Albspirit

Media/News/Publishing

HITO ZENEL HITAJ – PRIJËS DHE LUFTËTAR I PAVDEKSHËM

(Në përkujtim të prijësit, heroit dhe prijësit, kapedanit të Labërisë që shkroi histori trimërie në fshatin Vajzë të Vlorës 145 vite më parë, në 12 të vjeshtës së dytë të vitit të LSHP-së, (më 12 tetor 1878) në moshën 48 vjeçare. Mirënjohje dhe homazh në kuadrin e 145 vjetorit të rënies së luftëtarit trim Hito Hitaj, nga plumbat e koshareve osmane).

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

Përkujtimi i luftëtarëve shqiptarë, që kanë rënë në luftrat e popullit shqiptar për liri, pavarësi dhe ruajtje të truallit arbëror, në betejat për ruajtjen e identitetit dhe të vlerave të shqiptarizmës wshtw detyrim brezash, wshtw respekt e nderim pwr tw djeshmen e kombit shqiptar. Kështu  nuk mund të kalojë pa u vënë re një figurë e shquar e Labërisë, një prijës e luftëtar  i sprovuar betejave, por nami i ka shkuar deri në “dovlet” në qendër të sulltanatit në Stamboll. Kundërshtimi me armë i pushtuesve ka qenë një praktikë e shekujve për shqiptarët, që kurrë nuk e pranuan pushtimin.

Labëria që pas epokës së Motit të Madh të Gjergj Kastriotit Skënderbeut zhvilloi kryengritje dhe rebelime të përgjakshme sidomos në vitet 1472-1492, vit kur fituan edhe të drejtën e vetqeverisjes ose sikurse quheshin nw atw kohw tw venomeve. Ndërkohë që Labëria dhe e gjithë hapësira shqiptare ishte dhe ngeli me plotë vatra zjarri të ndezura si rrebelim i përjetshëm ndaj pushtimeve.

Në mjaft këngë të trevës së Labëria këndohet: “Labëri, o mal me thika, djemtë e tu trima me çika”, apo…“Kurvelesh, o guri shkëmbit,/e qëllon topi i Zallëmit,/Na prishi lezet e vëndit,/ Kurvelesh o gur i thatë,/ Luftuat me një rigatë,/ luftë burrat, luftë gratë,/ katër muaj ditë e natë,/ as bukë as xhephane s’patë”. Dhimbjet dhe trimëritë e një populli të tërë ngelën në këngë si dëshmi historike e kohës, ashtu sikurse ka ngelur prijësi dhe luftëtari Hito Zenel Hitaj kapedan që nuk u harrua kurrë në fshatin Vajzë të Vlorë, në Labëri dhe në mbarë shqiptarinë.

*

Vajza – fshati amant i historisë, trimërisë dhe mençurisë

 

Janë të rrallë fshatrat me qytetërim të hershëm sikurse është Vajza, e shquar në histori nga ilirët e deri në ditët tona. Atje është historia, tradita, trimëria dhe mençuria, një fshat poetik i pikuar në këngët e Ali Asllanit. Në fshatin Vajzë u lind, u rrit dhe u burrërua në vatrën e prushtë të atdhetarisë trimi i ngelur në këngë Hito Zenel Hitaj. Ai lindi në oxhakun e Hitajve në pranverën e vitit 1830, në fshatin Vajzë të Vlorës.

Që fëmijë provoi peshën e halleve të kohës që i pa vetë në fshatrat e Labërisë që ishin në avangardë të rrebelimit të vazhdueshëm antiosman dhe kundër çdo pushtuesi sikurse ishte e njejta gjendje dhe në fshatrat e tjerë, ku kundërshtohej me të gjitha format e mundësitë pushtimi. Hito Zenel Hitaj, ishte lindur në një familje me tradita të shquara patriotike dhe atdhetare, që jataganin dhe dyfekun e kishin për zanat sikurse gjithë lebrit.

Ai u rrit i mëkuar me traditën gojore të këngëve dhe të papërkulshmërisë dhe të revoltave të herëpasherëshme të fshatit të tij të Vajzës dhe mbarë trevës luftarake të Labërisë. Periudha në të cilën lindi Hito Hitaj përkon me një varg kryengritjesh në të gjithë trevat shqiptare, me pabesinë e vrasjes së krerëve shqiptarë në masakrën e Manastirit, kur serasqeri i Rumelisë/Ballkanit Mehmet Reshit Pasha për të zhdukur gjurmët e lëvizjes shqiptare kundërosmane organizoi një masakër çnjerëzore më 9 gusht 1830.

Në Manastir u thirrën krerët e Toskërisë, gjoja “për t’ju dhënë rrogat e prapambetura nga lufta greke”. Atje në kohën e ceremonisë një batare pushkësh shtriu përdhe 500 të ftuarit shqiptarë dhe kokat e tyre i dërguan në Stamboll si fitore të madhe. Por pabesia osmane nuk u harrua kurrë dhe u shkrua si faqe e zezë e pushtimit, por dhe që u rrënjos fort në gjithë brezat e para dy shekujsh tek shqiptarët. Por asnjë dredhi osmane dhe as gjaku i derdhur lumë nga krerët e kryengritjeve nuk i trembi dhe nuk i mposhti shqiptarët. Këtë e vërteton më së miri veprimtaria e viteve 1830-1847 ku zjarri i kryengritjeve antiosmane u ndez në jug dhe në veri të Shqipërisë.

*

Labëria vendi ku fëmijët lindin burra

 

Sikurse në mbarë Labërinë edhe në fshatin Vajzë fëmijët nuk kishin kohë ta jetonin fëmijërinë, kështu edhe për Hiton Zenelin e Hitajve. Një djalë i lindur në oxhakun e Hitajve ishte një jatagan dhe një pushkë e stërralltë për të mposhtur hallet e kohës dhe për të mbijetuar përmes pushtimesh. Kregimet në vatrat e ngrohta të vajziotëve e bënin jetën optimiste dhe në kohë pushtimi. Me këto tregime u rrit edhe Hito Hitaj i fshatit Vajzë.

Në fshatin e lindjes u bë bujk dhe blektor, u shoqërua me moshatarët e tij dhe u rrit livadheve dhe ujrave të shumta të kristalta të Vajzës. Lojrat e bashkëmoshatarëve si mundja, vrapimet, kërcimet, gjuetia dhe gjithëfarë aktivitetesh e forcuan dhe kalitën birin e Vajzës dhe të Labërisë, e bënë në të vërtetë një shkëmb labërie në përballimin e halleve të familjes, të Vajzës dhe mbarë krahinës.

Shpejt u burrërua dhe i doli në krahë familjes në punët e fushës dhe të malit, por nuk harroikurrë jataganin dhe dyfekun një traditë labe si postulat i shekujve për mbrojtje. Në vitet 1850 ka qenë nizamë në bazë të ligjit osman (të nizamllëkut, nizamë-rend, rregull, ligj), dhe pasi shpëtoi gjallë nga askerliku (shërbimi ushtarak) gjatë në shumë vende të Anadollit e Jemenit, erdhi në fshatin e lindjes, në Vajzë.  Ai krijoi familje dhe e rriti oxhakun e Hitajve, oxhak që shtrihej në mëhallën e Çobanajve në Vajzë, ndër më të mëdhatë e fshatit, por që në unitet brezash që rrjedhin nga i njëjti fis janë dhe Hitajt, Veselajt, Elezajt, Resulajt, Borajt, Leçaj, Kapaj dhe Nazajt (sikurse thotë edhe Maliq Sadushi, Fshati ynë i mirë, Histori e fshatit Vajzë, Tiranë, 2002, faqe 53.).

Vitet e Rilindjes e veçanërisht ato të pas luftës ruso-turke të 1877-1878, një numër i madh patriotësh të ndërgjegjësuar për periudhën e vështirë që kalonte vendi u mblodhën rreth patriotit dhe trimit Hito Zenel Hitaj dhe bashkë me të dhe Sulejman Kapo Hoxha, Karafil Brahim Brahimi, Nuro Xhelali, Çize Merko, Devoll Sadushi, Nuro Xhelali, Nuredin Boraj, e shumë të tjerë. Ata u shndruan në bërthama e rrebelimit dhe kundërshtimit me forcë të taksave të larta të xhelepit, të dërgimit të djemurisë së Vajzës dhe mbarë Labërisë nizamë në vist më të largëta të sulltanatit.

Kështu trimi e prijësi Hito Hitaj dhe luftëtarë të tjerë të Vajzës shkatërruan karakollet (zyrat e xhandarmërisë /postoblloqet), shembën kubenë (vendin e shenjtë), të ngritur në Karavoq dhe gurët i përdorën për ngritjen e shtëpive dhe pllakat e gurit për të shtruar lëmin ku shihej bereqeti me kuaj. Aktiviteti patriotik i fshatit Vajzë edhe nën frymën e LSHP-së mori përmasa të mëdha dhe më të organizuara, por që kulmon me vrasjen në Vajzë të kryetrimit, prijësit, luftëtarit dhe organizatorit të rrebelimeve dhe kryengritjeve të fshatrasisë së zonës Hito Zenelit në vjeshtët e vitit 1878.

Hitua ishte jo vetëm i pushkës e jataganit, prijës e luftëtar i sprovuar dhe që nuk i trembej syri, por edhe një orator i spikatur që ngrinte peshë zemrat e labërve kundër pushtimit. Edhe pas ekzekutimit barbar dhe të pabesë të tij nga osmanët nuk mundën ta shuanin kurrësesi frymën e revoltës antiosmane në popull që solli deri në ngritjen e një çete patriotike luftëtare për të luftuar pushtimin osman. Pra vrasja e trimit Hito Hitaj e ngriti edhe më lartë frymën kundërshtuese ndaj pushtimit jo vetëm në Vajzë dhe në Labëri, Vlorë e Gjirokastër, por në mbarë Vilajetin e Janinës. Ndërkohë që në Vajzë dhe më gjerë u shtuan përpjekjet për mësimin e gjuhës shqipe dhe përpjekjet e atdhetarëve për çlirimin një herë e përgjithmonë  nga vargonjtë pushtues. Një rol të madhe në popull shërbeu si burim frymëzimi vrasja e trimit Hito Hitaj, por dhe ardhja në Vajzë nga Stambolli i Sulejman Kapo Hoxha dhe Karafil Brahim Brahimi, që ishin miq me rilindasit e sidomos me vëllezërit Frashëri.

*

Trimat rrojë përjetësisht në këngë

 

Një ndër rastet kur trimave u ngrihej këngë ishte pikërisht edhe rasti i birit të fshatit Vajzë të Vlorës Hito Zenel Hitaj, që u vra barbarisht në vjeshtën e dytë (dmth, tetor), të vitit të LSHP-së, më 12 tetor 1878 si kundërshtar i rregjimit pushtues osman. Ai kundërshtonte deri në rrebelim të armatosur xhandarët e taksidarët osmanë që me egërsi u pinin gjakun popullit shqiptar në të katër vilajetet shqiptare. Ai ishte prijës, luftëtar dhe organizator i kryengritjeve labe dhe për këtë arsye edhe u vra nga pushtuesit osmanë, e vërtetuar kjo edhe në dokumentat zyrtare muzeale.

Nga të dhënat dokumentare nga fshati Vajzë në këtë periudhë shquhen shumë burra si figura patriotike si psh: Suejman Hoxha, Karafil Brahimaj, Hito Zenelaj etj., dhe historia ka vërtetuar se vajziotët asnjëhere nuk i janë bindur kërbaçit pushtues Osman e detyrimeve të shumta cfilitëse, që rëndonin mbi fshatarin me lloj-lloj taksash. Prandaj dhe kënga e popullit thotë: “Gushto-vjeshta në të hyrë,/Zoti çe pruri Alinë,/Ali Gjokë fesatxhinë (sherrëxhinë),/Kërkon xhelep e vergjinë,/Populli s’kishte t’i ipnë,/Vranë Hito Zenel trimnë,/Po pati të kushërinë,/ Pati Karafil Brahimnë,/Karafili me martinë,/Vrau xhandarët në vijë…(sipas origjinalit të “Historiku i fshatit Vajzë” të botimit të dytë, Vajzë 1980, faqe 20).

