Albspirit

Media/News/Publishing

Nderimi për dëshmorët dhe patriotët Alimerko në Targjas

 

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Alimerkojt e Tragjasit

Zanafilla e këtij shkrimi nis nga përkujtimorja që u organizua në 80 vjetorin e rënies së Heroit të Popullit Shyqyri Alimerko nga Tragjasi. Për heronjtë dhe dëshmorët, gjithmonë flasim shkurt dhe për aktin e tyre heroik, pa dhënë shpjegime për mjedisin në të cilin lindën, u rritën dhe shkruan faqe heroizmi, kur Atdheu i thirri në nevojë.

Në librin “Historiku i Tragjasit” të publikuar vite më parë, flitet dhe për fisin Alimerko, një fis i denjë dhe me tratita atdhetare dhe arsimore të dukshme. Nga fisi Alimerko kanë dalë patriot dhe luftëtarë të cilët kanë dëshmuar duke dhënë gjakun për lirinë e vendit.

Murat Merko Alimerko ka lindur në vitin 1865, e në jetën e tij ka qenë kryeplak, atdhetar, patriot. Ai ka mbaruar shkollën turke e cila ishte e hapur në Tragjas qysh dy shekuj më parë. Murati ishte luftëtar në çetën e Tragjasit në vitin 1912, në Luftën e Vlorë të vitit 1920 dhe në Revolucionin e Qershorit të vitit 1924. Ka kryer detyrën e kryeplakut të fshatit për shumë vite dhe ndërroi jetë në vitin 1931, duke e lënë djalin e vetëm në moshën 7 vjeçare.

Elmas Memo Alimerko ka lindur në Tragjas në vitin 1878. U shkollua në Razhdie dhe punoi emigrant 10 vjet në Kajro, Egjypt. Punoni në Berat në vitin 1904, në Vlorë në vitin 1916 në seksionin e tatimeve. Ishte pjesëmarrës në Luftën e Vlorës të vitit 1920 dhe në Revolucionin e Nolit të vitit 1924, në Kryengritjen e Fierit të vitit 1935, ku dënohet me 8 vjet burg. U përfshi në LANÇ në vitin 1941. Arrestohet në dyqanin e tij në Vlorë në vitin 1943. Digjet në janar 1944 në krematorium në Zemun të Beogradit, Jugosllavi. Është Dëshmor i Atdheut.

Sulo Selman Alimerko lindi në Tragjas në vitin 1900. U përfshi në LANÇ-in në vitin 1941, pjesëtar në çetën vullnetare territoriale të fshatit, partizan në çetën “Hodo Zeqiri” në qershor 1943. Mori pjesë në luftimet e çetës në Tragjas, Radhimë dhe në Drashovicë, ku dhe ra në fushën e luftës në shtator 1943. Është Dëshmor i Atdheut.

Yzeir Ismail Alimerko ka lindur në Tragjas në vitin 1908. Kreu shkollën fillore në Tragjas, plotoren e liceun klasik në Napoli, Itali. Në Firence, mbaron studimet për arkeologji dhe titullohet doktor i shkencave arkeologjike. Emërohet mësues dhe zëvendësdrejtor i Shkollës Tregtare në Vlorë në vitet 1934-1936, kryen detyrën e drejtorit të muzeut arkeologjik në Vlorë në vitin 1937 dhe drejtor i Liceut në Korçë në vitin 1939. Internohet në kampin e Porto Romanos në nëntor 1942-shtator 1943. Arrestohet dhe pushkatohet nga gjermanët në Bubullimë të Lushnjës më 10 gusht 1944. Ishte njohës i gjuhës italiane, frënge, latine, angleze dhe greqishte e vjetër. Doktor i parë i shkencave arkeologjike shqiptare, drejtor, nacionalist, dëshmor i Atdheut i shpallur pas vitit 1990.

Hysni Elmaz Alimerko ka lindur në Tragjas më 19 janar 1919. Kryen shkollën fillore në Tragjas, të mesmen në Vlorë, shkollën Harri Fullc në Tiranë dhe Normalen në Elbasan, si dhe për studime në Firence, Itali në vitin 1939. Mbaron universitetin për filozofi  në vitin 1943. Emërohet profesor në shkollën e mesme në Prishtinë në vitin 1943. Kthehet nga Kosova në fillim të vitit 1945 dhe emërohet profesor filozofie në shkollën ushtarake “Skënderbej”. Profesor filozofie në Berat në vitin 1946 dhe në Dibër në vitin 1947. Dënohet me preteksin se kishte krijuar një organizatë kundër pushtetit popullor në vitin 1947. Lirohet në vitin 1963 dhe punoi në qytetin e Vlorës deri sa ndërroi jetë.

Luftëtari i aksioneve

Shyqyri Murat Alimerko, ka lindur në Tragjas në vitin 1923. Pasi mbaroi shkollën në Tragjas, vijoi shkollën Tregtare në Vlorë, ku ra në kontak me lëvizjen dhe filloi luftë kundër fashizmit. U aktivizua me lëvizjen me të gjitha energjitë e një të riu, që kërkon të bëjë sa më shumë për Atdheun e robëruar. Ishte trim dhe i aksionit. Mori pjesë aktivisht në demonstratat antifashiste Ai sipas burimeve zyrtare të kohës, ka kryer disa aksione me njësitin guerril të Vlorës. Aksioni që e bëri të dëgjuar ishte më 21 gusht 1941, kur dogji depot e municionene italiane në Radhimë, si dhe në aksione të tjera në qarkun e Vlorës (1942-1943). Më 4 dhjetor 1942 ishte partizan në Çetën “Plakë”, partizan në çetën “Hodo Zeqiri” në qershor 1943 dhe në formacione të tjera luftarake, ku e ngarkonte Qarkori i Partisë së Vlorës. U pranua anëtar i PKSH më 17 janar 1943.

Njësiti luftarak i ngarkuar nga komanda partizane e zonës ju vu detyrë për eleminimin e fraksionit të Partisë në qarkun e Vlorës të drejtuar nga Sadik Premte. Njësiti disa herë u vu në lëvizje, por kontakti me fraksionistët ndodhi më 27 gusht 1943, midis Lepenicës dhe Gjormit. Aty në përpjekje të pabarbartë, ranë në fushën e luftës Sadiku Zotaj dhe Shyqyri Alimerko. Më datë 28 gusht 1943 Shyqyri Alimerko u varros në Tragjas me nderime partizane.

Nëna e tij, Aishe qëndroi e fortë si burrë dhe ju përkushtua luftës për çlirimin e vendit. Ajo jetoi dhe pas çlirimit të vendit e rrethuar me kujdesin dhe dashurinë e shokëve të djalit të saj, Shyqyriut. Ndërsa poeti popullor ka përcjellë deri tek ne vajtimin e Aishesë: …Shyqo gjarpri me pika,/ i vetmi i nënës,/ nuk më harrohet dita,/ për në çetë kur të nisa,/ të vesha dhe të stolisa,/ armë e bombë të ormisa…

Nderimi për heroin

Dëshmori Shyqyri Alimerko është dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me medaljet e “Kujtimit”, të “Çlirimit”, të “Trimërisë”, si dhe me titullin e lartë “Hero i Popullit” në vitin 1969. Është shpallur Dëshmor i Atdheut me nr. vendimi 97, datë 22.09.1972 të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit Vlorë.

Në Vlorë dhe në Tiranë rrugë mbajnë emrin e tij. Në Vlorë është dhe shkolla e naftës që mban emrin e tij. Varri i tij gjendet në vorrezat e Dëshmorëve në Vlorë.

Lapitari i ngritur në Lepenicë të Vlorës në vitin 1969, në përkujtim të rënies së tij, është prishur në vitin 1992. Ndrësa në Radhimë afër Orikumit është lapidari që përkujton aksionin e kryer në vitin 1941.

Për heroin është shkruar në librat “Yje të Pashuar” vëll. I në vitin 1972, “Heronj të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare”, në vitin 1986, në gazetat “Bashkimi”, “Zëri i Vlorës”, “Kushtrim Brezash”, “Labëria”, si dhe në revistën “Pavdekësia”, etj.

Please follow and like us: