Albspirit

Media/News/Publishing

Natasha Lako: Tremb dhe trondit

Migjeni nuk pati shumë kohë të qeshë. Të qajë, nuk pati fare kohë. Dhe kjo është arsyeja që vepra e tij vazhdon të shtrihet në pakohësi. Më së miri kjo tregon se vepra e tij ka lindur pa ekzistencën e hidhërimit dhe pa ekzistencën e gëzimit, si diçka planetare. Ndryshe, nuk ka përse të trembë dhe të tronditë me veprën e tij, mes për mes një konsolidimi të parë të shoqërisë shqiptare të viteve ’30, të ripërtërirë edhe njëherë nga e para pothuajse pas një shekulli. Dhe si gjithçka planetare, kjo vepër vetëm ka lëshuar dritën e saj krijuese, të parën në letërsinë shqipe si shenjë e re për shekullin e njëzetë. Shkodra e lindi si poet e prozator dhe Korça i botoi “Vargjet e lira”; të një ndërtimi të parë qytetar, kur ai ishte vetëm një 26 vjeçar. Nuk ka ndonjë të dhënë nëse e ka parë ndonjëherë direkt në sy, Fishtën, i cili, kur u botuan “Vargjet e lira” ishte 65 vjeçar, të dy kanë jetuar në të njëjtin qytet, në Shkodër.

“Tremb” dhe “trondit” nuk janë aq larg në kuptimësi, si në krijimtarinë e Gjergj Fishtës, edhe në atë të Migjenit. Fishta mund të ketë edhe meritën e përmbysjes së një sistemi, qoftë nëpërmjet mungesës së imponuar për gati një gjysmëshekulli nëpër tekstet shkollore.

Në krijimtarinë e Migjenit, pothuaj, nuk ka ëndrra, dhe kjo tremb. Le të kujtojmë këtu “Poemën e mjerimit”, që deri te një shpërbërje trupore të kujton rrathët e ferrit. Arti i Fishtës me veprën e tij madhore “Lahuta e Malësisë”, në rrugën e eposit verior, shkëputet nga forca tronditëse e jetës së përditshme për të krijuar një aventurë lirie, gati kalorsiake, si thyerje e zinxhirëve të një dite të robëruar.

Ai shekull, që për Migjenin e lindur 40 vjet pas Fishtës mbetet i ri, bëhet i zi për Fishtën në muzgun e moshës dhe të lavdisë së tij të prajshme. Të dy kthehen në një prag të vetëm artistik për shqiptarët që ndodhen para tragjedive të reja botërore.

Kritika letrare, për absurd, nuk i ka vendosur asnjëherë pranë e pranë këta dy autorë, të paktën për kohën kur kanë jetuar, dhe ende i vendos skajeve të kundërta ku duhet të përjashtojnë njëri-tjetrin. Të dy i takojnë një areali të përthyer shqiptar dhe njëkohësisht truallit po aq të rrëshqitshëm të të gjithë botës së viteve ‘30, si dhe dritëhijeve herë aventuriere, herë sfilitëse deri në asht të Malësisë shqiptare. Dhe që atëhere dhe deri sot, figura e Migjenit, ndoshta do të duket gjithnjë si një fantomë që rri në një fotografi të përbashkët të Koliqit, Fishtës, Asdrenit dhe Lasgush Poradecit, që në ditët tona duket sikur sa janë çliruar prej censurës së rreth 50 vjetëve. Migjeni ,me mushkëritë plot plagë, largohet nga jeta  në vitin 1938, pa mbushur mirë 28 vjetët. Fishtës, në kulmin e pjekurisë së moshës 69-vjeçare i jepet lamtumira e fundit në vitin 1940, pasi i dhuroi letërsisë shqipe një përthyerje të madhe dramatike, që nga eposi, që në zbërthimin poetik i drejtohet edhe konflikteve ballkanike, deri në sarkazëm të një realiteti plot zhgënjime. Jeta, si në një ortek, kurorëzohet në veprën e tij me gjuhën e kontrasteve befasuese dhe oshilacioneve të thella gjuhësore që nisen nga lartësitë e mëdha deri te e folmja e përditshme, e cila, që në kohën e Shekspirit, e zbret gjuhën në thjeshtësitë më banale, duke u lëvrirë prej botës sipërane në estetikën e së ultës, derisa në botën e Fishtës edhe bora shkrin “për të tretun qelbësinën”. Dhe kështu deri sot, krahas heroikes Fishta citohet drejtpërdrejt edhe për pakënaqësitë e veshura me një vel të përgjithshëm.

Po të perifrazojmë titullin e veprës së Eliade-s, “E shenjta dhe profania”, Migjeni e shenjtëron njeriun e pafuqishëm, njeriun e skamjes qoftë të shpërbërë, edhe kur është brenda tragjizmit të vet, njësoj si në skenat e ferrit. Por shkrimtari i realizmit të thertë nuk e dërgon atje për ta dënuar, por për ta ngritur sa më lart. Dhe në kontravers, njeriu, brenda këtij ferri, përsëri mbetet i shenjtë. Ky është humanizmi migjenian që jeton në një botë të nderë pa anë e fund në ankthin e vet ekzistencial.

Migjeni asnjëherë nuk i vë gishtin profanëve, si do të bënte Fishta. Fishta mbetet përfaqësues dhe zëdhënës, madje, plot përgjegjësi dhe ndjeshmëri të lartë i një fati më të përbashkët kombëtar, epik në ndërtimin e një atdheu dhe lirik në burimet e pafundme gjuhësore, me kundërvënie të vazhdueshme ndaj aksiomës të zgjuar për mexhiten.

Migjeni është i vetëdijshëm për këngën e tij skandaloze që shprish çdo kufi artistik, që për herë të parë të lindë poezia dhe proza e botës së qytetit, ku njeriu shpesh nuk ka si mbrojtje, si deri atëherë në letërsinë shqipe, as dritën e hënës, as fyellin e bariut, as jetën bukolike. Qyteti ka përballë njeriun dhe gjithçka.

Pasi qyteti ka edhe asgjënë, si në prozën “Mollë e ndalueme”. Dhe në qoftë se romantizmi, si vazhdues i iluminizmit të Rilindjes, krijoi atdheun si pjesë të lirisë njerëzore, Migjeni me realizmin e tij therës mbështetet te bota individuale njerëzore, mes një turme të plotë dhe tragjike. Pikëtakimi i tij më i madh me lexuesin bëhet si fat personal që e ndien gjithkush, duke pohuar ekzistencën e njeriut që jeton, vuan, sfidon, triumfon ose humbet, i kurorëzuar nga vetmia e tij sublime, gati universale, shpesh, si një triumf. Gjë që letërsia shqipe e ka të vështirë ta bëjë edhe sot, kur njeriu nuk shkëputet dot nga fatet kolektive.

Është kjo jetë qyteti, që për Fishtën sjell zvetënimin, por për Migjenin edhe tragjiken. Migjeni bëhet paralajmërues i ardhjes së fashizmit me dy skicat e tij poetike, “Urimi për Vit të Ri,1937” vetëm një vit para vdekjes dhe “Të korrat”, ku edhe për lexuesin e sotëm tanket nuk do të gjendeshin vetëm në të korrat e vitit 1936, kur u ndalua edhe vepra e tij.

Këto dy proza poetike Migjenin e vendosin shumë pranë Orwell, që në esenë e tij “Mbi nacionalizmin” trajton dhunën verbale që kishte filluar të mbulonte horizontet, si shenjë e tragjedisë që po përgatitej.

Dhe pa këta dy shkrimtarë, figuracionet e të cilëve shpesh komentohen sikur të jenë në një botë pa përmbajtje, letërsia shqipe që pas romantizmit, kalon edhe në sprovën e klasicizmit fishtian, nuk do të kishte pranuar gjithë proceset e veta të periudhave europiane të viteve ‘30.

Por vepra e tyre i ka bashkuar njëherë e përgjithmonë dhe i ka lidhur si dy anë të një medaljeje, qoftë në një poezi të vetme.

Dhe kjo ndodh kur Fishta krijon, si në vaje malësorësh në një mbrëmje kur shuhet natyra, këngën e vajit për një djalosh të ri të vrarë nga gjakmarrja dhe shkruan poezinë  “Një lule vjeshte”, ku me filigramë të shqipes si një rrymë përroi ngre një shatore.

Dhe Fishta jep jo vetëm bekimin e vet, kur edhe yjet vështrojnë si “sy Zotit”:

Oh! sá e sá herë, kur n’mbrame shuen natyra,

E tjetër s’ndihet, veç se rryma e prronit,

……….

Dal në dritsore me kundrue shatorren!

Qi i Lumi t’kthielltë ia vuni rruzullimit,

E kqyri hyjt, qi, thue, se njaq sŷ Zotit

Flakojn mbi dhé — kushdi, për me felgrue

Nierin, qi egrue mâ fort prej mnerës s’territ

Përbluen punë t’mbrapshta: — e atë botë mendoj për ty.

Gjuha e Fishtës e bën më brejtëse këtë poezi plot dhimbje për djaloshin e pafajshëm të vrarë prej tmerrës s’territ aq egërsisht, por edhe vrasësit të egrue, dhe, njëkohësisht, duke e lënë të paprekshme tablonë e kësaj shtatoreje i duket se i adresohet edhe të Lumit, madje, edhe lexuesit të vet.

Dhe Fishta ka forcë t’i vendosë të gjithë së bashku, si thotë vetë vargu vetvetiu. Pranë kësaj poezie dhimbjeje, si revoltë këlthitëse jo për ligjësitë e hakmarrjes, por për një vocërrak të shujtur prej urisë dhe mjerimit, Migjeni krijon një shtatore tjetër. Është përjetësia ulëritëse e dhimbjes që poeti ndërton te “Bukuria që vret”, ku ushton thirrja kumbuese e gjuhës migjeniane. “Mernie dhe conie në qytet kët shtatore. Vendosnie në ndonji shesh dhe si përmendore kushtonja dikujt, … ndoshta perëndisë klasike”. Dhe gjithë kjo dhimbje, gjithë kjo klithmë, i bën edhe Migjenin, edhe Fishtën akoma më vetmitarë. Sepse, ndryshe, nuk do t’i dallonim edhe më mot-mot, mes turmës së parë të jetës së qytetit./exlibris.al

Please follow and like us: