Joni Shanaj: KOHA E KAÇAKËVE APO LESHRAT E KAJO BABIENIT
Këto ditë Natasha Lako, sapo ka botuar një libër me një përmbledhje esesh ku gjendet edhe një e tillë me personazh Sevasti Qiriazin, ku shkruan për ngacmimin e saj si autore për ngjizjen e skenarit të filmit ‘Mësonjëtorja’.
Mora vesh këtu se nxitja e saj e parë si krijuese ka ardhur nga përfytyrimi i saj kurioz vajzëror për imazhin e Kajo Babianit, heroi i vetëm komit i vërtetë në film, që ruan emrin e tij real.
Ka diçka të mistershme në krijimin dhe ngjizjen e një vepre artistike. Gjithçka fshihet që në gjenezë.
Kur starti buron vërtet së brendshmi nga një intuitë apo ngacmim emocional i brendshëm, nga një rrjedhë intuitive që kërkon të dalë mbi sipërfaqe përtej njeriut, gjithçka më tej, pavarësisht vlerës tërësore të realizimit, nuk e humbet tisin e një shenjtërie të mistertë që i reziston çdo kohe dhe hapësire dhe komunikon gjithnjë.
Çdogjë tjetër, e krijuar me qëllime utilitare, për përfitime materiale, bujë inferiore egoje e spaleta stimujsh moralë, apo gjithçkaje sipërfaqësore që bëhet pluhur dhe dhé në këtë botë, ka gjithmonë një fat tjetër, ashtu si fatkeqësisht shumica e veprave filmike të këtij tranzicioni të nisura me kalkulim dhe llogari për gjithçka tjetër përveç kontaktit me shpirtin e vërtetë të krijuesit, thënë ndryshe, të kryera pa zemër dhe të gatuara nga shumë kuzhinierë, fatkeqësisht intelektualisht të dorës së dytë e të tretë.
Tiitulli i punës i skenarit të ‘Mësonjetores’ marr vesh se ka qenë ‘Një ditë sa 100 vjet’. Emrin ‘Mësonjëtorja’ filmi e ka marrë pak përpara përfundimit. Në episodin që po zgjedh, thuhet kjo fjali nga ‘Dafina’ mbi kalë, kur ajo përmend thinjat e saj: ‘Më duket ndonjëherë’, thotë Dafina, ‘se një ditë e jona është sa 100 vjet’.
Natasha, nëna ime, është thinjur pothuaj plotësisht brenda një jave të vetme diku në mesin e viteve 70-të, ndoshta pak përpara, ose pak pas ardhjes sime në jetë, apo lindjes së këtij skenari.
Vetvetiu mendoj këtu për thinjat në kokën time dhe përtej kokës sime të pothuajse çdo artisti dhe krijuesi shqiptar që njoh, më kanë parë sytë tek e i shoh përditë ose shumë rrallë dhe paturpësisht ia përmend sa herë i shoh, ndoshta edhe pse nuk di çfarë tjetër të them, të shtruara tërësisht gjithnjë e më zbardhur, në lumin e fytyrave të panjohura.
Dhe më lidh kjo fjali e Roza Anagnostit mbi kalë, me vajzën e vogël përpara, si filigran i argjendtë që ndërlidh jetët tona në histori dhe në të sotme, të shokëve e shoqeve, tashmë të gjithë të thinjur në skaj, të njohurit dhe njerëzit, që na ka lidhur fati i gërshetuar të besojmë se kemi ende diçka për t’i dhënë e për t’i falur botës.
Me siguri edhe për shumë të tjerë përveç meje, figura më e dashur, apo që na ka mbetur në mendje nga ‘Mësonjëtorja’ është ajo e Kajos. Ndoshta për shumë prej nesh të rritur në vogëli me ëndrra romantike lirie epike filmash me kalorës me shpata, apo kauboj, figura e kalorësit shqipo-jugor dhënë në ekran nga Ardian Cerga, sikur na e solli kaçakun e mitizuar në shtëpi duke na e bërë shok tonin. Ndoshta si në çdo kinematografi botërore edhe në tonën, sidomos në kohën më të ndrydhur të lirisë, aura e rebelit ishte më depërtuesja dhe më e dashura. Kalorësit në furtunë të dëgjuar nga Doors-at në adoleshencë, Templarët dhe të gjithë Kalorësit e Dritës së të tjerëve, aq shumë të veneruar në art, letërsi, poema dhe këngë vijnë këtu të ulur në tokë në thjeshtësi njerëzore në rolin e Ardian Cergës.
Sot, mjafton të shohësh në botë dread lock’set e punkeve apo të njerëzve alternativë që jetojnë edhe si nomadë të botës së hapur në perëndim për të dalluar ndoshta diçka të mbetur në flokët si litarë të këputur për dekorim, nga ëndrra për liri e kalorësve të dikurshëm që ndërtuan kullat dhe kalatë e veta prej nga më vonë u shpërnda e gjithë dija. Grimca të parzmoreve epike janë hedhur ndoshta edhe në dritën e ekranit shqiptar nga të gjithë ata burra krijues që dhanë diçka prej shpirtit të tyre për t’u përshfaqur më tej psh po nga Cerga tek personazhi i tij jo shumë konformist tek ‘Në çdo stinë’ apo me përfaqësues tërësisht i Timo Fllokos në imazhin e Çerçizit tek ‘Liri a Vdekje’ bashkë me portretet e dashura të çetës së tij ku spikat portreti i ri dhe me dritë i Kastriot Çaushit, duke shtyrë më tej, dhe një grusht personazhesh të mishërimit të rebelit urban të Tiranës të viteve 80-të, të Ndriçim Xhepës.
Në këtë pasazh nga ‘Mësonjëtorja’ është qëndisur me finesë, ndoshta më mirë se kudo tjetër, ana më e bukur dhe lirike e relatës fisnike të kaçakut komit (apo në këndvështrim tjetër për të dhënë të gjithë nuancat edhe të banditit) dhe vajzës, gruas shqiptare.
Mendoj këtu kur shoh portretin e “Kajos”, portretet e imagjinuara, të padëshmuara në asnjë art, të pa dokumentuara në asnjë fotografi, të djemve shqiptarë të këtyre 30 viteve, tek çajnë detin mbi një shtesë të hollë gome të shtyrë nga motorë me zhurmë, në errësirën e papërshkueshme të natës, vetëm yje apo re dhe qiell sipër, të ndjekur, të kërkuar, të goditur, të gjuajtur dhe përndjekur, siç dënon dhe kërcënon vetëm njeriu njeriun e padëshiruar, hedhur në thellësinë e territ drejt zbarkimit të një toke e bregu nga Zoti i njëjtë si ai nga është nisur, me besimin e vetëm që e mban në kurs, besimi tek forca e brendshme e djalit.
Më vjen përpara gjithë ajo mori djemsh që kaplojnë malet ditë e net, në përpjekje për një jetë më të mirë të së afërmve të tyre, rrjedhimisht të gjithë shoqërisë.
Dhe ka një lidhje të thellë mes sakrificës së djalit të një vendi të rrëzuar, të gjendur në mes të katër anëve të botës, vetmuar apo në grup, mes sakrificash shoqërore ashtu si dhe besëprerjesh e tradhëtish, shpesh herë në ndjekje të fatit dhe dhuratës që ai do t’i sillte një ditë vajzës shqiptare.
Nuk po merrem këtu me format e dhunshme të dashurive apo mërive të ndërsjellta që relata e komplikuar burrë-grua mori nga rrethanat apo mjerimi që u gjend njeriu, fshati dhe qyteti. Dihet se në orientimin e ri, të papritur apo të parapërcaktuar, që rimëkëmbja ekonomike e vendit vuri përpara, relata mes vajzës shqiptare dhe “kaçakut” bashkëkohor, në realitet nuk ka qenë gjithmonë e bukur e ngjyrosur rozë. Por, nën të, përpjekja e vazhdueshme e gruas për të ruajtur dinjitetin human, familjen, marrëdhëniet shoqërore, themelet më të thella vendimtare të dimensionit njerëzor, që nisin e burojnë nga ndjenjat e zemrës deri tek mbarëvajtja ekonomike e jetës së përditshme, të gjithë sakrificat e saj në vetmohim për të tjerët, qoftë ky shëndeti fizik apo emocional i të miturve, kujdesi për të moshuarit, apo deri tek përkujdesja, veshja, larja, shplarja, hekurosja për egot e fryra apo të nëpërkëmbura e të gjunjëzuara të burrave, është ‘rebeli’, ‘kaçaku’ shqiptar ai që ka qenë dhe mbetet, agjenti aleat më i madh “sekret”, në mbështetjen e heshtur dhe të bujshme të ëndrrave më të bukura dhe të pastra të gruas shqiptare.
Por edhe pse ëndrrat mbeten, se pa to nuk mund të jetohet dhe nuk ka kuptim vetë jeta, ndjehet se koha e kaçakëve po vjen drejt fundit.
I përket në vijim djalit dhe vajzës shqiptare bashkë, të dinë të ndërlidhin dhe harmonizojnë ëndrrat duke jetuar me njeri-tjetrin, jo më njeri maleve në errësirë, në erë e në akull, apo fizikisht brenda mureve të ftohta, si deti që çau në net, të hoteleve me pesë yje i bashkuar me tjetrën që deshi dhe e do, vetëm në shpirt e mendje.
Dhe është detyrë goxha e vështirë për një brez, që është mësuar gabimisht të gënjejë veten se në botë ka ardhur vetëm për të marrë duke mos patur asgjë për të dhënë. Ashtu si çdo brez krijues në histori, edhe i linduri nga vajza e dikurshme dhe gruaja e sotme e këtij vendi do të besojë dhe kuptojë se ka përgjegjësitë e veta për jetën dhe botën që krijon, ashtu si e di thellë në zemër përtej llamburitjeve të teneqeve apo kapaçkave të katapultuara prej egove bosh dhe të kota të xhonglerëve të materiales së gjoja çka ai për të dhënë nuk i vlen askujt.
Për këtë brez që vjen dhe do të gjendet në dritë i ndihmuar nga kalorësit e dritës të së gjithë botës, fjala është të dijë të integrojë lirinë e vetes dhe atë të tjetrit e tjetrës, brenda rendit tashmë gjithnjë e më të hapur të ri botëror, por duke e vlerësuar atë çfarë ka, si Kandidi i Volterit bahçen e tij.
Flas për betejën e vazhdueshme të njeriut për lirinë e tij, mendore, sipërmarrëse apo shpirtërore, tanimë jo të reduktuar vetëm në liri kombëtare apo mediatikisht në shërbim të interesave gjeopolitike, etnike e lokale, por të përfshirë dhe të bashkuar me përpjekjen për progres të së gjithë botës së brendshme bashkë të bashkuar në një mjedis universal në glob, ku ekonimizimi lokal, si ai i resurseve ekonomike, ashtu dhe i lirisë njerëzore për veprim dhe krijim, ashtu si dhe gjithçka e akumuluar në dije dhe pasuri mbrohet nga ligji, besimi dhe respekti ndërhuman, që njeh dhe mbron hapësirën e përshfaqjes së shpirtit krijues, i cili kërkon mbrojtje shoqërore të ekzistojë së jashtmi dhe të shfaqet, ekuilibër që mund të gjendet vetëm tek njohja dhe respekti për talentin, aftësinë, të dhënat, punën, guximin, karakterin dhe të veçantat e secilit dhe njeri-tjetrit.
Për këtë shoqëria duhet t’u japë “kaçakëve” amnistinë e saj, por tashmë pa asnjë besëprerje dhe tradhëti, vetëm nëse ata, “kaçakët” e sotëm do dijnë të duan dhe të mbrojnë lirinë e sivëllezërve dhe simotrave të tyre, duke mbrojtur dhe mbështetur artin, arsimin, dijen, kulturën, lirinë e shpirtit. Forca tërheqëse e lirisë është ajo që mban gjallë dashurinë. Nuk ka dashuri pa liri. E vetmja forcë që shtyn përpara përtej çdo maske frike është dhe mbetet ajo, shtytësja e impenjimit dhe luftës së çdo komiti, ndoshta edhe jo plotësisht ndërgjegjshëm, ndoshta pjesërisht intuitive, ndoshta burimore thjesht dhe përdrejt nga brenda zemrës së njeriut në respekt për tjetrin dhe veten rrjedhimisht, sepse dashuria hap çdo rrugë, cilido të jetë çmimi, për çlirimin, emancipimin, daljen në dritë të saj. Drita shton dritën.
Ndoshta është një lloj shenjtërie e pjesës më të pastër dhe të bukur të gruas që qëndron edhe këtu e përjetësuar, si ikonë në portretin e Roza Anagnostit, në aurën e saj mbi hirin, mbase edhe ripertëritës, të një shkolle të djegur.
Ndoshta përforcon ose nxit këtë inkursion jo edhe aq emocional sa mund të duket edhe muzika aq e ndjerë e Limos Dizdarit që nuk mund t’i shpëtojë shpirti i askujt pa u prekur. Nënvizoj se kjo muzikë e nxitur nga ky skenar është shkruar si ilustrim bashkangjitës në tingull për poezinë më kalorisiake të dritës së gjuhës shqipe ‘Fjalët e qiririt’ të Naimit.
Në këtë pasazh mungon zëri tenor më i bukuri dhe përfaqësues i shpirtit qytetar korçar, Gaqo Çako shenjtëror si një prej kalorsëve të lirisë siç janë, kanë qenë e do të mbeten të gjithë muzikantët dhe kompozitorët shqiptarë.
Për fat kjo këngë gjendet online, gëzueshëm për mua, me shpresë se AI-ja e universalizuar më tej në infinit do të marrë edhe disa grimca prej këtij zëri, kushedi ndonjëherë për ta shpërndarë mirësinë e tij, pse jo edhe në ndonjë skaj apo në të gjithë botën.
Për mua mjafton ky pasazh nga ky film, për të kuptuar rëndësinë e ruajtjes dhe bërjes të aksesueshme në teknologjinë e kohës të së gjithë trashëgimisë filmike të këtij vendi, që ka si gjithë të tjerët, sekretet dhe thesaret e veta të ruajtura tashmë për të gjithë të tjerët, jo vetëm për vete. Më vjen mirë patjetër, që disa propozime të mia të formuluara dhe argumentuar ‘fool proof’ edhe për më budallenjtë për t’u kuptuar, të nisura dhe dërguara në lumin digital të informacionit të emaileve që nuk marrin kurrë reagime dhe përgjigje, por gjithesesi e gjejnë vendin të ndikojnë në mendje të mençura atje dhe atëhere, kur ndoshta edhe duhet.
*Këtu pasazhi im i preferuar nga filmi ‘Mësonjëtorja’, i restauruar dhe digitalizuar së fundmi nga një bashkëpunim mes AQSHF dhe ‘Harabel’ me mbështetjen e Abi Bank, si dhe dy faqet para të esesë, ‘Të jetosh dhe ekzistosh, si Sevasti’, në librin me titull ‘Njeriu si një tjetër’ nga Natasha Lako, botim i UET|Press.
17 shtator 2023