DOM NDRE MJEDA NË SYTË E NXËNËSIT TË TIJ, MONSINJOR DR. ZEF OROSHIT
Frank Shkreli
Ditët e fundit lexova disa shkrime kushtuar përvjetorit të kalimit në amshim të Dom Ndre Mjedës (1 gusht, 1937), meshtarit, poetit lirik, studiuesit dhe hulumtuesit të palodhëshëm të gjuhës shqipe. Me këtë rast, mu kujtuan bisedat që ndante me mua në fillim të 1970-ave për Dom Ndre Mjedën — Mons. Dr Zef Oroshi, (1912-1989) miku im dhe ish-udhëheqsi i komunitetit katolik shqiptaro-amerikan, i nderuar dhe i respektuar edhe nga mbarë komuniteti shqiptar në Amerikë, pa dallim feje a krahine.
Monsinjor Zef Oroshi fliste shpesh, me mirënjohje dhe me respekt të madh, për mësuesit e tij, Dom Ndre Mjedën dhe At Gjergj Fishtën. Shpesh edhe shkruante mbi kujtimet e tija për ta në gazetat dhe revistat e diasporës anti-komunsite shqiptare të asaj kohe në Shtetet e Bashkuara dhe më gjerë.
Në një shkrim përkujtimor botuar bë revistën Jeta Katolike Shqiptare, (Tetor-Dhjetor, 1977), organ i Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane, Drejtor Përgjegjës i të cilës ishte ai vet, Dr. Zef Oroshi ka kujtuar mësuesin e tij Dom Ndre Mjedën, me rastin e 40-vjetorit të vdekjes. Dom Oroshi ka shkruar se mendjehollësia e Mjedës së ri i ka shtyrë të parët e (urdhit jezuit) ta dërgonin atë të studionte në universitetet më të mira të Evropës, sin ë Austri, Itali, Gjermani, Francë e Poloni, ku përveç se kreu studimet e larta për filozofi e teologji me, “suma cum laude”, Ndre Mjeda, “pasunoi mendjen e squet të tij me gjuhët dhe me letërsitë këtyne vendeve, por edhe njohuri mbi klasikët që ai aq fort i dashuronte”, ka shkruar Mons Zef Oroshi, për ish-mësuenin e tij Ndre Mjedën. Megjithse, ndër të gjitha të mirat mendore e jetësore që i ofronte atij bota perëndimore e qytetëruar dhe e lirë, Mjeda, “Kurrë nuk harroi vendin e vet, Shqipërinë. Asaj i këndoi, me plot afshin e zemrës me poezitë e rinisë së vet, botuar në “Juvenilia”, — “sende rinie” – kur Atdheu gjëndej ende nën thundrën e aziatikëve”, ka vërejtur Dr Zef Oroshi në shkrimin e tij në vitin 1977, me rastin e 40-vjetorit të vdekjes së Mjedës.
Kur është kthyer në Shqipëri, shënon Dom Zef Oroshi, Ndre Mjeda ka dhenë mësim në gjuhë dhe letërsi shqipe në kolegjen e famshme Saverjane të Shkodrës. Si meshtar ai ka shërbyer në disa famuli të Malësisë së mbi-Shkodrës, duke përfunduar në Kukël. Ndre Mjeda ishte themeluesi i Shoqërisë Letrare “Agimi”, ndërkohë që në Kongresin e Manastirit ka luajtur një rol kyç, ndërsa ishte ndër krongresistë më aktivë, ka thenë Dr Zef Oroshi. “Por çka e ban emrin e Ndre Mjedës të pavdekshëm”, nënvijon Dr, Zef Oroshi, “Ashtë pena e tij si poet, mjeshtër klasik i vjerrshit shqip, si prozator dhe sidomos si gramatolog, ndëlr më të thellët që ka pasur Shqipëria përshumë kohë. Studimet dhe hulumtimet e tija në çeshtje gramatikore të shqipës kanë qenë vendimtare”, thekson ndër të tjera, Dom Zefi, për veprimtarinë letrare të Dom Mjedës.
Përveçse shkrimtar dhe poet mjeshtër, Dr. Zef Oroshi e cilëson ish-mësuesin e tij Ndre Mjedën edhe si, “udhëheqsin e paharruar të shkollës së përmendur, Kolegja Saverjane, drejtuar nga Jezuitët e Shkodrës” dhe si, “njërin prej Rilindasve më të flakët dhe më të hershmit e Kombit Shqiptar. Qe zgjedhë edhe deputet i Shkodrës, pothuajse kundër vullnetit të tij”, ka shkruar Oroshi.
Dom Zefi shënon në artikullin e tij – një fakt që nuk ka të bejë me gjuhën as me letërsinë – ndërsa shkruan se, “Për t’i dhënë një hov bujqësisë përparimtare, Dom Ndre Mjeda qe i pari që solli plorin e çelikt në Shqipëni”, sipas Dom Zef Oroshit.
Dom Ndre Mjedës, ka shkruar Dom Zef Oroshi, i ka takuar të jetonte në dhena të huaja dhe zemra i shkrumbohej për Atdheun e largët e të robëruar. Mallin për Atdhe ai e skaliti, qysh i ri në “Juvenilia”, duke filluar me, “Vaji i Bylbylit”, botuar që në vitin 1887 dhe me “Andrra e Jetës”, ku ai këndon jetën e fshatarit e të malësorit shqiptar, ka shkruar Dr. Zef Oroshi, për veprat e mësuesit të tij, Me sonetat klasikë, “Lissus” dhe “Scodra” (Lezha e Shkodra) ku, përmes historisë së lashtë të këtyre dy qyteteve evokohet e kaluara e hershme, “lumnitë historike dhe legjendat e paraardhësve ilirë, me mbretrit Bardhylin e Agronin dhe me mbretëreshen Teuta”.
Monsinjor Dr Zef Oroshi vlerëson, në artikullin e tij, botuar në revisten Jeta Katolike Shqiptare më 1977, me rastin e 40-vjetorit të kalimit në amshim të poetit, se, “me këto vepra, megjithse të shkurta, Mjeda naltësohet si poeti më klasik ndër të gjithë poetët shqiptarë…”, por megjithë këtë, “Ai Nanën Shqipni e ka gjithmonë para syshë”, me qëllim për të drejtuar rininë e asaj kohe kah, “udha e atdhedashunisë së çiltërt, siç kanë veprue gjithmonë, për vendin e tyre, njerëzit e mëdhej.”
Dom Zef Oroshi është shprehur se e ndjen veten të nderuar dhe të privilegjuar që ketë “pasë për mësues, këtë mjeshtër zamadh tëgjuhës sonë, si dhe për ndikimin e tij për dashurinë ndaj Gjuhës Shqipe” dhe vazhdon me kujtimet e tija: “Dom Ndre Mjeda qe perosnalitete i përsosur në ndejë e në sjellje. Në klasën e tij mund të ndihej miza tue fluturue. Kur na lexonte ndonji pjesë artistike klasike ose bashkohore, sidomos poezi me art të lartë, këthënezej e skuqej në fytyrë – aq fort e ndjente shijen e artit…Megjithse nuk ishte i idhët me kurrkënd, pak ose aspak i qeshej fytyra e tij e gjanë – me musteqe të trasha e të dendura e kryetullac, trup i lidhur me naltësi mesatare. Ishte kritik i pamëshirshëm në pikëpamjen e artit të shkrimit, por gjithmonë me dinjitet e arsye, pa përulur kënd, kurrë.”, ka shkruar Dom Zef Oroshi në artikullin e tij në kujtim të mësuesit të vet Dom Ndre Mjedës.
Dom Zef Oroshi ka mbyllur shkrimin në kujtim të mësuesit të tij të nderuar duke hedhur hipotezën se para se të vdiste – përflitej në atë kohë, se Dom Ndre Mjeda, i ndikuar nga shkrimtari latin Virgjili, mund të ketë djegur dorëshkrimet e tija të shumta, duke thënë se, “Mjeda vdiq, por shkolla e tij mbetet e pavdekshme.”
“Ndonëse pushon në amshim, ai gjithnjë flet”. (Defunctus Adhuc Loquitur).