Albspirit

Media/News/Publishing

KUOTAT E PARTISË: A PAGUAJMË PËR ATË QË DUAM?

Shefqet Meko
-Një test i thjeshtë që nuk e përmend askush, por që mund të “skanojë” sistemin. Partitë shqiptare janë “piavica” të fondeve nga taksapaguesit e shoqërisë që “lëngon” në krizat e veta-
Sa herë më duhet të raportoj të ardhurat financiare për taksat e vitit, një pyetje e pandryshuar më bëhet çdo vit: “A dëshironi të dhuroni 1 dollarë për fushatën presidenciale”?… Në fillim kam kontribuar, por më pas ndërrova mendje. Nuk ndryshon politika amerikane me 2-3 dollarë kontribut. Prej vitesh shënoj zero, sepse nuk dua që kontributi im të shkojë në “drejtim të paditur”… Kush ka fonde dhe ide le të bëhet president, ky është opinioni im.
Unë jam një qytetar amerikan që nuk mund të ndryshoj vullnetin e shumicës, por në finale i “nënshtrohem” shumicës fituese. Ajo që kam vënë re në dekadat e jetës sime në Amerikë,është se kudo dhe çdo ide apo dëshirë, ka ndërkohë një “krushqi financiare”: Dhuro dollarë. Kontribo 1 dollar! Psh nëse do të jesh pjesë e grupit konservator apo liberal, nuk mjaftojnë fjalët, idetë apo përkushtimi, por duhet “dhoro nga xhepi”. Nuk dua të futem në detaje sepse si kudo edhe këtu ka “çmenduri amerikane”. Shkurt në Amerikë një pasion dhe mbështetje politike nuk shprehet thjesht me fjalime, ovacione apo duartroktije, por me kontribute reale që përkthehet në dollarë! Mjafton të kujtojmë dorëheqjen e ish-zvendëspresidentit Amerikan Mike Pence, nga gara për president 2024. Jo se “folkëbardhi” Pence nuk kishte ide, vizione apo dëshirë që të ishte në garë për president, por siç u raportua në media, “shteruan financat”. Ndaj Pence deklaroi thjesht: “Kjo nuk është koha ime” duke mos përmendur “qesen bosh” sepse kjo gjë “është marre” në Amerikë siç thuhet në Shkodër.
Nuk ka asgjë të keqe. Kur do diçka marrëzisht, “paguan çmimin “. Kjo është një ligjësi universale. “Nënshkrimi” i parë kur i atashohesh një organizate apo grupimi të çfardollojshëm kudo në perëndim është “kuota e anëtarësimit” ose “membership fee” thënë anglisht.Kjo nuk ka asgjë të keqe, sepse është e vetmja mënyrë për të testuar “Më do apo s’më do”…
Kur kam qënë sekretar rinie në shkollën e mesme veterinare Shkodër, natyrisht shekullin që shkoi, një nga “rendet e ditës” të çdo mbledhje i Kuotat! Kuotat… Madje nuk mbaj mend asnjë lloj mbledhje pa folur për “kuotat e realizuara” dhe kritikat pa fund për “kuotat e pambledhura”. Në fakt ato kohë debati “për kuotat” ishte edhe diskutimi më i sinqertë pas shablloneve dhe “fjalimeve të gjata”. Shkolla ime e dashur përherë paguante kuotat mbi 95%.
Duke u kthyer në realietin e shekullit tonë dhe në krizën e kurrëimagjinuar të opozitës shqiptare që është “shqyer mes vetes” një pyetje e thjeshtë do mund të zgjidhte shumë enigma: Sa njerëz paguajnë “kuotën e partisë”?… Nuk di por kjo ide më erdhi në mendje kur ithtarë dhe nostalgjikē janë hedhur në sulm duke munduar të kuptojnë të vërtetën. Një organizatë politike ka në “themelin” e saj anëtarët, por jo si “turmë uluritëse”, por si realitet dhe bandje e konvertuar në “dhurata financiare”…
Një pyetje konkrete dhe e verifikueshme do të sheshonte shumë dilema: Cila është e ardhura jote nga “kuotat e anëtarëve”? Kjo pyetje e shtrirë më gjërë, do të “Varroste” partitë fantazma të spektrit politik shqiptar. Madje duhet një “revizionim” i ligjit mbi Partitë politike pikërisht në këtë “kuotē financiare” sepse një shqiptar mund të firmosë për dhjetē parti, por mund të paguajë vetëm një ose asnjë. Nuk mund të jesh parti pa “pulmone financiare” nga anëtarët të cilat në fushata kthehene edhe në vota për pushtet.
Pse nuk e përmend askush këtë fakt të thjeshtë që zgjidh qetësisht edhe “ekuacionin” politik të krizës politike të opozitës shqiptare? Ekranistët nuk e përmendin kurrë këtë fakt sepse një verifikim i thjeshtë i kēsaj mund t’i nxjerrë “skema piramidale” gjithë partitë politike shqiptare, parlamentare dhe jo.
Demokracia e sotme kudo, por së pari në Amerikë, po jeton krizën e vet! Kjo nuk mohohet. Ky system rritet dhe përsoset përmes krizave. Këtu qëndron edhe dallimi thelbësor mes një “regjimi totalitar” që imponon gënjeshtrën dhe mashtrimin dhe demokracisë që “kacafytet” me me faktet dhe idetë, siç po ndodh realisht në Amerikën e sotme!
Duke u kthyer tek realiteti shqiptar: Pse nuk bëhen publike raportet financiare të partive duke rrëfye sa fonde “xhvaten” nga shteti dhe Sa fonde nga “kuotat e anëtarëve”… Mos është koha për një përmbysje të këtij lligji para se të bërtitet për “përmbysjen e monizmit” që të bën për të qeshur? Nëse bëhet një verifikim i thjeshtë në regjistrimet e Partive Politike Shqiptare, dyshoj së në dalim kombi më i madh në Europë që “firmosim për partinë”, por nuk paguajmë kuotën financiare.
Problemi që shtroj është një “ekuacion i thjeshtë” që kryetarët nuk duan të zgjidhet kurrë!
Minneapolis, Nëntor 2023.
Please follow and like us: