Publikohet libri me tregime ‘Lexuesit e kartëmortaleve’ i Binak Kelmendit
Libri me tregime të zgjedhura me titullin “Lexuesit e kartëmortaleve”, i shkrimtarit Binak Kelmendi këto ditë doli para lexuesve nga Botimet Rea. Në këtë libër janë përzgjedhur tregimet e shkrimtarit Binak Kelmendi, Këto tregime shquhen për tematikën, rrëfimin, gjuhën, stilin etj. Shumica e personazheve të këtyre tregimeve janë nga realiteti i përditshëm, por edhe nga historia, mitologjia etj.
Veprat më të njohura të tij janë “Portat e Pejës”, “Demë Dedë Boga”, “Guri i Vashës” etj.. Binak Kelmendi është njëri ndër përkthyesit më të njohur shqiptar nga frëngjishtja në gjuhën shqipe.
Botimi i librit “Lexuesit e kartëmortaleve” është përkrahur nga Drejtoria e Kulturës e Komunës së Fushë Kosovës.
Librin mund ta gjeni në libraritë “Artini” dhe “Dukagjini”.
Para lexuesve të KultPlus-it po japim pasthënien e studiuesit Sali Bashota.
TREGIME TË DRAMATIZIMIT TË NGJARJEVE
Tregimet e Binak Kelmendit lexohen si përjetim krijues dhe estetik në tri nivele të shqiptimit të kohës dhe hapësirës. Përbrenda kodit të komunikimit letrar sikur e zhvillojnë betejën e personazheve me ngjarjet e paraluftës, të luftës dhe të pasluftës. Kjo karakteristikë e shkrimit është e pranishme edhe në disa vepra të tjera me prozë nga ky autor.
Këto tregime mund të cilësohen dhe të vlerësohen si tregime me përshkrime dramatike e tronditëse, tregime të dëshmitarëve të luftës, por edhe tregime që trajtojnë akte të dhunës e të terrorit përbrenda një periudhe dhe një kohe të caktuar. Kështu, Binak Kelmendi e shkruan librin e dhimbjes, duke i shpalosur në procesin e krijimit shenjat midis jetës dhe vdekjes, shenjat që e shpalosin kujtesën dhe identitetin nacional.
Gjithashtu, tregimet e Binak Kelmendit mund të karakterizohen edhe si tregime të revoltës e të ironisë me shtresimet e aktualitetit, aty ku bëhet renditja e ngjarjeve dhe veprimeve, për të funksionalizuar rrëfimin përbrenda intensitetit të të ndodhurave: iluzioni, tmerri, dhimbja, vuajtja, sikundër edhe vrasja, vdekja, varri.
Në këto tregime shpërthimet e brendshme të rrëfimtarit gjithnjë e synojnë një cak. Është caku i zënies në kurth i të papriturave, i çasteve që valëviten në kujtesën e rrëfimtarit, i cili merr rrugë për të arritur në zbulimin e ngjarjeve deri në fund. Pikërisht aty modelohen shtresat figurative të tekstit narrativ në relacion me përbërësit e tjerë poetikë që kanë të bëjnë me strukturën e tregimeve, por edhe me projektimin e ideve dhe të shtresave të tjera kuptimore.
Vepra “Lexuesit e kartëmortaleve”, përbëhet nga këto tregime: “Agata Kristi dhe Edit Durham”, “Tërheqja zvarrë e Gentit nëpër Romë”, “101 vjet bashkë”, “Karl Marksi dhe shqiptarët”, “Fëmija pa emër”, “Lexuesit e kartëmortaleve”, “Don Kishoti te shqiptarët”, “Monaliza”, “Shqetësim nate i qytetit”, “Babai do t’ia falte arën Ushtrisë Amerikane”, “Te pllaka përkujtimore”, “Ofelia, Shqip”, “Dashuria”, “Arritja e Skënderbeut në Prishtinë”, “Varrimi i vetes”, “Figurat familjare” dhe “Autopsia e natës”.
Veçori e përbashkët e tregimeve të Binak Kelmendit është përcaktimi i rrjedhës së ngjarjeve, aty ku bëhet funksionalizimi i rrëfimit, përzgjedhja e tablove dhe situatave, konkretizimi i imazheve, të gjitha këto në lidhje me dukuritë e ndryshme të realitetit njerëzor. Këto karakterizime e sistemojnë lëndën e pasur për rrëfim, pikërisht me personazhe të jetës së përditshme apo me personazhe që i përkasin sfondit historik dhe mitologjik apo madje edhe personazheve që i përkasin botës krijuese.
Në këtë mënyrë, tregimtari vë një relacion përshkrues e shpjegues për shëmbëlltyra të njohura historike, duke e ndërtuar një lloj paralelizmi me ngjarje të ndodhura, të përkujtuara apo të imagjinuara përbrenda një sfondi rrëfimor, mbase edhe një raport pikëtakimi midis letërsisë dhe ideve.
Tregimtari arrin ta ndërtojë kodin e vet të rrëfimit përmes monologut të brendshëm, duke vënë një relacion interesant midis enigmës dhe fatit. Për më tepër, tregimet e Kelmendit lexohen si krijime që e vërtetojnë situatën e ndodhur, modelin dhe strukturën apo botën e tregimtarit me tablo të ndryshme të jetës. Aty përfshihen edhe ditarët, kujtimet, biografitë, kronikat etj.
Gjithashtu, në tregimet e Binak Kelmendit dallohet detaji stilistik në përshkrimin e situatave dhe të mjedisit ku paraqiten ngjarjet, qoftë kur karakterizohen edhe kontrastet e ndryshme midis ndjenjave dhe mendimeve të personazheve që e ilustrojnë karakterin e tyre. Po nga ky pikëshikim funksionalizohet edhe ritmi i tregimeve me konceptime të sakta përbrenda procesit të rrëfimit, madje në nivelin e paraqitjes së dimensionit të ndjeshmërisë.
Në tregimet e tij, Binak Kelmendi, e fuqizon gjuhën përbrenda strukturës dinamike të tekstit narrativ. Pra, tregimet me strukturë dinamike të ngjarjeve sikur e kanë një renditje ndërtekstore, duke synuar aspiratën e përhershme për të rrëfyer pjesën më të ndieshme të realitetit që nga evokimi i peizazhit tematik e motivor deri te fuqizimi i semiotikës së rrëfimit në shtresat e tekstit, mbase me mbivendosje të treguesve tematikë, por edhe të pranisë së alegorisë, absurdit, ironisë etj.
Binak Kelmendi e ndërton skenografinë e tregimtarisë së tij deri në kulminacionin e ngjarjes, duke u nisur nga raporti i shkak-pasojës, se cilat ngjarje rrëfehen me ndjesinë e dhimbjes, cilat me ndjesinë e ankthit, cilat me ndjesinë e fatit etj. Ka përplot ndjesi të tjera, të cilat e zotërojnë fushën e preokupimit krijues, me qëllim të shenjimit të tekstit dhe kontekstit, pikërisht aty ku plotësohet domethënia e dimensionit psikologjik deri te krijimi i distancës midis historisë dhe aktualitetit.
Shënime për autorin
Binak Kelmendi (1950), është shkrimtar, përkthyes, publicist. Është autor i romaneve “Vezët e Vdekjes” (Dukagjini, 2001), “Guri i Vashës” (Koha, 2012), “Portat e Pejës” (Koha, Shpërblimi ‘Rexhai Surroi’, 2014), “Rruga 66” (PEN Qendra e Kosovës, 2018), “Demë Dedë Boga” (Koha, 2023) dhe i përmbledhjeve me tregime “Rozafa” (Rilindja, 1990), “Ofelia e Dukagjinit” (Rozafa, 2004), “Dritat e Luftës” (PEN Qendra e Kosovës, 2020), “Lexuesit e kartëmortaleve” (Botimet Rea, 2023).
Ka përkthyer nga gjuha frënge në gjuhën shqipe:
“Mirëdita Pikëllim” – Françoise Sagan, “Dashnori”- Marguerite Durras, “Ilirja” – Flora Dosen, “Hajni dhe qentë”- Nagib Mahfuz, “Kosova: Rrëfime për ndërtimin e një shteti” grup autorësh francezë, “NN, Kronika kosovare”- Stéphane Vanderveken dhe vepra të tjera për fëmijë e të rritur.
Ka bashkëpërkthyer: “Figurat”- Gérard Genette dhe “Akrobatët”- Kostas Valetas.
Ka punuar në “Rilindja”, “Koha” dhe “Zëri”.
Është kryetar i PEN Qendrës së Kosovës./KultPlus.com