Albspirit

Media/News/Publishing

1001 Netët e Orientit dhe 3 versione të hershme përkthimi në shqip

 “Alf Layla wā Layla”: 1001 Netët e Orientit dhe 3 versione të hershme përkthimi në shqip të bazuara në Gjuhët e Oksidentit* 1

Melsen Kafilaj- Studiues

“Njëmijë e Një Netët” (Alf Layla wā Layla) është një thesar i çmuar i Letërsisë Botërore dhe mbetet padyshim një prej veprave më popullore, më të dashura për lexuesin (pavarsisht moshës, gjinisë a kombësisë) dhe të përkthyera në një mori gjuhësh botërore. I përmëndur për herë të pare nga Al-Mas’ūdi në vitin 947 A.D në librin e tij “Murûj adh-dhahab”(“Luadhet e Arta”) e më vonë nga Al Nadīmi në “Al- Fikhrist” (“Katalogu” i tij), ky koleksion historish (me origjinë Perse, Indiane, Arabe, Greke, etj) është konfirmuar madje edhe shkencërisht prej Orientalistes së Universitetit të Çikagos, Nabia Abbot përmes një fragmenti papirusi të gjetur prej saj, i cili i përket Shek.9. Ky koleksion, me kalimin e kohës u pasurua si në formë gjithashtu edhe në përmbajtje dhe mori trajtën që njohim sot duke u redaktuar për herë të fundit në Egjipt në Shek.14 gjatë kohës së Dinastisë Mamluke Burji.

Versionin e parë Evropian të këtij “xhevahiri të Orientit” na e jep për herë të parë Orientalisti Francez Antoine Galland me titullin “Les mille et une nuits, contes arabes traduits en français” (Njëmijë e Një Net, Rrëfenja Arabe të përkthyera në Frëngjisht) një vepër kjo prej 12 Volumesh, botuar gjatë një harku kohor prej 13 vitesh (1704-1717) dhe e bazuar mbi një Dorëshkrim Sirian të Shek.14.Përkthimi i saj në gjysmën e parë të Shek.18 do të hapte rrugën dhe do të pasohej për rrjedhojë me një sërë përkthimesh të tjera të “1001 Netëve” në gjuhët evropiane si: Anglisht, Gjermanisht, Spanjisht, Italisht, e kështu me radhë.

Megjithëse jo prej origjinalit, versionin e parë në Shqip të “1001 Netëve” në shqip na e jep eruditi ynë Faik Konica me veprën e tij “Në Hien e Hurmave”, të përkthyer nga Anglishtja dhe të botuar në vitin 1924.Në Parathënien e këtij botimi Konica i citon përkthyesit e shquar britanikë (Scott, Payne, Burton, etj) të kësaj kryevepre por nuk e përmënd versionin anglez të përkthimit të cilit ai i është referuar. Konstatimit të drejtë të studiuesve se tek versioni i “1001 Netëve” të Konicës mungon elementi i Seksualitetit i përgjigjemi që kjo ndodh për arsyen e thjeshtë se Konica e bazon përkthimin e tij në versionin e Orientalistit Britanik Edward William Lane, një puritan i devotshëm “i cili e ka çensuruar jo vetëm këtë element por edhe gjëra të tjera të papërshtatshme sipas tij” në veprën prej 3 volumesh, “One Thousand and One Nights” (1840). Vepra e Konicës do të ribotohej edhe në vitin 1943 prej Shtëpisë Botuese “Argus” të intelektualit pro-perëndimor Dhimitër Canco.

Një version të dytë “tejet divers” na paraqet përkthyesi dhe publicisti Dhimitër Falo. Falo, i cili deri në këtë moment që flasim nuk përmëndet fare prej studiuesve për këtë kontribut madhor, e ndërmerr këtë nismë në vitin 1930 me përmbledhjen me rrëfenja “Gjylnar”. Nismë e cila do të pasonte me një seri përkthimesh të kësaj kryevepre, të cilat ai i titullon sipas një rrëfenje specifike të “Alf Layla wā Layla-s”. Vëllimi i fundit që njohim i përkthyer prej Falos i përket vitit 1938 dhe titullohet “Sindbad es Sawah” (Sindbad Detari). Versioni i “1001 Netëve” të Falos bazohet tek përkthimi i “Le Livre des mille nuits et une nuit” (Libri i Njëmijë e Një Netëve) të Orientalistit Francez Joseph Charles Mardrus, një vepër kjo e botuar fillimisht në 16 volume përgjatë viteve 1899-1904 (Vëllimin e parë të së cilës do t’ia dedikonte poetit të madh francez, Stéphane Mallarmé) dhe e reduktuar në 12 të tillë me ribotimin e saj përgjatë viteve 1926-1932. Nëse ndjekim rrjedhën kronologjike, përgjatë periudhës 1930-1938 na rezulton që Falo të ketë sjellë në shqip të paktën 8 libra me përmbledhje rrëfenjash prej kësaj kryevepre (Në dijeninë time, 4 prej tyre janë tashmë pjesë e Koleksioneve Private).

Vlen të theksojmë se ndryshe nga Konica, tek përkthimi i Falos imagjinata është e gjallë dhe plot ngjyra, sensualiteti po ashtu, madje edhe përshkrimet erotike rrjedhin lirshëm dhe pasqyrohen besnikërisht si në versionin përkthimor të Mardrus. Një kontribut ky sa letrar po aq edhe ideor, për thyerjen e tabuve, luftimin e mëndësisë së kullës dhe emancipimin mendor të Shoqërisë Patriarkale Shqiptare të Viteve 30-40-të.

Versioni i Tretë në Shqip i kësaj kryevepre të pakohë na ofrohet në mesin e viteve 60-të prej shkrimtarit, përkthyesit dhe publicistit Mustafa Greblleshi. Kjo vepër e Greblleshit, bazuar në përkthimin frëng të Galland do të kishte një fat tejet të çuditshëm. Greblleshi, i konsideruar si “Armik i Klasës” prej Sistemit Komunist nuk do ta kishte fatin që ta shikonte botimin e saj sa qe gjallë. E botuar me emrin e Përkthyesit vetëm në vitin 1986, kjo “përmbledhje selektive” prej 20 rrëfenjash do të kalonte në filtrin e çensorëve të rreptë të Partisë dhe do të sillte për pasojë si produkt përfundimtar një “Njëmijë e Një Net” të thatë, skematike, jo të gjallë dhe brënda Moralit dhe Dogmës Komuniste. Kështu psh, elementi erotik, aq i gjallë dhe i dëndur në rrëfenjat e “1001 Netëve” jo vetëm që është pastruar krejt prej këtij versioni por gjithashtu ky i fundit do të mbahet mënd gjatë edhe për “moralin e lartë komunist të Çensorit” duke ndërfutur brënda tekstit edhe frazën lapidare: “Ngjarje që s’na i lejon edukata ti tregojmë”! (Shih: f.24) Përkthimet e plota të “1001 Netëve” të Greblleshit (një vepër kjo prej 4 volumesh) do të botoheshin vetëm në vitin 2005 nën kujdesin e studiueses dhe botueses Brikena Çabej.

Si përfundim, mund të themi se pavarësisht karakteristikave “të trashëguara” prej veprave të autorëve në të cilat janë bazuar (Galland, Lane dhe Mardrus) dhe kontekstit kohor, përkthimet e “1001 Netëve” prej Konicës, Falos dhe Greblleshit përbëjnë një vlerë të shtuar në thesarin e gjuhës shqipe.Përkthyesit në fjalë jo vetëm që që qenë të parët që sollën në gjuhën amë këtë “melting pot” kozmopolit siç është “1001 Netët” por ata kontribuan gjithashtu edhe në kulturën shqiptare, pasi çdo përkthim i realizuar është një mjet i drejtpërdrejtë pikëtakimi ndërmjet popujve dhe kulturave, për rrjedhojë edhe i vet komunikimit ndërkulturor, siç është në esencën e saj edhe “Njëmijë e Një Netët”.

* 1 Ligjëratë e mbajtur në një Klub Elitar Privat, 20 Qershor 2023.

 

Please follow and like us: