Skënder Gërguri: Tërësi imazhesh poetike në librin e Nexhat Halimit
(Nexhat Halimi, “Gjeli i dylltë”, Rilindja”, 1988)
Ndër krijuesit tanë që njëkohësisht shkruajnë edhe poezi, edhe prozë, është edhe Nexhat Halimi, i cili, kohë më parë, lexuesit ia dhuroi edhe librin e gjashtë të poezisë, me titull mjaft simbolik “Gjeli i dylltë”. Gjashtë libra të poezisë dhe tri të tjera me tregime rrumbullakojnë periudhën krijuese prej njëzet vjetësh të plota të pranisë së Nexhat Hallimit në letrat shqipe. Pas konstatimit se Nexhat Halimi është krijues shumë i suksesshëm, sidomos në fushë të poezisë, nuk fshihet qëllimi i këtij shkrimi që ta objektivizojë deri në përmbarim mendimin vlerësues për krijimtarinë e këtij autori në tërësi jo se jo, por as ta objektivizojë mendimin vlerësues përmbarues për librin e fundit poetik të tij. Fundja, qëllimi i vetë vështrimit letrar, nuk është shterues a përmbarues, prandaj as i këtij shkrimi që mëton të ngrihet i vetëm në nivel vështrimi.
Edhe libri më i ri i Nexhat Halimit, “Gjeli i dylltë”, para lexuesit shtron domosdonë e nevojës për identifikimin e poezisë si paraqitje subjektive kuptimore e shënjuese të poetit për jetën dhe artin, apo për gjërat, sendet, gjendjet e situatat që identifikohen në varg si njësi më e vogël e rrafshit kuptimor, ose në vjershë – si njësi e rrumbullakosur e rrafshit kuptimor.
Vetë mënyra e thurjes së poezisë – kur parimi ritmik realizohet në qelizat ritmike të vargjeve asimetrike, të cilat mund të kenë vetëm rimë të rastësishme dhe, rrafshi kuptimor i të cilave ngrihet mbi intonacionin e vargut, e tërë kjo, pra, ta imponon në plan të parë natyrën subjektive të shprehjes poetike. Përmbajtja, ndërkaq, të paktën gjatë leximit, mbetet në plan të dytë. Si u krijuaka, atëherë, mendimi poetiki autorit Nexhat Halimi për jetën dhe artin?
Parasëgjithash, poeti nuk insiston fare të tregojë a të ritregojë ‘përmbajtje’ poetike, as të krijojë një botëkuptim a botëperceptim të vetëm gjithëpërfshirës për jetën, për realitetin aktual e historik. Nuk insiston të krijojë një vizion unik poetik, të cilin do ta ngrinte në nivel të idesë së identifikuar lehtë. Përkundrazi, poeti vazhdimisht ngulmon të identifikojë sende, gjëra, gjendje e situata, duke i vënë në raport jo me përvojën objektive aktuale a historike, por me përvojën subjektive të shtresuar në ndër dijen e vet, qoftë në prerje individuale, qoftë në atë kolektive e kombëtare. Kjo përvojë subjektive është, së pari, jetësore dhe në varg a në vjershë del në formën themelore arketip të shprehjes. Arketipat, pastaj, ri-identifikohen, të shumtën e herës duke u riformësuar në figura, e sidomos në simbole arketip dhe duke kaluar kështu prej formës themelore në formë kolektive intensive njerëzore, pra duke arritur shkallën e përgjithësimit, e cila realizohet me shprehjen simbolike të vargut e vjershës. Kjo, pra shprehja simbolike po edhe shprehja poetike në përgjithësi e poetit Nexhat Halimi, mbështetet nga përvoja subjektive poetike si pjesë e përvojës objektive poetike, ose e ngritur mbi të. Përvoja subjektive krijohet nga konotacionet jetësore e poetike bashkë dhe realizohet në varg e në vjershë me motive, tema e ide, figura e simbole të shumta. Pra, poeti vazhdimisht insiston të sjellë në vargun poetik kujtesën, e cilën e merr dhe e qëmton nga ndërdija subjektive në formë fragmentesh a pjesësh të veçanta poetike, që e krijjojnë, e formësojnë vjershën, ciklin, librin poetik. Secila nga këto pjesë a fragmente, janë njëkohësisht imazhe të veçanta, që aq bindshëm e rrjedhshëm inkuadrohen në tërësinë poetike të quajtur libër, megjithë faktin që, në vështrimin e parë duken si pjesë të pavarura poetike.
Pas leximit të vargut të fundit të librit, për lexuesin nis të krijohet një projeksion, natyrisht edhe ky subjektiv, për librin, në formë mendimi a vlerësimi, i cili do të jetë më pak ose më shumë objektiv, varësisht nga aftësia dhe përvoja e lexuesit për të komunikuar me subjektiven e poetit që ravijëzohet pastaj si formë kolektive e botëperceptimit, gjegjësisht identifikimit të sendeve, gjërave, gjendjeve, e sidomos të situatave konkrete të marra kryekreje nga përditshmëria, pra, nga përvoja e quajtur jetë, por edhe nga përvoja krijuese letrare, ose nga jeta krijuese letrare.
Nuk ke nevojë të mbërrish në fund të librit “Gjeli i dylltë” për ta tumirë mendimin e Floberit se “stili vetvetiu është mënyrë absolute e vështrimit të sendeve”. Madje, çdo gjë qartësohet që në vjershën e parë, e cila, si të thuash, është parathënie për tërë librin, hiq ciklin e fundit që përbëhet nga vjershë e vetme. Si vjersha e parë “Një pjesë e lindjes”, ashtu edhe vjersha e vendosur në fund të librit, janë në të vërtetë forma të kondensuar të mendimit poetik të poetit dhe, ky mendim poetik ravijëzohet njëherë tekstualisht si qëmtim subjektiv dhe identifikimi i gjërave, sendeve, gjendjeve e situatave konkrete, e pastaj, në rrafshin mbitokësor – si formë kolektiveidentifikuese me konotacione përgjithësuese. Përgjithësimi sendërtohet varësisht dhe në saje të shprehjes së kondensuar poetike, e cila shquan me figurëshmëri të pasur. Ndër figurat më të shpeshta janë metafora, antiteza, por ka edhe gradacion, elipsë, përsëritje e aliteracion, etj.
Është karakteristike mënyra e ndërtimit të vjershës në këtë libër poetik, sikundër edhe në tërë krijimtarinë poetike të këtij autori, po sidomos në përmbledhjet “Truphija” dhe “Gjeli i dylltë”. Në këtë plan, përsëritja si figurë poetike është më pak e pranishme në libër, ndërkaq, përsëritja si formë sintaksore, jo vetëm që, si të thuash, sistemon tërë lëndën poetike të librit, por edhe e nyjëton individualitetin poetik të Nexhat Halimit. Përsëriten motivet e njëjta, gjegjësisht degëzimet e tyre, që vijnë e përgjithësohen në një sistem poetik; përsëriten figurat, madje edhe vetë fjalët a leksemat që vijnë e ngrihen në simbole kontekstuale, të marra në raport me vjershën a ciklin poetik, si: gjeli, gjarpri, shiu, deti, kafka, zogu, qeni, dega, pema, rrënja, lulja, guri, qiriri, zjarri, hiri, etj., apo simbole konstante, si: gjeli, gjarpri, ura, hija, macja e zezë, e diela, dy-pëllëmbësh me tri pëllëmbë mjekër, etj.
Pra, dy simbolet konstatnte – gjarpri dhe gjeli, dalin edhe në funksion të simboleve kontekstuale. (Ndoshta këtu mund të flitet edhe për rrugën e krijimit, gjegjësisht për mënyrën e ndërtimit të simboleve si parim krijues i poetit Nexhat Halimi). Derisa simbolet kontekstuale dhe figuracioni poetik përgjithësisht e shquajnë poezinë e poetëve tanë më të njohur, simbolet konstante janë në të vërtetë simbole arketipe me prejardhje nga mitologjia popullore jona. Bien në sy edhe një varg dilemash që dalin në vargun poetik të këtij poeti si fjalë të urta e në funksion të përvojës së ngritur në temë-ide.
Më parë se me vjershën si tërësi poetike, në këtë libër poetik ndeshesh me fragmente a pjesë të veçanta poetike të mëvetësishme. Këto pjesë të veçanta poetike, që, më se një herë janë edhe imazhe të veçanta të mirëfillta poetike, lidhen në një tërësi unike nëpërmjet subjektives së autorit, e cila sendërtohet në radhë të parë nëpërmjet përsëritjes, por jo vetëm. Domethënia e pjesëve të veçanta përcaktohet nga figurat, gjegjësisht nga simbolet arketipe – të cilët gjithmonë kanë prejardhje mitesh, legjendash e baladash tonat. Tërësinë të vogël poetike – vjershën, e karakterizon një unitet variacionesh motivore, ose një unitet formash të kondensuarmendimesh poetike, që më pak realizohen si tërësi në kuadër të të cikleve poetike, e më shumë si tërësi unike në nivel të librit. Format e këtilla të kondensuara, më se një herë ngritën në nivel ideje dhe, kjo ide, pastaj, vjen e përsëritet nga vjersha në vjershë, nga cikli në cikël dhe në nivel të librit në tërësi. Në këto pjesë të veçanta poetike janë arketipet që funksionalizohen në ide, pikërisht gjatë zhdrivillimit të hapjes së përmbajtjes së mbyllur të arketipit. Funksionalizimi sendërtohet edhe më bindshëm nëpërmjet përsëritjes si observacion poetik dhe si synim për përgjithësim të idesë, të imazhit dhe, në fund të fundit, edhe të qëllimit të poezisë, gjatë realizimit të observacionit. Përsëritja nuk lidhet me orvatjen për përkufizim të këtij observacioni të marrë e të ngritur në temë-ide, por, më tepër si refleks përkitazi me temën – do të thoshim qendrore të kësaj poezie – ekzistencën, më tutje jetën – subjekt i së cilës është njeriu. Po, cili është njeriu i librit poetik “Gjeli i dylltë”? Përgjigjen e jep vetë poeti: Dytëshori. Dytëshori i poetit Nexhat Halimi ravijëzohet në dy nivele: në nivelin e përgjithshëm të njerëzores dhe në nivelin e veçantë të kombëtares. Emërues i përbashkët i të dyja këtyre niveleve është ekzistenca. Ekzistenca identifikohet në këtë poezi si gërshetima hijesh e dritash, si peizazh poetik. Kjo amalgamë më tutje definohet si diçka e ndërmjetme, as – as, asgjë dhe krejt, diçka tarale – siç e thotë poeti vetë. Më në fund kjo të sugjerohet edhe në vetë titullin e librit “Gjeli i dylltë”.
Gjeli i dylltë është gjithsesi një imazh që i riprodhohet vazhdimisht në mendje poetit, pasi ta ketë parë aq shumë herë grafikën GJELI në kafenenë BLIRI. Vargu i fundit, “Gjeli nuk ngordh, gjeli vdes”, vetëm do ta dëshmojë hapur intencën e poetit për të identifikuar sende e gjëra, gjendje e situata.
Gjeli është arketip me prejardhje mitike popullore që paraqitet në shumë vjersha veç e veç dhe, me po aq referenca kuptimore, ndonëse simbolikisht lidhet me agun, mëngjesin. Gjymtyra e dytë e titullit sintagmatik ndërlidhe me gjendje, e cila poashtu është prezente në shumë vjersha të librit – gjendja e zbetë, gjendja e vetmisë, gjendja e pajetë, e dylltë, somnambulike. Pra, ngjyra e verdhë që vazhdimisht e kërcënon të kuqen, të cilën e do aq shumë poeti, sepse është ngjyra e qenësisë së tij.
Sintagma simbolike “Gjeli i dylltë” mund të merret si relikt i një besimi popullor të kamotshëm. Mund të identifikohet si gjakim i poetit për gjërat sakrale, etj. Fundja, qëllimi i poezisë përgjithësisht dhe, edhe i poezisë së NexhatHalimit, nuk mbaron me një përkufizim të vetëm identifikues, por, parasë gjithash, duhet të merret si arketip që ngërthehet brenda reminishencave, reflekseve e ideve që përkojnë me mitet, legjendat dhe baladat tona popullore. Këto arketipe në poezi do t’i identifikojmë si kujtesë, pra si antonime të harresës. Për këtë të fundit, poeti thotë:
“harrimit t’i shpëtoj, jo vdekjes
vdekja është dashuria ime e vjetër …
sepse harrimin nuk e njeh asgjë”
Pra, se e do jetën, poeti e lë të nënkuptohet, e, poashtu, edhe se s’ia ka frikën vdekjes, të cilën e merr si normale, si akt normal të procesit jetë që përsëritet. E pengon, ndërkaq, poetin, do të thosha, i rri galuc në mendje – HARRIMI – që del në vargun poetik si gjendje e verdhë, e dylltë. Nuk do poeti kurrsesi ta harrojë vendlindjen e tij, Dumnicën, por as Tullarin e Gjyshit, vendlindjen e këtij të fundit, dhe, për njërën e përgjërojnë varret, e, për tjetrën – rruga që çon atje.
Tetë ciklet veç e veç të librit “Gjeli i dylltë”, hetojnë identifikime kuptimesh për sendet, gjërat, situatat e gjendjet konkrete e të përditshme. Libri si tërësi artikulon bindshëm një perspektivë të veçantë përkitazi me vështrimin e problemeve të përditshmërisë, të cilat i kemi këtu pranë, por vështirë a fare s’i venerojmë.
Hiç të fundit, të shtatë ciklet sikur përbëjnë një rreth të mbyllur. Vjersha prijatare “Një pjesë e lindjes” dhe ajo mbyllëse “Reportazh nga kafeneja Bliri”, janë korniza të rrethit të mbyllur. Madje, kjo e fundit, nga vetë autori shënjohet si cikël më vete, sepse i paraprinë një Intermexo, sikundër edhe shtatë cikleve të tjera. Ky fakt, pra identifikimi i vjershës së fundit si cikël më vete, pas rrethit të mbyllur prej shtatë ciklesh, kur cikli i fundit është thjeshtë përmbyllës, e nyjëton qartë botëkuptimin e poetit përkitazi me përsëritje edhe të gjërave, edhe të sendeve, edhe të gjendjeve e të situatave të reja, të cilat poeti i ballafaqon me përvojën e brendshme subjektive, pa mëtuar as t’i rrëfejë, as t’i shkoqisë, as t’i ritregojë, por vetëm i identifikon në imagjinatën subjektive që, më pastaj del të jetë pjesë e të përgjithshme. Kështu, fjala vjen, të vërtetën do ta identifikojëtë vendosur në kohë, për ç’shkak, vargu i tij: “koka në dritë, trupi në terr”, i ndërtuar në formë antiteze, si të thuash, nuk rrëfen, nuk zbërthen, nuk ndalet të tregojë apo të ritregojë, por vetëm identifikon dhe ironizon me një gjendje të veçantë dhe, kjo është vetëm njëra nga ato që, aq mjeshtërisht i krijon poeti Nexhat Halimi.