Albspirit

Media/News/Publishing

Behar Metohu: DETI TROPIKAL

 

Tregim i jetuar

 

 

Kur ishim të vegjël kujtoj se dy javë në vit ishim pranë detit. Edhe kur u rritëm, në vitet e rinisë ishim më pranë detit gjatë periudhës së verës. Me ardhjen e demokracisë, viteve të para vazhdonim të njëjtin ritual për të qenë pranë valëve të detit.

Një ditë, kur emigruam, shansi na qëlloi të jetonim në një vend bregdetar tropikal mjaft më i ngrohtë se Durrësi apo Vlora e Saranda. Këtu plazhi nuk bëhet për disa muaj. Plazhistët i sheh gjatë gjithë vitit. Padyshim në periudhën e janar-shkurtit ka edhe ditë të fresketa, ku je i detyruar të veshësh edhe ndonjë xhaketë.

 

Duke qenë pranë këtij këndi natyror të rrallë, sidomos për mua dhe familjen time vëmendja ndaj plazhit dhe plazhistëve shtohej nga koha në kohë. Tani nuk më duket fare e çuditshme, që, sidomos ditëve të shtuna dhe të diela vargu i makinave, të cilat kalojnë poshtë ndërtesës, ku banoj shtrihet aq i gjatë sa u them gati me keqardhje: “Po ku ishit gjatë gjithë javës, ku rruga mbulohej vetëm nga cicërimat e zogjve dhe jo të motorrëve të makinave”? Parkingët e mbushura plotë me makina dhe zërat e fëmijëve që gëzonin afrimin me detin më shtonin kurreshtjen si një emigrant i sapoardhur, në këtë vend tropikal, për të parë se si e festonin fundjavën familjarët amerikanë të Floridës së Jugut, jo shumë larg nga Majemi i plazheve të panumërt, por edhe të rinj të shumtë që mbinin si papritur.

 

Ora dhjetë e mëngjesit, rëra pothuajse e boshatisur, u mbush me njerëzit që mbërrinin me nxitim për të shfrytëzuar cdo minutë duke u  shtrirë plot dëshirë në bardhësinë e butësinë e saj. Deti pothuajse në të tilla ditë duket sikur buzëqesh duke ledhatuar lehtë me valët e qeta praninë e njerzve të shumtë. Ai, me ngjyrën blu të thellë, të shtonte dëshirën për t’u shkrirë në të, sidomos në orët më të nxehta, kur dielli kishte ngrohur tej mase pothuaj gjithçka përreth. Uji i detit fillonte të kapte temperaturat e ngrohjes. Njerëzia e tërë futej në të dhe zërat e shumtë, sidomos e fëmijëve që ulurinin plot gaz dhe thirrjet e tyre, krijonin simfoninë ndoshta më të bukur që vinte nga bregu. Djem dhe vajza të reja, të të gjithë racave notonin në pjesët më të thella të detit. Në këtë orë edhe vëmendja e rojeve të detit ishte më e madhe. Ndërsa moshat e thyera largoheshin në drejtim të makinave apo banesave të apartamenteve pranë.

Në të gjithë këtë lëvizje njerëzish,varkash, motovarkash dhe helikopterësh të vegjël, të cilët vinin vërdallë detit mbi të dhe nën të, i jepnin atij pamjen më të bukur të ditës duke ndjerë me sedrën e të previligjuarit rëndësinë e madhështinë e tij. Ato janë orët më të bukura për të. Ai fillon të krekoset duke shkundur pak trupin e madh pikërisht aty nga pasmesdita dhe era e lehtë do të krijoj dallgët e para, të cilët shqetësojnë skafet dhe rrisin shpresën për sërfistët e shumtë, që presin me padurim momentin e duhur të fillimit të aventurës së tyre të shumëpritur.

Eshtë pikërisht momenti, kur mamatë me fëmijët më të vegjël, i largohen atij dhe mendojnë kthimin për të ridalë në orët e pasdites.

Kur era shtrin me forcën e saj pushtetin mbi detin, cadrat fillojnë të lëvizin dhe ndonjë edhe mund të shkulet, duke rrezikuar të godas të pavëmendshmit. Ndërkohë kaltërsia qiellore është duke u kërcënuar nga retë, të cilat shtohen duke mbirë nga të katër anët për të paralajmëruar shiun e drekës si një racion i zakonshëm ditor.

 

Kur ato e bllokojnë plotësisht qiellin dhe era vazhdon këngën e saj, dallgët e detit përplasen fort në breg me një zhurmë që çdo kush do të friksohej, por jo aventurjerët e sërfit. Ata vështrojnë me syrin e expertit momentin kur duhet ti futen dallgëve tashmë të egërsuara. Flamuri i kuq, i ngritur për plazhistët, i cili njofton se nuk lejohet hyrja në det, dridhet nga era. Në këtë moment sërfistët e liçensuar profesionistë pushtojnë detin e egërsuar dhe tregojnë  aftësitë e tyre të rrëshqitjes mbi dhe nën dallgë.

 

Në këto momente njerzia pranon, edhe shi të bjerë, vetëm spektaklin e sërfistëve mos e humbasin, por ta shikojnë sëbashku. Celularët dhe aparate profesionale fotografie e kamera me trekemshat e shumtë të vendosur pranë bregut fiksojnë aktet e bukura e të guximshme të sërfistëve. Kur retë lëvizin në mënyrë kaotike dhe shiu nuk ka filluar ende spektakli arrin kulmin, por edhe dallgët shtrihen thellë mbi rërën e shkelur nga njerzia e kamerat e shumta.

 

Vendet tropikale, janë mjaft të paparashikueshme me stuhitë e vogla të verës e të vjeshtës së vonë. Ato mbeten magjike për turistët e shumtë që i shfrytëzojnë për hobet e tyre. Peshkatarët  janë më interesantët, që njohin gjuhën e dallgëve të detit dhe dijnë të kuptojnë gjahun e tyre dhe e nuhasin kapjen e tyre në kohën e duhur. Mjellmat dhe pelikanët janë gjithashtu peshkatarët e rrezikshëm të peshqëve në detin e tropikut. Ata janë shpendet më të çuditshëm në brigjet e ngrohta. Mjellmat dhe pelikanët shikojnë punën e tyre të të ushqyerit, që kur plas drita e mëngjesit e deri sa dielli fashitet pas kaltërsisë në muzgun e kuqerremtë. Midis këtyre shpendëve dhe njerzve ka një paqe të plotë shoqëruar nga një adhurim dhe kujdes i njerzve, për këto shpendë të bukura. Prandaj, kur i afrohesh atyre, ato nuk lëvizin shumë edhe sikur të tentosh t’i rrëmbesh. Ata e kanë vëmendjen tek peshqit që mund të shfaqen pranë brigjeve. Skenat e kollofitjes së peshkut të përmasave të ndryshme i sheh vazhdimisht.  Me sqepat e tyre të gjatë ata godasin peshkun, i cili i trullosur kapet lehtë nga këta shpendë të bardhë dhe gri. Cikli i mbijetesës shfaqet hapur në brigjet e detit tropik.

 

I ulur në poltronin e plazhit ndjeja një ngazëllim të veçantë atë ditë të shtunë me njerëzit e shumtë e larshmërine e lëvizjeve të tyre.Tablloja merrte ngjyrat e ndryshme sipas pozicionit të diellit dhe reve që lëviznin me nxitim, për të kaluar nga njeri skaj në tjetrin të qiellit. Ato u mblodhën shumë me gjithë erën që frynte nga deti, ku sërfistët vazhdonin lojrat e tyre.

 

Papritur filloi një shi i butë i qeshur, që përkëdhelte trupin herë majtas e herë djathtas duke krijuar së bashku me erën vorbulla të vogla, vende-vende, të cilat aty krijoheshin dhe po aty zhdukeshin. Trupi mund të lahej në këtë rrebesh të butë, por nuk ndjehej i ftohti e përkundrazi piklat e ujit, që kërcisnin mbi kurriz dhe kokë ngjanin me ujin e “një dushi” që sillte një fresk të këndshëm dhe nuk të bëhej të largoheshe. Dhe kështu do të vazhdohej për disa minuta dhe retë pas gjysëm ore, me shkreptimat, të cilat jehonin nga larg horizontit, ku ndahej deti me qiellin, do të përhapeshin dhe koha pas gati një orë e pak do të kthjellohej e era do të ulte shpejtësinë.

Çadrat e hapura, një pjesë e tyre edhe të rrëzuara, njerëz që loznin me top volejboll, apo me raketa badminton, më tutje në rërën e nxehtë, do të rishfaqeshin pas shiut, i cili solli një freski duke rizgjuar dëshirën për lojra.

 

Dallgët vazhdonin të shkumëzonin me bardhësinë e shkumës së krijuar nga përplasjet me trupat e sërfistëve. Ata fluturonin në shpinën e këtyre dallgëve, pas të cilave, tutje në horizont dukej ylberi shumëngjyrësh, që shënonte fillimin e kthjellimit të qiellit, i cili filloi të rimerrte ngjyrën e fort blu, nën shkëlqimin e diellit të nxehtë.

 

Ishte hera e parë, që drejtpërdrejtë ndoqa një demostrim disaorësh në det të hapur të sërfistëve dhe peshkatarëve shpendgrabitqarë. Mendja me vajti tek plazhet tona të bukura, piktoreske, me veçori të tjera, por mjaft tërheqëse per turistët nga e gjithë bota. Kudo, që të shkosh në plazhet duket qartë, se të gjithë njerzit e duan detin dhe kërkojnë të lozin me të, të lahen e freskohen, të zhyten thellë në ujrat e tij të mistershme, të gjejnë aventurat, nga më të cuditeshme, por ato janë pjesa më e bukur e këtij raporti të natyrës me njeriun.

 

Ndërkohë që afrohej perëndimi i diellit, do të ishte pjesa më e vecantë e kësaj marrëdhenieje, të njeriut me detin. Njerzit rreshtoheshin në mënyre të çrregullt, disa qëndronin në këmbë, disa të tjerë në stola dhe kolltuqe të butë, të tjerë të shtrirë në rërë apo pranë valëve të detit, të cilat tashmë ishin qetësuar duke lagur këmbët e tyre. Të gjithë do të bënin vetëm një gjest atë moment. Dielli i madh dhe i kuq, po përshëndeste me largimin e tij, të gjithë të pranishmit. Përqëndrimi i vëmendjes ishte aq solemn, në heshtjen e plotë, sa që nën ritmin e përplasjes së valëve të detit, të cilat vetëm ato dëgjoheshin, derisa dielli u fik nën ujin e kaltërt të detit, sytë e tyre nuk ia ndan rënies së lëmshit të zjarrtë. Nga pas në kurrizin tim ndjeva të këndohej, në një anglishte të qartë nën zë nga një plak, një këngë për diellin.

 

“Shteti i Diellit”, sic quhet ndryshe shteti i Floridës, ra në muzg. Njerëzit filluan të largoheshin, ndërsa dallgët tashmë të qeta të bregut të detit do të ndjeheshin të vetmuara me rënien e muzgut. Vargu i makinave të trokëve amerikanë, apo kadillakëve e toyotave do të largohej në heshtje, qetë qetë për në brendësi të qytetit. Nga ballkoni, kur dola për të parë detin që zhurmonte lehtë, vura re se qetësia rreth e rrotull kishte shuar zhurmat e ditës. Deti i shtrirë gjerë e gjatë vetëm zhurmonte në hesapin e vet, e sikur kërkonte të thoshte: “Mos më harroni!…”.

– “Natën e mirë”, – sikur i fola me mend dhe u shtrita në krevat i lodhur pas një dite të nxehtë tropikale të shtatorit.

 

12 tetor 2023, Vanderbilt-Beach, Naples, Florida.   

 

Please follow and like us: