VEPRA MONUMENTALE E PROF. BARDHOSH GAÇES
Enver MEMISHAJ
Profesor i Universitetit të Vlorës Bardhosh Gaçe (1953), dekoruar “Mjeshtër i Madh”, njihet sot si autoritet në shumë fusha të dijes, i tëhequr nga historia, veçanërisht nga folklori, si pasuri e shenjtë e të parëve iliro- shqiptar. Kjo bëri që edhe temën e doktoraturës ta mbronte me veprën “Etnokultura e Labërisë”. Në vitin 1992 u shpall “Doktor i Shkencave Gjuhësore – Letrare Shqiptare”. Titullin Profesor e mori në vitin 2009. Ka vite si mësimdhënës për etnofolklorin, letërsinë Fëminore, letërsinë e Vjetër Shqipe, letërsinë Arbëreshe, letërsinë e Rilindjes, letërsinë Moderne Shqipe në Universitetin Teknik “Ismail Qemali“ në Vlorë.
Studjues dhe botues në shumë fusha të dijes: Vjersha për fëmijë, eseistikë, publicistikë, vepra studimore, studime etnokulturore (albanologji), histori, folklor, monografi, antologji dhe veç këtyre shquhet edhe si aktivist shoqëror.
Nëse do të na duhej të rendisnim veprat, vetëm me titujt e veprave të tij do të na duhej një libër i tërë.
* * *
Ky kolos i kulturës shqiptare ditët e fundit ka dalë para lexuesve me veprën monumentale “Vlora, Fjalor Enciklopedik”. For. 27 x 17, fq. 1182, “Maluka”, Tiranë 2023. Redaktor prof. Muin Çami, Recensentë: Prof. Sh. Demiraj, Prof. F. Krutaj, Dr. F. Arapi, Dr. B. Leskaj, Prof. I. Mitro, Prof. N. Pano, Prof. L. Gjiknuri, Prof. R. Memushi, Prof. B. Zotaj, Enver Memishaj, Msc. A. Abazaj, A. Demaj.
“Fjalori Enciklopedik i Vlorës, hartuar nga prof. dr. Bardhosh Gaçe, pas një punë të gjatë e të përkushtuar, duke gjurmuar në arkivat e vendit dhe ato të huaja, në shtypin e kohës dhe mjaft botime dokumentare, në kërkimet në terren dhe muze e dorëshkrime, përbën një vepër komplekse e të gjerë, duke pasqyruar jetën politike, ekonomike, kulturore, traditat dhe zakonet, si dhe përpjekjet e banorëve të kësaj treve nëpër shekuj në luftërat për liri e çlirim kombëtar”, shkruajnë prof. Shaban Demiraj, Akademik, Prof. Muin Çami, prof. Ismet Elezi, prof. Farudin Kruraj.
Vetë autori i Fjalorit Enciklopedik shkruan se: “Prej kohësh më ka nxitur mendimi që edhe Vlora, me pasuritë e saj natyrore, kulturore e njerëzore të kishte një fjalor enciklopedik, ku ravijëzoheshin e përmblidheshin sado thjesht e në mënyrë të sintetizuar mjaft njohuri, të cilat të pasqyrojnë zhvillimet historike, politike, shoqërore, ekonomike e kulturore të këtij rajoni të rëndësishëm që shtrihet në jugperëndim të Adriatikut e të Jugut të vendit. … Në gjithë këtë punë që nisa që në vitin 1987 dhe e përfundova në vitin 2021 e vetmja ndjenjë e fuqishme që njohu pasionin dhe këmbënguljen, ishte dashuria për Vlorën… Në hartimin e librave të tillë kurdoherë ka vend për plotësime”.
Libra të këtij lloji janë një thesar i vërtetë, janë si librat e shenjtë që mund tu drejtohet çdo njeri, pavarësisht nga koha e arsimi, e në çdo kohë. Për vlonjatët ky është libri i babës dhe i nënës së tyre, është libri i krenarisë për trojet dhe popullsinë, është libri që duhet ta mbajë nën jastëk çdo njeri që ka lindur prej një nëne dhe babe vlonjat, por ky nuk është vetëm libri i Vlorës, ai është një pjesë e rëndësihme e historisë dhe kulturës sonë kombëtare. I pari nga vlonjatët që ndjeu rëndësinë dhe bëri vlerësimin e librit ende pa” rënë në tokë libri” është publicisti dhe aktivisti shoqëror Agim Jazaj në një artikull në “Telegraf”, datë 28 tetor 2023. Pas tij do të jenë shumë të tjerë.
Libra të këtij lloji kanë vlerë jo vetëm në kohën e sotme, sepse janë libra të pa vdekshëm, dhe sa më shumë kalon koha aq më shumë rritet vlera e tyre.
Faleminderit prof. Bardhoshi që na dhurove këtë libër monumental, dhe këtë mund ta bëje vetëm ti, ndaj Vlora krenohet me personalitetin Tuaj. Me veprën Tuaj, që përshkohet fund e krye nga ndjenja e dashurisë ndaj atdheut tonë të përbashkët.
Nderime e vlerësimë të veçanta për redaktorin, recezentët, piktorët Safo Marko, Kosta Raka e Kujtim Peti, korektorët Dr, Izet S. Çuli, Dr. Asime Feraj, arti grafik Kejda Maluka, të cilët kanë kanë influencën e tyre në këtë botim madhor të Bardhosh Gaçes
Urime e jetë të gjatë prof. Gaçe për vepra më të mira.