Shefqet Meko: “Testamenti” i kryetarit
-Sajesë letrare për askënd, ose “Njëshin” e shoqatës ShUShU, Xhuxho Capi
Vetëm kur mbushi “moshën e pensionit”, Xhuxho Capi pati fatin e madh të quhej “Kryetar i shoqatës” ShUShU. Ishte një “kometë” që e kishte pritur tërë jetën. I lindur diku ku “malet puthnin malet” dhe i dashuruar nëpër thepa veriore me një “çobaneshë-burrneshë”, Xhuxho Capi arriti suksesin e jetës së vet. Nuk i gëzohej faktit që më në fund edhe ai ishte si një shumicë jo e vogël: “kryetar shoqate”. E kush nuk u bë kryetar në “agoninë” shqiptare për demokraci? Jo pak të tillë, pasi kishin bërë “stazh kryetarësh” u kishte ndritur fati duke ikur në Amerikë apo gjetkë larg Shqipërisë. Kështu kishte ndodhur me themeluesin e shoqatës “ShUShU” që kishte ikur në Amerikë. Edhe zoti FuFu pasardhës me vota i kryetarit të parë, atje kishte ikur. Në këtë kuptim Xhuxho Capi falenderonte Amerikën që “gllabëroi” kryetarët për t’i sjellë Xhuxhos fatin e madh të jetës së tij: Kryetarllëkun në ShUShU.
Ai nuk ishte njeri i keq. Tërë jetën në beteja mbijetese e kishte kaluar. Ai qeshte kur duhej heshtur. Ai klithte kur duhej fjetur. Ai zgërdhihej kur duhej menduar. Xhuxho kishte një ide fikse: Vetëm ai ishte burrë i mirë. Kurrë nuk kishte ngrënë qyl. Kurrë nuk kishte gënjyer apo tradhëtuar “çobaneshën” e vet dhe kjo ishte meritë që ja njihnin të gjithë. Ishte me të drejtë “virtuti i tij”. Vetëm kur shijoi vulën dhe kryetarllëkun ai kuptoi se “ky virtyt” nuk mjaftonte. I duhej të kthehej në “Tjetër njeri”: Të fliste poshtë e lartë. Të mësonte intrigën, përvjelljen, shëmtinë, ligësinë e njeriut. Për herë të parë kuptoi se “pushteti i kryetarit” nuk mbahet me votë, zgjedhje, konkurencë dhe alternativa, por me intriga, kurthe, prapaskena dhe cmira. Ai përherë ishte “i dashuri i Xhaxhit” dhe për herë të parë shijonte “pushtetin” në miniaturën e një shoqate. “Kaq më dha Zoti kësmet” mërmëriste Xhuxho Capi.
Filloi të merrte ftesa nga jashtë Shqipërie. Vetja i dukej “Personalitet i madh” i shekullit të 21-të. Shkonte në konferenca dhe nuk paguante hotelet dhe shpenzimet. Kthehej krenar në Tiranë dhe “raportonte” tek anëtarësia: “Federata jonë shumë e kënaqur me mua. Ju përfaqsova me nder shqiptar. Isha në Spanjë, Hollandë dhe Zvicër. Vitin tjetër do shkoj Amerikë”…
Xhuxho nuk mund ta kuptonte se transgjarpërimi demokratik në Shqipëri e kishte transformuar edhe atë në mënyrën më atavike të mundshme. Ndihej fjator dhe nuk ndihej. Ishte një mëdyshje e kotë. Ai nuk ishte më “burri nga malet” që njihte Veriu dhe “fshati i nuses”. Ai ishte shformuar si vetë përzbardhja e flokëve e tejngopja e stomakut. Shpirti i tij ishte drapëzuar keqas. Ai kishte parë themeluesin e parë të shoqatës në Tiranë dhe nuk i kishte folur duke u ndjerë “Enver inatçi”. Në promovimin e librit që botoi parardhësi i tij, Xhuxho do fshihej diku në “shkurret e bllokut” për të numuruar sa erdhën në “festën e librit” dhe gëzohej kur nuk “kishte turma” ani pse ishte kohë pandemije…. Xhuxho ishte xhuxhëzuar në shpirt, në jetë, në “netët pa ëndrra”. Atij i dukej sikur “i ardhuri nga Amerika” do ia rrëmbente shoqatën si një “felë buke me marmallatë” dhe kjo i ngjasonte me vdekjen…”. Jo, shoqata ShUShU është e imja. Unë jam kryetari. Mos ma prekni shoqatën”.
Lemerisej nga ideja se një ditë ai nuk do ishte kryetar, por dikush tjetër. “Ky është fundi i jetës sime… Si mund të vdes pa qenë kryetar shoqate. Ç’kuptim ka vdekja pa kryetarllëk”?!..-mërmëriste Xhuxho Capi në netët pa gjumë. Tmerri i vërtetë i kryetarit Xhuxho Capi ishte kur në postën elektronike ai gjeti një ftesë. Ish-kryetari i parë dhe themeluesi i shoqatës e ftonte atë dhe anëtarë të shoqatës tek “Ferma Kuka” në një bashkëbisedim kolegësh e profesionistësh.
U nxi në fytyrë Xhuxho. Edhe flokët e bardhë iu nxinë. Ju duk vetja i ri me “shpirt revolucionar”. Solli në mendje një mijë e një skenare. “Ai vjen të më bëjë puç, por unë jam si Xhaxhi. Nuk bie kurrë”, belbëzoi Xhuxho Capi. I hodhi një sy listës së antarëve. I ndritën sytë nga fepsja e idesë së tij: “Ai vjen ne ikim. Ai na fton, ne shkojmë Prishtinë”…
Pikërisht në ditën dhe datën që pritej “Takimi tek Kuka”, kryetari në detyrë njoftoi se “Në Prishtinë ka aktivitet. Furgoni është i paguar”. Por kjo nuk mjaftonte. Ai mori në telefon çdo anëtar që doemos të “vinte falas në Prishtinë”. Nuk ngopej nga dëshira për ta parë tjetrin në mjerim e dështim. Por, i tmerruar se “nga Amerika vijnë të këqiat”, Xhuxho përpiloi një dokument si “marrëveshja e Mukjes” ku secili anëtar duhej të “noterizonte” votën-betonarme për kryetarin e përjetshëm. Ishte trika dhe kurthi që nuk i kishte shkuar në mend askujt. “Ata më besojnë se jam burrë i mirë. Ata do firmosin dhe unë mbetem kryetar me testament”, mendoi Xhuxho Capi .
Në Fermën Kuka ai priste që ish-kryetari të ishte fillikat mes qiparisave të gjatë mbjellë nga pasionanti Kuka. “Ky është dënim për Amerikën dhe ata që vijnë prej andej” i gëzohej shpirtvogëlsisë Xhuxho Capi. Por nuk pipëtiu dot sepse gazetari më veteran e kishte “tradhëtuar” duke shkuar tek Kuka ku erdhën ata që duhet të vinin dhe takimi nuk dështoi siç ëndërronte shpirt-çimka Xhuxho. Ai fjeti diku në një furgon në Prishtinë duke shtrënguar në gjoks një dosje ku ishte noterizuar vota e kryetarit të përhershëm të shoqatës ShUShU. Për 10 vjet ai nuk bëri kurrë zgjedhje dhe tani votat ishin “testament” i noterizuar për kryetarin “deri në ikje”…
Në Tiranë ky lajm gjallëroi gjithë kryetarët të cilët u sulën tek Xhuxho për të marrë përvojë se si noterizohet vota e tjetrit. Edhe shumë kryetarë partish u shokuan nga kjo ide brilante që nuk u kishte shkuar në mendje kurrë. Xhuxho Capi dha një “konferencë shtypi” dhe denoncoi çdo përpjekje për zgjedhje në shoqatën ShUShU. Ai qeshte si kryeakademiku shqiptar Bimbushi. “Mua më thonë Xhuxho Capi. Nuk ka burrë të ma marrë kryetarllëkun. Unë dhe kryetari i Akademisë jemi të përjetshëm”. Ai qeshte dhe flokët e bardha i nxiheshin duke “rinuar” një të rrënuar…
Minneapolis 22 Tetor 2023.
*Kjo sajesë nuk është për ty, as për atë, as për kënd tjetër. Është sajesë ndaj mos të të shkojë mendja për askënd. Nuk ka të tillë burra në Shqipëri, madje askund në botë. Thjesht një “sajesë thumbuese…”.