njeriut
Të gjithë llojet e njerëzve filluan nga Afrika. A nuk është pak e çuditshme? Pse, nga të gjitha kontinentet e tokës, njeriu lindi në Afrikë? Pse jo në Evropën jugore, apo Azi apo Amerikë? Çfarë është ajo që e bën Afrikën kaq të veçantë? Tani duket se ajo që dimë është shumë pak, diçka që konfirmohet nga rrjedha e vazhdueshme e gjetjeve të reja. Ka disa gjetje të reja që hedhin dyshime mbi origjinën afrikane të njeriut. Arsyeja e vetme që teoria mbizotëruese mbetet është se këto gjetje janë – të paktën tani për tani – sporadike. Gjetjet e para janë eshtra të fosilizuara rreth 11,6 milionë vjet të gjetura në Bavari (Gjermani jugore). Pjesa interesante është se ato kocka i përkasin majmunëve që ecin me dy këmbë dhe duken çuditërisht si këmbët e njeriut modern. Po ashtu përmendet rasti i Rudapithekut që mund të ecte me dy këmbë, diçka që mbështet teorinë e krijimit të njeriut ose/dhe bipodizmit në kontinentin evropian. Në Evropën juglindore (Krete), antropologët zbuluan një pjesë të fosilizuar te një njeriu të drejtë, që ka jetuar 13 milionë vite më parë. Në të njëjtat shtresa u gjetën vegla prej guri dhe kocke. Disa lloje majmunësh evropianë kishin dhëmbë të shkurtër, të ngjashëm me ata të humanoidëve, siç tregohet nga nofulla e fosilizuar. Mosha e tij vlerësohet të jetë midis 9 dhe 10 milion vjet. Gjithashtu kockat e fosilizuara të Graecopithecus zbuluan se ky është një humanoid. Mosha e tij vlerësohet midis 7,18 dhe 7,25 milion vjet, që do të thotë se është pak më i vjetër se humanoidi më i vjetër i Afrikës. Në Kretë u gjetën gjurmë 5,7 milionë vjeçare, të cilat mendohet se janë bërë nga një paraardhës i yni humanoid. Në Bullgari është gjetur një dhëmb humanoid 7 milionë vjeçar. Në fund të fundit, nuk ka absolutisht asnjë arsye për të dyshuar se speciet e ndryshme njerëzore udhëtonin vazhdimisht në të gjithë planetin, veçanërisht pasi në një thellësi të tillë kohore, klima në një zonë specifike mund të ketë kaluar nga tropikale në të ngrirë dhe anasjelltas. Këtë gjë të thjeshtë, që është arsyeja e shëndoshë, shkenca sapo filloi ta pranojë, që do të thotë se njerëzit primitivë migruan më larg dhe më shpesh sesa besohej më parë.