Albspirit

Media/News/Publishing

Botohet në frëngjisht “Fragments du journal d’un médecin” me autor Hasan Kurti

Botohet në gjuhën franceze nën logon e shtëpisë botuese Guiguess Edizioni në Kamerun libri: “Fragments du journal d’un médecin” (Fragmente nga ditari i një mjeku) me autor Hasan Kurti. Përkthyes është Gaya Esau.

Vitin e kaluar libri u botua në gjuhën angleze në Filipine si dhe në gjuhën shqipe në Prishtinë. Shënimet e plota të doktor Hasan Kurtit, copëza nga jeta familjare, kujtime të shokëve në bankat e shkollës apo të pacientëve gjatë punës së tij shumëvjeçare si mjek radiolog janë përfshirë në librin “I ricordi di un medico” botuar në Itali nën siglën e Shtëpisë Botuese Kimerik në 2020 dhe në shqip nga Ada, në 2021. Kjo vepër është shpallur si një nga 200 librat më të bukur në Itali në Konkursin Kombëtar Letrar “Tre colori” në Lenola (Latina), 2021.Është vlerësuar gjithashtu me çmimin e tretë në Konkursin Filippo Maria Tripolone “La lanterna bianca” në Itali si dhe me vendin e tretë në Konkursin Letrar Ndërkombëtar organizuar nga International Universum Academy në Lugano, 2022, Zvicër.

Parathënia e librit është shkruar nga e bija, poetja dhe shkrimtarja Irma Kurti.

Hasan Kurti ka lindur në qytetin e Elbasanit. Ai mbeti jetim që kur ishte fëmijë dhe në moshën 7-vjeçare, për shkak të varfërisë ekstreme, largohet nga shtëpia për të shërbyer në një familje. Fëmijëria e jetuar mes varfërisë dhe sëmundjes i zgjoi dëshirën për t’u bërë mjek dhe për të ndihmuar të dobëtit dhe fatkeqët. Ai vazhdoi studimet dhe realizoi ëndrrën e tij duke ia kushtuar gjithë jetën pacientëve.

Në vitin 2006 u transferua në Itali, ku jetoi deri kur mbylli sytë përgjithmonë më 19 prill 2018. Ishte lexues i pasionuar i letërsisë klasike. Ai la ditarë të ndryshëm me fakte, mbresa dhe përvoja të jetës së tij profesionale dhe private, si dhe shënime kritike dhe komente për libra të shumtë të lexuar ndër vite.

Librat me fragmente nga ditaret e tij janë botuar në gjuhën shqipe, italiane, angleze dhe franceze.

 

Please follow and like us: