“AJO NATË” E LELA QEJVANIT
Dy fjalë për vëllimin poetik “Ajo natë”: poezi (shqip dhe anglisht) të autores Lela Qejvani
nga Albert HABAZAJ
Lela Qejvani është një autore e njohur vlonjate me origjinë nga Kallarati, e cila ka lindur në Levan të Fierit më 04.06.1955. Lela Pullumb Qejvani shkruan poezi, prozë dhe ka një vlerë tjetër të bukur, se siç bën poezi të ëmbla apo rebele, bën edhe receta gatimi për ëmbëlsira origjinale dhe të shijshme.
Ka botuar 5 libra, nga të cilët 3 me poezi, 1 publicistikë dhe 1 manual. Përkatësisht: 1. “Mall përtej detit”, poezi, 2016; 2. “Epokë lakuriqe”, poezi, 2018; 3. “Ajo natë”: poezi = “That night”: poems, 2023, si dhe librin publicistik “Në Vorbullat e Jetës”: Jetëshkrim , 2021; po ashtu ajo është autore e manualit “Receta gatimi: Biskota e likere të thjeshtë”, 2017.
Ajo ka të tjerë libra në proces botimi, në dy fusha që janë bota e saj e ëmbël: poezia dhe gatimi, ku i veçantë është një libër me receta gatimi guzhina mesdhetare.
Tematika e poezisë së Qejvanit rrok motive sociale, nga emigrimi, ndër më romantiket mbushen me lëngun e dashurisë familjare, dhëmbjet dhe gëzimet e jetës në çerdhen e ngrohtë të besimit e të gjakut, po aq dhe me palcën kombëtare të dashurisë atdhetare.
Në jetëshkrimin e botuar pasqyron jetën dhe dallgët e saj që nga fëmijëria e deri në ditët e sotme.
Pak ditë më parë, në mjedisin e Bibliotekës sonë promovuam librin me poezi “Terminal” të autores tjetë vlonjate Sofia Doko Arapaj nga Mekati, libër i botuar në dy gjuhë, në gjuhën shqipe dhe atë vllahe (armânesht [armënesht]).
Sot kemi një tjetër gëzim letrar, me një frymëmarrje më të gjerë leximtarie, përurimin e vëllimit më të ri poetik “Ajo natë”: poezi = “That night”: poems, thurur në shqip nga autorja Lela Qejvani dhe përkthyer nga shqipja në anglishten e rimuar nga përkthyesja, poetja, shkrimtarja dhe gazetarja Laureta Petoshati, nën redaktimin e Suzana Vangjelit.
Në shfaqje autorja na vjen si një poete e natyrës, e peizazhit dhe në fakt është, por mua nuk më bën përshtypje ky fakt domosdoshmërisht poetik, por thelbi i këndvështrimit të autores. Si duket, ajo i drejtohet natyrës, se s’ka kujt t’i drejtohet tjetër, sepse besimi i saj te qeniet antropologjikisht të ndërgjegjshme, ose i ka rënë honeve të thepisura të humnerës së mospërfilljes së jetës, ose i është tharë ky besim, por jo fatmirësisht deri në rrënjë. Autorja i drejohet natyrës, që të qajnë bashkë të njëjtin hall, sepse i bukuri, i miri Atdheu i saj, Atdheu ynë mezi po qëndron në këmbë, shkruan autorja… Poezia “Të çalë”, monokolonë dhe me rimë duket si një vëzhgim jetësor në vargje të thjeshta me një metaforë tërheqëse, por ajo nuk është metaforë ajo është ulërimë, kùje e ngjyer në bojë, që lëshon kushtrim për indiferencën njerëzore që na ka kapluar në këtë krizë gufosëse mendimi dhe veprimi. Lela Qejvani është një poete e angazhuar e shqetësimit qytetar dhe e shpreh pa droje atë që ndjen, që me narrativën e saj, jo pak herë, duke kapërcyer veçoritë specifike të letërsisë, aq më tepër të princeshës poezi, të cilën pikërisht estetika e ngre në fronin e princërimit.
Një veçori strukturore që, të paktën mua më pëlqen tek Lela është se poezitë e saj janë përgjithësisht të shkurtra, duke nisur nga ato me 4 vargje deri në vjersha me 12 vargje, të cilat janë dhe më të plotësuara artistikisht, por simpatike e tërheqëse për shijen e leximit, ç’ka do të thotë se autorja punon me kujdes, nuk nxiton, është e vëmendshme ndaj vargut, nuk e shpërdoron fjalën, sepe ia vlerëson shenjtërinë e saj, ngaqë është një amvisë e mirë e poezisë qyetare, edhe pse ka raste të shpërthimit rebel, për të cilin justifikohet, sepse edhe poeti, në fund të fundit, është njeri dhe nuk vegjeton dot në “akuariumin” e vargut…
Vargu i saj është i shqetësuar, që, edhe pse Lela i përket botës romantike të vjershërimit, vështirë të gjesh optimizëm të trëndafiltë, sepse zhgënjimet e zymta, realitetet e hidhura e barbare, që e hidhëruan keq, por nuk e përulën dot, dashur padashur ravijëzohen në buzëqeshjen me trishtim të poetes sonë. Ende më vjen jehona e piskamës së lëshuar tek vjersha “Pse jeton ky shekull, pse?!” vetëm me 6 vargje të vogla por me mesazh real e rrëqethës: “Shekujt e kaluar jetonin,/ Një fliste, të tjerët dëgjonin,/ Ky shekull nuk duhet të jetojë/ Sepse të gjithë flasin,/ Nuk ka kush t’i dëgjojë,/ Pse jeton ky shekull, pse?!”. Edhe më shurdhi ndër ne tronditet nga kjo sokëllimë poetike dhe vihet në mendim, sepse në fakt autorja ka disa poezi meditative – filozofike në këtë vëllim, që, krahasuar me tre të parët, vjen më i plotë në formë, më i përcaktuar në përmbajtje, më shprehës në mesazhe. Shpesh herë, ndoshta për hir të edukimit prindëror, ndoshta nga përvoja e jetës së saj, më shumë qëlluar me furtunë se larë me diell, vargjet e autores marrin fytyrën e urtë të aforizmave poetike, natyrshëm ngjyrosur me një melankoli të bukur, që është vetë profili jetësor dhe artistik i autores Lela Qejvani.
Përgjithësisht autorja ka një varg të thjeshtë, shkruar me rimë, por që s’kërcet, shpesh herë ngjan sikur kalon si një përrua i heshtur i brengave të saj, por ka raste, si tek poezia tjetër lakonike me 10 vargje të lira, ku nën titullin “Me dënesë” shkruan me pelinin e shpirtit të saj edhe këtë varg mrekullisht pikëllues: “Në funeralin e dashurisë time ti nuk erdhe”. Vargje të tilla përjetohen, sepse vetvetiu të fiksohen në kujtesë, ato veçse shijohen poetiksht, edhe pse hidhur…
Ç’është e vërteta, Lela, që unë e dua shumë, se e kam edhe teze, kushërirën e nënës, kur shkruan në varg të lirë më pëlqen më shumë, e ndjej më lart artistikisht, në përpjekje letrare për t’u ngjitur majave poetike, por kur shkruan me rimë, apo kur, pa qenë e nevojshme, e mbaron vargun me folje, në disa raste – ngec, sepse, padashur leximin ma zë gjumi.
Veçse, dëshiroj të theksoj se ç’ka spikat tek poezia e Lelës është humanizmi, dashuria për njeriun e mirë, misioni i saj për ta bërë të mirë njeriun. Ajo di të thotë më fal, edhe pa patur faj, sikurse shkruan në vjershën “Më fal”. Jo më kot e bën këtë gjest bujar, porse lajtmotivi i saj, sikurse edhe i Detashmentit të dritës poetike në Vlorë është ta duam njeri-tjetrin, se, kur grindemi jemi pak, kur e duam me dëlirësi dhe e vlerësojmë njëri-tjetrin, bëhemi shumë dhe kështu, përmirësohemi duke përparuar në mendim dhe në veprim. Vëreni se me sa përnderim shkruan poetja për mësuesin: “Profesori, me emrin hyjnor si Krishti…”
Nuk e pashë të arsyeshme të bëja një vështrim të përgjithshëm të vëllimit të L. Qejvanit, jo vetëm për faktin se Laureta Petoshati në parathënien e librit shqip dhe anglisht na ka dhënë një pamje më të plotë të kuptimit të tekstit dhe mesazheve të larta që na nevojiten për të përballuar furtunat e tërbuara dhe sfidat e egra të jetës, por u ndala me dëshirë në dy-tri piketa letrare – qytetare, ngaqë mendoj se letërsia nuk bën vetëm edukim letrar, por nëpërmjet saj realizojmë edhe edukimin estetik e kulturor dhe, duke mbushur shpirtin me mirësi, bëhemi më të denjë si banorë të kësaj toke, si qytetarë të universit.
Dëshiroj ta përfundoj këtë fjalë të vogël, por me shumë dashamirësi për autoren me shprehjen: Dera princore e poezisë në Vlorë tek Lela Qejvani ka gjetur shërbestaren fisnike.
13.09.2023.