Albspirit

Media/News/Publishing

Arta Dade: Mësime që na vijnë nga Kroacia

Libri “ALEANCA e DUHUR SHQIPËRI –KROACI” i Ambasadorit Shaban Murati na dëshmon se autori, ashtu sikurse edhe në veprat e tjera të tij, spikat për cilësitë e admirueshme vëzhguese, analizuese dhe interpretuese të ngjarjeve në rajonin e Europës Juglindore pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.

E kam çmuar gjithmonë bashkëpunimin me zotin Murati kur drejtoja Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe ai drejtonte Drejtorinë për Rajonin e pa asnjë mëdyshje tezat e sugjerimet e tij ishin pjesë e bisedimeve jo vetëm në takimet dypalëshe e në konferencat shumëpalëshe rajonale, por edhe më gjerë.

Përvoja e shkëlqyer në diplomaci dhe në gazetari, njohuritë e thella historike të marrëdhënieve dypalëshe dhe shumëpalëshe, ndjekja me pasion por edhe me përkushtim të rrallë e mediave të rajonit e përtej tij, ndjekja e lëvizjeve diplomatike të aktorëve kryesorë të këtyre vendeve, e bëjnë Ambasadorin Murati njohës par excellence të këtij rajoni dhe të marrëdhënieve të tij me Bashkimin Europian dhe NATO-n, të nismave rajonale dhe rolin e secilit vend në këto nisma; e bëjnë atë, për mua pa mëdyshje, edhe një pikë reference për qendrimet dhe politikat që duhen artikuluar lidhur me proceset integruese dhe për aleancat që duhen konsoliduar.

Ballkani Perendimor, i pagëzuar kështu në mënyrë arbitrare (autori shpjegon arsyet), ende sot, mbas shumë vitesh që ka lënë pas konfliket e përgjakura e ka ecur përpara në proceset integruese euroatlantike, në mjaft raste vazhdon të mbahet peng e tërhiqet pas në historinë e tij të dhimbshme të armiqësive e provokimeve që burojnë nga mentalitete të rrënjosura të nacionalizmit të rrezikshëm dhe supremacisë së një kombi ndaj një tjetri që ende mbartësit e tyre na i sjellin e risjellin në vëmendje jo vetëm përmes retorikës.

Vendet e rajonit, sikurse na mëson Kroacia, nuk duhet të bëjnë lëshime e të anashkalojnë veprime apo qëndrime që bien ndesh me frymën e bashkëpunimit, të mësimeve të historisë (lesons learnt) të parimeve bazë të demokracisë dhe standardeve europiane të bashkëpunimit politik, diplomatik e social-ekonomik, më së pari mes fqinjëve, e që cenojnë integritetin e dinjitetin e secilit vend.

Libri nis me letrën e përbashkët që Ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë Mimi Kodheli e Ministri i Mbrojtjes i Kroacisë Josip Buljeviç i dërgojnë Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Stoltenberg në Shkurt 2017, ku i kërkojnë që të rishikohet plani operacional i misionit paqeruajtës në Kosovë pas zhvillimeve provokative në kufi nga ana e Serbisë. Ministrat dënojnë retoriken nacionaliste nga politikanë serbë e veprimet flagrante në kufi për të cenuar sovranitetin e Republikës së Kosovës e destabilizuar situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor.

Është koha kur Serbia dhe Rusia krijuan iluzionin se me ndryshimin e administratës amerikane mbas zgjedhjeve presidenciale të 2016, qëndrimi i SHBA-ve dhe i NATO-s për Ballkanin Perëndimor do të ndryshonte, gjë e cila u davarit nga deklaratat e përfaqësuesve më të lartë të Departamentit të Shtetit gjatë vizitave në rajon dhe në Beograd. Sikurse u provua katërcipërisht edhe me ngjarjet e fundit të dhunës ndaj KFOR-it apo edhe sulmit serb ndaj policisë së Kosovës se qëndrimi i SHBA-ve dhe i NATO-s është i palëkundur ndaj ruajtjes së paqes e stabilitetit në këtë rajon.

Jam dakord me autorin në përfundimin se Partneriteti strategjik midis Shqipërisë e Kroacisë përveçse është një dobi gjeopolitike dypalëshe e nevojë e ndërsjellë, është gjithashtu një domosdoshmëri rajonale në kushtet kur aktorë të tretë agresivë si Rusia përmes instrumenteve rajonale si Serbia përpiqen të cenojnë stabilitetin dhe sigurinë rajonale dhe se vendet e NATO-s në rajon dhe vet NATO-ja është garancia e vetme e stabilitetit dhe sigurisë ndërkohë që Rusia vazhdon të armatosë me armë moderne Serbinë e ndërton baza ushtarake nën koperturën e bazave për ndihma humanitare, si ajo e Nishit.

Gjithashtu investimi i dyshimtë qindra milionësh nga Serbia për të ndërtuar aeroport në kufi me Kroacinë në territorin e një shteti tjetër si Bosnja-Hercegovina krijojnë me të drejtë bazat për shqetësime lidhur me sigurinë jo vetëm nga ana e Kroacisë. Cenimi i paqes dhe sigurisë vjen edhe nga deklarata nacionaliste të liderëve pro-rus të Republikës Srbska si ajo e Dodik paradokohe se duhet krijuar Serbia e Madhe, gjë që më së pari rrezikon shpërbërjen e vet Bosnje-Hercegovinës.

Autori gjithashtu trajton me argumenta tezën e dëmshme të simetrisë së fajit- barazimit të viktimës me agresorin që sipas tij, pati zënë vend në një pjesë të qarqeve diplomatike europiane. Akuzat e ngritura nga Serbia kundër luftëtarëve që çliruan e mbrojtën vendin dhe vatrat e tyre nga agresioni i makinerisë së Millosheviçit, janë pjesë e politikës së jashtme të shtetit Serb që vazhdon edhe sot.

Rasti i Hashim Thaçit dhe liderëve të tjerë të UÇK-së që ndodhen të izoluar në Hagë në një proces nga Gjykatat Speciale që e krijuan ata vetë, tregon se ka tentativa për të kthyer pas historinë e për të deformuar realitetet historike të luftrave të përgjakura të shkaktuara nga Serbia dhe pasojat e tyre duke i veshur fajit qyrkun e viktimës, duke përbaltur fituesit e luftrave të cilat as nuk do fitoheshin e as nuk do të përfundonin pa ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara e NATO-s.

Tezën se ‘Integrimi rajonal’ (rajoni pa Slloveninë, në vend të saj Shqipëria) apo ‘ jugosllavizimi i rajonit’ apo tezën më të re ‘Ballkani i hapur’ përpara se vendet të integrohen në BE, autori e konsideron preteks për vonesat në procesin e integrimit e në kundërshtim me parimin e vlerësimit të progresit të vendeve aspirante mbi bazën e meritave të secilit vend.

Mënyra se si Kroacia vuri interesat e kombit mbi ndjeshmërinë popullore për heronjtë e luftës apo përmbushjen e kushteve të luftës pa kompromis kundër korrupsionit është tregues i pjekurisë politike dhe seriozitetit nga ana e klasës politike atje për integrimin e vendit në BE sepse kjo është në dobi të Kroatëve dhe jo si medalje për politikanë të caktuar apo se kjo vjen si kërkesë nga Bashkimi Europian.

Stipe Mesiç, udhëheqësi dinjitoz dhe i respektuar nga populli i tij por edhe nga të gjithë ata që e kanë njohur dhe kanë bashkëpunuar, këmbëngul që autoritetet serbe të pas –Millosheviçit të kërkojnë falje dhe të paguajnë reparacione për dëmet e pallogaritshme që ushtria dhe forcat serbe u kanë shkaktuar popullit dhe pasurisë kroate gjatë luftës edhe si pikënisje kjo për ripajtim.

As falja dhe as reparacionet nuk u realizuan madje as nga ata që erdhën në pushtet mbas Millosheviçit e që nuk kishin qenë pjesë në formacionet qeverisëse të Millosheviçit si Koshtunica apo të tjerë politikanë ndryshe nga Vuçiç e Daçiç apo zv/kryeministria aktuale Gojkoviç që kishin qenë.

Madje Koshtunica i dekoroi gjeneralët që drejtuan masakrat në Kroaci, Bosnjë e Kosovë. As klasa e re politike, që krijoi iluzione tek faktori ndërkombëtar se do të ndiqte rrugën e demokratizimit të Serbisë nuk mundi të shkëputet tërësisht nga ‘platforma e kompromisit me nacionalizmin’ sikurse shprehet autori.

Ambasadori Murati na sjell në vëmendje sa të rrezikshme janë për rajonin tonë teza si ajo e ndryshimit të kufijve apo shkëmbimit të territoreve të nxjerra nga arkivat e Milosheviçit kur i propozonte Presidentit Kroat të kohës, Tuxhman, ndarjen e Bosnje-Hercegovinës; apo politikanë pro-rus në Maqedoninë e Veriut që hidhnin idetë e ndarjes së Maqedonisë; apo politikanë në Kosovë e Shqipëri; nisur nga naiviteti politik, që hodhën për konsum publik idenë e rrezikshme të shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë – teza që ende sot mbeten pjesë e strategjisë së Serbisë yshtur edhe nga Rusia për destabilizimin dhe cenimin e sigurisë rajonale.

Mënyra se si Kroacia zgjidh problemet me fqinjët – pa ngut me argumente juridike por mbi të gjitha në dobi të interesave të kombit të vet është e admirueshme. Autori shtjellon në detaje se si problemi i delimitimit të kufirit detar mes Kroacisë dhe Sllovenisë ka marrë gjithë kohën e nevojshme madje edhe vendimi i Kroacisë për t’u tërhequr nga Marrëveshja e Arbitrazhit me Slloveninë mbas skandalit të lobimit në favor të Sllovenisë prej njërit nga anëtarët e trupit gjykues, veçse e ka rritur dinjitetin dhe respektin për këtë vend dhe mund të shërbejë si mësim edhe për ne që u ngutëm në Marrëveshjen e Detit me Greqinë në 2009. Shpresoj që të veprojmë me përgjegjshmëri dhe me pjekuri në dobi të interesave të vendit tani që kemi rastin të korregjojmë gabimin e 2009-s.

Mbas agresionit rus të Ukrainës objekt i sulmeve kibernetike të Rusisë u bënë vendet e rajonit tonë në veçanti ato anëtare të NATOs. Mali i Zi , Sllovenia, Kroacia, Rumania, Maqedonia e Veriut, madje edhe Moldavia (jo anëtare) njoftuan për këto sulme. Edhe më parë, sikurse dihet, ndërhyrja e Rusisë në rezultatet e zgjedhjeve në një sërë vendesh të rajonit-Maqedoninë e Veriut, Bullgari e Greqi, në Malin e Zi e kohë më parë edhe në SHBA në zgjedhjet 2016, Francë në 2017 apo Mbretërinë e Bashkuar me referendumin për Brexit shpërfaqi një formë të re lufte nga ana e Rusisë.

Ato pa mëdyshje duhen konsideruar si sulme ndaj ‘aleancës atlantike’ sikurse shprehet autori e janë tregues i formave të sofistikuara të luftës moderne nga ana e Rusisë por edhe të vendeve aleate të saj si rasti i sulmit kibernetik të Iranit ndaj Shqipërise e cila me të drejtë ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me këtë vend.

Sulmeve kibernetike u do kushtuar vëmendje shtetërore dhe publike, sipas autorit me të drejtë, dhe bashkëpunimi me vendet e fuqishme të NATO-s përfshirë SHBA-të është domosdoshmëri për të shmangur përshkallëzimin e kësaj lufte nga ana e Rusisë.

Në libër tërhiqet vëmendja tek mënyra se si fqinjë të pasinqertë në vazhdimësi aplikojnë strategjinë e tyre të tensionit në marrëdhëniet dypalëshe. Këtë tregoi keqpërdorimi i refugjatëve dyndur në Serbi nga zonat e konfliktit në Lindjen e Mesme, të cilët u detyruan të kalonin vetëm në drejtim të Kroacisë mbasi autoritete serbe mbyllën pikat e kalimit kufitar me fqinjët e tjerë- anëtarë të BE-së.

Kjo situatë krijoi probleme serioze vetëm në Kroaci ndërkohë që pesha e krijuar nga kjo situatë mund të shpërndahej në mënyrë të balancuar edhe në vendet e tjera të BE-së në kufi me Serbinë. Kroacisë i është dashur të përballet me trysni jo vetëm politike apo diplomatike por edhe realitete konkrete të vështira të imponuara nga fqinjë që nuk nxjerrin mësime nga lufta e paradokohshme por që u kërkohet e ftohen të anëtarësohen në familjen e vlerave ku Kroacia përbën një vlerë të shtuar për BE-në.

Njësimi i Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë të vendeve kandidate me atë të Bashkimit Europian është kërkesë e Bashkimit Europian. Ndërsa Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut e Kosova (megjithëse nuk ka detyrim) e kanë bërë këtë, madje Shqipëria është pjesë e operacioneve të Frontex në Mesdhe, Serbia si vend që pretendon të përmbyllë negociatat për anëtarësim e pjesërisht Bosnje-Hercegovina që është prej vitesh në proces bisedimesh si vend aspirant nuk e kanë përlinjëzuar politikën e tyre të jashtme me atë të BE-së.

Qëndrimet e tyre shtetërore për ngjarje si agresioni i paprovokuar i Rusisë ndaj Ukrainës apo për sanksionet ndaj Rusisë bien ndesh me qëndrimet e BE-së, shqetësimi për të cilën shprehet edhe në raport – progresin për secilin vend aspirant të BE-së, publikuar pak ditë më parë.

Z.Murati me këtë libër na ka rifreskuar e risjellë në vëmendje se historia nuk duhet të na mbajë peng por ajo nuk mund të harrohet që gabimet e së shkuarës të mos përsëriten e të jemi seriozë e të vendosur në bashkëpunimin me vendet e NATO-s e BE-së për të zmbrapsur e dekurajuar çdo tentativë për destabilizimin e rajonit e cenimin e paqes së qëndrueshme nga aktorë brenda dhe jashtë rajonit tonë. E askush më mirë se Kroacia nuk mund të na i sjellë këto mësime.

I uroj z.Murati mendje të kthjellet e prodhimtari të pasur, sikurse deri më tani edhe për shumë vite të tjera./gazeta dita

https://gazetadita.al/libri-i-nje-diplomati-te-shkelqyer-mbi-mesimet-rajonale-qe-na-vijne-nga-kroacia/?fbclid=IwAR2xKjvcrm0BgdsJ0rNQWWjaCLRPUki2hXJ8vel2FvW8CHtAr2AMVpZu1_8

Please follow and like us: