Albspirit

Media/News/Publishing

PAJTIM RIBAJ, INTELEKTUAL ME VLERA AKADEMIKE E USHTARAKE

Pajtim Ribaj

 

(Në kuadrin e 75 vjetorit të lindjes së kolonelit dhe profesorit erudi, misionarit të dijes Pajtim Ribaj, profesorit të fushës së Sigurisë Kombëtare e Ndërkombëtare, Gjeopolitikës dhe Historisë Ushtarake Shqiptare e Artit Ushtarak Botëror)

Kolonel (R) Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

 

Misionar i dijes, lab i mençur dhe i apasionuar për veprimtari shkencore

Ta kesh origjinën nga Labëria është si të kesh një bonus trashëgimie, që buron nga meçuria labe, një paketë bashkëshoqëruese që ta jep trualli ku lind e rritesh, por dhe bëhesh i denjë për vendin. Vranishti, Hora e lashtë, Lumi i Vlorës, Labëria, kanë përcjellë drejt shkollave, akademive e universiteteve qindra djem e vajza që janë bërë vlerë e kontribues për gjithë Atdheun. Kushdo që zbret nga Lumi i Vlorës, sa del në Babicë, në Qafën e Koçiut, ndalet e hedh shikimin mbi Vlorën e flamurit, e vështrimin e tret mbi Sazanin e Karaburunin, mbi atë që kënga polifonike e quan “vatanet e mia”, sikurse i quante plaku i bardhë i flamurit, Ismail Qemal bej Vlora. Edhe Pajtim Ribaj kur zbriti drejt portave të dijes, e ndali vështrimin në këtë vend të shenjtë, megjithëse gjithë Vlora është vendi i shenjtëruar i kombit shqiptar, vendi i pavarësisë dhe shtetit të parë shqiptar. Fati dhe koha e kërkoi që Pajtim Ribaj të rreshtohej në strukturat e Ushtrisë Popullore, të ndeshej e përballej me të papriturat e pushtetit në fushën e Mbrojtjes, në një kohë që sapo kishte kaluar periudha fatale e “Fshesës së Hekurt”, e 1974-ës. Fshati Vranisht është fshati i lindjes së profesor Ribaj, strehëza e oxhakut “Ribaj”, vatra prindërore e ushtarakut, komandantit e komisarit, pedagogut me veprimtari të spikatur mësimdhënëse pedagogjike, profesorit me veprimtari të denduar shkencore, promovuese e udhëheqëse në shkencën ushtarake e më gjerë. Profesor Ribaj është dhe ka ngelur përherë pasionant i dijes, i librave dhe i kërkimit shkencor. Ai u rrit bashkë me vitet e përvojën jetësore dhe ushtarake duke u bërë një studjues e krijimtar serioz. Ai eci bindshëm në rrugëtimin e një ushtaraku ambicjoz dhe synime të qarta për zanatin që ja zgjodhën duke përjetuar zhvillimet në të dy sistemet, dhe fakt është se ai u bë një zë i veçantë në shoqërinë ushtarake dhe rrethet shkencore shqiptare në të gjitha nivelet ushtarake e civile. Ribaj është tashmë një personalitet i formuar akademik ushtarak që është rritur në katedrat, departamentet, fakultetet e përgatitjes së përgjithshme ushtarake në Shkollën e Bashkuar, Akademinë e Mbrojtjes, AFT “Skënderbej”, Universitetin Ushtarak “Skënderbej”, në Akademinë e Forcave të Armatosura etj, në Universitetet e vendit, është rritur në një rrugëtim e karrierë të gjatë profesionale, akademike e kërkimore shkencore, edhe si pedagog, por dhe si drejtues shkencor, si një misionar i dijes, si një lab i mençur dhe i apasionuar për veprimtari shkencore. Vranishti i luftës, trimërisë, lavdisë, i Sali Vranisht Kapedanit, Sali Hallkokondi, Maman Saliu, Arben Saliu, Pajtim Ribaj, Kanan Cenodemaj, Albert Hitoaliaj, Mikado Shakohoxhaj, Hajro Limaj, Naim Limaj, Feim Xhebro, Muhamet Tartarit, Arap Çeloleskaj, Sinan Gjoleka, Bardhosh Mici, fshati i dhjetra, qindra personaliteteve bijëve e bijave që bënë dhe shkruan historinë ka dhënë një kontribut sinjifikativ për Shqipërinë dhe shqiptarizmën. Qarqet intelektuale e lidhin etimologjinë e Horës së Vranishtit, me gjuhën pellazgjike e ilire: “Hora”, që do të thotë “Hapsirë”. Bijtë e Vranishtit kudo që kanë shkuar dhe shërbyer kanë marrë me vete historinë e qëndresës dhe lavdisë së Horës ndaj sulmeve të pushtuesve të huaj, veçanërisht rezistencën ndaj osmanëve të Vranishtit dhe Horës nën udhëheqjen e djalit të Skënderbeut Gjon Kastriotit, si dhe ngjarje që e lidhin Horën me emigrimet në More, në Hora di Albaneze në Palermo të Italisë etj. Pajtimi sikurse gjithë djemtë e Vranishtit morën me vete mallin dhe kujtimin e këtij fshati me emër në Lumin e Vlorës, fshati mes të majave të larta, me bukuri natyrore të veçantë, me një objekt natyror i jashtëzakonshëm sikurse është “Guri me Qiell, ose Sofra e Zotit, që ndodhet në majën e Malit të Lipes. Studjuesit thonë se “Guri me Qiell” është një monument prehistorik, që legjendat thonë se është “Tryeza e Perëndive”, e vendosur përballë malit të Bogonicës, që njihet si “Vendi i Zotit”, që ka zgjuar dhe interesin e mjaft turistëve e studjuesish francezë. Vranishti është i njohur për qëndresë të paepur përballë gjithë pushtimeve, deri në atë që njihet si “Masakra e Vranishtit”, e 9 dhe 10 shkurtit 1944, ku trupat e Ëehrmachtit kryen masakër masive kundër popullsisë duke vrarë rreth 50 civilë nga mosha 4 vjeçare deri në atë 70 vjeçare, që ka ngelur e gdhendur në kujtesën e bijëve e bijave të Vranishtit, por dhe të gjithë Shqipërisë. Me këto kujtime dhe bëma të fshatit të tij u nis për dije Pajtim Ribaj nga fshati i tij me destinacion dijen. Sami Frashëri thoshte se “nëse do të mbjellësh përgjithmonë, mbill arsim dhe kulturë”, prandaj edhe Ribaj destinacionin e dijes e lidhi me shkollat, arsimin, kulturën për të qenë i denjë me fuqinë që të jep drita e diturisë dhe intelektualizmit, pasi “jeta pa dije është si të shkosh në luftë pa armë dhe pa municion”. Kontributi i prof. Pajtimit matet me veprën e tij në fushën e sigurisë kombëtare. Në rrethet akademike ushtarake dhe më gjerë Pajtim Ribaj njihet ndryshe edhe si “profesori i çështjeve të Sigurisë”, është një shembull i gjallë që duhet ndjekur nga studjuesit e kërkuesit e rinj shkencorë të fushës së sigurisë. Kjo fushë në kohën e sotme është bërë masive, por institucionet e kërkimit shkencor në fushën e sigurisë duhet të rigjallërohen nga studimet, kërkimet, monografitë, projektet me vlerë kombëtare pasi fusha është ndër fushat më serioze të studimeve që në çdo kohë do të kërkohet ekspertiza në një botë gjithmonë e më të trazuar. Mjedisi kompleks i sigurisë, konceptet e ndryshueshme mbi kërcënimet dhe sigurinë janë të lidhura me vetë sfidat gjeopolitike globale të sigurisë, me kërcënimet e sulmet serioze ndaj shtetit dhe shoqërisë, e individëve, prandaj vijueshmëria në breza për shqiptarët është një kërkesë imediate për rritjen e veprimtarisë studimore e shkencore për sigurinë. Siguria shtetërore, si kërkesë themelore sigurie, por dhe llojet e tjera të sigurisë kërkojnë vijimësi dhe lidhje të brezave, që profesionalizmi dhe studimet e krijuara nga brezat të bëhen pronë e një mase sa më të gjerë studiuesish si hallkat e një zinxhiri që ka për mision lidhjen historike të brezave duke e parë sigurinë si obligim qytetar dhe detyrë misionare ndaj shtetit, shoqërisë dhe të ardhmes shqiptare. Në këtë mënyrë përmbushen edhe kërkesat e Prof. Pajtimit për vijueshmëri të misionarëve të dijes në fushën e sigurisë kombëtare. Profesor Ribaj është edhe një lëvrues i thellë i mendimit historik e gjeopolitik nisur nga Sun Xu, Karl Klauzeviç, Henry Zhomini, Napoleon Bonoparti, Alfred Mahanit, Bernard Montgomeri, Duajt Ajzenhauer, Winston Churchill etj, por edhe i Gjergj Kastriotit Skënderbeut, Gjergj Bastës, i Luftrave Botërore dhe atyre Ballkanike e rajonale, i analizës dhe gjykimeve mbi to. Artikuj të tjerë të referueshëm dhe që mund të merren në konsideratë në kuadrin e vijueshmërisë së studimeve janë edhe “Gjeopolitika Energjetike dhe Siguria Kombetare, qasje në Ballkanin Perendimor dhe Shqipëria”, “Riorientimi” i rajonit të Detit të Zi dhe “katër” Evropat e Friedman-it”, “Euroazia në perspektivë dhe “katër” Evropat”, “Perëndimi i një epoke – agimi i një epoke të re”, “Ndikimet e menjëhershme gjeopolitike”, “Lidershipi ushtarak në politikë”, janë një transhe e së nesërmes gjeopolitike shqiptare.

 

Një jetë e mbushur me aktivitet pedagogjik e kërkimor shkencor

Pajtim Razip Ribaj është lindur në Vranisht të Vlorës, katër vjet pas çlirimit të vendit nga pushtuesit nazi-fashistë, më 23 tetor të vitit 1948, në një ambjet me tradita të shquara atdhetare e patriotike. Djemtë e Labërisë të lindur menjëherë pas luftës nuk kishin kohë të përjetonin fëmijërinë sepse periudha e halleve të vendit të shkatërruar nga lufta i rriti dhe burrëroi para kohe. Babica dhe Qafa e Kociut ishte stacioni ku çdo lab i lumit të Vlorës hidhte sytë se nga do t’ja mbante, por dhe ku ta kishte fatin dhe ku vendi kishte nevojë që ishte një devizë e kohës për gati pesë dekada. Kështu Pajtimi me etje për dituri nga 1.9.1956 deri më 30 Qershor 1963, kreu shkollën 8 vjeçare “Naim Frashëri” në Vlorë, më tej vijoi shkollën e mesme “Ali Demi” në Vlorë në vitet 1963-1967, dhe më tej për tre vite Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerave “Enver Hoxha” në vitet 1967-1970, me rrezultate të shkëlqyera. Për gjashtë muaj nga Janari deri në Qershor 1970 përfundoi edhe Kursin e specializimit për Zbulues në Tiranë. Shtator 1973-Korrik 1974, Kursi i Lartë i komandantit të batalionit në Tiranë. Në vitet 1975-1978 ndoqi studimet në Shkollën e Lartë të Partisë, Katedra e Filozofisë dhe më 1978-1980 Akademinë e Mbrojtjes “Mehmet Shehu” (sot AFA), ku spikati në përvetësimin e dijeve të nivelit operativo-strategjik. Në vitin 1999 ka kryer Kolegjin e Studimeve Strategjike dhe të Ekonomisë së Mbrojtjes në Qendrën Amerikane “George Marshall” për Studime Strategjike në Gjermani, si dhe kurse të tjerë të shumtë të kualifikimit brenda e jashtë vendit. Në vitin 1994 mbrojti në Akademinë e Mbrojtjes doktoratën me temë: “Probleme të Desantit Ajror dhe detyrat që dalin për mbrojtje”. Pajtim Ribaj rebel dhe i lirë për nga natyra dhe karakteri shërbeu me detyra të ndryshme nga komandant kompanie deri batalioni në garnizonin e Shkodrës në vitet 1970-1978. Ndërsa pas përfundimit të studimeve në Akademinë e Mbrojtjes filloi punën pedagog për dy vite 1980-1982, punonjës shkencor për enciklopedinë për tre vite 1982-1985. Në vitin 1985 deri më 1987 kryen detyrën e komisarit të Akademisë, që për natyrën e drejtpërdrejtë të mbrojtjes parimore dhe thelbësore të problemeve ushtarake të kohës edhe transferohet në detyrën e shefit të shtabit të BrK më 1987 deri më 1990). Për dy vite kryen detyrën e komandantit të batalionit pra nga 1990-1992 në Tiranë, që përkon edhe me periudhën e transformimit të pushtetit monopartiak në demokraci shumëpartiake. Kryen për tre vite detyrën e shefit të Katedrës së Historisë së Artit Ushtarak në Shkollën e Bashkuar që u shndrua në Akademi Ushtarake “Skënderbej”, për vitet 1992–1995. Më tej më 1995-1996 punoi si pedagog i sociologjisë në Akademinë e Nënoficerëve, shef i Degës së Lëndëve të Përgjithshme në Akademinë Ushtarake ”Skënderbej”  në vitet 1996-2001, shef i Qendrës së Studimeve Strategjike në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes në vitet 2001-2005. Ndërsa në vitet 2005-2014 ka qenë pedagog civil për politikat dhe strategjinë e sigurisë kombëtare në Departamentin e Strategjisë së Sigurisë Kombëtare Akademinë e Forcave të Armatosura. Në vijimësi pedagog i jashtëm për çështjet e sigurisë e të mbrojtjes dhe bashkërendues i Programit të Kualifikimit Shkencor për Marrëdhëniet Ndërkomëtare të “Albanan University” në Tiranë 2005-2010. Në vitet 2018 – 2020 ka qenë pedagog i jashtëm në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, Durrës si dhe petagog i jashtm në disa universitete të tjera. Edhe në vitet që pasuan e në vijimësi ka qenë lektor në AFA, në Akademi dhe Universitete, lektor, oponent, udhëheqës temash e disertacionesh në disa fusha studimesh, në komisione e juri të formatit akademik në Akademi e Universitete ku ka spikatur mendimi në gjerësi dhe thellësi si dhe që ka bërë të mundur që zëri dhe ekspertiza por dhe projektet e vizionet e së ardhmes rreth çështjeve të sigurisë të dëgjohen e respektohen në masën që vendi e ka kërkuar. Mendimet e tij dhe refleksione e analiza në çështjet që di e zotëron sipas mënyrës së vet i ka thënë hapur edhe për kohën komplekse çka edhe mund ta kenë “dëmtuar”, duke ju shprehur elitave kundërshtinë ndaj “mendimit kamuflazh” e përtej tyre. Megjithatë ka mundur të çajë e depërtojë dhe të futë në mëndime gjeneralë e gjeneralistë  që nuk arritën të kapnin ritmin e kohës dhe të ngeleshin në “kamuflazhin” e viteve 70-80-të. Profesor Ribaj nuk shqetësohet për ata bashkëudhëtarë që i bashkangjiten për interes, për të përfituar dije, sepse këshillat dhe idetë i ka në funksion të zhvillimit, mjafton që në thelb qëllimi të jetë i mirë dhe të çojë në ngritjen në një stad më të lartë veprimtarinë akademike e kërkimore shkencore, por edhe të vijimësisë së punëve të mira produktive për shtetin. Pajtimi ka punuar me të gjithë edhe me ata që në zhargonin popullor e shprehin “na bashkoi urdhëri”. Në kohën dhe vendin e duhur njerëzit brenda ose jashtë strukturave kërkojnë dhe respektojnë mendimin, idetë dhe gjykimin për të mirën e përbashkët në interes të zhvillimit të fushave të ndryshme edhe pse dominante është fusha e sigurisë kombëtare dhe e interesit kombëtar.

 

Libri kjo pasuri e rrallë e njerëzimit

Pajtim Ribaj ka mënyrën e tij të leximit të situatës gjeopolitike, të interesit kombëtar, që dëshiron dhe ka ambicje që të bëjë çudira, që i merr studentët e ithtarët e gjeopolitikës i kalon me mendimet e tij në ngushticat më nevragjike të globit, që “çan” tej e tej “zemrën e tokës”, kapërcen “mesin e botës”, vendos argumentat përballë rreshtimit të makinerive ushtarake të fuqive të mëdha, që rreshton makineritë inteligjente dhe argumentat logjike që sigurinë e ka bërë “plastelinë” duke i dhënë formë e përmbajtje në një botë të pa anë dhe të pafund, që kërkon të shikojë dritë në fund të tunelit. Me mendimet e gjykimet e tij kërkon të jetë autokton që dëshiron t’ju bëjë autopsi ngjarjeve dhe fenomeneve, që dëshiron që gjërat të jenë të shkruara. Punën nuk e kërkon vetëm tek vetja, por do që idetë kalemxhinjtë e sigurisë bashkëudhëtarët e kohës së tij ti shkruajnë në një format që shtetit do ti vlejnë në çdo kohë e në çdo situatë, kërkon që aleatët strategjikë duken mbështetur duke qenë sy e veshë mbi interesin kombëtar. Ai është bashkautor në libra të shumtë për të cilat Dr. Zini Goxhaj, Profesor Bernard Zotaj dhe Profesor Gjergj Sinani i kanë përshkruar në mënyrë rigoroze aq sa edhe për autorin janë një kronologji e korrur dhe e lidhur në vite, e vënë në dispozicion të stafeve dhe kërkuesve të rinj shkencorë të fushës së sigurisë dhe të mbrojtjes. Në radhë kronologjike publikimet e profesor Ribaj janë: “Planëzimi luftarak i njësisë”  e vitit 1989, “Doktrina e përbashkët e FA të RSH” në mashkëautor më 2001, “Guidë për historinë ushtarake”  me bashkëautorë më 2008, “Strategjia ushtarake e RSH”, “Luftërat ballkanike dhe Shqipëria” më 2008, “Teori të Luftës dhe Strategjisë”  e vitit 2011, “Kosova, nyje kyçe e sigurisë ballkanike” më 2011, “Doktrina Ushtarake e FA DP-01” me bashkëautorësi më 2012, “Gjeopolitika dhe Siguria Energjitike”  e vitit 2012, “Roli i mërgatës në shtetformim” e vitit 2012, “Roli i Kosovës në krijimin e shtetit shqiptar” e vitit 2013, “Paradigama e sigurisë mjedisore në Shqipëri” e vitit 2015, “Ballkani, lufta, paqja, siguria, realitete ballkanike” e vitit 2015 në bashkëpunim me Prof. Shpëtim Cami, si dhe shumë publikime të tjera vetëm ose me bashkëautorësi çka është një praktikë dhe trend europian i punimeve shkencore. Ai ka qenë prodhimtar dhe autor i materialeve studimore, artikujve, referateve e kumtesave të mbajtura në veprimtari shkencore brenda e jashtë vendit. Ai ka ditur të drejtojë dhe udhëheqë punën studimore e shkencore, ka qenë pjesëmarrës në hartimin e programeve të kualifikimit shkencor pasuniversitar, në komisionet për dhënie gradash shkencore në institucione të larta arsimore ushtarake dhe civile, përfshi edhe Universitetin e Tiranës, ka qenë ligjërues i jashtëm në akademi e universitete, ku ka spikatur mendimi dhe gjykimi i thellë intelektual bashkëkohor. Njohja e gjuhës frënge, ruse dhe italiane e kanë ndihmuar profesor Ribaj ta lexojë botën gjeopolitike në origjinalin e diplomacisë botërore dhe marrëdhënieve ndërkombëtare të autorëve të mëdhenj të planetit. Por edhe anglishten e ka shfrytëzuar për përdorimin e litaraturës profesionale në fushën e vet të studimit. Pajtim Ribaj e ka për zemër shprehjen latine “Habent sua fata libelli/Librat kanë fatin e tyre”, prandaj dhe ka insistuar që libri i tij të shkojë tek lexuesi. Pasuria dokumentare e profesorëve shqiptarë të sigurisë përfshi këtu edhe ajo e profesor Ribaj vlen të jetë në dorën e studjuesave e kërkuesve të rinj shkencorë në bibliotekat e vendit, përfshi Bibliotekën Kombëtare, Bibliotekën e AFA-së, bibliotekën e Akademisë së Sigurisë dhe më gjerë, por edhe në arkivat e sistemit të mbrojtjes dhe të sigurisë në Shqipëri.

 

Vlerësime dhe mirënjohje nga miq, shokë e kolegë

Pajtim Ribaj nuk ka punuar e kujdesur për të marrë vlerësime, as për tituj, urdhëra e dekorime, edhe pse ka disa të tilla si dekorata të shërbimit të gjatë ushtarak në radhët e Ushtrisë Popullore dhe më tej në radhët e Forcave të Armatosura. “Shkencëtari i sigurisë”, është së pari kontribues i drejtpërdrejtë në aktivitete në rang kombëtar, në konferenca, seminare, në botime enciklopedike e jubilare, në fushën e sigurisë e mbrojtjes, në Gjeopolitikë dhe në histori. Ai ka qenë një format akademik në rritje dhe që ka punuar të rritet bashkë me komunitetin akademik Fakt është se formimin arsimor akademik e ka lidhur me nivelet më të larta dhe të krahasueshëm me standardet më të larta akademike homologe rajonale e europiane. Strukturat arsimore të sigurisë në FA, por dhe kombëtare i ka parë me optikën e vizionarit të së nesërmes. Mendimet i ka shprehur në shkrimet për sigurinë, në analizën e mbrojtjes dhe zhvillimit të identitetit dhe idealit kombëtar me fokus interesin kombëtar këtej e matanë Drinit, në Dardaninë kreshnike. Rëndësia jetike për të sotmen dhe të ardhmen e kombit shqiptar është mbrojtja e identitetit, rrënjëve, edukimi dhe mbrojtja e vlerave historike, kulturore, morale e shpirtërore të kombit për të lartësuar dinjitetin e kombit. Jeta dhe aktiviteti i një akademiku ushtarak nuk mund të përmblidhen në një shkrim modest, pasi kontributi shkencor në fushën ushtarake e më gjerë spikat në gjithë spektrin e sigurisë kombëtare, në Forcat e Armatosura, në Policinë e Shtetit, në organizmat e tjera ligjzbatuese të sigurisë, në aspektet njerëzore, shpirtërore edhe përtej FA-së e Policisë së Shtetit në angazhimet serioze shoqërore, kudo flitet e mbrohet aspekti thelbësor kombëtar i shqiptarizmës, duke e parë si detyrë obligimin profesional brenda dhe jashtë institucioneve, duke u impenjuar seiozisht në udhëheqjen, formimin dhe përgatitjen e personaliteteve të reja shkencore e akademike në interes të vijueshmërisë së mbrojtjes interesit kombëtar shqiptar. Pajtim Ribaj ka gjithashtu vlerësime nga më të lartat sikurse është: “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, akorduar nga Presidenti i Republikës me dekret nr.13050 datë 21 Prill 2021 me motivacion: “Për nivelin e lartë të udhëheqësit me kurajë, të guximshëm dhe vizionar në radhët e Forcave të Armatosura, kontributin e veçantë dhe profesionalizmin e treguar gjatë katër dekadave në fushën e shkencës dhe mësimdhënies ushtarake”. Faktikisht vlerësimi për profesor Ribaj është vlerësim e mirënjohje për punën e kontributin e gjatë si drejtuesi ushtarak dhe kontribues me vlera të larta në mësimdhënien dhe shkencën ushtarake Shqiptare. Në një shkrim të posaçëm të Prof. Bernard Zotaj në lidhje me “Mesazhe për shkencë dhe krijimtari serioze” si dhe “Monografi e hartuar për një mision”, citohet Akademik Pëllumb Xhufi, për Prof. Ribaj: “…është për t’u vlerësuar dhe përgjithësuar, libri e përshkruan qartë se profesori vjen nga fusha e sigurisë dhe ka dhënë kontribut social, historik e ushtarak. Me punën dhe përkushtimin e tij ai është bërë vërtet një shembull, me shkrimet tij në fushën historike e atë të sigurisë, janë të shumta dhe për t’u studiuar. Studiues të huaj janë shprehur me shkrim dhe me respekt shkencor për këto shkrime, ka përfshirë këto opinione mjaft vlerësuese dhe konfidenciale të bërë nga profesor e historianë gjermanë… si dhe opinione janë reale dhe vlerësim konkret”. Akademistët në të gjitha periudhat kanë ditur të marrin leksione përtej shabllonizmit, për sigurinë kombëtare në përgjithësi dhe anët e saj të veçanta, sipse ai i përket brezit të artë të ushtarakëve shqiptarë, si drejtues i Akademisë dhe profesor i mendimit ushtarak Shqiptar për mbi katër dekada, si shkencëtar i mendimit, si këshilltar për drejtuesit ushtarakë e më gjerë, përfshi këtu dhe “kamuflazhët”, që ai i “ngacmon” në mënyrën e tij për ti korigjuar për ti futur në sedër dhe në “brazdë” të lidershipit dhe drejtuesit me vizin që timonin ta mbajnë drejt interesit kombëtar. Puna, veprimtaria akademike, mësimdhënia, drejtimi, shkenca ushtarake e më gjerë, vështrimi në mbarë truallin shqiptar, në përgatitjen e vijuesve të shkencës dhe mendimit e bën të veçantë edhe për faktin se ka qenë gjithmonë nxitës dhe inkurajues të së nesërmes. Janë më shumë ata që e njohin se ai njeh, për arsye se janë të shumtë brezat e studentëve jo vetëm nga Shqipëria por dhe nga trevat jashtë Atdheut nga Kosova e Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, që kanë qenë studentët e tij dhe që ruajnë konsideratat më të larta për dijet e marra si dhe për mënyrën se si është transpetuar dija tek ta duke ngelur e qëndrueshme dhe për çështjet më sensitive të kombit shqiptar. Ribaj vlerësonte shumë arkivat dhe ishte pasionant pas të vërtetave reale, që kërkonte të zbulonte prapaskenat që “të mëdhenjtë” kanë luajtur në kurriz të fateve të kombit. Shokët, miqtë e kolegët e kanë vlerësuar profesor Ribaj si një kuadër e personalitet me kurajo ndaj drejtuesve politikë dhe ushtarakë, tek të cilët ka kërkuar të reflektonin ndaj zhvillimeve shoqërore e ushtarake dhe vecanërisht shkencore. Ribaj ka përfaqësuar vendin në shumë takime e konferenca ndërkombëtare, pasi ngelet një nga ushtarakët profesorë në rezervë ekspert cilësorë i fushës së studimeve të sigurisë dhe gjeopolitikës. Konsumatorët e literaturës mbi  sigurinë janë të përzgjedhur dhe specifikë në raport me popullsinë prandaj edhe fusha e studimit të sigurisë i ka me pakicë studjuesit, prandaj edhe meraku i brezave është përthithja e kontigjenteve, që të jenë në nivelin cilësor të kërkuesit dhe studjuesit. Në këtë kuadër profesor Ribaj ndjeshmërinë kombëtare e përcjell me një stil të veçantë që kërkon që “guri të ndalet dhe të mos vijojë më rrokullisjen”, që kombi shqiptar këtej e matanë kufirit administrativ të 13-tës të ketë prosperitet dhe rinia të marrë në dorë çështjet kombëtare me besim dhe siguri, me qëllim për t’ju lënë brezave një Shqipëri të sigurtë dhe me aleatë strategjikë të qëndrueshëm. Pajtim Ribaj është kryetari i shoqatës “George C. Marshall” në Shqipëri me bindje në të drejtën historike të lidhur fuqishëm me sigurinë kombëtare. Është kjo arsyeja që në përbashkimet akademike “thembra e Akilit” mbetet nevoja imediate që Siguria kombëtare të jetë pjesë e domosdoshme e përfshirjes në kurrikulat akademike. Në takimet me Profesor Ribaj meraku qëndron tek “Sovraniteti dhe siguria”, të cilat i konsideron thelbësore për shtetin, sepse kanë të bëjnë me mbijetesën e shtetit dhe aktorëve të tjerë dhe u është besuar në mënyrë tradicionale institucioneve të sigurisë: Forcat e Armatosura, Shërbimet Inteligjente, Policia e Shtetit, si dhe institucionet e tjera të sigurisë në Shqipëri.

 

Please follow and like us: