Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: Një libër për Lurën historike

Malli për vendlindjen, Lura

Autori Gëzim Loka sa herë ka shkruar dhe hedhur diçka në letër për Lurën, ka ndjerë thellësinë e mallit për vendlindjen e ka çuar peshë, të shoqëruar me emocione të papërshkruara. Ai në tërë rrugëtimin e tij thekson se në Lurë ka gurin dhe shtegun, drurin dhe ujin, gurin e pragut dhe gurin e varrit të të parëve të tij, ka krenarinë luriane të gdhendur në të gjitha kohët dhe brezat me daltën e historisë. Ai me mall kujton agimet e fëmijërisë, ëndrrat e rinisë së hershme dhe pritshmëritë e të moshës së burrit të pjekur, duke u endur rreth saj mes ankthit dhe mungesës, duke kërkuar magjitë e Eldoradës, pra të Lurës që e quan “Lura ime”. Çdo libër i shkruar i trazon dhe mban peng kujtesën, e shtyn bashkë me trazimet poetike të Mallës, me gjëmimet e Bakullënjës dhe të Runjës, në kërkim të thesareve historike e turistike, që vrullojnë në penën e tij.

Libri “Historiku i shoqatës dhe gazetës” në 5 vjet jetë dhe aktivitet ishte produkt i një ëndrre të bukur, të thurur për Lurën. Ishte koha kur në mendjen e Gëzim Loka u projektua shoqata dhe gazeta për Lurën. Këto u bënë realitet pesë vjet më parë dhe të gjitha ditët dhe rrugët e autorit u vërtitën dhe vërtiten rreth Lurës. Libri, përshkruan udhëtimin e autorit dhe të lurasve, të bashkëudhëtarëve që bënë realitet shoqatën dhe gazetën. Në këto pesë vjet është përcjellë një material i bollshëm, i lakumeshëm, i nevojshëm për të njohur krahinën, turzimin malor dhe historisë unike, të dhënë në kohë-hapësirën e shqiptarisë.

Në libër përshkruhen veprimtari të ndryshmet, libra të rinj dhe promovime, mbledhje e detyra konkrete, përvjetorë e kujtesa të ndryshme historike. Libri përshkruan Ditën e Lurës, një veprimtari që gjtihmonë ka kërkuar angazhim dhe përkujdesje, për të qenë model në të gjithë hapësirën shqiptare. Libri sjell fjalë dhe mbresa të lurasve, shqetësimet të përshkruara në gazetë dhe shoqatë, projekte dhe objektiva që nuk kanë mbetur në letër, por kanë pushtuar zyrat e drejtuesve lokale dhe kombëtarë. Kështu u bë realitet Rruga e Lurës, që mori jetë kur kryeministrit Rama, bëri vizitë në Lurë, i dha frymë projektit gjigand për krahinën.

Lura shprehet autori është një kala gjigande e fortifikuar, një kështjellë virtyti dhe lirie, ajo konkuron me bukuritë rrezëllitëse, ka një trashëgimi të lakumeshme në rrafshin kombëtar e më gjërë, e cila ka hyrë në analet e përkujdesjes së UNESKO-s, por ende nuk e ka shijuar këtë favor që i takon dhe e meriton. Autori thekson se Lura është një mrekulli e shpalosur nga toka dhe qielli, nga druri dhe guri, nga fleta e gjethes dhe fëshfërima e erës, nga fluturimi i zogut dhe vlerave njerëzore, të cilat i ka ngritur në panteon.

Të gjitha këto vlera deh vyrtyte përshkruhen në këtë libër nëpërmjet veprimtarive të përcjella që nga dita e themelimit të shoqatës “Lura jonë” dhe të gazetës “Lura”. Puna ka qenë voluminoze, ka kërkuar angazhim dhe përkushtim maksimal, për të lënë gjurmë kohe në këtë udhëtim në kohë-hapësirën lurase. Nëpërmjet faqeve të librit vijnë mbresa, emocione, përkushtim në kërkimin dhe pasqyrimin e vlerave të historisë dhe përditshmërisë. Këtu nuk bëhen “filozofira të mëdha”, por shkruhet realiteti dhe historia e Lurës.

Libri është ftesë për të gjithë lurasit, për të ndjekur pas gjurmët e historisë, për të ndarë së bashku hallet, shqetësimet dhe gëzimet, projekte për të ardhmen, të cilat gjejnë vend në këtë libër modest, por të shkruar më shumë dashuri e përkushtim, falë Lurës dhe falë besimit të lurasit.

Njohje me autorin Gëzim Loka

I lindur në Lurë, Dibër dhe banon në Tiranë. Ka mbaruar shkollën pedagogjike “Nazmi Rushiti” në Peshkopi, në vitin 1976. Ka mbaruar Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve në Tiranë në vitin 1980, dhe po në këtë vit ka përfunduar kursin pasuniversitar të përgatitjes fizike. Akademinë e Mbrojtjes e ka mbaruar në vitin 1989.

Ka punuar oficer në qytete të ndryshme të Shqipërisë të tilla si Pogradec, Mat, Gjirokastër, Vlorë, Prrenjas, Tiranë etj… Pasionet e tij kanë qenë dhe janë: alpinizmi, noti dhe atletika. Ka qenë i aktivizuar në këto sporte me ekipin e “Partizanit” para dhe pas shkollimit të tij ushtarak. Ka botuar shkrime të ndryshme në disa prej të përditshmeve të shtypit shqiptar duke ngritur problematika të aktualitetit në artikujt e tij. Është dekoruar dhe vlerësuar me këto medalje nderi si “Ylli i Kuq”, “Flamuri”, “Ushtarak Shembullor”, “Distiktivi Ushtarak Shembullor”, “Medalje Shërbimi”, “Medalje Mirënjohje”, “Medalje Karriere”.

Ka botuar librat: “Përgatitja speciale e Policisë Ushtarake”, viti 2000; “Lura – Perla e Europës” (publicistikë letraro-historike), viti 2015; “Ujëvarë shpirti” (poezi), viti 2016; “Pafajësia e pranverës” (tregime), viti 2017; Këngë për Lurën “Lurë, ti je parajsë e tokës”, 2018; “Viti zero” (Ese), viti 2018; “Një kandidat për hero” fejtone dhe pamflete, viti 2019; “Ju falem ju, o bukuri hyjnore” – poema, viti 2020; “Katër luftërat botërore dhe Shqipëria” – analizë dhe mendime, 2020; “Meteor lirie”, kushtuar Heroit të Popullit, Gjokë Doçi, 2020; “Skamnorët” (novelë), 2021; “Dom Nikoll Kaçorri”, 2022; “Kushtetuta e Dheut të Lurës, viti 2022; “Historik i gazetës “Lura” dhe shoqata “Lura jonë”, 2023 dhe në proces botimi “Dita e Lurës”.

Autori më 13 korrik 2018 ka filluar botimin e gazetës “Lura” si kryeredaktor dhe është themelues i shoqatës “Lura jonë”.

Please follow and like us: