Ndue Ukaj: MANUAL DRITE
Ishte ditë e premte. Ditë e zymtë. E tillë mund të ketë qenë e premtja kur vdiq Krishti. Fushat e mbuluara nga mjegulla e dendur, pas kaq shumë ditësh dukeshin si kënetishte të frikshme, ndërkohë që kreshtat e maleve të larta, ato bukuri të rralla, që e hijeshonin vendin në secilën stinë, kishte ditë që nuk shiheshin fare prej mjegullës. Atë ditë, për dallim nga ditët e mëparshme, nuk binte shi.
Ishte e premte e parafundit e tetorit. Dita nuk ishte as e qartë dhe as e ngrohtë, ndërkohë që natyra e mbështjellë me mjegull e bënte jetën të rënduar.
Gjërat s’do të mund të ishin aq të paqarta dhe s’do të kishte aq shumë huti, sikur ato ditë të kishte dritë të mjaftueshme.
Në qytet gumëzhinin lajme të gjithfarshme, prej atyre rozë, që tregonin histori tradhtish, deri te ato të nxehtat politike, që flisnin për ngritje dhe rënie të gjithfarshme. Babai im i ndrojtur thoshte se lajme ka shumë, por paqartësia është më e madhe se para njëzet vjetëve, kur rrufetë e luftës kishin ndriçuar qiellin tonë dhe zogjtë e pranverës, në kufijtë e paqes dhe të robërisë, ishin ndalur dhe kishin krijuar folenë e tyre, duke pritë ditë të qeta.
Para njëzet vjetëve, kur ishte luftë, kishte mungesë lajmesh, por dukshmëria ishte e madhe, meqë të gjithë shihnin xixëllonjat e tyre në qiellin e errët. Ndërkaq, në këto ditë mjegulle, mund ta fusnin gishtin në sy dhe ti të mos kuptoje asgjë çfarë ndodhte.
Në shtëpinë tonë bëhej hata e madhe. Babai im i trazuar në shpirt, bisedonte me xhaxhain e madh për trofeun e lavdisë që shtëpia jonë s’e kishte marrë.
Gruaja e xhaxhait tim, një llafazane që dukej si shtrigë e përndezur, bërtiste:
Ju jeni disa askusha, që s’ju vjen turp për asgjë, të vetmit ne kemi mbetur të shkretë, pa asnjë dekoratë, pa asnjë rrugë, pa asnjë përmendore, pa asnjë monografi. Dhe mërdhezej duke ngritur zërin deri në kupë të qiellit:
E sheh, edhe ata gjysmë shqiptarët matanë rrugës tonë e morën dje një dekoratë prej presidentit, e pashë vetë në lajme.
Unë i urreja këto piskama.
Një ditë më thirrën që të rrija aty dhe të dëgjoja shamatat e tyre, si i vetmi që dija të shkruaja mendime në letër.
Kur ishte luftë, matanë tytave të policisë që na drejtonin drejt e në ballë, shihja gjithmonë një livadh të madh, me të dashurën time dorë për dore, duke lexuar poezi, me lule dhe shtëpi të bukura, me veranda të zbukuruara, njerëz të përqafuar dhe rrugë me emra plot dritë.
Por gjërat morën kahe tjetër.
Tani ka mjegull shumë.
Pas njëzetë vjetësh, në një stinë me ajër të kontaminuar, jo nga lufta, por nga marrëzitë njerëzore, shoh një det ta pafund dhimbjesh, një livadh të shkretë, me shtëpi që mbyllen përditë dhe një grusht njerëzish që nëpër televizionet gulçojnë për ditë.
Lavdi atij.
Dekorata këtij.
Përmendore atij.
Qytetit përditë i shtohen rrugë të reja, por drejtimet janë më të paqarta se kurrë. Ndaj, është bërë e zakonshme të nisemi për diku dhe të mbërrijmë diku tjetër.
Është mbrëmje.
Sapo u ndal shiu dhe bën ftohtë.
Mjegulla ka rënë furishëm mbi qytet dhe dritat e pakta duken si re të shkalafitura në qiellin e pafund të frikës e të mjegullës.
Prishtina kur ka mjegull është më e ftohtë se akullnajat.
Qyteti tkurret në orbitën e mjegullës, aq sa njerëzve u bëhet sikur të jenë duke ecur nëpër dendësinë e reve, prej ku mund të fundosen çdo moment.
Ka mjegull, aq sa njeriun mund ta shtangë paqartësia.
Unë në mëngjes u nisa përmes të ftohtit dhe territ, duke besuar se e njihja mirë qytetin dhe caku im ishte i qartë, por në kryqëzimin e madh humba rrugën dhe pastaj u rropata orë të tëra për t’u kthyer ku u nisa. Kur u ktheva në shtëpi i dëshpëruar, s’i tregova askujt se kisha humbur takimin e shumëpritur.
Atë ditë duhej të dorëzoja në Komisionin për Emërtimin e Shesheve dhe Rrugëve, propozimin që xhaxhait tim t’ia bënin një shtatore dhe një rrugë të vogël, sepse, kishim mbetur pothuajse familja e vetme pa një trofe lavdie në dorë.
Liri dhe trofe.
Disa ditë, i mërzitur s’guxova t’iu tregoja në shtëpi se ç’gabim kisha bërë, më së paku guxoja t’u thosha se e kisha ngatërruar rrugën, ndonëse në qytetin tim të gjithë i kishin ngatërruar rrugët dhe kërkonin rrugët e humbura ose kohën e humbur.
Në pranverë, mjegulla u hoq, por shpalljet s’u bënë. Prindërit e mi, hallat dhe pesë xhaxhallarët, përditë, pa frymë dëgjonin lajme dhe pritnin kumtin.
Por në një ditë të bukur pranvere, u dha lajmi:
Komisioni për Emërtimin e Rrugëve dhe Shesheve rishpall thirrjen e re. Shpjegimet tjera s’u dhanë.
Askush s’tha asnjë fjalë. Në fytyrat e disave u duk sikur të kishte ra mortja. Unë mezi përmbahesha nga gëzimi, ndonëse duhej të luftoja që ta fshihja, përkundër atyre të tjerëve, të cilët u plandosën në dëshpërim.
Si t’i kalojmë këta muaj – flisnin me njëri-tjetrin dhe mundoheshin të gjenin qetësi në gjëra të çmendura.
Hidhërim, heshtje dhe paqartësi.
Të nesërmen, dita qe e bukur.
Unë u zgjova dhe prej dritares pashë prindërit e mi që pas shumë kohësh punonin kopshtin tonë. U gëzova pamasë. Këtë gjë s’e kisha parë qëmoti.
Do Zoti e të jenë shëruar nga sëmundja e lavdisë, thashë me vete dhe një fllad shpirti ma përshkoi trupin.
Babai më dukej se fluturonte nëpër kopsht, nëna kujdesej për qepët që i mbillte për herë të parë pas luftës së fundit, kurse të tjerët këqyrnin të gjenin një rrugë.
Unë u mbylla në dhomën time, në atë kopsht magjik dhe fillova të lexoja në qetësi.
——————
(Nga libri me tregime, Mbretëria e ëndrrave, Onufri, 2021. Ndue Ukaj është poet, prozator, kritik letrar dhe publicist. Ukaj është autor i librave “Diskursi biblik në letërsinë shqipe”, studim, AIKD, 2004; “Ujëvarat e metaforave”, poezi, M&B, 2008; “Godo nuk vjen” poezi, Lulu Press, 2010; “Arka e shpëtimit” poezi, Drita, 2012; “Gjithmonë diçka mungon”, poezi, OM, 2017; “Krijimi i dashurisë”, përmbledhje e përzgjedhur poetike, botuar nga Festivali Ndërkombëtar i Poezisë “Ditët e Naimit, 2017; “Ismail Kadare: Kryqëzime letrare dhe kulturore”, ese, Onufri, 2019; “Mbretëria e ëndrrave”, tregime, Onufri, 2021. Libri me poezi “Godo nuk vjen” u laureua me Çmimin Kombëtar ”Azem Shkreli” për librin më te mirë me poezi të botuar në vitin 2010, kurse në Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë, “Ditët e Naimit”, u laureua me çmimin për poezinë më të mirë).