Albspirit

Media/News/Publishing

Familja Rexhepaj, jetë në dy fshatra të Labërisë

 

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Rexhepejt nëpër luftëra

Profesor Bardhosh Gaçe, në këtë vere të nxehtë promovoi dhe dy libra me objekt “Rexhepajt, një vatër kombëtare në Lumin e Vlorës” dhe “Agronomi Kastriot R. Rexhepi nëpër shtigjet e jetës”, të botuar nga shtypshkronja “Maluka”.

Prof. Gaçe shkruan se në jetën historike dhe tradicionale të Lumit të Vlorës, familja Rexhepaj në Lepenicë dhe në Mavrovë u shqua në luftërat dhe përpjekjet e mëdha për lirinë dhe pavarësinë e atdheut, duke flijuar edhe dëshmorët e saj. Tradita e blegtorisë dhe e zejtarisë, si dhe shpirtit bujar i bën ata një emër të dëgjuar në trevën e Labërisë, duke përcjellë edhe në kohët tona gjurmët e mëdha kombëtare.

Lepenica një fshat plot tradita dhe kulturë shtrihet në rrëzë të malit Qyramënge, midis Bratit dhe Gjormit, ku dallohen shtëpi të gurta dy katëshe, me oborre e pemëtari të bollshme dhe kullotat blegtorale. Përfund këmbeve të saj rrjedh një lum i kaltër me emrin Shushicës, që pasi dredhon luginës së Lumit të Vlorës derdhet në Vjose e shkon në det. Nga ky reliev i ashpër e malor, ku rrëfimet me humor dhe bëmat legjendare, kanë nxjerrë kryekapedanë të shquar të Labërisë. Shpella e Shkruar e Lepenicës është një monument i rrallë i kulturës prehistorike me vlera të veçanta edhe në Ballkan. Lepenica është një libër enciklopedik i hapur që tregon dhe flet për histori dhe bëma të kohëve dhe tallazeve të ndryshme të kaluar mbi këtë popull trim, punëtor dhe të zot.

Familja Rexhepaj hodhi rrënjë në Lepenicë në breza të tërë, por Memo Rexhepi së bashku më vëllanë Myrte Rexhepi u shpërngulën nga vendlindja në pranverën e vitit 1936 dhe u vendosën në kullotat që blenë në fshatin Mavrovë.

Edhe sot Rexhepajt kurrë nuk i shkëputen lidhjet me vatrën e tyre stërgjyshërore në Lepenicë. Lepenica ka livadhe të bukura në Krivovë, ka pemë frutore si ftonj, dardhë, shegë e gorrica, ka stane dhe bagëti me buqe e këmborë që jehona e tyre dëgjohet në luginën e Mesaplikut dhe bashkohet me zërat melodioz të burrave të fshatit që këndonin me aq harmoni këngën e njohur të Labërisë “Tanë, Tanë e zeza Tanë”. Këtë këngë e këndonte dhe stërgjyshi Memo Rexhepi, për ta përcjellë në breza.

Lumi i Vlorës shfaqet përherë si një amfiteatër gjigand në gjirin e Labërisë, nga Drashovica në grykat e thella të Kuçit, atje në Zarel ku zë zanafillën lumi i Kuçit, për t’u bashkuar me lumin e Smokthinës në Brataj dhe lumi merr emrin Shushicë. Lumi dhe njerëzit në shekuj kanë përcjellë mjaft këngë historike, në vargjet e të cilave gjëmojnë si vetëtima sokëllimat e Gjergj Arianitit që theu taborrët osmanë në jug të Shqipërisë për t’u prerë hovin në pushtimin e tyre ndaj truallit arbëror.

Memo Aliu, njeri ndër të parët e fisit Rexhepaj kishte përcjellë tek Memo Rexhepi dhe Refat Rexhepi bëmat e kapedanëve të Labërisë si: Zenel Gjoleka, Cane Miftar Smokthina, Lulo Abaz Mehmeti, Zoto Mahmuti Smokthina, Selam Hasan Velga, Lilo Qendro, Dule Zoto Smokthina, Ramo Balia, Daut Mavrova, Shako Xhaka, Leskodukajt e Bolenes, e mjaft të tjerë, që së bashku me ta kishte luftuar në betejat e ashpra kundër hordhive turke. Stërgjyshit Memo Aliu dhe Memo Rexhepi ishin kalorës të Lirisë dhe Pavarësisë së Atdheut në qiellin e Labërisë. Shpirti i madh atdhetar i tyre, u mekua në breza tek familja Rexhepaj në Lepenicë, duke përcjellë gjer sot dashurinë për Labërinë dhe Atdheun, dashurinë e shenjtë që nuk do të venit kurrë.

Kapedani Rexhep Memua, i cili së bashku me luftëtarët e shquar popullorë nga Gjormi, Lepenica, Brati, Tërbaçi, Velça, Gumenica, Mavrova, Mesapliku e Kuçi, u derdhën në brigjet e Himarës, në vitin 1878, nën thirrjen e Mustafa Pashë Vlorës dhe Odhise Kasnecit, udhëheqes të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Jug të Shqipërisë. Betejat e përgjakshme të luftëtarëve popullore të Bregut të Detit dhe të Labërisë në shkurt 1878, dëshmojnë qartë se trojet shqiptare në Veri e Jug të vendit janë larë me gjakun e atdhetarisë të bijve të saj. Betejat e ashpra me ushtrinë greke në Lëkurës, tregohen edhe sot në vatrat familjare labe, të cilat janë romane historike dhe brenda tyre shpaloset historia shqiptare. Këto dallgë të ashpra u përplasën dhe në fisin Rexhepaj në fillim të shek. XX dhe në kohën e Pavarësisë Kombëtare, ku midis luftëtarëve labër ishte dhe Memo Rexhepi, si në Kuvendin e Drashovicës, korrik 1911, në përpjekje me ushtrinë xhonturke në Mallakastër e në Tepelenë në verën e vitit 1912.

Fjalët e babait të Kombit “për t’i dalë zot trojeve shqiptare në jug të vendit”, ishin të gdhëndura si me daltë në mendjen e luftëtarëve të familjes Rexhepaj. Burrat e Rexhepajve kujtonin luftëtarët e plagosur dhe të rënë dëshmorë në luftën për mbrojtjen e Janinës (1913), në Luftën epope të Vlorës 1920, si dhe në mbrojtjen e Qeverisë së Nolit, në dhjetor 1924, në Shkallën e Tujanit, në malësinë e Tiranës.

Familja Rexhepaj, u bë një vatër e rëndësishme e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare në Lumin e Vlorës. Ajo vuri në altarin e lirisë, Hano Rexhepin dhe Fejzo Rexhepin, të cilët janë “Dëshmorë të Atdheut”. Pas çlirimit të vendit një forcë e madhe shpërtheu tek shqiptarët, të cilët i ringritën përsëri fshatrat, shtëpitë e stanet e djegura nga lufta. Kështu Rexhepajt, në Lepenicë e në Mavrovë, iu përveshën punës, për rindërtimin e Shqipërisë dhe zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë.

Libri i përgatitur nga Prof. Bardhoshi përshkruar rrënjët e fisit Rexhepaj, duke filluar me Gjikajt e Lepenicës, një lis me shumë dega, oxhaku i Rexhepajve në Lepenicë e duke vazhduar me Memo Aliu një trim të Labërisë, Rexhep Memua që eci në gjurmët e të parëve të tij, Hano Rexhepi, që ishte një pushkë e varur në krahët e lirisë, Shamet Gjika, veterani i papërtuar etj. Libri vijon me kujtime të largëta që na sjellin kohën pranë, të shkruar prej Prof. Myrvete Xhaja (Rexhepi), të gruas fisnike dhe të rrallë të Labërisë, Miserdhe Rexhepi. Vende të veçantë zë dhe ditari i Namik Rexhepit, si dhe fjalët e Kastriot Rexhepit për Xhevahir Rexhepin, prefektin e Vlorës që iku shumë i ri nga jeta. Përshkrim të veçantë ju kushtohet dhe dëshmorëve të familjes Hano Rexhepi dhe Fejzo Rexhepi.

Hapësirë në libër marrin rrënjet e fisit Rexhepaj në Mavrovë, që për ta ishte dhe është një vatër e dashur e bujarë, ruajtës të traditave të familjes Rexhepaj në Mavrovë, duke u bërë blegtorë të zot e të ndershëm, ku midist tyre shquhen Refat Rexhepi dhe vatra e tij familjare, fati dramatik i Ramiz Rexhepit, Matan Myrte Rexhepi dhe Zigur Myrte Rexhepi me pasardhësit.

Libri vijon me një kapitull të veçantë, për gra të veshura me dritë ku shquhet, Kafazja, bija e Ramicës, nuse në Rexhepaj, Merjemja, një grua e rrallë e traditave labe, fjalë të urta për Miroshe Rexhepin (Muçaj), miqësia tradicionale e Rexhepajve e gdhendur nëpër kohëra në familje me emër në Lumin e Vlorës.

Vend të veçantë zënë dhe meditime, mbresa e kujtime të Namik Rexhepi, Bardhi Bega, Luan Muhameti, Xhevit Ormenaj dhe Flora Rexhepi (Ahmetaj) që flasin për Rexhepajt e Mavrovës, si një vatër me tradita e atdhetarie, një vatërv e ndezur bujarie dhe atdhetarie, miqësia, lidhjet e miqësisë dhe artizanet e fisit Rexhepaj, etj.

Kastriot R. Rexhepi nëpër shtigjet e jetës

Në hyrje të librit “Agronomi Kastriot R. Rexhepi nëpër shtigjet e jetës” Prof. Ago Nezha thekson se si çdo intelektual, edhe Kastrioti është shfaqur me rininë e trupit, të zemrës dhe të mendjes. Duke sakrifikuar shumë në moshën e rinisë, ai ju përkushtua bujqësisë për ta transformuar dhe intensifikuar atë, duke përdorë metoda e teknologji bashkëkohore. Kastrioti u shfaq një njeri i brumosur, me vullnet të fortë, me disiplinë të ndërgjegjshme dhe me sedër. Në çdo shteg që e përplasi cikloni i jetës, ai doli i shëndetshëm.

Libri i përgatitur për Kastriot Rexhepaj nga prof. Gaçe është një përshkrim dinjitoz i një jete të mbushur me plot sakrifica dhe përvijime. Në fillim nis me fëmijërinë, studimet në shkollën e mesme bujqesore “Rakip Kryeziu”, agronom i mesëm në vendlindje, nëpër udhët e jetës, mësues në shkollën e mesme bujqësore të Kotës, në shërbim të bujqësisë shqiptare dhe në udhët e emigrimit. Edhe në emigracion humanizmi mbetet i gjallë, ku për të flasin Flora Rexhepaj (Hametaj), Shuaip e Shemsie Krasniqi dhe Myrteza Koka për Rexhepajt, një familje me vlera të rralla njerëzore, gjurmë nga jeta në emigracion, në udhët e largëta të mërgimit, mik i rrallë në emigracion, sepse Kastrioti e mori Atdheun me vete. Libri vijon me artikuj, studime, poezi dhe këngë të shkruara në vite nga Kastriot Rexhepaj.

Kastriot Rexhepaj lindi më 10 tetor 1944, kur flakët e luftës ishin në përfundim dhe çdo gjë ishte shkatërruar nga nazistët. Prindërit Refat dhe Kafaze Rexhepaj u gëzuar në shpirt për lindjen e tij, duke uruar njeri-tjetrin “për hajër e me këmbë të mbarë”. Kastrioti u rrit në vitet e pas luftës, vendi ishte çliruar dhe familja Rexhepaj u përfshi në punën ndërtimtare.

Në vitin 1951 Kastrioti nisi mësimet në shkollën fillore “Mitat Dautaj” në Mavrovë. Ndërsa në shtator të vitit 1955 Kastriot Rexhepaj do të studionte në shkollën 7 vjeçare “Sadik Zotaj” në Ramicë, duke ndenjur tek gjyshi i tij nga nëna, Axhem Isa Sejdiaj. Ndërsa në shtator të vitit 1956 Kastrioti vijon mësimet në klasën e gjashtë të shkollës 7 vjeçare në Drashovicë, tek halla e tij, Hatikë Nelaj. Kastrioti dhe sot i kujton me mall mësuesit e nderuar Qani Abazi, Robert e Rudolf Deliana, Kasëm Roshi, Fatime Zemlaku, Ivoni Orolloga e Vasil Kuqi, që me metodat e tyre pedagogjike, bënë që nxënësit të dashuroheshin me shkollën dhe dijet shkencore.

Në vitin 1958 vijon studimet në shkollën e mesme bujqesore “Rakip Kryeziu” dhe i ndërpret në dimrin e vitit 1958-1959 dhe kthehet në fshat. Në vitin 1959 me një të drejtë studimi vijon mësimet në shkollën e mesme bujqësore “Ylli i Kuq” në Golem të Kavajës, një shkollë me tradita mësimore. Aty nisi dhe aksionin për mbjelljen e pemëve dhe pyllëzimin e brigjeve detare të Durrësit me pisha. Në shkollë u shpall disa herë “Lexuesi më i mirë” i vitit.

Në verën e vitit 1963 kthehet në Mavrovë me diplomën e agronomit të mesëm dhe emërohet në kooperativën bujqësore Mavrovë-Hysoverdh. Aty në Mavrovë ai u bë shkëndia e punimit dhe sistemimit të ullirit dhe të pemëve të tjera, plehërimin e tokës me plehun e bagëtive, rregullimin e sistemit të ujitjes, si dhe specializimin e bujqëve sipas proceseve të punës etj.

Në nëntor 1966 filloi kryerjen e shërbimit ushtarak dhe e përfundon në vitin 1968, ku në ushtri u nderua me medajlen e shërbimit ushtarak, si dhe ndoqi studimet e larta për Agronomi në Institutin Bujqësor të Kamzës. Ndërsa në janar 1969, në moshën 24 vjeçare merr detyrën e kryeagronomit të Kooperativës Bujqësore Mavrovë-Hysoverdh, pas përfundimit të Institutit Bujqësor.

Më tej kryen detyrat: mësues në shkollën e mesme bujqësore në Kotë, agronom në degën e Prodhimit të NB të Kotës, si dhe në ekonominë bujqësore Lapardha-Mazhar-Gumenicë, një ekonomi kodrinore e malore. Këtu e zunë proceset demokratike dhe në vitet 1990-1992 ai pa me sytë e tij si u prishën vreshtat, u prenë drufrutorët, ullinjtë nëpër kodra u dogjën, kanalet ujitëse u dëmtuan etj. Në vitin 1997 në jetën shqiptare u krijua një dramë e vërtetë. Kastrioti pa me sytë e tij në Kotë prishjen e kopshtit të fëmijëve dhe i kërkoi ndihmë të vëllait Idai emigrant të Itali, ku Kartiasi dhuroi lekë për ngritjen e kopshtit të fëmijëve në Kotë… Në vitin 1999 Kastrioti u vendos në Vlorë, ku çeli një dyqan për tregëtimin e farërave e pesticideve duke bashkëpunuar  më AFADA, IFDC, Shoqatën e Bujqësisë Organike dhe më tej emigroi familjarisht në Angli, ku jeton dhe sot.

Libri i përgatitur nga prof. Gaçe, është një rrugëtim i një agronomi që në jetë dijti të punojë me ndershmëri, të vërë në zbatim të rejat e shkencës bujqësore dhe kudo ku punoi e drejtori arriti rezultate të larta. Libri i bën një pasqyrim të plotë tërë punës vetmohues të bërë nga kooperativistët për të ngritur dhe lulëzuar jetën në fshatarat e Lumit të Vlorës. Në libër takohesh me njerëz të thjeshtë, me punëtorë që japin rendimente të larta, njihesh me profesorë të bujqësisë, me kuadro, etj. Nëpërmjet faqeve të librit njohim një personazh i cila ka grumbulluar rreth vetes mjaft të tjerë, si dhe përshkruhen traditat e zakonet familjare të trashëguara në breza nga familja Rexhepaj në Lepenicë dhe Mavrovë.

Please follow and like us: