Albspirit

Media/News/Publishing

Shoqatat e medieve, të pakënaqura me marrëveshjen për reforma

Marrëveshja mes partive politike, e cila veç tjerash parasheh edhe ndryshime ligjore në sferën e medieve, ka nxitur reagimin e shoqatave që tubojnë gazëtarët, të cilat nuk pajtohen me mënyrat, nëpërmjet së cilave partitë synojnë të bëjnë reformat në media, të kërkuara tashmë një kohë të gjatë.

Ndryshimet e propozuara, e që duhet të miratohen brenda një periudhe gjashtëmujore, që nga përfundimi i zgjedhjeve, e disa edhe brenda dy javëve të ardhshme, parashohin formimin e një komisioni ad-hoc për monitorimin e medieve, zgjedhjen e anëtarëve të Agjencisë së medieve në Kuvend, pastaj zgjedhjen e kryeredaktorit të transmetuesit publik me propozim të opozitës, reklamat qeveritare në mediet private në bazë të shikueshmërisë së tyre, uljen e gjobave deri në 50 për qind, si dhe çështje tjera që kanë të bëjnë me punën e tyre.

Por, propozimet e tilla, sipas Këshillit të Etikës nuk e zgjidhin problemin, meqë, sipas kësaj shoqate, politika edhe më tej do të vazhdojë të ketë ndikim në punën e medies.

Me këto zgjidhje të propozuara, nuk zgjidhen problemet në sferën e medies. Transmetuesi publik dhe Agjencia e medieve edhe më tej do të jenë të partizuara, meqë drejtuesit e tyre sërish do të propozohen nga partitë dhe do të zgjidhen në Kuvend. Ndërsa, sa i përket medieve private, ato edhe më tej do të jenë të ndikuara nga partitë në pushtet, para së gjithash me lidhjen e krijuar mes tyre përmes reklamave qeveritare”.

“Vërejtja më kryesore ka të bëjë me afatet për zbatimin e reformave, të cilat me marrëveshjen e arritur duhet të bëhen gjashtë muaj pas zgjedhjeve. Kjo është absurde kur dihet se problemi kryesor ka të bëjë pikërisht tani me periudhën parazgjedhjeve. Edhe komisioni për përcjelljen e punës së medieve është gjithashtu një propozim që nuk do të ketë asnjë efekt, pasi asgjë nuk është definuar, ndërsa puna e tij më shumë duket si vullnetare”, thotë Mirçe Adamçevski nga Këshilli i Etikës.

Edhe Shoqata e Gazetarëve vlerëson se zgjidhjet e ofruara nuk janë ato për të cilat janë angazhuar shoqatat e medias, për zgjidhje që do të ishin në funksion të rritjes së pavarësisë dhe heqjes së ndikimit të partive në punën e tyre.

“Marrëveshja e partive për mediet, është farsë e pastër politike, e cila nuk siguron reforma të vërteta në media. Kjo marrëveshje nuk ofron zgjidhje të qëndrueshme dhe nuk do t’i çlirojnë mediet nga kontrolli i partive. Përkundrazi, marrëveshja do ta thellojë partizimin e sistemit mediatik”, thotë kryetari i SHGM-së, Naser Selmani.

Edhe SHGM-ja, formimin e një komisioni për mbikëqyrjen e punës së medieve e vlerëson të panevojshëm, ndërsa kërkon që me Agjencinë e medieve të udhëheqin profesionistë të sferës së medies dhe jo persona të deleguar nga partitë politike.

“Formimi i trupit ad-hoc partiak në kuadër të Agjencisë së medieve, i cili duhet të monitorojë raportimin e medieve njëqind ditë para zgjedhjeve, është tërësisht i papranueshëm. Zgjidhje e vetme e qëndrueshme është zgjedhja e Këshillit të ri të Agjencisë, ku do të nominohen persona të pavarur dhe profesionalë”, vlerëson Selmani.

Ai paralajmëron bojkot të takimeve partiake për formimin e këtij trupi, sepse, siç thotë si, SHGM-ja nuk dëshiron të legjitimojë zgjidhje të paqëndrueshme dhe partiake, që nuk janë në interes të gazetarëve.

Nevoja për reforma në media ka ardhur para së gjithash nga ajo që njihet si aferë e përgjimeve, e cila ka nxjerrë në sipërfaqe ndikimet e shumta të politikës në punën e medieve.

Nga bisedat telefonike të zyrtarëve të lartë të publikuara nga opozita, ishin paraqitur dëshmi se si politika ka ndërhyrë në pavarësinë e medieve, duke u sugjeruar drejtuesve të tyre, se si të raportojnë për çështje që janë në interes të partive.

Please follow and like us: