Hotel Enkelana në Pogradec, një mrekulli e vërtetë
Nga blloku im i kujtimeve
Eden Babani
Prej vitesh, sa herë vij në Shqipëri, një pjesë të pushimeve e kaloj te Hotel Enkelana, në Pogradec. Më tërheq era e vendlindjes, e Korçës, si edhe ajo e origjinës sime familjare, nga Babani i Devollit. Sepse…
Ja Pogradeci dhe Enkelana buzë liqenit 600 e kusur metra mbi nivelin e detit… Ja, pas Qafë Plloçës dhe, afro dyqind metra më lart, dy rrafshnaltat simotra, e Korçës dhe e Devollit, që japin e marrin përmes Grykës së Cangonjit. Ja edhe Babani, fshati patriot, fisnik e intelektual në faqen lindore të Moravës, fshati që denbabaden u ka dhënë mbiemrin të parëve të mi, që unë t’ua lë trashëgim bijve të mi, nipërve dhe mbesave.
* * *
Siç tregojnë pogradecarët, në kohën e trazirave të ’97-s, ish-Turizmi i Ri në qendër të qytetit u grabit nga njerëz me kapuça në kokë e me kallashnikovë në duar. U grabit ashtu si veç ai soj grabitqarësh dinë të grabitin. Pajisjet e brendshme, po e po. Por u shkulën edhe dyert edhe kanatat e dritareve.
Dhe, ashtu siç qe nisur, zor se do të kishte mbetur tullë pa hequr e mur pa bërë rrafsh me tokën. Mirëpo atë vit të mbrapshtë, që mos ardhtë kurrë, e rrëmbeu rrjedha e pandalshme kohës dhe e flaku në rrëpirat e pafundme të gjithësisë.
Dalëngadalë, por bindshëm gjithçka erdhi e zuri vendin e vet.
Pas viteve 2000, godinën e rrënuar dhe truallin e bleu zoti Dashamir Purballari nga Gështenjasi, pronar i një firme ndërtimi.
Me thënë të vërtetën, guxim të madh ka pasur. Po ja që hë… Kush guxon, fiton.
Ora-orës muret erdhën e u ngritën. Dita-ditës u përvijuan korridoret e dhomat, restoranti e kafeneja, ashensorët e shkallët anësore, salla e pritjes, recepsioni, dhe vendet e pushimit. Dora-dorës, u pajisën të gjitha mjediset me pajisje të kohës.
Një ditë prej ditësh, hoteli i rinovuar u pagëzua Enkelana, emër që i bën nder gjithë Pogradecit. Emër safi ilir, në kujtim të Enkelanës së lashtë dhe të enkeleasve që, këtu e 2500 vjet përpara jetuan në qytetin-kala në perëndim të qytetit dhe që më pas u varën poshtë e u vendosën buzë Liqenit.
Punimet vazhduan edhe pas pagëzimit. Ato vazhdojnë sot e gjithë ditën.
Së pari, Enkelana e rinovuar u zgjerua në drejtim të verilindjes me një ndërtesë të re gjashtë-katëshe përkrah tjetrës dhe ngjitur me të. Sivjet, e gjeta duke u shtrirë edhe më. Gjithnjë në të njëjtin drejtim, në verilindje.
Me të shkelur në dhomën 509, e cila shikon nga Mali i Thatë, dola në ballkon të ngopesha me aromën e Liqenit.
Po u lartësuaka edhe Ruajali, hoteli ngjitur me Enkelanën, mërmërita me vete.
Mbi çatinë e tij, punëtorë që venin e vinin. Por, çudi!… Mes syresh, edhe Dashamir Purballari. Me pantallona të shkurtra, zhveshur nga mesi e lart, kryet mbështjellë me një bluzë të bardhë jepte e merrte me punëtorët.
Më bëjnë sytë, apo… Po, po. Dashi, dora vetë. Njëri ndër vëllezërit pronarë të Enkelanës.
Ia bëra me dorë në shenjë përshëndetjeje, por nuk më vuri re.
Të nesërmen a të pasnesërmen, mësova se pronarët e Enkelanës patën rënë në ujdi me ata të Ruajalit dhe e kishin blerë atë.
Enkelana nuk është hotel luksi si ndonjë tjetër atypari, por i këndshëm dhe i përballueshëm për xhepin e shqiptarëve me të ardhura mesatare.
Përjashto 1 Majin, më shumë se dy kilometra larg nga qendra e qytetit, asnjë hotel tjetër nuk e ka pozicionin e Enkelanës. Vetëm 15 – 20 hapa e ndajnë atë nga liqeni dhe nga Pista mbi ujë Enkelana, ndërtuar diku 11 – 12 vjet përpara. Është kjo arsyeja që autobusë me turistë shqiptarë a të huaj ndalojnë për pak kohë përpara hyrjes qendrore të Enkelanës, pinë një kafe a pije freskuese te lulishtja e kafenesë ose te Pista dhe vazhdojnë udhëtimin për më tej.
Meqë ra fjala mbi Pistën e rinovuar vit pas viti, sot po vendosen panele diellore. Ma merr mendja se panelet e reja bashkë me ato mbi çatitë e hotelit do t’i sigurojnë Enkelanës energji të mjaftueshme përgjatë gjithë vitit.
* * *
Në Hotel Enkelana shërbimet ndaj klientëve janë të një niveli mbi të zakonshmen. Nuk them se s’ka vend për përmirësime. Nga ana ime, do të sugjeroja dezinfektim të herëpashershëm për të eliminuar mizat përdhese që lëvrojnë sidomos nëpër mjediset e tualeteve-dushe.
Sa u takon shërbimeve, po e nis nga recepsionisti, Vagjushi, dhe nga dy menaxherët, Alberti dhe Jurgeni.
Vangjon, mikun tim të kahershëm, – mbase qysh nga dita e parë që kam shkelur në Hotel Enkelana, – zor se e shikon të rrijë kot. Gjithë ditën e ditës, deri sa mbyllen restoranti dhe kafenetë, në orë 22.30, mbase edhe me më vonë, e sheh kërrusur mbi regjistra dhe me celular në dorë. Dikush ikën. Dikush vjen. Dikush e thërret në telefon për ndonjë angazhim dhome në aksh ditë. I lyp vetes së vet dy minuta leje vetëm sa për ta tymosur një cigare. Mos, bre Vangjo, se të bën keq, i them. Eh, ma kthen. E di, di, po s’e lë dot.
Alberti, njëri ndër dy menaxherët, është tepër serioz. Fjalët i ka të kursyera. Edhe përshëndetjet, po ashtu. Kursen kohën e punës? Kushedi!… Më shumë, e shoh te recepsioni djathtas Vangjos, bash pranë kompjuterit. Pastaj largohet për disa çaste s’di se për ku nga ana e pishinës me një dosje në dorë, që të kthehet pak më vonë me një dosje tjetër.
Menaxherin e dyutë, djaloshin Jurgen, e kam njohur sivjet. I gjatë si ai dhe me kokë të rruar paq, sa herë që më duhet ta takoj, pyes Vangjon se ku mund ta gjej. Genin? Kaçurrelin? – ma kthen e shaka. – Kërkoje në restorant, te kafeneja ose në Pistë. S’ka ku shkon tjetër…
Kam përshtypjen se këta të tre, Vangjushi, Alberti dhe Jurgeni, menaxhojnë dhe mbajnë në këmbë gjithë Enkelanën.
Megjithatë… A munden ata pa ndihmën e pastrueseve, të kamerierëve dhe ndihmëskamerierëve?
E pamundur.
Po e nis me Valentinën, pastruesen gojëmbël dhe të papërtuar. Vali ka në ngarkim dy kate. Tonin, – të pestin, – dhe katin e gjashtë. Nuk përjashtoj të tjerat, por unë dhe ime shoqe, Bardha, me të shihemi dhe shkëmbehemi disa herë në ditë.
Me kamerierët, bëjmë shaka. Madje shaka me kripë. Me të gjithë.
Edhe me Arianin e restorantit dhe kolegen e tij Jonën, sado që ata të dy venë e vinë nga kuzhina, tavolinë më tavolinë e anasjelltas, dhe s’kanë kohë as edhe kokën ta ngrenë lart.
Gjergjin, që shërben sa në restorant, aq në kafene, e thërras Gjergj Elez Alia. Ai buzëqesh e bën kinse krekoset. Erionin, e quaj Lali Eri… Ai mbledh buzët dhe bën sikur zymtohet. Leonidit s’ia ka ënda t’i flas Leonid Brezhnjevin. Më tepër i pëlqen adashi i tij Leonidas, heroi i famshëm i betejës së Thermopileve.
Më i riu, Besari 17- vjeçar, ka një buzëqeshje të çiltër, thua se ka lindur me atë buzëqeshje që ta ndjekë tërë jetën. Është futur në punë gjatë pushimeve shkollore. Vitin tjetër, do të jetë maturant. Unë dhe ime shoqe, i urojmë një të ardhme sa më të mirë.
A mundem, pra, të mos e quaj Enkelanën një mrekulli tê vërtetë?