Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: Piqerasioti Alfons Llupi, “anës Elbës, anës Presë…”

Nostalgjia e Alfonsit

Reportazh

Atje tek Mili i Bitre, në katin e katërt të barit të tij në Piqeras, karshi “ngushticës së Korfuzit”, do ta gjeni çdo behar edhe Alfons Llupin, që vjen i malluar nga Çekia, prej kësaj ndijesie të jashtëzakonshme, që Shekspiri e quan fare thjesht, si “kujtim i gjërave të shkuara”. I pëlqen të pijë atje një kafe mëngjezeve, sa shkrep dielli a një gotë verë mbrëmjeve, duke e soditur ATË, tek zhytet në det, pa e kuptuar akoma, përse i hedh sytë edhe anash, nga ajo shtëpi mbi tabor, ku ka lindur e ëma e tij , Roza e Gjiçale, e bija e Alekos që e shiti strehën prindërore, para se të ikte në Çeki, gjatë “ikjes së madhe” edhe ai, pa e marrë fare ndërmend, se si “damarët e gjakut”, po këtu do “rrihnin”, me mallin e ndezur të mëvonshëm, bile edhe me “strehën e përjetshme” diku tjetër…

“Nën gështenjat e Pragës”

Vite më vonë, kur edhe për ne të tjerët, u hapën “të gjitha udhët e jetës” dhe, as që do të ndodhte që të mos veja edhe unë atje, “nën gështenjat e Pragës”, qoftë edhe për një vizitë të shkurtër, pasi kisha parë në skenën e Teatrit të Kryqytetit tim, në rininë time, dramën  Çeke, që do të merrte befas një rëndësi thelbësore për jetë-vdekjen tonë 50 vite më vonë, duke ecur tashmë edhe “nënë gështenjat” e trotuareve të këtij vendi, kur do stepesha i ngrirë, edhe para një varri (përbri lumit Elba!), të bashkëshortëve Gjiçali, të cilët, i kishin varret e të parëve të tyre midis qiparizave të Piqerasit, përbri burimit të Shtodhërit. Jetë-vdekja qe vendosur dhimbshëm, gjer në mosegzistencë, gjer këtu, “nën gështenjat e Nymburkut”, jo shumë larg atyre të Pragës dhe fare pranë lumit Elba…

Po dhimbjen ta lehtësojnë pinjollët që dalin në jetë, që rriten e që e gjejnë përsëri “udhën e kthimit” të prindërve, si ky Alfonsi që vjen në Piqeras, çdo behar, bashkë me të vëllan Eusebjo,-që të dy këngëtarë të muzikës moderne, me një reputacion në rritje të vazhdueshme, sa do më bënin edhe mua, spektatorin e tyre, në një koncert që dhanë atje, “nën gështenjat e fshatit  Lysa-nad-Labe” , në rrethin e tyre të admiruesve, ku do të bënin pjesë edhe e ëma, Roza, me të motrën, Violetën, po edhe unë me “Arëzën“ time piqerasiote. Ku edhe do të vallëzonim shkujdesur me Rozën e Gjiçale, Çapkënen e Alekos, që u dashurua e u martua në Tiranë, me të birin e një emigranteje të njëhershme Çeke… Ja që edhe jeta, vazhdoka, shkujdesshëm, si në atë vallzimin tonë… Me melodi rinore, ritmike, që të ftonte patjetër në vallëzim, edhe kur mosha thyhet njëfarsoj e këmbët e humbasin disi “elasticitetln e tyre”, po edhe me tekste poetike të qarta e prekëse, që e “pikturojnë jetën”, kur edhe ata që i rrethojnë artistët , bëhen “pjesë e tyre“!

Në rrethinat e një mbretërie e të një presidence!…

Të dyja bashkë ngjajnë si një çudi: po, ja tek janë së bashku, edhe kështjella e shek XV e Mbretit Karl IV, që e themeloi “Pragën e Vjetër” dhe që e metropolizoi përjetësisht në arkitekturën urbane dhe në tempuj e vepra  të pavdekshme arti, Rudolfi i II-të dhe që kështu mbeti edhe pas 500 vitesh, që do të quhej tashmë “Praga e Artë” dhe po aty, ta kishte selinë edhe Presidenca Çeke e Havelit rrebel, e atij dramaturgu,-dikur të burgosur si antikomunist, për të cilin Alfonsi më flet me admirim, sidomos për atë kohë, kur atij i duhej të punonte si shtytës i varelave të birrës, në një Fabrikë Birre… Këtu do më sillte Llaqua, piktori i familjes tonë (të Gjiçale), ku kisha bujtur unë dhe ku do admiroja piktorin tonë, tek pikturonte e mandej e rrethonin vizitorët e huaj për t’i blerë tarikotat e “Pragës së Artë” që ai dinte t’i pikturonte me shije të hollë, në vlerat e të dyja epokave që “kryqëzoheshin” këtu. Me rrugicat e atëhershme me kalldrëm, me kishat e panumërta, me urat me harqe e më një mori statujash që e ndajnë Pragën në dy pjesë magjepsëse. Dhe, gjatë kohës që pëllumbat e bardhë do t’i bënin shoqëri piktorit, unë do të fotografohesha këtu me veshjen, shpatën e kurorën e Mbretit Karl IV, nga fotografi ambulant, karshi telajove të Mihallaqit, si edhe do më pëlqente akoma të fotografohesha edhe me një turiste kineze a vietnameze, fare pa teklif… Për të drekuar pak me tej e më vonë, në “PRAGËN E RE”, karshi Teatrit Kombëtar, i gjithi me fasadë xhami, ku ndodhej edhe restoranti i plejadës së famshme të artistëve e shkrimtarëve Çekë, ku drekonte edhe Haveli i Madh. Shoqëruar, mysafirët e Gjine, nga motrat Gjiçali… ”Le ta ndjesh edhe ti veten, qoftë edhe në disa çaste, si një Mbret i një kohe të vjetër a si President i një kohe të re”,- i thashë vetes!…

Po Praga është magjepsëse edhe prej gjithçkaje që rrëfen Alfonsi, me rrugicën ku ka jetuar Franc Kafka, tek e motra e tij, si edhe me rrugicën ku ndodhet Ambasada Shqiptare, që ai e njohu në kohën e Piro Milkanit,-aq shumë i kulturuar e i dashur me ta, së toku edhe me të dy bijtë e tij, Enon e Gjergjin, që e shtonin dhe e zmadhonin nostalgjinë e tij rrjedhëse për Shqipërinë, po edhe për artin muzikor. Se “muzika është i vetmi art që ndjell nostalgjinë”,-thotë Ned Rovem. Po këtë mesazh e përcillte edhe filmi i regjisorit rus Andrej Tarkovski, që ai e xhiroi në Itali, mbi fatin tragjik të një muzikanti që dogji veten nga dëshpërimi, mu në mes të Romës! Po Alfonsi e sheh më ndryshe pasionin e vet si muzkant, po edhe si poet, duke i shkruar vet edhe tekstet e këngëve të tij! Duke lexuar me etje të pazakontë Stefan Zweigun austriak dhe brazilianin Paulo Coelho, po edhe Hashekun, Fuçikun, Kohoutin, Hrabalin, Havelin e të tjerë nga Çekia, duke mbetur, jo vetëm  një “rob i së bukurës”, po edhe si një krijues optimist, ndaj jetë së sotme ende të pastabilizuar. Duke i zgjeruar,-sikundër thotë ai edhe “dritaret e shpirtit”… Por, duke ardhur kaq shpesh edhe në Shqipëri, këtë here edhe me të birin e vogël 9 vjeçar nga mbrapa, Vincentin… Në fshatin e bukur të së ëmës, ai ndjen, së tepërmi, qetësinë e krijimit, notat muzikore të shpirtit, me një natyrë nostalgjike të virgjër e të mrekullueshme, që nga manastiri i Shën Marisë në afërsinë qiellore, gjer poshtë, në gjirin e virgjër të “Kubovës”, ku dallgëzimi i detit qetohet dhe prehen pulëbardhat… ”Jam duke kultivuar në veten time, njëlloj tjetër dashurie, si edhe duke dalur nga “guacka e kërmillit”!… ”Ja,-i thotë ai të birit flokë verdhë që loz me të birin e Milit,- ky është fshati yt, i dashuri im! Dhe këtu do ta kemi edhe ne një shtëpi tonën”! (Náš domov)

Hitet muzikore të rrugës e të pasionit  

Ai ka tiparen e një “bohemi të rrugëve të pafundmme të botës”: një muzikant  i zakonshëm e i jashtëzakonshëm, brenda e jashtë vetvetes. Disa e marrin për “të çmendur”, tek e shohin ashtu të veshur thjesht, me flokët e dendura e si të pakrehura kurrë, me qëndrimin e lirë e mospërfillës, po unë që kam ndjekur me kërshëri koncertin e tij në qytetin Çek, Lysa-nad-Labem (“Lysa sipër Elbës”), me grupimin e tij muzikor”Hitfakers”, do të kuptoja se këta djem, ku përfshiheshin edhe të dy djemtë e Rozës, Alfonsi me Eusebion, të intonuar bukur si këngëtarë, do ta kuptoja pse ata ishin  aq të preferuar, në ato qindra koncerte sallash të vogla, nëpër sheshe e rrugë, po edhe në kafenenë e tij  që ka strukturën e  një kishe të vjetër, me kupolën e hershme, me libra, pentagrame e piktura moderne nëpër mure, në vëndin e ikonave, përbri një kishe katolike të vërtetë e të nderuar atje, në qytetin e tyre Nymburk… Hitet muzikore të krijuar nga vetë ata, janë fryte të pasionit të tyre, pa imitime, pa rregulla strikte, pa pentagrame përpara, duke kënduar e të shoqëruar me vegla muzikore nga vetë ata, që ngjajnë më tepër me impulse pasionesh rinore, në shpalosje ëndrrash, buzë Elbës që gjarpëron brenda Çekisë, si edhe në  të dyja anët e Vëltavës që e ndan Pragën në dy pjesë të barabarta, nën 250 ura  të arkiteturës së vjeter e të re, që mahnisin gjithë turistat që vijnë këtu, edhe nga Kina e largët komuniste, që s’pengohen më nga “Askushi”!…

Atje, në Barin ei Milit të Bitre, në një mbrëmjenga ato përvëlueset e Korrikut, mundohem të mësoj “rrjedhën e ëndrrave të tij” dhe në se ka ndonjë kredo ky “artist bohem”,-i lirë, me origjinë nga Piqerasi e me një “damar gjaku” edhe nga Çekia. Për të kuptuar se nga vjen baza e nisjeve të talentit të këtij njeriu, të lindur në Tiranë më 3 gusht 1975, i cili ka kryer edhe studimet profesionale në Liceun Artistik të Tiranës, ku talenti i tij është drejtuar prej pedagogut Kurti,-bariton i Operas njëherësh. Nganjëherë , mjafon edhe një shkëndi për të ndezur zjarrin! Dhe, ky edukim muzikor, do ta “ndiqte” buzë Vëltavës e Elbës që frymëzoi Nolin tonë të madh… Për t’u bërë më pastaj edhe producent, edhe kompozitor, edhe instrumentist, edhe aktor, edhe këngëtar i Hiteve që rinia e sotme Çeke i do e i ndjek, ashtu siç i këndojnë ata, “çamarrokët e romantikës së rrugës”, bohemët e pasioneve të pafundme… që ngjajnë si brenga e ëndërrime emigrantësh!

“A kanë ndonjë filozofi këngët që bëjë unë”? -pyet ai. “Nuk e di. Veçse e ndjej se arti që bëjë me pasion, është si një ‘filozofi e imja’, e brendshme, e kthyer, në një pikturë të abstraguar, gjersa vjen tek tingulli, që ‘flë’ përbrënda këtij proçesi të mëvetshëm e të natyrshëm. Dhe askush nuk na pengon që ta bëjmë kështu. Ne jemi muzikantë të lirë, brënda ëndërrimeve tona, rrugëve të një emigrimi që nuk mbaron….”. E kjo, e pasqyruar edhe në filmin e xhiruar nga regjisorët e fakultetit të Kinemarografisë Çeke “Banger”, ku personazin kryesor do ta interpretonte po ky Alfonsi ynë, me fizionominë e tij ekspresive e plot botë shpirtërore. që do të tërhiqte edhe vëmendjen e Jurisë Ndërkombëtare   të Filmit në Karlovi Vary, -i dyti pas festivalit prestigjioz të Kanës, duke e nderur atë me njërin ndër çmimet e para!

Rikthimi tek Mëmë Shana?!

“Po, a mund të mbetem unë, gjithë jetën time, atje, anës Elbës e të pres pafundësisht, si e thotë Noli, ashtu i brengosur e i vrerosur,-vazhdon ai.- Jo! Sa më shumë që rritem e endem nëpër  botë, më kujtohet ajo ‘udhë e pjerrtë” nën ullinj që unë e zbrisja me vrap, gjer tek mëmë Shana,- gjyshja e nënës time, që nuk jeton më, po kanë mbetur gurët e rrugës, muret, pemët dhe deti i gjerë e i pa anë përkarshi!… Një simfoni e tërë muzikore! E nga nuk kam vajtur për të punuar: në Belgjikë,Angli, Suedi, Francë e Itali, -po frymën e mbaj këtu, në Piqerasin tënd e timin. Se nuk ka nëpër botë një vend a një fshat kaq të magjishëm se sa Piqerasi. Këtu është dashuria e vetë jeta.. Këtu është edhe ‘hija’ e mëmë Shanës, të cilën vij që ta gjëj e nuk e gjej dot, po ka mbetur, mu këtu, brënda gjoksit tim”, thotë Alfonsi, i mbytur në trishtimin që evokon nostalgjia e tij ‘e pandeqshme’(?!), tek dielli i skuqur si një disk i madh e i zjarrtë, është duke u zhytur në det, pas kepit të Porto Palermos… Dhe mua më trokasin “në tru”, këto fjalë të arta që nuk i mbaj mend se ku i kam lexuar: ”Kur të filloj të të mungoj, mos harro… Unë nuk ika, ti më le të largohem…”!

Po Alfonsio,-këtu sikur mblidhet përsëri edhe “lëmshi i jetës”, po kaq vetiu e pa aq dhimbshëm si me atë “largimin” tonë të detyruar e të mallkuar. Mëmë Shana nuk është më vërtetë, po ja tek jem përsëri ne, nipat e mbesat e saj, po edhe të Margaritës së Gjine që u martua me Miho Gjiçalin, gjyshin e Rozës e që e ngriti shtëpinë atje mbi taborr, në ballin e Piqerasit… E sot ti me Vincenin je mysafiri im këtu, tek “Kroi i Gjine”, në tryezën e Gjine, shtruar me gatimet e preferura piqerasiote, me “stufadhon e famshme” të nënave tona të dikurshme, si edhe me raqin e bërë vetë…BROM!

Piqeras, më 23 korrik 2023. 

Please follow and like us: