Arthur Conan Doyle: Gishti i inxhinierit
Nga shënimet e doktor Uatsonit:
Përktheu Agim Dëshnica
I.
Nga tërë çështjet me famë të Sherlok Holmesit, vetëm dy e tërhoqën më fort vemendjen e tij. Njëra prej tyre qe çështja e gishtit të Mister Hedhërlit.
Ishte qershor i vitit 1889. Atëhere sapo isha martuar dhe pata nisur të ushtroja prapë detyrën e mjekut. Pacient timin kisha edhe një roje të stacionit hekurudhor. Pas mjekimesh të vazhdueshme, munda ta shëroja nga një sëmundje e gjatë dhe e vështirë. Ndaj ai e ruajti mirënjohjen për mua. Më vonë, herë pas here, më sillte në klinikë çdo të njohur, që vuante nga ndonjë sëmundje.
Një mëngjes, shërbyesja më zgjoi para orës shtatë. Më tha se roja kishte ardhur me dikë, që kërkonte ndihmë të shpejtë. U vesha e zbrita shkallët me nxitim.
-Doktor, ju kam sjellë një të sëmurë- më tha roja.- Në pamje duket mirë, por mendoj se është mjaft i drobitur. Kam frikë se ka pësuar tronditje mendore, prandaj e shoqërova vetë deri këtu. Dhe, meqenëse tani është në duart tuaja, mund të kthehem i qetë në punë.
Ndërkaq, një zotni me moshë rreth 25 vjeç po priste në dhomën e vizitave. Dorën e kishte të mbështjellë me një shami të gjakosur dhe fytyrën -të zbehtë.Të jepte përshtypjen e një njeriu, që bënte çmos ta mbante veten.
-Më falni për shqetësimin në këtë orë, doktor! – tha ai. – Gjatë natës që shkoi më ndodhi një aksident serioz. Sot në mëngjes mbërrita me tren dhe kërkova në stacion një doktor.Më quajnë Viktor Hedhërli.
– Ju të më falni, se ju bëra të prisni! – i thashë. – E di, që udhëtimi me trenin e natës është mjaft i lodhshëm.
-Oh, vërtet! Gjatë udhetimit s’kisha fuqi të bërtisja prej dhimbjeve te tmerrshme.
Pas ketyre fjalëve qeshi fort e më fort me zë të lartë e të kumbueshëm. Kuptova se kisha të bëja me një histeri që kap papritur një person, i cili ka pësuar krizë
– Mblidheni veten!- i bërtita.
Por, ai prapë qeshi e qeshi, sa u lodh. Pastaj, më vështroi drejt në sy, i këputur fare.
-Më ndjeni! – foli, më në fund, me pak zë.
-S’prish punë! Pini këtë! -ia ktheva duke i dhënë një gotë me ujë. E piu krejt.
-Faleminderit, doktor!- Më duket se jam më mirë. Besoj se tani do të ma mjekoni gishtin tim, ose, më mirë të them, vendin ku ai qe më parë.
Zgjidhi shaminë dhe e zgjati dorën drejt meje. Edhe pse kisha përvojën e një mjeku ushtarak, ajo dorë e tij më bëri të dridhesha. Pranë katër gishtrinjve, ku para disa orësh gjallonte i pesti, skuqte vetëm një njollë e frikshme. Gishti ishte prerë krejt, si me sëpatë.
-O Zot!- thirra. Ç’plagë e tmerrshme! Vë re se keni humbur shumë gjak.
-Po!-tha ai – Veç, menjëherë e lidha sa munda me shami.
-Keni bërë mjaft mirë! Me sa shoh, prerja është kryer me teh brisku, ose me ndonjë vegël të mprehtë.
-Me hanxhar.- m’u përgjigj Hedhërli.
-E pretë pa dashje?
-Jo, aspak!
-U sulmuat nga ndokush?
-Po! Nga një vrasës i egër!
Heshta e ia pastrova plagën me kujdes. Mandej ia mjekova pa u ngutur dhe, së fundi, ia mbështolla rreth e rreth me fasho.
-Oh, faleminderit shumë, doktor –më tha. – Tani, për sa më ndodhi, duhet të vete në polici. Eshtë një histori aq e pazakontë, sa dyshoj se atje nuk do të jenë në gjendje ta besojnë. Për më tepër, përveç dorës së plagosur s’kam asnjë provë apo adresë, që të ndihmoj për kapjen e fajesimin e atij horri të rrezikshëm.
-Për ta zgjidhur problemin, do të ishte mirë të takoheshit me mikun tim, Sherlok Holmesin.
-Sherlok Holmesin? Kam dëgjuar shpesh të flitet për të. Do të isha i lumtur, nëse ai do ta merrte përsipër çështjen time. A mund të më njihni me Holmesin?
-Patjetër!- i thashë. Morëm një pajton dhe u nisëm.
II.
Kur arritëm në Beker strit, Holmesi sapo kishte nisur të hante mëngjesin, Na u lut me këmbëngulje të hanim diçka edhe ne me atë.
Pastaj, e ftoi Hedhërlin të zinte vend në divan e të mbështetej në një jastek të butë.
-Tani na tregoni, fije e për pe, çfarë ju ka ndodhur!.–i tha Holmesi, i ulur përballë në kolltukun e rëndë duke e kundruar Hedhërlin me sytë gjysëm të mbyllur, siç bënte gjithnjë, kur donte të dëgjonte i përqendruar.
-Unë jam inxhiner! -tha Hedhërli, – Ky profesion më pëlqen shumë. Dyvjet më parë u largova nga një ndërmarrje, ku mësova mjaft dhe nisa ta ushtroja zanatin tim, me një zyrë të vogël në katin e tretë të ndërteses, tek edhe banoj. Me gjithë aftësitë e mia për ndihmë teknike nuk e pata aq të lehtë të tërhiqja klientë të mjaftueshëm. Megjithatë prisja me shpresë ardhjen e ndokujt me kerkesa shërbimesh, nga ora nëntë e mëngjesit deri në katër pas dite. Gjatë dy vjetëve munda të realizoja vetëm katër objekte të vogla. Dje paradite, hyri tek unë në zyrë një burrë me pamje xhentëlmeni. Pas përshëndetjes më dorëzoi kartëvizitën e punës, me shënimin: “Kolonel Lisak Stark”. Ishte pak a shumë i gjatë, i shogët, i hollë e i rruar aq imët, në faqe e mjekër, madje, afër hundës, gati sa s’kishte rrjepur lëkurën. I veshur thjeshtë e me kujdes, dukej me moshë rreth të dyzetave. Teksa fliste, ndihej një aksent i lehtë gjerman.
-Mister Hedhërli- më tha- kam pasur nevojë të flisja me një inxhiner.Për ju më kanë folur mirë. Më këshilluan të vija tek ju, sepse, përveç aftësisë në punë, jeni edhe djalë besnik dhe, kur është nevoja, dini ta ruani sekretin.
Teksa fliste ashtu, natyrisht që m’u bë qejfi, ndaj e pyeta se kush e kishte drejtuar tek unë, por ai iu shmang përgjigjes. Përveç kësaj, koloneli e dinte se isha jetim, beqar, i vetëm dhe që jetoja në Londër.
-E ç’lidhje kanë tërë këto hollësi-,ia ktheva- me aftësitë e mia? Keni ardhur të diskutojmë për çështje profesionale, apo jo?
-Sigurisht,- më tha ai- dëshiroj të bëjmë së bashku një marrëveshje pune. Para së gjithash, ju theksoj se kjo punë duhet të mbetet e fshehtë, madje tepër e fshehtë! Dhe kjo arrihet më lehtë me një njeri, që jeton vetëm, sesa nga një tjetër që është i rrethuar nga pjestarët e familjes.
-Po qe se ju premtoj, merreni si të kryer.
-Vërtet?- pyeti e më pa me dyshim drejt në sy
-Pra, heshtje e plotë, para, gjatë e pas mbarimit të punimeve. Nuk dua t’i tregoni as t’i shkruani kujt asgjë.
-Sër, fjalën ua dhashë dhe pikë, mbaroi.
-Mirë! – ai u ngrit pa pritur në këmbë, eci shpejt e shpejt nëpër dysheme e hapi derën e zyrës. Ndaloi në prag e hodhi sytë poshtë e lartë në koridor, për t’u bindur nëse s’kishte njeri. Pasi mbylli derën e u kthye afër meje dhe më tha -Tani mund të flasim qetë e hapur!
Sjellja e tij e çuditshme më zemëroi aq shumë sa po më mbarohej durimi.
-A do të ulemi të bëjmë marrëveshjen, sër, apo jo?- e ngrita zërin -Nuk mund të humbas më tepër kohë me ju.- Si duket vetë Zoti më ndihmoi të thoshja ato fjalë!
Atëhere ai, pa e zgjatur, më ofroi për punën e një natë, pesëdhjetë guines! Pra, dhjetë herë më tepër se shuma që do t’i kërkoja, nëse ai do të më pyeste!
-Ju thashë, shumë – shumë një natë punë dua prej jush!- foli koloneli.- Por puna duhet të vazhdojë pa ndërprerje! Eshtë nevoja të shikoni me kujdes një presë hidraulike, sepse me sa duket njëri nga ingranzhet e saj ka dalë jashtë përdorimit. Ju pres të vini sonte natën me trenin e fundit!
-Ku, pikërisht?
-Në Ejford, një vend i vogël rreth shtatë mile nga Redingu. Merrni trenin që niset nga Londra. Atje do të mbërrini rreth orës 11.15. Në atë kohë do të vij e do t’iu marr me karrocë.
-Që andej sa mban shtëpia e juaj?
-Oh, është larg në fshat. Para se të arrijmë atje, do të ketë rënë mesnata. Pra, do të flini në shtëpinë time.
-A mund të caktojmë një orë më të përshtatshme?- i thashë.
-Mos harroni se për kohën që caktova,- ma ktheu- paga është shumë më e lartë se vlera e punës që do të kryeni! Pastaj duke qenë pa familje s’ka pse nguteni për t’u kthyer.Por nëse s’keni dëshirë të punoni, atëherë e lëmë me kaq.
-I thashë se nuk nguroja të shkoja tek ai dhe nisa ta pyesja më hollë rreth punës. Rrëfimi i tij m’u duk i turbullt e disi i çuditshëm. Bëhej fjalë për gjetjen e njëfarë minerali me vlerë, sidomos,për gërmime në tokën e tij, pa u pikasur nga banorët përreth. Më tha se me paratë që do të mblidhte nga shitja e mineralit, do të blinte toka nga fqinjët, para se ata të merrnin vesh vlerën e vërtetë të atyre tokave. Ndaj duhej të shkoja patjetër natën vonë, sepse ditën, po të shihnin aty një inxhiner, do të dyshonin. Dhe, kështu qëllimi tij do të dështonte.
Ai rrëfim nuk më bindi aq shumë nga ana teknike. E përse shërbente një presë hidraulike në gërmime, për të kërkuar mineral? Ndaj e pyeta dhe ai më tha se procesi i fshehtë i punës, ka të bëjë vetëm me ngjeshjen e mineralit në trajtë briketash. Për këtë qëllim do të ngarkonte një ortak, i cili do të merrej vetë me atë punë.
Më së fundi në ikje e sipër më kujtoi trenin duke kërkuar prapë nga unë që të betohesha për ruajtjen e sekretit.
Kur kujtoj tani gjithë këto, nuk ia fal vetes, që s’u tregova i vemendshëm, për t’i analizuar në kokë disa pika të marrëveshjes. Njëra prej tyre ishte paga aq e lartë. Joshja prej saj, siç duket, ma dobësoi fuqinë e arsyetimit!
III.
Hedhërli për një hop mori frymë thellë e vijoi:
-Bëra ashtu siç më tha koloneli. Në Ejford arrita pas orës njëmbëdhjetë. Stacioni ishte i vogël dhe i ndriçuar dobët. Unë isha i vetmi udhëtar që zbriti nga treni.Koloneli ishte atje, duke pritur në hije. Sa më pa, eci drejt meje, më kapi për krahu, pastaj së bashku u ulëm në të vetmen ndenjëse, që kishte kaloshini, i bëri shenje karrocierit të nisej.
Dhe ai i grahu kalit sakaq. Karroca bëri përpara me shpejtësi.
-Një kalë ishte mbrehur në karrocë?- pyeti Holmesi.
-Po. Vetëm një.
-Si dukej në vrap e sipër.
-I freskët e mjaft i shkathët.
– Ju kuptova! Ju lutem, vazhdoni!
-Udhëtimi zgjati rreth një orë. Koloneli më pat thënë se rruga ishte rreth njëmbëdhjetë kilometra, por mua m’u duk më e gjatë. Udhës ai nuk bisedoi me mua.Madje asnjë fjalë të vetme nuk tha. Dhe, ndërsa unë orvatesha të hetoja rrugën, ai më vështronte vëngër.Dritaret qenë të veshura me brymë.Kështu që, s’munda të vëreja gjë. Nëpër atë shteg fshati, u tundëm e u shkundëm dhe unë u lodha shumë. Më së fundi, karroca u kthye tek një udhë e qetë e shtruar me zhavor dhe ndaloi. Koloneli zbriti i pari, më zgjati dorën e më shoqëroi për në shtëpi, aq shpejt, sa s’munda të shikoja mirë vendin rreth e rrotull. Dëgjova zhurmën e kaloshinit tek largohej, ndërsa ra një heshtje e thellë.
Brenda në shtëpi qe errësirë e plotë. Koloneli po rrekej kuturu të gjente qirinjtë, kur papritur, në anën tjetër të hollit, u hap një derë. U duk një grua me fener në dorë, që përpiqej të shihte, duke pyetur për diçka në gjuhë të huaj. Koloneli i ktheu përgjigje sakaq, shkoi afër saj, i mori fenerin, pastaj e shtyu atë brenda një dhome. Ndërsa mua më priu tek një tjetër, më la fenerin, më tha ta prisja atje, doli jashtë dhe tërhoqi derën.
Në dhomë pashë një piano dhe libra në gjuhën gjermane. Vajta pranë dritares, me shpresë që t’i hidhja një shikim të shpejtë fshatit, por kanatat e mbërthyera pengonin çdo pamje. Me përjashtim të tik-takut të orës në holl, në shtëpi mbretëronte një heshtje vdekjeje.Ndihesha i pafuqishën nën peshën e ankthit.
Befas hyri tek isha unë, një grua e hijshme. Megjithëse dukej e trembur, ajo foli me mirësjellje e me një anglishte të çalë.
-Duhet të ikni këtej menjëherë!–më tha ajo me pak zë, -Ju lutem, ikni sa më shpejt! Mos rrini më këtu!
-Por unë duhet të kryej punën që kam marrë për sipër!- ia ktheva.
-Jo, jo! Bëni mirë të ikni! Ja, dera është e hapur!
Kur më pa që buzëqesha, e humbi qetësinë papritur. – Ju lutem!-pëshpëriti me dëshpërim.-për hir të Zotit, largohuni nga kjo shtëpi para se të jetë vonë
Kisha bërë një udhëtim të gjatë e të lodhshëm dhe s’isha shpërblyer ende. Në ato minuta ajo m’u duk pak si e metë, ndaj nuk buzëqesha më.
Gruaja vazhdoi të ngulte këmbë në të sajën, por sapo u dëgjuan hapa nëpër shkallë, u zhduk në çast.
Pas nja dy-tri minutash, koloneli Stark erdhi aty, së bashku me një burrë të shkurtër, të bëshëm e me mjekër të dendur. Qenkësh sekretari e kujdestari i tij dhe thirrej mister Ferguson.
Koloneli si më hodhi një vështrim të dyshimtë, tha:
-Me sa më kujtohet, kur dola derën s’e lashë të hapur.
-E hapa unë, sepse po më merrej fryma!– i thashë.
Edhe pse më pa sërish me dyshim, foli:
-Ejani pas meje të shihni makinën!
Unë kërkova të merrja kapelen, por ai më bëri shenjë ta lija aty. Makina ndodhej në katin e dytë. Pyeta veten, i çuditur se përse një makinë mineralesh mbahej brenda në shtëpi! Pasi u ngjitëm lart, koloneli më drejtoi tek një kthinë e vogël në trajtë katrori, që mezi na merrte të dyve, kurse Fergusoni mbeti jashtë.
-Tani ndodhemi brenda presës hidraulike. – më tha koloneli. -Ç’ka shihet sipër nesh, s’është tavan i zakonshëm, por pllakë metalike, që zbret me fuqi disa tonëshe në dyshemenë prej çeliku. Makina s’e di s’e çka që s’lëviz aq shpejt si më parë. A mund të riparohet?
I hodha një sy e zbulova se ç’kishte. Mund ta ndreqja fare lehtë dhe i shpjegova mënyrën se si. Megjithatë kuptova se tërë historia e presës për shtypje mineralesh, s’qe gjë tjetër veçse mashtrim! Për atë punë makina ishte tejet e fuqishme. Veç kësaj nëpër dyshemenë prej çeliku nuk vura re asnjë copëz dheu! Me fener në dorë pikasa tjetër gjë, shndritje grimcash argjendi!
Pa pritur, koloneli bëri hije sipër meje.
-Çfarë bën ti këtu!- klithi.
Isha i zemëruar aq tepër, që ai arriti të ma hidhte, sa pa u menduar mirë, i thashë:
-Në qoftë se do të më kishit thënë qysh në nisje, përse e përdorni në të vërtetë këtë makinë, do të isha marrë me një punë tjetër!
Kaq u desh. Befas mori pamjen e një bishe.
-Shumë bukur!-tha- Tani do të shohësh përse pëdoret e sesi punon makina!- Eci praptasi me të shpejtë dhe doli jashtë, përplasi derën dhe e mbylli me kyç. U turra drejt saj, tërhoqa dorezën, e godita me shkelma, e shtyva me sa munda dhe thirra me zë të lartë. Kuptova se isha kapur në grackë! Më ngriu gjaku, kur dëgjova një zhurmë të njohur, kërkëllimë levash e zixhirësh. Ai e kishte ndezur makinën! U hodha me tërë fuqitë e mia kundër derës duke bërtitur për ndihmë. Presa e rëndë, duke kërkëllyer po afrohej. Më zu tmerri, kur mendova se do të më bënte petë brenda disa sekondash. Për një hop midis dy dërrasave të murit pikasa një dritëz të verdhë. U përplasa mbi to me tërë trupin tim tejet të tendosur. I theva rrëmbyeshëm, dola dhe u rrëzova jashtë dhomës në krahun tjetër, para se presa të më hiqte nga faqja e dheut. Tek dergjesha i shtrirë duke marrë frymë me vështirësi, u shfaq pranë meje zonja e hijshme. Ajo më kapi prej mënge e thirri:
-Ikni shpejtë, sepse po ta marrin vesh se s’keni pësuar gjë, do të nisin t’ju kërkojnë. Po u ratë ndër duar do t’ju vrasin pa mëshirë!
Pasi u ngrita, u larguam të dy me vrap. Ajo më çoi tek një dritare e hapur.
-Eshtë pak e lartë- më tha- por ju mund të hidheni pa rrezik prej saj.
Në çastet që po mbahesha me duar në parvazin e dritares me këmbët jashtë, mbërriti si i tërbuar koloneli. Gruaja u orvat ta shtynte mbrapsht duke thirrur në anglisht:
-Fric! Fric! Ti më dhe fjalën se nuk do të vrisje më asnjë tjetër!
Do të isha hedhur me kohë e do të ikja me vrap, por doja të sigurohesha, nëse ai vrasës nuk do ta ndëshkonte gruan zemerbardhë. I varur në dritare mendova të kthehesha për ta mbrojtur.
-Na more më qafë, Elizë!- klithi Lisarku. – Ai pa shumë gjëra në shtëpinë tonë!
Para se të merrja vesh se ç’po ndodhte, koloneli e shtyu gruan tutje, u qas në dritare dhe më goditi nuk di me ç’mjet të mprehtë. Ndjeva një dhimbje aq therëse, sa s’munda të mbahesha më. Rashë në kopësht e që atje brofa e ia dhashë vrapit me sa më hanin këmbët, pa ndaluar askund. Ndërkohë dëgjoja ulërimën e tij prej kafshe. M’u duk se s’isha larguar aq shumë, kur befas nisa të trullosem. Pata përshtypjen se po më binte të fikët. Tek preka njerën dorë, vura re se mungonte një gisht. Nxora shaminë dhe lidha plagën fort. Dëgjova një zhukatje nëpër vesh, pastaj s’di sesi humba ndjenjat midis trëndafilave.
Kur u përmenda u habita tek hodha sytë përqark. Në vend të kopshtit me trëndafila të shtëpisë isha shtrirë buzë rrugës kryesore. Në çastin, kur u rrëzova nga dritarja ishte natë me hënë të plotë, ndërsa në ecje e sipër qielli zbardhte si në agim. Prej andej pas disa jardësh do të mbërrija në stacionin e trenit të Ejfordit. As tani s’e marrë dot me mend si qe e mundur, pa ditur drejtimin, të udhëtoja dhjetë apo dymbëdhjetë mile.
Në stacion mezi qendroja më këmbë. Ecja çalë-çalë. Kur pyeta shefin e stacionit në e njihte kolonel Lisandër Starkun, më tha se s’kishte dëgjuar ndonjëherë atë emër. Kur kërkova të dija, se ku ishte stacioni i policisë, më thanë se ndodhej tre milje larg. S’isha në gjendje të shkoja gjer atje, për më tepër në ato minuta treni i kthimit po mbërrinte në stacion. Kështu i çliruar nga ankthi, mora udhën për në Londër. Të tjerat zotërinj, i dini vetë.
Gjatë tërë kohës së tregimit, Holmesi dhe unë, dëgjonim në heshtje. Sa histori vëtet e çuditshme e egër dhe e dhimbshme! Holmesi u ngrit e mori dosjen me lajme për krime, të prera nga gazetat.
-Kjo këtu është mjaft me interes për ju, sepse ngjan me ndodhinë e natës, që u botua vitin që shkoi, pothuaj në të gjitha gazetat. Dëgjoni çfarë thotë:
“Në daten 9-të të këtij muaji, inxhineri hidraulik mister Xheremi Hejling, me moshë 26 vjeç, ka humbur pa lënë gjurmë, është larguar nga shtëpia rreth orës dhjetë të natës. Deri tani s’ka asnjë lajm të ri. Ishte veshur…”.
-Pra siç merret vesh, natën vonë koloneli kishte nevojë sërish të riparonte presën.
-O Zot! -thirri Hedhërli- për të vrarë njerëz të tjerë. Ndaj dhe i ulurinte gruaja.
-Po!–tha Holmesi. – Ky qerrata kolonel është një i krisur që për të fshirë gjurmët e krimit, të gjithë ata, që i shërbejnë në fund i vret pa mëshirë. Tani të mos humbasim asnjë minutë! Të vemi menjëherë në polici!
IV.
Tri orë më vonë një grup prej pesë vetësh mori trenin për në Ejford: Sherlok Holmesi, inxhineri, inspektori i policisë Bredstrit, një detektiv dhe unë. Në udhë e sipër inspektori s’iu prit. Hapi hartën e zonës së Ejfordit dhe nisi ta shqyrtonte lart e poshtë. Në qendër të qytetit vizatoi një rreth, ndërsa dhjetë mile larg saj – edhe një të dytë.
-Ju thatë- iu drejtua ai Hedhërlit-se udhëtimi me karrocë zgjati një orë. Pra, na duhet të përshkojmë një hapësirë më të gjerë. Për këtë duhet të përcaktojmë qysh më parë vendin, ku duhet të vëshgojmë.
-Këtë gjë ta bëjmë pikërisht këtu në qendër–tha Holemesi qetësisht.
-S’ka kuptim kjo që thoni- ia ktheu Bretstriti-qendra është vetëm pikë orientimi. Unë mendoj se koloneli banon në jug, tek vendi është i shkretë.
-Jo, në lindje –tha Hedhërli.
-Në perëndim- ia priti detektivi- atje ndodhet një fshat i vogël.
-Në veri- shtova unë- meqenëse atje vendi është fushor. Sipas inxhinerit, karroca nxitonte lehtësish gjatë një rruge të sheshtë.
-Të gjithë gaboni. Këtu! – u hodh e tha Holmesi, duke prekur me gishtin tregues qytetin Ejford.
-Po udhëtimi prej dymbëdhjetë milesh pse u bë?- pyeti Hedhërli i habitur.
-Gjashtë para e gjashtë në kthim- kaq ishin gjithësejt. Koloneli ju ka hutuar. Ju thatë se kali ishte i freskët e tërhiqte karrocën me shkathtësi. E pamundur të ndodhte ashtu, kur kalit, pas dymbëdhjetë miljesh drejt stacionit, do t‘i duhej të merrte menjëherë rrugën e kthimit.
-Koloneli s’është veçse një bandit dinak!- tha dedektivi.
-Po!- ia ktheu Holmesi- Dhe vepra e tij ishtë fare e qartë: Ai sajon monedha me metale të përdorura, duke i shtypur me presën hidraulike.
-Pra, qenka fallsifikator!- thirra unë.
-Kemi kohë që përpiqemi të zbulojmë një bandë falsifikatorësh të shkathët, që kanë hedhur në qarkullim me mijëra monedha fallso! – tha inspektori- Më në fund, po bien në duart tona!
Por inspektorit nuk do t’i jepej kjo mundësi.
Kur treni hyri në Ejford, pamë një re të dendur tymi, që çohej lart pas një grumbulli pemësh.
-Mos po digjet ndonjë shtëpi?- pyeti Bredstriti.
-Ashtu duket! -tha shefi i stacionit- Zjarri ka rënë gjatë natës. Askush nuk e diktoi në kohë. Flakët tani kanë marrë përpjetë.
– E kujt është shtëpia?
– E Dr. Beçerit.
– Mos është gjerman ai?,- pyeti Hëdhërli. – Një burrë shtathollë, me hundë e mjekër me majë?
-Aspak!- tha duke qeshur shefi, është një anglez i shkurtër e barkmadh, krejt ndryshe nga miku i vet.
Nxituam drejt shtëpisë, që po digjej. Flakët kishin shpërthyer edhe jashtë dyerve e dritareve, ndërsa tri pompa zjarrfikëse më kot hidhnin ujë poshtë e lartë.
-Ky është vendi!- thirri Hedhërli- Ja, oborri i shtruar me zhavor e porta në ballë. Ja dritarja e kopshti me trendafila.
-Shumë bukur- tha Holmesi- Tashmë pak a shumë e morët hakun. Makina e puna e tyre e mbrapsht, morën fund njëherë e përgjithmonë. Pra, zjarri u shkaktua nga feneri, që latë në kthinë në sekondën e fundit, si edhe nga presa, kur u përplas në dysheme. Ndërsa ata po ju ndiqnin për t’u kapur, muret e drunjta u përfshinë nga flakët. Pra, kur panë se shtëpia po u digjej, ishte tepër vonë. Mendoj se kërkimi i tyre tashmë është i kotë. Kushedi se ku janë arratisur.
Holmesi, si zakonisht, kishte të drejtë. Qysh atëherë s’është marrë vesh asgjë, as për gruan e hijshme, as për kolonelin e rrezikshëm dhe mikun e tij topolak. Me gjithë aftësitë e rralla, Sherloku i famshëm nuk qe në gjendje të thoshte qoftë edhe një fjalë se për ku mund ta kishin thyer qafën, të tre.
-Pra, kjo dramë u mbyll me kaq!- tha inxhineri i ri, ndërsa po ktheheshim me tren për në Londër- Për mua e gjithë kjo qe ndodhi ishte një punë e papritur. Përveç gishtit, humba pesëdhjetë guines.
-Por, ama, fituat diçka,- i tha Holmesi, duke buzëqeshur. -Jo vetëm që mbetët gjallë, por jetuat edhe një nga historitë më të çuditshme e plot me aventura të papritura, që do t‘ua tregoni të tjerëve!