Natasha Lako: Pasuri e madhe, kjo e Vladimir Priftit!
Duke ecur gjithnjë ngadalë, e më ngadalë, deri sa u ndal njëherë e përgjithmonë, regjisori Vladimir Prifti, ndoshta ishte nga më modestët, për të thënë se po linte për shqiptarët një pasuri të madhe. Filma të rrallë!
I kishim para syve filmat, ‘Udha e Shkronjave’, i pari film me temë duke kthyer vëmendjen drejt trashëgimisë historike.
Dhe pastaj filma të tjerë me rradhë, nga Televizioni, ku hedh së pari konkurencën prodhuese, deri te prodhimet e Kinostudios me ‘Dasmën e Sakos’.
Prej tij kemi të përjetësuar ‘Gjeneralin e Ushtrisë së Vdekur’, vepër e dramatizuar prej ish Teatrit Popullor, të kthyer në Teatrin Kombëtar, nga të rrallat që do të vërtetojë talentin e një grupi aktorësh të mëdhenj, si nën regjinë e tij televizive, si nën regjine skenike të Pirro Manit.
Dhe shumë më vonë, po i dhuruar prej tij, roli i pavdekshëm i Gulielm Radojës në krijimin e figurës së heroit të filmit ‘Kush vdes më këmbë’, që përjetëson emrin dhe veprën e Petro Nini Luarasit. Kolonjar i paepshëm edhe ky Vladimir Prifti! Duhet ta falenderojë së pari sot Ismail Kadareja, në rreshtin e të gjithë shqiptarëve.
Ata që e duan filmin e tyre shqiptar e ndjejne me intuitë se zbërthimi profesional dramaturgjik ka bërë që liria të gjente rrugë, në zbërthimin e shpirtit njerëzor, në zbërthim të karaktereve dhe theksim të rolit aktoresk.
Vladimir Prifti është regjisori që di të vërë në qendër njeriun, në një dramaturgji filmike të përqëndruar te loja aktorit.
Di të tregojë fatet njerëzore ky Vladimir Prifti, që asnjëherë nuk ka dashur të dëgjojë dhe as ka dëgjuar, se ka qenë i madh.
Ka lënë dy filma aq të gjallë dhe jetësorë si ‘Flutura në kabinën time’ dhe ‘Kur vjen një ditë’, duke i dhuruar gjithë shqiptarëve notat më realiste të filmit të tyre.
Të lësh një pasuri të tillë, vetëm për të tjerët, është gjë e rrallë dhe për disa edhe e pakuptueshme, por ata që nuk e dinë, kanë për të jetuar në ferrin e tyre.
Vladimir Prifti arriti sado pak të prekë parajsën e artit. Pikërisht, se e la për të tjerët pasurinë e tij filmike dhe narracionin e tij të kulluar. Duaje botën nëpërmjet filmave të tij!
Post Sciprum
Shuhet në moshën 81-vjeçare regjisori i mirënjohur, Vladimir Prifti.
Kinematografia shqiptare ka humbur një nga figurat më të shquara të saj. Vladimir Prifti shënoi përjetësinë me filma të suksesshëm si “Udha e shkronjave”, “Kush vdes në këmbë” e “Flutura në kabinën time”. Ai ka nja kontribut të çmuar edhe si skenarist, në produksione si “Era e ngrohtë e thellësive” apo “Kush vdes në këmbë”, në të cilët ishte edhe regjisor.
Vladimir Prifti lindi në Tiranë, me 1 Qershor të vitit 1942. U diplomua në shkollën e lartë për aktorë, ‘Aleksandër Moisiu’. Më pas u emërua aktor në Teatrin Popullor. Luajti disa role dytësore atje. Spikati me Kogon te drama “Fytyra e dytë” e Dritëro Agollit (1968).
Pas disa përvojave si asistent regjisor në këtë teatër, në vitin 1974 filloi punë si regjisor pranë TVSH-së. Prej këtej e ka zanafillën edhe pasioni i tij për filmin.
Karrierën e nisi me dramatizimin e romanit të Ismail Kadaresë, ‘Gjenerali i ushtrisë së vdekur’ (1976). Më pas vijoi me filmin ‘Kur hidheshin themelet’ , 1978, sipas dramës së Kolë Jakovës, ‘Lulet e Shegës’.
Vladimir Prifti ka realizuar edhe mjaft dokumentarë në vitet 2000-2004, si: “Skënderbeu”, “Të bekuarit” “Legjenda e baltës”, “Rruga Egnatia”, “Butrinti”.
Për punën e tij të çmuar artistike Vladimir Prifti është nderuar me disa çmime, një ndër to. “Artist i merituar”.