Prof. Dr. Rami Memushaj: Jo pakicë greke në Himarë, po himarjotë me shtetësi shqiptare e greke
-Historia e lashtë dhe e re e Himarës është e lidhur me historinë e Labërisë
-Siç dihet, kritere dalluese për një pakicë etnike janë territori, historia dhe tradita e saj kulturore.
-Nga pikëpamja e territorit, treva e Himarës është larg kufirit grek dhe në brendësi të tokave shqiptare.
-Në Himarë janë bërë kuvendet: më 1577 e 1593 u janë dërguar letra për ndihmë papëve të Romës dhe më 1759 Careshës së Rusisë.
– Prof. dr. Rami Memushaj
Përsëri Athina zyrtare, duke marrë shkas nga ndalimi i një shqiptari të vetëshpallur grek, ripërsëriti tezën e vjetër se Himara është greke. Ministri i Jashtëm Dendias dhe vetë kryeministri Micotaqis kërcënuan se, pa respektimin e të drejtave të minoritetit grek, Shqipëria do t’i ketë të mbyllura dyert e BE-së.
Po a ka popullsi greke në Himarë? Kësaj pyetjeje historianët dhe studiuesit shqiptarë i kanë dhënë përgjigje me një varg veprash, ndër të cilat po përmendim “Historia e Himarës (2002) të studiuesit himarjot Aleko Rrapo, “Himara dhe përkatësia etnike e himarjotëve” (2005) të akademikut Kristo Frashëri, “Ipet e Iperit – Himariotët)” (2004) të Foto Bixhilit etj. Edhe autori i këtij shkrimi i është përgjigjur kësaj pyetjeje në librin “Himara në dritën e të dhënave historike, gjuhësore dhe etnologjike” (2004), si dhe në artikuj të botuar në shtypin shkencor e të përditshëm.
Siç dihet, kritere dalluese për një pakicë etnike janë territori, historia dhe tradita e saj kulturore. Nga pikëpamja e territorit, treva e Himarës është larg kufirit grek dhe në brendësi të tokave shqiptare, dmth. nuk ka lidhje territoriale me Greqinë, gjë që përbën një kusht që një popullsi të quhet pakicë etnike. Nga pikëpamja historike, kjo trevë ka qenë pjesë e Kaonisë së lashtë dhe historia nuk njeh koloni greke në bregdetin shqiptar të Jonit. Himara ka qenë e banuar nga ilirë epirotë dhe pasardhësit e tyre arbër e më pas shqiptarë dhe jo nga kolonë grekë, sikundër mëtojnë grekomanët e Himarës.
Duke filluar nga fundi i shek. XV e deri në shek. XVIII, Himarë është quajtur krahina në jug të Vlorës dhe në perëndim të Vjosës e të Drinos, pra Labëria e sotme. Kronisti i mesjetës K. Sathas, duke shkruar për kryengritjen e Kostandin Muzakës të vitit 1481, flet për «malet e Himarës» dhe për «popujt e asaj malësie që janë më shumë se 50 fshatra”. Dhe kjo krahinë ka qenë e banuar nga shqiptarë. Kronisti tjetër Stefano Magno, kur flet për kryengritjen e Himarës të vitit 1484, i cilëson himarjotët si shqiptarë (Queli di Zimera, populli Albanesi). Po ky kronist thotë se në veprimet luftarake të venedikasve kundër turqve në grykën e Vjosës më 1501 “morën pjesë edhe shqiptarët himarjotë (albanesi zimarioti). Më qartë se ç’kuptohej me Himarë e tregon udhëtari frëng Denis Possot, i cili në shënimet e veta të vitit 1532 shkruan se provinca e Shqipërisë është e ndarë në tri pjesë: pjesa e parë nën zotërimin e venedikasve, e dyta është nën pushtimin e sulltanit dhe “e treta është në zotërimin e shqiptarëve”, që “mbahen në një vend e në një pjesë të Shqipërisë që tani quhet Himarë”.
Me islamizimin e fshatrave të hinterlandit (të prapamalit), që u përmbyll aty nga fundi i shek. të 18-të, shtrirja e emrit Himarë erdhi e u rrudh duke u përdorur vetëm për 7 fshatrat e Bregut të Sipërm, kurse e tërë krahina në jug të Vlorës dhe midis Jonit e Vjosës e Drinos u quajt Labëri.
Historia e lashtë dhe e re e Himarës është e lidhur me historinë e Labërisë. Në Himarë janë bërë kuvendet: Më 1577 e 1593 u janë dërguar letra për ndihmë papëve të Romës dhe më 1759 Careshës së Rusisë, në të cilat ata u drejtohen në emër të klerikëve e laikëve të 50 fshatrave “prej Himare, dmth. prej Epirit të shqiptarëve”.
Nga pikëpamja administrative, në regjistrin osman të vitit 1431 këto 7 fshatra dalin si pjesë e nahijes së Himarës, që lidhej me vilajetin e Gjirokastrës. Në riorganizimet e mëvonshme, Himara del herë si pjesë e kazasë së Kurveleshit e herë si kaza e sanxhakut të Delvinës. Nga pikëpamja fetare, qyteza e Himarës ka qenë qendër peshkopate, e varur në fillim nga mitropolia e Nikopojës (Prevezës), prej vitit 1019 e deri më 1767 nga kryepeshkopata e Ohrit dhe nga ajo kohë e këtej e varur nga mitropolia e Gjirokastrës. Pra, asnjëherë peshkopata e Himarës nuk ka qenë e lidhur me kishën greke, pavarësisht se peshkopët dhe priftërinjtë grekë të Korfuzit dhe të Janinës janë përzier në punët e kishës shqiptare të Himarës.
Edhe etnografikisht fshatrat e Himarës i përkasin njësisë së madhe etnografike të Labërisë. Himarjotët i bashkojnë me Labërinë fustanella dhe veshjet e tjera tradicionale, kënga polifonike dhe vajtimi shqip i të vdekurve, ritet e njëjta të lindjes, të martesës dhe të vdekjes, doket dhe gjuha shqipe.
Ajo që i ndan tri fshatrat e Himarës (qytetin e Himarës, Dhërmiu dhe Palasa) nga pjesa tjetër e Himarës dhe nga gjithë Labëria, është se janë dygjuhëse, greqisht- e shqipfolëse. Si argument në mbrojtje të tezës se himarjotët janë grekë, sillet pikërisht fakti që këto tri fshatra flasin greqisht. Sipas përkrahësve të kësaj teze, edhe Iliazi, Vunoi, Qeparoi e Kudhësi kanë qenë greqishtfolëse, por e kanë humbur greqishten nga trysnia e gjuhës shqipe!
Mirëpo dëshmitë historike tregojnë të kundërtën. Në një libër italisht të botuar në Ferrara më 1598, thuhet se «himarjotët flasin shqip”. Vetë himarjotët në letrën dërguar careshës së Rusisë, thonë se “flasim shqip, atë gjuhë që flitet në Shqipërinë e afërme dhe në Bosnjë, po në vende të ndryshme të gjithë të mësuarit flasin greqisht e familjet më të shquara përdorin edhe italishten”. Milingeri, doktori i Bajronit, shkruan se 200 himarjotët që shkuan në ndihmë të revolucionit grek, “nuk dinin asnjë fjalë greqisht”.
Megjithatë, nuk mund të mohohet fakti se tri fshatrat e mësipërme kanë qenë dygjuhëse. Për këtë ka gjithashtu dëshmi historike. Kështu, në një memorial të vitit 1500 që ruhet në bibliotekën e Firences, të botuar nga historiani rumun Nikolae Jorga, për himarjotët thuhet se “banorët e këtij vendi janë ilirë që tani quhen shqiptarë, megjithëse përdorin edhe gjuhën greke, por në mënyrë shumë të huaj”. Misionari Filoteo Zasi, që shërbeu në Himarë, në një relacion të bërë rreth vitit 1700 shkruan se «gjuhët e domosdoshme për këta popuj janë greqishtja dhe shqipja. Martin Liku, konsulli britanik pranë Ali Pashës thotë se “gratë himarjote flisnin vetëm shqip, ndërsa burrat përveç shqipes dinin ose italisht, ose greqisht”. Gjysh Sheldija, 100 vjet më parë, duke karakterizuar gjendjen gjuhësore të kësaj krahine, shkruan se: “edhe këta të fundit (fshatrat shqipfolëse – R. M.) e dijnë greqishten, sikurse edhe ata të parët (fshatrat greqishtfolëse) shqypen”.
Pra, në fshatrat e Himarës nuk ka pasur kurrë njëgjuhësi në greqishte. Aty elementi vetëm shqipfolës dhe elementi shqip e greqishtfolës banon në dy enklava – njëra enklava dygjuhëse e Himarës dhe tjetra e Dhërmi–Palasës, të ndara prej bashkësisë shqipfolëse të Vuno–Iljazit dhe të rrethuara nga të gjitha anët prej shqipfolësish njëgjuhës. Duke u nisur nga kjo gjendje e gjërave, nuk mund të pranohet kurrsesi që Himara si krahinë përbën një pakicë gjuhësore.
Për të provuar gjuhësisht që, edhe pse flasin greqisht, këto tri fshatra janë shqiptare, jemi ndalur vetëm te patronimet (llagapet e njerëzve). Nga studimi që u kemi bërë këtyre të fundit, na ka dalë se numri i emrave të huaj të familjeve të Himarës nuk është i madh. Më 1583, vetëm shtatë emra familjesh janë fjalë greke dhe pesë turke; më 1791, vetëm pesë nga 59; dhe, më 2003, rreth 40 llagape greke, dy hebreje, dy prej gjuhëve romane dhe tetë turke, pra diçka më pak se 7 për qind e llagapeve të sotme të krahinës. Dhe pesha specifike e elementit të huaj në patroniminë e kësaj treve ka mbetur pothuajse e pandryshuar dhe e papërfillshme në shekuj.
Patronime greke që hasen në trevën e Himarës janë: Aleksi, Anagnosti, Andoni, Andrea, Apostoli, Athanasi, Dhimaqi, Dhimitraqi, Dhimolea, Foto, Ilia, Harito, Janaqi, Janila, Jorjani, Jorgo, Jorgonllu, Jovani, Karali, Konomi, Kristofori, Llambro, Llanduri, Llazari, Manoli, Marko, Martini, Mihali, Mihallo, Nikolla, Odhisea, Panajoti, Panajoti, Pavllo, Proto, Polimeri, Paskali, Pavli, Stavro, Stefani, Stimaqi, Stolaj, Triandafillu, Trolaj Thanasi, Theodhori/Todori, Vasili e ndonjë tjetër.
Këto llagape me prejardhje greke nuk janë të bartësve grekë, po emra të botës së krishterë greko-bizantine, dmth. të tilla që kanë hyrë nga ndikimi i kishës ortodokse, e cila liturgjitë dhe shërbesat fetare i kryente në gjuhën greke. Shumë nga këto llagape hasen edhe në treva të brendshme të vendit, ku nuk mund të bëhet kurrsesi fjalë për prani të popullsisë greke. Kjo do të thotë se prania e llagapeve të tilla në Himarë nuk mund të merret si argument që bartësit e tyre nuk janë shqiptarë, po grekë.
Në librin “Himara në dritën e të dhënave historike, gjuhësore dhe etnologjike”, duke u marrë me shpjegimin e patronimeve, jemi shprehur se “në Himarë, me prejardhje greke janë Trolajt; Stolajt, të ardhur nga Dropulli; Konomajt (jo Konomët), të ardhur nga Sopiku; dhe Zisajt, të ardhur nga Pogoni”. Por, nga hetimet e mëvonshme, na ka dalë se Zisajt e Konomajt janë familje shqiptare nga Sopoti, Stolajt të ardhur nga Rrëzoma dhe Trolajt të ardhur nga Vithkuqi.
Për ta përmbyllur, të flasësh për pakicë greke në Himarë duke u nisur nga ajo që dhjetëra himarjotë, që banojnë aty kanë edhe pasaporta greke, është një e pavërtetë e madhe. Shqiptarë me pasaporta greke mund të ketë në gjithë Shqipërinë, por ata nuk formojnë dot një minoritet etnik grek, ashtu sikundër nuk formojnë një minoritet etnik as disa qindra mijë emigrantë shqiptarë në Greqi. Mendojmë se është detyra e politikës shqiptare të mos bëjë kompromise dhe lëshime me termat, por t’u tregojë me fakte homologëve grekë se Himara nuk është minoritet dhe se këmbëngulja e këtyre për të kundërtën dhe trysnitë politike ndaj vendit tonë për këtë temë përbëjnë një shkelje të integritetit territorial të Republikës së Shqipërisë dhe një vijim të politikave aneksioniste greke të së shkuarës.