Hito Zeneli ishte në ballë, prijës dhe kundërshtuar i paepur i ligjeve të Sulltanatit osman, për të mos dhënë xhelepet e taksat, për të mos dërguar ushtarë në betejat e vazhdueshme të osmanëve në të katër anët e perandorisë, si dhe për të nisur shkëndnë e luftës kundër osmanllinjve.

Në ato kohra populli u thuri vargje këtyre luftëtarëve: “Sulejmani me Karafilë,/Që të dy gjithë bilbilë,/Tek rrapi Krekës u mblodhë,/Me ata trimat me kordhë,/Hito Zeneli trim i rrallë,/Kordhëtar mbi kordhëtarë,/Gjakun nuk ja lanë pa marrë..”. Kjo është vetëm një copëz e historisë së trimërisë, që në betejat historike në të gjithë truallin shqiptar, haku i trimave kurrësesi nuk lihej pa marrë deri sa çonte peshë në kryengritje të mëdha popullore të madh e të vogël.

*

Nëpër faqet e Historikut të fshatit Vajzë të vitit 1980…

 

Një komision i madh prej 17 anëtarësh ishte ngritur në Vajzë në vitet ’70-të të shekullit të kaluar. Në atë periudhë nuk e dinin se duke shkruar të vertetat historike që ishin trashëguar brezave në gojën e popullit, po i bënin një shërbim të madh historisë së fshatit Vajzë dhe më gjerë të Labërisë dhe Shqipërisë, sepse sollën të gjallë atë që kishin transmetuar brezi i burrave të hekurt, dhe që në fakt edhe i kishin njohur personalisht ata që kishin jetuar Lidhjen Shqiptare të Prizrenit.

Komisioni kryesohej nga ish Zëvendësministri i Mbrojtjes Popullore Maliq Sadushi. Anëtarë të këtij komisioni ishin: Maliq Telo Sadushaj, Xhipe Mersin Kapaj, Gani Mystehak Sulçaj, Riza Çize Brahimaj, Çize Hamit Elezaj, Iljaz Zagoll Bilbilaj, Piro Rexhep Hoxhaj, Fejzi Sherif Sherifaj, Kamo Tare Sheremetaj, Hysen Sadik Brahimaj, Rustem Rrapo Hametaj, Reis Ali Xhezo, Myfit Zaçe Nazaj, Daver Hamit Elezaj, Mynyr Resul Manaj, Bino Zigur Kasaj, e Nasip Halit Xhelilaj.

Historiku erdhi deri në ditët tona dhe veç të tjerash spikat për përshkrimin dhe këngët që vijnë deri sot për trimin, prijësin dhe luftëtarin Hito Zenel Hitaj. Nëpër rreshtat e “Historikut të fshatit Vajzë” të hartuar nga viti 1973 deri në vitin 1980: “Më 1481 në Shqipërinë e Jugut plasi një kryengritje e madhe kundër pushtuesve turq si rezultat i së cilës u çliruan Himara, Sopoti dhe Labëria, pra dhe fshati Vajzë.  Në fakt rrebelimi dhe ndeshja me pushtuesit osmanë në Labëri e për rrjedhojë edhe në Vajzë zgjati pothuaj 20 vjet nga viti 1472 deri në vitin 1492, kur Sulltani u detyrua t’ju jepte “Venomet” Labërisë me kryeqendër në atë kohë Himarën ku përfshiheshin 56 fshatra të Labërisë. Fakt është se edhe në vitet 1486 e 1488 kryengritjet plasin përsëri në zonën e Himarës, Labërisë, ku kryengritesit korrin një fitore shumë të rëndësishme.

Reformat e Tanzimatit në Shqipëri, si dhe në Vajzë e mbarë krahinën tonë u pritën me luftë. Kryengritjet e mëdha antiturke në vitet 1831, 1834 dhe 1847 përfshin gjithë territorin tonë. Pashatarët tanë në këtë kohë luftojnë nën udhëheqjen e Zenel Gjolekës së Kuçit. Prandaj dhe kënga popullore thotë: “Dërgon Gjoleka njerinë,/ Lumi i Vlorës të vijnë,/Ç’shkul, o që nga Radhimë. Ja edhe nën udhëheqjen e Rrapo Hekalit: “Del-o lumi i Vlorës-o, /Del o të dalim-o,/ Të mëdhenj të vegjël-o”. Shqiptarët gjithmonë ju kanë thurur vargje trimërive, trimave dhe luftëtarëve prijës, si frymëzim brezash: “Sulejmani me Karafilë,/Që të dy gjithë bilbilë,/Tek rrapi Krekës u mblodhë,/Me ata trimat me kordhë../Hito Zeneli trim i rrallë,/Kordhëtar mbi kordhëtarë,/Gjakun nuk ja lanë pa marrë,/jemi trima shqipëtarë….”.

Fakt është se me këta luftëtarë sypatrembur u bashkuan Çize Markua, Sulçe Sulçaj, Nuro Xhelali, Devoll Sadushi, Hito Hitaj, Nazo Nazaj e shumë luftëtarë të tjerë vajziotë. Kjo periudhë deri në vitet që pasuan është e mbushur me ngjarje të mëdha për fshatin Vajzë. Taksiderët e sundimtarëve osmanë të shoqëruar nga xhandarët, kërkojnë me çdo kusht të paguhen xhelepet, por disa herë ata ishin përzënë me forcë nga ana e fshatarëve.

Ngjarja më e hidhur dhe indinjata më e thellë ishte ajo e vrasjes së Hito Hitajt nga xhandarët osmanë në fshatin Vajzë në 12 të vjeshtës së dytë (tetor) të 1878-tës. Hito Zenel Hitaj ishte prijës dhe luftëtar i sprovuar, kundërshtar i paepur i pushtimit si dhe nismëtar për të mos paguar as taksa dhe për të mos dërguar ushtar mish për top për sulltanatin osman.

Për këtë arsye edhe ishte vënë në qendër të koshareve osmanë dhe taksidarëve si një ndër rrebelët dhe kundërshtarët që i hapte punë pushtuesit. Por nuk e lejonin të ishin të lirë në punën e vet. Protestat e vajziotëve për raprezaljet, shtypjet nga ana e të dërguarve të sulltanëve, arritën deri tek valiu i Janinës, por më kot, asgjë nuk u mor parasysh, përkundrazi, vuajtjet e popullit nën robërinë osmane sa vinin e shtoheshin.

Fshatarët patriotë vajziotë nën udhëheqjen e Karafil Brahimajt e Sulejman Hoxhës formuan një çetë prej më tepër se 30 veta, që nganjëherë kur bashkoheshin me fshatrat e tjerë bëhej një uragan i papërballueshëm nga trupat pushtuese, dhe këto rrebelime popullore në trevën labe dhe jo vetëm ishin të shumta dhe të konsiderueshme. Formimi i çetës ishte një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e fshatit Vajzë.

Komandant i çetës u caktua Çize Merko Brahimaj, që ishte edhe më i përgatitur nga ana ushtarake, pasi kishte shërbyer disa kohë në ushtrinë osmane me gradën ushtarake të “Çaushit”, por që e kishte braktisur ushtrinë osmane sepse kishte vrarë një oficer osman. Ai po ecte në rrugën e prijësit dhe luftëtarit të vrarë nga osmanët Hito Zenel Hitaj. Veprën e trimërisë dhe krenarisë së fshatit Vajzë Hito Zenel  Hitaj, e pasuan edhe trimat e tjerë në vitet pas Lidhjes Shqiptare e deri në shpalljen e pavarësisë, sikurse njihen trimëritë e Çize Brahimaj njihej si një nga kryetrinat e fshatit, prandaj u caktua komandant çete. Çeta e Vajzës mori pjesë në shumë kryengritje popullore të asaj kohe si në vitin 1909, 1910 e deri në kohën e shpalljes së pavarësisë më 1912.

*

Ligji që nuk harroi të rënët e truallit arbëror

 

Në periudha të ndryshme në dekada, mbi bazën e ligjeve dhe vendimeve të kohës për Dëshmorët e Atdheut, shumë nga pjesëtarët e familjeve dhe organizmave të ndryshme që jua lejon ligji kanë bërë kërkesa për statusin e lartë të “Dëshmorit të Atdheut”, por për mungesë të legjislacionit të detajuar dhe të specifikuar qartë, lufta dhe të rënët, nuk janë vlerësuar si duhet.

Aktualisht ligji sanksionon në mënyrë të detajuar rastet e shpalljes dëshmor dhe një ndër këto është padyshim rasti i ekzekutimit të luftëtarit e prijësit, trimit Hito Zenel Hitaj. Breza të shumtë, familje e pjesëtarë të familjes, kanë trashëguar amenetet për të parët e tyre të rënë në luftra për liri e pavarësi por edhe shumë për të mbrojtur, familjen, fshatin, krahinën e deri tokat e vilajeteve shqiptare në kohën e pushtimeve, por trimëritë shqiptare dhe kryesisht atyre labe, por dhe krahinave të tjera kanë ngelur pa një vlerësim të dokumentuar juridik në këta 111 të ekzistencës së shtetit shqiptar.

Ish-Komiteti Ekzekutiv i Këshillit Popullor të Vlorës, sikurse gjithë instancat ekzekutive të asaj kohe në këtë aspekt kanë bërë sa mundën, po kështu edhe strukturat e tjera shtetërore vendimmarrëse për të rënët e kombit shqiptar, që janë faktikisht të dokumentuar në Arkiva dhe Muzeume por edhe në libra historikë kanë dokumentuar të rënët në të gjitha rrethanat, ndërkohë që me daljen e ligjit të ri për dëshmorët, mbi bazën e dokumentacionit është çelur rruga për të plotësuar dhe vlerësuar figurat luftëtare, që luftuan dhe gjakun e derdhën në fronte të ndryshme lufte, sikurse kanë qenë katër luftrat për Vilajetin shqiptar të Janinës, ku kanë rënë qindra dëshmorë në mbrojtje të truallit arbëror, një pjesë e konsiderueshme e tyre ende të pa evidentuar në arkivat dhe muzeumet shqiptare (edhe pse historia njeh numrin e rënë në beteja).

Në kuadrin e vlerësimit të luftëtarëve shqiptare, nga fshati Vajzë e Vlorës që i përket trevës së Labërisë, që kanë luftuar për të drejtat shqiptare përpara datës së krijimit të shtetit shqiptar të 28 nëntorit 1912, luftëtarëve e trimave që kanë rënë në fushëbetejë apo kanë marrë pjesë me armë në dorë dhe kanë kundërshtuar fuqishëm pushtuesit në ish-Vilajetin shqiptar të Janinës, por dhe në Vilajetet e tjera është në nderin e shqiptarizmës akordimi i titullit të lartë “Dëshmor i Atdheut”.

Fakti i dokumentuar më se një gjysëm shekulli më parë për Hito Zenel Hitaj, (1830-1878), të ekzekutuar nga xhandarmëria osmane në fshatin Vajzë të Vlorës në Vilajetin shqiptar të Janinës për faktin se ishte udhëheqës i kryengritjes antiosmane që kundërshtonte me forcën e armëve pagesat e taksave të rënda, si dhe dërgimin e djemve shqiptarë nizamë në askerlikun shtatë vjeçar në Jemen dhe Anadoll, por dhe si ish-organizator i revoltave dhe kryengritjeve labe prijës dhe jo vetëm në Vajzë por në të gjithë Labërinë, e bën atë një figurë të nderuar e respektuar të shqiptarëve si dhe bazuar në nenin 5, “Kriteret për shpalljen ose njohjen e statusit “Dëshmor i atdheut”, pika “a” të ligjit nr. 109/2018, “Për statusin e Dëshmorit të Atdheut”, që thotë: “Dëshmorë të Atdheut shpallen: “a). personat, të cilët kanë humbur jetën për lirinë, pavarësinë kombëtare dhe mbrojtjen e territoreve shqiptare apo në përpjekje për mësimin dhe përhapjen e gjuhës shqipe para datës 28 nëntor 1912”, e bën luftëtarin Hito Hitaj “Dëshmor i atdheut”. Kjo është më e pakta që mund e duhet të bëjnë brezat shqiptarë në të gjitha kohrat, pasi është një e drejtë e pamohueshme, që nuk kërkon asnjë lloj shpërblimi moral e material, sepse në fakt nderon dhe lartëson kombin shqiptar mes kombeve më të qytetëruara të botës.

-&-

 

Please follow and like us: