Astrit Lulushi: Magjistari i fshatit
Ishte një fermer që jetonte në një fshat jugor. Ishte i famshëm për zgjuarsinë dhe humorin e pazakontë – ishte i fortë edhe fizikisht – sa herë që kishte mundje në sheshin e fshatit, dilte fitues. U përhapën thashethemet se ishte i pathyeshëm, dhe ai nuk i mohoi kurrë. Nganjëherë konsiderohej si i ‘muhabetit’ dhe meqë bagëtia e tij kullotej më së miri dhe fushat e tij jepnin të korrat më të pasura – supozohej se ishte në aleancë me të keqen – mendohej se bëne hile.
Tani ndodhi që fshati u prek nga minjtë dhe autoritetet filluan të dyshonin se mos ai i kishte hedhur për të shkaktuar murtajën; kur u pyet, pranoi me humor se i kishte dërguar minjtë, por së shpejti do t’i dëbonte, dhe premtoi të provonte se me magji mund të bënte minj.
Kur erdhi dita e caktuar, sheshi ishte stërmbushur dhe fermeri u shfaq me një çantë të madhe nën krah, dhe në të u kërkoi atyre që kishte pranë të hidhnin njëzet guralecë. Ata e bënë këtë pa vënë re se çanta ishte e dyfishtë. Dhe ndërsa një pjesë ishte bosh, tjetra përmbante njëzet minj. Kur guralecat u futën në çantë, ai murmuriti një si formulë magjike dhe i la minjtë të liroheshin në prani të audiencës së frikësuar.
Kjo performancë, megjithatë, pati rezultate të papritura dhe hidhura. Njerëzit u bindën se ishte punë e ferrit dhe fshatari iku me vështirësi nga sheshi. Ai u arrestua të nesërmen dhe u dërgua në gjykatë. Një nishan në trupin e tij mendohej se ishte një stigmë e Djallit dhe të gjithë dëshmitarët ranë dakord se ai ishte magjistar. Rasti u hetua tërësisht, madje u konsultua edhe me njerëz që regjimi i mbante për të ditur, dhe në sheshin e fshatit, gjykata dha vendimin; Fshatari nguli këmbë në pafajësi, dhe iu desh të duronte të gjitha torturat. Më në fund u dënua me 20 vjet burgim. Në procesverbalet e padisë thuhet se kur i vunë zinxhirët në qafë, rreth trupit dhe rreth këmbëve, ai bërtiti me zë të lartë: “Zoti im, jam i pafajshëm”. Thirrja ishte e kotë.
Të gjithë ishin mësuar të heshtnin. Qetësia me shtypje është më e mirë sesa lufta për paqe. Kjo psikozë e kaluar që i përgjumi njerëzit gjatë diktaturës, gjen përsëri klimë dhe vazhdon të përtërihet sot.
Please follow and like us: