Krenar Zejno: ÇIFUTI I FATIT
Muzgut të 26 shtatorit 1940, çifuti Benjamin e ndërpreu me dorën e tij rrjedhën e ekzistencës në jetë. Me një grusht përzierje morfine, gatim Aldous Huxley, çifut që i pat ndarë me të për t’ia bërë realen më të durueshme tek e përcillte në arrati të kaptonte Pirenejtë dhe oqeanin. Benjamini vuri ca mënjanë për ditë të ligë. Si ajo e padurimit që i mbiu atë ditë, kur vuri dorë mbi veten. E kujtojmë në datën e vdekjes se ai zotëron një vdekje që të kall datën. E ngase përkon – apo, thënë me termin e tij të rrjedhës në zinxhirin e ngjarjeve, ‘korrespondon’ – me datën kur posa ka dalë nga shtypi libri me ese të tij. Në njërën prej të cilave do hasni citimin e Anatol Francit se “dija e vetme ekzakte që ekziston, është dija për datën e botimit dhe formatit të librave.”
Vdekja e Walter Benjaminit rëndon ende për ta anashkaluar e hyrë shkurt drejt e në temë: gjuha, përkthimi, koleksionimi, bibliofilia, arketipi, rrëfimi oral, poetika, apo kritika e historicizmit, violencës, marksizmit, totalitarizmit – tema ku përkojmë me të e na rrotullohen mbi krye t’iu brendashkruhemi (ndonëse jo të gjitha gjenden në volumin e parë të eseve të këtij botimi). Po e nisim nga fundi, me vdekjen…
Nuk qe vetëm prej dorëzimit në përballjen me “tërë ato halle të jetës që aq shpesh na sulen si ujqër nga të katër anët”, siç dhe qahet në letërkëmbime çifutësh Sholem e Adorno. Alternativa e kthimit mbrapsh shpinte asokohe në vdekjen e sigurt mizore: rënien e një çifuti special në duart e specialitetit të nazistit.
Ironi e fatit! Një fatzi si ai, me një emër fatbardhi. E me kësi emri beniamini fati të zgjedhur biblik, të biesh në të tillë dorë armike! Ç’ironi e fatit! Në rastin e tij, një shprehje kjo, ku gjuha e kulmon gjer në emfazë kuptimin shprehës dhe e shfryn tërë ironinë.
“Hebreu i vërtetë është ai që është jo më hebre”. Nuk e rrok dot qartë kuptimin e kësi përcaktimi aforistik prej simbolike Benjamini, po as nuk ngulmoj; është kaq empatike kështu siç është. Mbase do të thotë se vërtet hebre ndihet ai që përndiqet, që lypset të fshihet apo ta fshehë përkatësinë a të hiqet si jo i tillë. Kalvari i historisë na ka ofruar edhe ngjarje përkime që neve na e afrojnë të receptueshme në lëkurë gjendjen e kësoj kategorie të qenies: Tjetri. I refuzuari, i përndjekuri, apo brenda nesh i deklasuari. Për ta thënë më shqip, hebre i vërtetë është çifuti. Edhe si ne tani vonë, apolid identiteti ‘sans-papiers’ apo të pranuar po gjithsesi të përçmuar; ashtu si dhe hebrenjtë bujtur e mbrojtur këtu, por pa e tejkaluar shpërfilljen e gjer përbuzjen ndaj çifutit.
Vdekja e Benjaminit tërheq diskutim më shumë se jeta e tij. Jetë ku ai ishte gjithmonë me vonesë. Edhe ku thuhet se jeta dhe vepra e tij janë aq në përputhje, në të tillë vërejtje peshon dhe fundi i jetës. Vdekja e tij mbetet një vdekje speciale. Jo vetëm pse i shtohet asaj akti i vrasjes së vetes; jo pak e kanë kryer, por rrallë ka lënë pas hirin e një vdekjeje kaq përthithëse. Nuk mendoj as që vdekja e tij peshon me tepri prej ngarkesës së shtuar të të qenit një hebre dhe sensibilitetit prej kësaj. Aq më tepër që i ndjeshmi Benjamin nuk pati e as kultivoi ndonjë ndjenjë të fortë ndjeshmërie përkatësie grupimi, as atë etnike. Ndoshta janë të gjitha sëbashku, me peshën specifike të secilës, që e shtynë përtej dhe e mbajnë vdekjen e tij në të tillë lartësi.
Në rastin e tij nuk e quaj tepri memorialin e posaçëm në kufirin Portbou dhe kthimin e shtegut të malit ku kaloi një kalesë pelegrinazhi kujtese. Por, ruaj përshtypjen se vdekja e tij bart atë peshë e rëndësi ngaqë ai mungon me tërësej, i mungon edhe vetë mortjes. Ndaj dhe vdekja e tij apelon vijimisht. Benjamini përfaqson vdekjen e një trupi të papërfaqsuar te vdekja. Përfaqson trupin e munguar, shpërfaq trupëzimin e mungesës, të zhdukurin e pavarr. E kësisoj, simbolizon një mungesë absolute: shfarosjen… Dhe barbarinë. Po t’i shtojmë kësaj edhe zhdukjen e dorëshkrimit që mbante me vete e për të cilin gjatë kalvarit të arratisë shprehej se teksti aty brenda ishte më i rëndësishëm se vetë ai, atëherë gjëma merr përmasa që e tejkalojnë Benjaminin. Atë që predikonte e praktikonte shenjtërinë e shkrimit, të shenjtën e tekstit. Ndoshta mbetet edhe një ndjesi e përbashkët faji për mungesën e vlerësimit të veprës së tij qysh në të gjallë dhe, për pasojë, shkurajimi që kjo dukuri e mosdukjes së veprës sjell për shkruesin e vet. Dakord, një vetanak i thekur aq i virtytshëm si Benjamini nuk synon e as vuan për famë, por është njerëzore të ekzigjojë që vepra si një entitet i gjallë më vete të gjallojë e të përhapet në kohë reale në të mirë të saj e të njerëzisë. Tanimë Benjamini është vërtet një beniamin i mendimtarëve, por në të gjallë të tij nuk ishte kështu megjithë vlerësimin e ngushtë prej disa të barabartëve. Citoj këtu një shenjim nga Hana Arendt me shkas Benjamimin: “Fama pas vdekjes është një gjë aq e çuditshme, sa nuk mund të bësh me faj as qeniet njerëzore për verbërinë e tyre, as botën letrare për korrupsionin e saj”.
Po si mund Benjamini, pa qenë poet të mendonte poetikisht? pyet çifutka fenomenale Arendt në teksin e posaçëm për beniaminin e saj të deklaruar. Adorno, koleg që u bë dhe koleksionist i shkrimeve të Benjaminit, e quan perceptimin dhe shpërfaqjen e botës prej tij një “paraqitje syshqyer e realitetit”. Ai fajëson ndikimin shkatërrimtar të poetit Breht te Beniamini, por vetë i zoti thotë: “pëlqimi për veprën e Brehtit është një nga pikat më të rëndësishme, më strategjike në krejt pozicionimin tim”. Posa mësoi mbi vetëvrasjen e tij, Brehti kreu atë poezi të ndjerë pikëlluese që nis me vargun drejtuar si përsëgjalli: Mora lajm se ke vënë dorë mbi veten… dhe fundon me marazin mbi humbëtirën ku bota shket me humbjen nga kjo botë të ca engjëjve të dëlirë. Mandej e përcaktoi vdekjen e Benjaminit ‘si më e para humbje reale që Hitleri i shkaktoi letërsisë gjermane’.
Lexuesi me siguri has një problem me mënyrën si teorizon Benjamini. Trajta fragmentare, në dukje lineare dhe befas me hove shpërthyese risish konceptuale, shpesh paradoksale, mund ta vëjë në dyshim apo dhe në faj përkthimin shqip për një farë copëtimi. Gjë që ka ngjarë edhe në raste të gjuhëve të tjera. Aq më tepër, edhe prej një vagullie mistike që përshkon vetë tekstet e Benjaminit. Mirëpo, pikërisht këtu rri efikasiteti ndjesor i tyre. E thënë si në rastin e një përcaktimi diku mbi letërsinë e çifutit Kafka, është një mosqartësi lënë e tillë ‘për hir të përçueshmërisë’. Gjej rastin edhe këtu t’i njoh hakun punës së vështirë të përkthimit nga Ervin Lani prej origjinalit, gjuhë të cilën nuk e njoh, por mund të dëshmoj me siguri, edhe si i afeksionuar i hershëm me lakoret e rrënojave benjaminiane, dashninë e përkthyesit ndaj autorit. Autor që nuk rroket pa e përqafuar me ndjenjë. Ka rrezik gjithashtu, që trajtesa teoretike e Beniaminit të përngjajë me një koleksion arturinash mendimi që mund t’i lypsen veçse një lexuesi ngushtësisht të interesuar. Por nuk është kështu. Temat e shtjelluara prej tij janë veç të tjerash edhe koincidencë e një rëndësie të veçantë për të zgjeruar studimet e mangëta tonat mbi peshën e të shkuarës, traditën, kritikën, gjuhën, rrëfimin oral, artin, apo materializmin historik, marksizmin, ideologjinë e me rradhë.
Aty ku përcaktohet se e magjepsi doktrina e superstrukturës e skicuar përmbledhtazi nga Marksi, gjendet fill më pas që te kjo lidhje me materien, atij i interesonte: sesi shpirti dhe shpërfaqja lëndore lidheshin aq ngushtë sa bëhej logjike të zbuloje gjithkund pikëtakime, përkime, (’correspondances’ ala Bodler), e që në lidhjen mes tyre sqarojnë dhe ndriçojnë njëra-tjetrën, sa në fund të mos kenë nevojë për sqarim interpretues. Prandaj i interesonte ndërthurja e një skene rruge, apo spekulimi në bursë me një poezi e mendim, dhe filli i fshehtë i lidhjes, gjë që e bën historianin dhe filologun të kuptojë vendodhjen, pra dhe vendosjen në të njëjtën periudhë, si në një puzzle. Me sa duket, këtij argumentimi tematik i përshtatej më mirë shprehja eseistike në formën e një komponimi mozaik. Zgjedhur apo vetvetishëm, që t’i përngjajë e të ndihmojë shpërfaqjen e konceptit që synon. Gjithë duke mbajtur parasysh që fragmentarja fenomenale e Benjaminit nuk se shfaqet si pjesore e një trajtese të lënë në mes apo si tharmi i një ideje për t’u rimarrë e plotësuar më pas, por rri aty si thelb i plotë i veçanësisë, ngarkesa poetike shpërthyese e partikulares në zemër të idesë. Aty ku rregëtin të shfaqet gjithë çka ai kërkon: dukuria.
Bindja e thellë e tij: “Jo shqyrtimi i funksioneve komunikative a utilitare të krijimeve gjuhësore, po kuptimi i krijimeve kristaline dhe fragmentare si shpërfaqje jokomunikative e të paqëllimta të thelbit të botës.”
Mbetet prekëse ëndrra ambicje e Benjaminit për një shpërfaqje bote përmes një libri cit me citime. Demarsh demiurg për një ngrehinë kozmologjike, nëpërmjet një morie citimesh nga urtësi proverbash, mendimtarësh e zejesh shkrimtarie. Citimet në veprat e mia, tha, u ngjajnë kusarëve të karvanit, që sulmojnë me armë dhe e zhveshin njeriun pasiv nga bindjet e tij.
Zotëronte, në mos dhe ishte i zotëruar, nga një lloj mendimi postulativ, aksiomatik, i pakomentueshëm, aforistik, i vetëmjaftueshëm. Brehtit ia pat dëgjuar pa mëdyshje pohimin këshillë se kryesorja mbetet sesi të mësohesh të mendosh në mënyrë të papërpunuar: Mendimi i papërpunuar – ky është mendimi i njerëzve të mëdhenj.
Pa u zhytur në atë çka magjeps Benjamimin, pra fenomeni, po rradhis disa nga pyetjet drejtuar vetes lexues, magjepsur thjesht nga fenomeni Benjamin:
Si mundet një fenomenolog të mbërrijë shpërfaqjen e tezave të tij teorike, në të tillë trajtë asistemike? Si mbahen bashkë e në përplasje paradoksale kthjellësia e racionales dhe vagullia nën vegimet mistike? Si shpallen benefitet prej riprodhimit teknik të veprës së artit për zgjim masiv dhe revolucion, dhe njëherësh lartësohet figura e vetmitarit koleksionues ‘që konservohet brenda koleksionit të tij’, pa botë jashtësie e nën ekstazën e të shijuarit të veprës vetëm ai, duke ia mohuar botës? Si mundet nga pozita ateisti të apelohet domosdoja e ndërkalljes në mendim të teologjisë? Apo, nga pozitat e materializmit, injorimi i Hegelit, ndërprerja e dialektikës lineare dhe kritika e materializmit; nga ajo e një marksiani, kritika e marksizmit? Dhe si lartohet dhe realizohet nevoja e pashmangshme e plotërisë së shpirtërores? Si perceptohet teksti si shenjtëri e ndërkaq shpallet që ‘shkrimi më së pari është një zeje’? Si, dreqin, ta praktikosh zanatin, ashtu siç dhe e kryen atë, si një seancë spiritizmi mistik dhe besimi fetarie. Si mundet pa qenë dishepull i askujt, të ndjehesh aq i detyruar ndaj të tjerëve, të citosh e zhvillosh më tej me altruizëm pikasje fenomenesh që gjithaq janë të tuat? Si mund të kultivosh e lartësosh risitë e modernes, gjithë duke selitur të shkuarën dhe traditën? Apo, përmes eseistikes të thurrësh këngën e ndjerë të poetikes? Si emfatizohet ndjenja e pronësisë mbi objektin, me kulmimin e saj jo sipas dobisë së përdorimit po të estetikës së lojës dhe marrëdhënies infantile me lodrat? Si tentohet estetizimi i politikës dhe shmangia prej politizimit të estetikes? Dhe, tekefundit, si kalërohet kaq bukurisht në fusha betejash apo terrene kaq të thyera, gjithë duke qenë në mes të ndeshjes porse pa u përshirë e bërë pjesë e palëve ndërluftuese?
Benjamini ishte dhe koleksionist e bibliofil. Ai e krahason pasionin e koleksionistit si qëndrim i ngjashëm me të revolucionarit, ku sendet jane çliruar nga robëria dhe ropatja e përditshme. E përqas koleksionimin me pasionin e fëmijve, “për të cilët sendet nuk janë ende mallra dhe nuk vlerësohen sipas dobisë”. Si dhe me bukurinë e çinteresuar, pra më pranë pikëvështrimit nga e sheh atë Kanti. Nga kjo qasje poseduesi koleksioni, e merr më qartë kuptimin edhe bindja e tij se pronësia është lidhja më e thellë që mund të ketë njeriu me objektet.
Vërtet Benjaminin e tërhoqi trajtimi i Marksit, sidomos mbi trajektoren fantazmagorike të zinxhirit të mallit në shndërrimin në vlerë monedhë, por ndoshta dhe prej qasjes me temat që lëvronte vetë në hapësirën e artit dhe paralelet me historinë. Mbase dhe si shpirt i rrëfimit, i treguar aq bukur stilistikisht, artistikisht. Apo ngaqë Marksi këtë lloj tensionimi të materies mall për në vlerën imazh ikonik të saj, pra parasë, nga arti e ka pas kopjuar, apo thënë më butë, nga arti është frymëzuar. Kritika e historicizmit nga Benjamini, falsiteti i historisë monodimensionale, si dhe potenciali revolucionar i zgjimit të masave përmes aksesit te vepra e artit në epokën e riprodhueshmërisë së saj teknike me pasojë mospajtimin, kontestimin e gjendjes ekzistuese, pra rendit ekzistues, tashmë edhe si emergjenca aktualiteti, përtej atashimit në një ideologji, sot dëshmojnë vizionaren e tij.
“Nëse historia është vërtet një tren, ndaleni atë, mos e lini të shkojë më tej!”
Mungonte Benjamini në mozaikun e botimeve Zenit, ndonëse jo pak i pranishëm në referimet e autorëve të botuar dhe në esetë shoqëruese të botuesit. E ashtu si nën merakun benjaminian të lidhjes shkak-pasojë në zinxhirin e ngjarjeve, nisma e botimit të veprës së tij, falë edhe mundësisë për ta sjellë në shqip prej origjinalit, vërtet vjen e fundit në rradhë, por ja ku apelon lidhje me më të parët e botuar qysh në nisje të shtëpisë botuese, Agamben, Deleuze, Baudrillard, Bataille. Ishte ky i fundit që i ruajti e siguroi në bibliotekën nacionale në Francë dorëshkrimet e mbetura të Benjaminit të kthyera nga Amerika ku arka pat mbërritur pa të zotin. Po, mund të qe kohë më parë eseistika e tij në Zenit, një orë e më parë e meritonte. Ashtu si e meritonte dhe do kish jetuar e shkruar shumë më gjatë, nëse do kish duruar edhe veç pak orë kur në pritje të vizës pothuaj në mbërritje, nuk priti dot më dhe… vuri dorë mbi veten. Në portin ku anija qe nisur tashmë. Me arkën e teksteve thelbe të copëzuara, hedhur nga një dore gjeniale e një jetë të copëtuar, ku mjaft prej tyre ende presin të sistemohen e plotësojnë opusin e një vepre të ndërprerë. E për këtë lypset gjithaq urtësi, altruizëm dhe një durim i mbarë benjaminian. Durimi i Benjaminit të shenjtërisë së shkrimit, jo atij të vetvrarë.
26 shtator 2023.
Please follow and like us: