Fati i librit dhe i letërsisë në ditët e sotme dhe kohërave që do të vijnë
Ese
Mimoza Agastra
A keni provuar të jetoni në një dhomë pa dritare, ku dielli nuk ia kthen faqen kurrë, ku ngrohtësia e tij nuk depërton në muret e errëta e ku oksigjeni shuhet pak e nga pak? Do të ishte një vdekje e avashtë dhe traumatike, një vdekje nga dëshpërimi, nga vetmia, nga frika, nga mungesa e dashurisë, nga mungesa e dritës, ajrit, ujit, nga mungesa e kontakteve me botën.
E tillë është edhe jeta pa librin, pa pushtetin e tij.
Kur ishim të vegjël na thuhej që libri është miku yt më i mirë. Tashmë e kuptojmë rëndësinë e kësaj shprehjeje që daton larg në kohë, por që merr vlerë të pakontestueshme ende sot. Si mund të ishte jeta jote pa një mik të mirë, i cili është aty për ty, për të të dëgjuar ankesat e shpirit, lumturitë e zemrës, është aty për të të ngritur kur ti rrëzohesh, është aty për të të ngushëlluar apo qeshur me ty njësoj si ndjesia që të jep libri kur ti lexon ngjarjet, futesh në imagjinatë, shikon me sytë e mendjes gjithçka libri përcjell. Shijon emocionin, qesh, qan, urren, dashuron, personifikon, sheh veten, paralelizon, kritikon, kontrollon. Gjithçka ndodh kthehet në një busull orientuese ose informative. Teksa humbet në të ti pa kuptuar ke potencuar fuqinë e imagjinatës, duke i dhënë mundësinë vetes ta futësh në një portë që hap dyert e ëndërrave, atje ku nuk do të doje askënd të të nxirrte.
A nuk e keni këtë perceptim kur jeni në një moment kulminant të leximit e dikush ju shpërqëndron?
Nën zë, kushedi sa e urreni atë ndërprerje të një procesi aq magjik, të kontaktit me botën ireale, atje ku rregullat i vendos vetë, dhe jeton i lirë, pa vargonjtë e shoqërisë apo paragjykimet e saj.
Këtë “arrati” kaq të dëshiruar ta lejon vetëm libri apo e thënë ndryshe bota e Letërsisë.
Librat janë fuqi. Ata kanë aftësi magjike të të ndihmojnë t’i shohësh gjërat ndryshe, me ngjyra, me këndvështrime disaplanëshe duke rritur fleksibilitetin në përballjen me realitetin që të rrethon. Larmishmëria e tyre na bën që të kuptojmë shumë ngërçe të problemeve tona të përditshme, duke na dhënë, modele frymëzimi, modele heronjsh që sfidojnë e shumë njohuri për tema të ndryshme sociale.
Një njeri i lexuar, ose që ka qasje të mirë me librin ka edhe vetbesim e një siguri më shumë, sepse Dija është pushtet, e një njeri i tillë, ështe lehtësisht I pranueshëm në çdo rreth shoqëror, pasi ai mbart me vete, jo vetëm bagazhin intelektual, por edhe arsenalin emocional. E them këtë sepse letërsia me praninë e saj , me pranimin e saj në të përditshmen tënde, është një aset më shumë për ty, është si një aksesor i rrallë që të prezanton denjësisht në çdo rreth frekuentues.
Përveç performancës disa planëshe intelektuale, emocionale, sociale e psikologjike, që ka një person, mik i librit, ai gjithashtu si pakuptuar, ka investuar mbi shëndetin e tij mendor. Një nga benefitet e leximit është dhe rritja e kujtesës përmes leximit.
Kjo ka pasur një ndikim të fortë sidomos në çrregullimet neurologjike. Pavarësisht tipologjisë së librit studimet tregojnë se libri ul nivelin e stresit , ju ndihmon të relaksoheni , pasi ju fokuson duke u shpërqëndruar nga ajo që ju është kthyer në ankth.
E keni vënë re sesi ju fton në aventura, në aksion, në pasion, në flirte, në të panjohura?
Ju frymëzon të kaloni në dimensione të reja, ju stimulon krijimtarinë.
E keni vënë re që teksa po lexoni, ju arrini të parashikoni fundin e romanit, pra ju ndizni imagjinatën e i jepni udhë mendimit tuaj.
Duke pasur kaq shumë përfitime pse vallë lexohet kaq pak? Ç po ndodh? Pse më parë kishte më shumë etje për librin? Të ishte ura e vetme e komunikimit dhe e informacionit të sigurtë? Mos vallë zhvillimet teknologjike ia zbehën bukurinë kësaj magjije. Mos vallë natyra u mërzit me ne që shumë drurë të saj janë prerë për destinacion prodhimin e letrave dhe nxiti një formë tjetër leximi të tillë si ajo e ekraneve te Ipad, te smartfonëve etj? Sidoqoftë, ajo aroma e librit, karakteristike për nostalgjikët të mungon, ndjesia e të prekurit e të shënuarit të pasazheve mbresëlënëse, të mungon gjithashtu.
Do të thuash ti që edhe mbi Ipad shkruhet, madje mund të lexosh edhe natën në dhomë pa pasur nevojë të ndezësh abazhurin. Ja pra, nje avantazh i teknologjisë në këtë drejtim. Në fakt shkencërisht kjo është krejtësisht e dëmshme. Arrijmë sërish në pohimin që natyra mbron e dora e njeriut vret. Natyra dhuron e njeriu rrëmben. Natyra na dhuron mundësinë që ta marrim në dorë e ta përdorim me kujdes, ndërsa njeriu na krijon mundësinë të jetojmë në lluks me kosto shëndetësore. Në gjykim të thjeshtë do të zgjidhja librin format letër dhe në një udhëtim do të zgjidhja të dëgjoja një audiobook, nëse do të isha me fat që zëri që do të më shoqëronte të ishte në sinkron me gjëndjen time emocionale. Diversiteti dhe varietetet sot janë të tilla që të lejojnë të qasesh me informacionin e shkruar në formate të ndryshme. Je ti ai që zgjedh. Zgjedh diçka që të shpirtëzon, apo diçka që të bën të dukesh mirë, pa marrë në konsideratë asnjë nga faktorët e lart përmendura.
Dëshiroj ti kthehem edhe njëherë enigmës: Pse më parë lexohej më shume, diskutohej më shumë, në grupe ngriheshin opinione mbi ngjarjen e një X libri, qarkulloheshin librat me njëri – tjetrin, bibliotekat kishin më shumë lexues? Gara me njëri- tjetrin kush e kishte kartelën e lexuesit më të gjatë në tituj librash të huazuar ne bibliotekë?
Po sot, për çfarë garon rinia? Çfarë qarkullojnë me njëri- tjetrin? Çfarë diskutojnë teksa mblidhen në grupe? Cili personazh do të donin të ishte?
A s’u duket e trishtë kjo panoramë? Jam e sigurtë që përgjigjet e pyetjeve të mësipërme nëse do të bëja një anketim do të ishin të njëjta dhe kjo do të ishte pesimiste për ardhmërinë e këtij fenomeni dhe të shoqërisë në tërësi.
Dëgjova rastësisht një dialog adoleshentësh që e kishin gozhduar njërin prej bashkëmoshatarëve të tyre që momentalisht ishte duke lexuar një libër, sepse mamaja e tij në një farë mënyre e kishte “detyruar” për të mirën e tij të lexonte e për këtë do të merrte një “ shpërblim”, gjë të cilën edhe psikologjia e njeh si teori e shpërblimit të sjelljes pozitive.
E dini sesi e sulmonin shoqëria kur ai konfirmoi këtë fakt? Looser, Looser e thërrisnin. Kjo është shprehja e sotme për dikë që lexon sot. Pra në mendësinë e adoleshentëve, dikush që lexon është i humbur.
Absurd. Kjo, është përveçse e trishtë dhe e frikshme, tronditëse madje. Nëse familja gjen “ forma shpërblyese” të edukojë leximin, shoqëria bullizon.
Cili është fati i këtij adoleshenti? I njëjtë me atë të degradimit të letërsisë? Ky fat do ta përndjekë këtë shoqëri?
Thua diçka duhet të ndryshojë edhe në penën e shkrimit të secilit prej nesh që të mund të tërheqim sërish pranë vetes të rinjtë. A s’është misioni ynë të ndërgjegjësojmë, të edukojmë, të përhapim dije?
Së bashku me gjëra të thjeshta pa shumë filozofi, pa shume klishe, mundet t’ua rrëmbejmë vëmendjen, me dëshirën të rimëkëmbim edhe njëherë letërsinë e ti japim vendin që “baballarët e letërsisë” ia dhanë me aq dinjitet.
Është koha jonë.