“Mallkimi i shkrimit dhe shkrimtari i mallkuar” i Rifat Ismailit
Prof. Dr. ARIAN LEKA
Eseja letrare dhe filozofike në krijimtarinë e Rifat Ismailit përfaqëson një nga aspektet më të arrira të prurjeve. Përmes këtij zhanri, ky autor, i vlerësuar në letërsinë shqiptare pas viteve 1990 si poet, prozator dhe përkthyes, ka arritur pjekuri të lartë mendimi dhe stili. Do të mjaftonin vetëm titujt e disa prej eseve të veprave të tij paraardhëse për të krijuar përshtypjen e gjerësisë së dialogut që Rifat Ismaili ka
ndërtuar me njerëz realë, personazhe, vende dhe kultura, për t’i sjellë tanimë së fundmi në librin më të ri me 21 ese të lidhura me njëra-tjetrën tematikisht e në teknikë shkrimi.
Për të shkruar këtë libër Rifat Ismaili nuk ka zgjedhur rrugën më të lehtë. Ai e vërteton “teoremën” duke u nisur nga e kundërta dhe më e vështira, si për t’iu shmangur klishesë se letërsia, shkrimi i librave dhe të qenit shkrimtar janë bekime.
Që në titull autori hulumton domethëniet e “mallkimit” të një “profesioni” si ai i shkrimtarit, duke ofruar veten dhe përvojën. Si njeri, Rifat Ismaili e kupton se nuk jeton në epokën e “les belles lettres” dhe e di se të qënit “i mallkuar” për shkak të letërsisë është një realitet, pasi letërsia kërcënohet nga mosleximi, nga komercializmi dhe nga imperializmi kulturor i gjuhëve të mëdha, që u lënë fare pak hapësirë gjuhëve dhe kulturave të vogla të rajonit ballkanik.
Por si çdo shkrimtar, edhe Rifat Ismailit i duhet të ndërtojë një utopi dhe, për ta realizuar atë, fton në dialog lexuesin imagjinar, autorët e tij të dashur dhe temat më të përshtatshme për atë vetë.
Përtej këtyre vlerësimeve, 21 esetë e përmbledhura në vëllimin e Rifat Ismailit ndahen në tre grupe. Në grupin e parë autori bashkon tematikën e letërsisë dhe të qenit shkrimtar me çështjet e shkrimtarit në ekzil, të bërit letërsi nga larg, mungesës së gjuhës amtare si mjet i thellë komunikimi dhe shpikja e realitetit nga imagjinata, kur realiteti i vendlindjes mungon.
Në grupimin e dytë, që ka gjithashtu qasje të drejtpërdrejtë me letërsinë, autori trajton tema më filozofike, të tilla si njeriu dhe dituria, njeriu dhe liria, njohuria dhe utopia që krijon ajo, labirintet e ndërgjegjes komplekse në globalizëm, vetëdija si labirint apo pamjaftueshmërinë e fjalëve si mjet, që e shtyn njeriun e kohëve të sotme të hyjë në “arkeologjinë e heshtjes” e të kultivojë vetminë, që nuk është gjithmonë pavarësi.
Në grupimin e tretë të eseve autori i qaset një zone më konkrete, duke e vënë veten përballë emrave emblematikë të letërsisë botërore,
të cilët përbëjnë shkollë të narrativës botërore.
Shembujt që Rifat Ismaili sjell në këtë grupim dëshmojnë jo njohjen e përciptë enciklopedike, por aftësinë e zgjedhjes së emrave të duhur për të ndërtuar një dialog. Një nga emrat emblematikë që autori i librit ka zgjedhur është Charles Bukowsky (autor të cilin Rifat Ismaili edhe e ka përkthyer që herët në shqip), natyrën humane dhe tiparet e teksteve të të cilit shërbejnë për të ndërtuar bashkëbisedimin.
Përveç zotërimit të njohurive, me të cilin zhanri i esesë kushtëzon çdo shkrimtar që merret me eseistikë, Rifat Ismaili ka aftësinë e zotërimit të sensit të masës në rrëfim. Qasjet e tij janë tema të mprehta,shqetësuese, brenda, por përtej interesit të ngushtë të letrarit dhe të letërsisë, të cilat i flasin haptazi lexuesit dhe nuk e trajtojnë atë si nxënës, duke i ofruar këndvështrimeve origjinale mbi dilemat nëse është fat apo fatkeqësi të jesh shkrimtar në kohët e komunikimit virtual.
Please follow and like us: