Gavrosh Haxhihyseni: Teoria e Zhejit për gjuhën shqipe është një pseudo teori
Kam lexuar ca pasazhe nga libri i Petro Zhejit, ‘Roli Mesianik i Shqipes’ dhe t’u them të drejtën e kisha të vështirë të kuptoja teorinë etimologjiko-logjiko-matematikore, për origjinën e gjuhës shqipe si gjuhë primordiale nga ku erdhën gjuhët e tjera, ndonëse vetë kam kryer studimet e larta në UT për matematikë-fizikë. Dhe rri e mendoj sa do munden ta kuptojnë të tjerët pa një formim bazë. Madje edhe vetë gjuhëtarët dyshoj se e kuptojnë atë.
E admiroj punën kolosale që ka bërë studiuesi ynë me nam në lëvrimin e veçantë të gjuhës sonë, por e kam të vështirë ta shikoj gjuhësinë në termat dhe formulat e shkencave ekzakte, sepse gjuha ngjan me një organizëm të gjallë që merr trajtë dhe zhvillohet në varësi të kushteve historiko-shoqërore, në varësi të përparimit ekonomik e teknologjik.
Ky shekull i përket teknologjisë dixhitale, inteligjencës artificiale, studimit të thelluar të mikro dhe makro kozmosit. Vetë themelet e shkencave të natyrës janë tronditur nga zbulimet befasuese në fizikën kuantike ku gjërat marrin trajta dhe forma të papërcaktuara dhe fluide.
Nëse kjo ndodh në shkencat ekzakte, ç’mund të themi për formulimet rigoroze dhe algoritmet në shkencat shoqërore, ç’mund të themi në interpretimet skrupuloze dhe preçize në fushën e gjuhësisë së krahasuar dhe asaj historike.
Askush nuk e di e s’mund të argumentojë se si u krijuan fjalët e para, frazat e para dhe ç’gjuhë kanë përdorur njerëzit e parë. Dhe meqë provat e dëshmitë mungojnë plotësisht ne mund të japim vetëm hamendësime që përputhen me arsyen e shëndoshë.
Në tymnajën e dhjetë mijë vjeçarëve të shkuar familjet e para të homo sapiensit u përhapën në të gjithë rruzullin dhe u përshtatën me kushtet klimatike ku krijuan habitatin e tyre e në vartësi të kësaj ata krijuan dhe mënyrën e komunikimit si nevojë éminente për jetën kolektive. Ne nuk mund të themi se belbëzimet e para kanë qenë rrënjët e njërës gjuhë apo tjetrës. Unë mendoj se këto artikulimi kanë qenë të ndryshme në vende të ndryshme dhe me kalimin e mijëvjeçarëve kanë krijuar fjalët e proto-gjuhëve të ndryshme që përdornin njerëzit e antikitetit të hershëm.
Çdo përpjekje për t’i dhënë përparësi njërës gjuhë ndaj të tjerave është nacionalizëm patetik.
Thënë kjo, unë mendoj se teoria e Zhejit për gjuhën shqipe është një pseudo teori, pa fyer përpjekjen titanike të tij të lartësojë gjuhën tonë. Çdo studiues, anglez, irlandez, turk, arab, grek, etj ka të drejtë të krijojë algoritme të ngjashme për të provuar përparësinë e gjuhës së tij ndaj gjuhëve të tjera.