Shefqet Dibrani: VDEKJA E POROSITUR?!…
Alush Canaj, MBRËMË E PUTHA LIRINË, poezi, botoi Sh.B. FAIK KONICA, Prishtinë 2018, faqe 222. ISBN 978-9951-06-693-8
Alush Canaj, poet i letërsisë shqipe për fëmijë që krijohej në Kosovë. I lindur në vitin 1952 në Koretin të Dardanës, Kosovë. Pas disa vitesh familja e tij është shpërngulur në Gjilan. Alushi, shkollimin fillor dhe të mesëm i mbaroi në këtë qytet. Sa ishte nxënës iu botuan vjershat e para. Më vonë poezitë i botoi në gazetat: Rilindja për fëmijë, Pionieri, Gëzimi, Fatosi, Flaka e Vëllazërimit në Shkup, si dhe në revistat, Shëndeti dhe Zëri i rinisë. Pas mbarimit të gjimnazit në Gjilan, fillimisht u regjistrua në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd, dhe pas një viti u shkëput nga atje për tu kthyer në Prishtinë, në Fakultetin Filozofik, në Degën Gjuhë dhe Letërsi Shqipe.
Qëndrimi i tij përparimtar dhe mospajtueshmëria me sistemin komunist, bëri që sigurimi i shtetit jugosllav, “E vranë një natë, pikërisht me 15 shkurt të vitit 1972. Diku rreth orës 20:00, në shtëpinë e tij, e vranë me gotën e helmit që ia mbushën vet“, (Avdush Canaj, POETI QË U VRA NË LULËZIMIN E JETËS, faqe 179-184.) S‘ka dyshim poetin Alush Canaj, e vranë për poezinë dhe qëndrimin e tij përparimtar.
Vëllimi me poezi dhe shkrime të tjera MBRËMË E PUTHA LIRINË, përfshinë tërë krijimtarinë poetike e letrare e gjetur gjer më tani. Libri ndahet në nëntë ndarje, poezia me cikle, ndërsa kapitujt tjerë sipas zhanrit letrar. Në libë janë përfshirë skica dhe portrete si dhe disa vizatime, të cilat sëbashku me dorëshkrimet në formë faksimili dhe albumin me fotografi kompletojnë tërë opusin letrar të poetit tragjik, dokumente e materiale këto të ruajtura kryesisht nga familjarët dhe ndonjë mik i tij. Libri është përgatitur për shtyp nën përkujdesjen e vëllait, poetit Avdush Canaj.
Vëllimi tashëm, “MBRËMË E PUTHA LIRINË, vjen dukshëm më i plotë, duke e kapur e spikatur tërësinë e interesimeve, jo vetëm poetike-artistike, që ngërthente ky personalitet me vokacion e fjalor të admiruar artistik, por dhe me gjerësinë e formimit kulturor dhe profilin e modelit të një të riu, që në një mjedis, mendësi e psikologji shoqërore-politike moniste, kërkonte vetveten…“, së këndejmi as fondi i krijimtarisë që la Alush Canaj, (1965-1972), “nuk shënon ndonjë fond letrar të begatë, veçmas në fushën e shkrimeve për fëmijë: qoftë si nivel sasior, ose si vlera cilësore e artistike“, ka theksuar në studimin e tij Mehmetali Rexhepi, autor, shok i shkollës dhe idealit me Alushin. (YLLI SHKËLQIMTAR I NJË TALENTI, faqe 185-215.)
E tëra në krijimtarinë e dokumentuar lidhet me fatin tragjik të poetit dhe lënien në gjysmë të nismave premtuese, shikuar nga prizmi i kohës dhe i rrethanave politike të kohës kur poeti kishte filluar të publikonte krijimtarinë e tij, është krijimtari e revoltës dhe e kundërshtimit ideologjik. Gjithsesi, ky libër kaq i kompletuar flet për një talent me fillesa të mbara që e këputën si lulën, ose siç bien yjet nga qielli. Vjershat e tij janë përplot jetë e gjallëri, dhe që zbukuronin jetën në Kosovë, karshi këtij idili poetik, poeti gjente mënyrën për të shprehur pakënaqësinë me gjendjen reale të popullit shqiptar nën pushtim jugosllav të kohës. Kjo revoltë do të shtohet dhe dita-ditës do të artikulohet si pakënqësi reale e poetit me diktaturën që jetonte.
Artikulimi i revoltës lexohet qysh në vjershën e parë në këtë libër që mban titullin “KUSH ËSHTË POETI“, (1972), poezi kjo që praktikisht mund të lexohet “Kush është Alush Canaj“, i cili është lumë i freskët, kurse vargu i poezisë së tij, aq sa shëronte plagë, po aq i shqetësoi lakejt e pushtetit, të cilët kishin filluar ta përcillnin. Padyshim, vargu i Alushit artikulonte mirë e saktë realitetin ekzistues. Ky artikulim i revoltës së tij, është shprehur nëpër mjaftë vjersha të kohës, në fillimet e të cilave nuk bënte aq thirrje për revoltë e revulicione qytetare, po më shumë ishte përpjekje dhe angazhim për të vetëdijesuar shoqërinë për robërinë që e kishin kapluar dhe sa më tepër për ta kuptuar realitetin ekzistues. Sigurisht, me kalimin e kohës ky raport metaforik do të pësoj ndryshim substancial, dhe poezia e tij krejtësisht do të transformohet në poezi e angazhuar dhe rebeluese.
E ne, bëjmë përpjekje për t‘iu shmangur, (për aq sa mundemi?!), fatit tragjik të poetit, dhe duke pasur parasysh fillimet e tij dhe nivelin ku ishte letërsia për fëmijë në vitet e gjashtëdhjeta, mund të themi se vjershat e Alushit, ishin të bukura, madje edhe për sot kanë estetikë artistike dhe kanë mesazh moralizues, sidomos për fëmijet dhe brezin e ri që ua kushtonte vjershat, të cilat flasin për fushat e gjelbëruara, për pemet me fruta, për zogjtë këngëtar, për ëndrrat e fëmijëve, për pallatet e arta. Disa nga poezitë edhe tash janë vjersha me nivel të lartë artistik, sepse metafora dhe rrëfimi i fabulës është i mirë, prandaj shpeshherë këto vjersha duken si përralla që ka arritur t‘i trilloj vetëm mendja e poetit Alush Canaj.
MBI KRAHËT E ERËS
Mbi krahët e erës
sot kam fluturuar
e me zogjtë e verës
vetë kam biseduar.
Era shpejt më çoi
te zogu i argjendtë
sa shumë më ngazëlloi
e më mbushi shend.
Era i binte lyrës
si nënokja ime,
një pëllumb guguronte
për dëshirën time.
Kësulëbardhën pastaj,
e kam parë, moj Bletë,
në pallat të ketrit
te lisi me fletë.
(1969)
Përveç, natyrës, florës dhe faunës e cila përshkruhet në mënyrë magjepse e përrallore, si dhe të dashurisë së pafundme për gjyshërit, bie në sy emërtimi shqip i figurave dhe personazheve artistike të cilat i ka përdorur poeti qoftë në vjersha për fëmijë por ky element sforcohet edhe tek poezia për të rritur, prandaj për ilustrim po i sjellim disa: Adriatik, Apolon, Artan, Artë, Atdhe, Ben, Bilbil, Blerim, Blertë, Bletë, Borë, Borëbardhë, Dashuri, Dijanë, Donikë, Dritë, Ermalushi, Faton, Flamur, Florë, Fluromë, Gonxhe, Ilir, Kastriot, Kushtrim, Linditë, Liri, Lis, Manushaqe, Margaretë, Margë, Pranverë, Rudinë, Shqipe, Shqiponjë, Trim, Trinë, Trëndëlinë, Valdet, Valdrin, Verë, Ylber, Yll, Zanë, etj., ose demuntivi i emrave: Gimi, Lili, Nardi, e ndonjë tjetër, gjithsesi flasin shqip. Të tjerë shembuj i kemi si: daja Dan, gjysh Dili, motër Drita, motër Netë, motër Zanë, nëna Verë, nusja e Lalës, shoku Met, tezja Vitë, xhaxhi Litë, Xhaxhi Col, ylli i Arbërisë, bijtë e Shqipes, etj. Pastaj, emra të heronjëve dhe figurave të njohura janë: Azem e Shotë Galica, Bajram Curri, Naim Frashëri, Ramizi, Kadriu, Skënderbeu, etj.
Edhe toponimet janë të zgjedhura dhe gjithëpërfshirëse. Psh. vendet, qytete e krahinat që hasen në vjershat dhe poezitë e Alush Canajt janë: Arbëria, Illiria, Kosova, Shqipnia, Prishtina, Tirana, Prizreni, Kruja, Ulqini, Sharri, Landovica, Carraleva, Gollaku, Guri i Thatë, Tomorri, etj.
Në anën tjetër, janë disa metafora të cilat shprehin rebelim të dukshëm, ku bashkë me poezitë e shkruara në kohët e fundit të jetës së tij, paraqesin një ashpërsim të konfliktit me pushtetin e atëhershëm jugosllav, veçmas me punëtorët e shërbimit shtetëror, të cilët e përcillnin poetin, pasi ishin bërë leva të dhunës komuniste në Kosovë.
Metaforat e tilla si: “Pranvera e Madhe”, “Lugu i dafinave”, “Nëna Shqipëri”, “Nëna ime Shqipëri”, “Korbat e zezë prej saj më ndanë”, etj., përbëjnë një vistër të tërë shprehjesh metaforike që paraqitnin realitetin ekzistues të asaj kohe. Në këtë plan janë edhe tipi i vargjeve: “Prehëri i nënës sime/ nënkresë më e mirë!”, “Ujq e dhelpra më vijnë pas/ dashuri e Nënës do t’i vrasë”, që katërcopërisht dëshmojnë për rebelimin e vetëdijshëm të poetit i cili këtë gjendje, në mënyrë artistike e ka shprehur hapur në poezitë e fundit, të cilat janë përfshirë edhe në këtë libër:
NËNA SHQIPËRI
Atje larg në veri
Nëna ime Shqipëri
si ylber me shtatë ngjyra
lule e çelur, më e mira.
E kam dritë, e kam xhan
korbat e zezë prej saj më ndanë.
Oh, sa keq! Ububu,
AJO pas malesh – unë këtu
Zog do t’bëhem të fluturoj
Nënën time ta takoj
ta puth në faqe si dikur
t’i them në prehër: U bëra burrë.
Ujq e dhelpra më vijnë pas
dashuri e Nënës do t’i vrasë.
(1970)
Poezi tjetër, në librin “MBRËMË E PUTHA LIRINË”, në brendësi të saj ka një metaforë të shkëlqyeshme. Edhe nëse e dashura e tij quhej “Liri”, të cilën poeti dëshmon se: “Mbrëmë/ e pashë në ëndërr/ Lirinë./ Ishte si manushaqe,/ e putha në faqe”. Ndërkaq ky narracion figurativ do të merr dimension akuzues sidomos në vargjet, “S’kaluam as dy hapa/ qentë na lehnin prapa”, të cilët pastaj siç shpreht edhe vet poeti, “S’di si u afruan,/ prangat na i vunë“, e shkruar në muajin prill 1971.
Vazhdimi i këtij rebelimi shprehet edhe në poezitë: “Flamuri s’bie”, (kallnor, 1972), “Flamuri mbi kullë”, (po ashtu, kallnor, 1972), poezi këto që duket të jenë ndër krijimet e fundit poetike të Alush Canajt. Pavarësisht rrethanave, shikuar nga prizmi i tanishëm, përsëri vlera dhe mesazhi i këtyre poezive duket i drejtpërdrejtë dhe krejtësisht i kuptueshëm, dhe që shprehin guximin dhe rebelimin poetik i cili me këtë nivel duket si motiv unikat, por si poezi janë të realizuara me mjete artistike dhe estetikisht qëndrojnë me një vlerë të lartë.
Në rubrikën, FLETËZA DITARI, janë paraqitur tri skica lirike, e nëse i shikojmë nga struktura duket të kenë qenë fillet e një roman për dashurinë që nuk arriti ta shkruaj kurrë. Pastaj janë nëntë tregime të mrekullueshme, që kompletojnë tërësinë. Padyshim, vetëm me kaqpak tregime, krijohet përshtypje sikur poeti Alush Canaj, paska qenë më i mirë në tregime të kësaj natyre. Talentin e tij për përkthime e vërtetojnë dy tregime/fabula të përkthyera nga C. Kazlov. Cikli i poezive për të rritur dëshmon afinitetin e poetit edhe për poezinë për të rritu, por hovin e tij që po hovej e ndërpreu vdekja e porositur.
Albumi i fotografive, për ata që e njihnin, ngjall emocione, ndërsa të tjerët kompletojnë më mirë e më sakt imazhin artistik të poetit, i cili edhe pse shquhej për vizatime, nuk arriti as ato t’i materializoj mjaftueshëm.