Zana Tako: STATUJA
Tregim
Mos e prek!… Fjala si një urdhër shtangu vajzën që qëndronte pranë komodinës me statujën në dorë. Ishte statujë që i kishte rezistuar shumë viteve, e në dorën e vajzës dukej aq e brishtë, si vetë pafajësia e saj. Urdhëri e kishte stepur, e kishte hutuar aq shumë, sa duart po i dridheshin, e megjithatë e shtrëngonte fort atë mrekulli. E ëma e vështroi me keqardhje. Pendesa u ndje në zërin e saj, tek iu afrua dhe i përkëdheli lehtë flokët e butë.
Dashuria ime, – i foli lehtë pranë veshit, – jam kujdesur shumë vite për të… nuk duhet ta humbasim këtë vepër shpirt.
Vajza e vështroi me habi.
Mam, po unë… vetëm po e shikoja… më pëlqen kaq shumë…
E di shpirt, bukuria e saj magjeps këdo që e shikon. Eja shpirt, eja ulu pranë meje… do të tregoj pak për historinë e saj, – dhe e ëma e afroi pranë vetes, tek u ulën të dyja mbi divan. Vajza nuk ia ndante sytë bojëqielli. Kërshëria e kishte mbërthyer e nuk e lëshonte.
E ëma filloi të tregonte atë histori, të cilën e ruante brenda shpirtit njëlloj siç ruhen sendet me vlerë. Kjo histori ishte aq e çmuar për të, e megjithatë vendosi ta ndante me bijëzën e saj, e sigurt se ndoshta një ditë kjo histori do ta ndihmonte për të kuptuar kur të rritej çdo fjalë, çdo gërmë të saj.
“…Ishte stinë e ftohtë, ja si tani. Dëbora kishte zbardhur rrugët, pemët, çatitë e shtëpive. Ftohtësia e ditëve të dimrit nuk ia zbehte bukurinë bardhësisë që zotëronte gjithçka. Isha tetëmbëdhjetë vjeçe atëherë. Në shkollë isha e dalluar, studioja shumë, jo se doja të isha e para e klasës, por mësimet ishin bërë qëllimi i jetës sime. Nuk i lija orët e mësimit. Edhe daljet me shokë e shoqe të klasës nuk i frekuentoja shumë, e kështu, shoqet filluan të më quanin “diplomatja e klasës”. Edhe më vinte mirë, por herë-herë edhe rebelohesha nga kjo nofkë.
Një ditë në shkollën tonë erdhi një nxënës i ri, i gjatë, me trup sportisti. U ul në bankën e parë. Kërshëria na mbyti të gjithëve. Ia hodha sytë disa herë. Gjatësia e tij binte në sy menjëherë. Nuk dinim asgjë për të, por kureshtjen na e shoi mësuesi i orës së matematikës, i cili ishte edhe mësuesi ynë kujdestar. Tha se vinte nga “X” qytet. I ati ishte emëruar drejtor në një nga institucionet e kryeqytetit tonë.
Ditët kalonin, por miqësia me djalin e ri të klasës nuk dukej kund. As vetë nuk e kuptoja dëshirën që më shtynte ta njihja më shumë. Herë-herë e kapja veten tek e shihja me kureshtje. Ishte serioz, i vëmendshëm, fliste pak, e teksa një ditë u gjenda përballë tij në korridorin e katit të parë, për çudi më foli. E hutuar i pëshpërita:
Çfarë thatë?
Ai vuri buzën në gaz dhe përsëriti:
Nuk dëgjon ti?
I buzëqesha me ndrojtje dhe iu përgjigja:
Kështu mendon ti?
Nuk e di se çfarë ndjeva në atë çast, por mbi të gjitha, kureshtja për ta njohur më grishte fshehtas. Ecëm të dy drejt klasës, e tek mbërritëm përpara derës më foli lehtë:
A mund të ulem në bankën tënde? Jam i gjatë dhe…
T’i marrim lejë mësuesit, – iu përgjigja duke i buzëqeshur lehtë.
E kështu, ditë pas dite, miqësia jonë po forcohej. Njohja me të ndryshoi ditët e jetës sime prej gjimnazisteje. Kjo miqësi ra në sy menjëherë edhe tek shokët dhe shoqet, por tashmë nuk ndihesha më si vajza “diplomate” e klasës, ndihesha ndryshe, ndjeja se diçka kishte ndryshuar, buzëqeshja ndryshe, flisja ndryshe, nuk prekesha më si më parë. Dalëngadalë ndjenja e miqësisë me djalin e ri po shndërrohej në një ëmbëlsi të çuditshme, të cilën nuk e kisha ndjerë kurrë më parë. Afrimi me të, takimi me të, dita me të më dukej se nuk do të mbaronin kurrë. Kisha frikë t’ia pranoja vetes se kisha filluar ta doja, të ëndërroja për të, se mezi prisja të gdhinte dita e të nisesha për në shkollë…”.
Vajza e shihte të ëmën e përthithur brenda atij tregimi. Imagjinonte veten të ulur përpara një ekrani të madh, tek shihte një film ku rolin kryesor e luante nëna e saj.
“…Nuk kisha më dyshim, psherëtiu e ëma pas disa çastesh. E ndjeja, isha e dashuruar! Për herë të parë qenia ime shijonte atë ndjenjë që më kishte ndryshuar jetën. Po, isha e dashuruar pas djalit me shtat të lartë, me zërin më të ëmbël në botë, me sytë plot jetë, me buzëqeshjen më të bukur… Kjo ishte dashuria… Isha vetëm tetëmbëdhjetëvjeçe!
Por, nuk do të zgjaste shumë. Një ditë, të cilën nuk do të doja të kishte ardhur kurrë, pas orës së mësimit ai më ftoi të më përcillte për në shtëpi. U lumturova, isha në qiell, zemra më hidhej si një topth i vogël nga gëzimi, nga lumturia, por fjalët e tij do të më zbrisnin në tokë, e do të ndjeja ftohtësinë më të akullt që kisha prekur ndonjëherë.
Edhe pak ditë do të jem këtu, – foli me zë të mbytur, – babain e kanë emëruar punonjës ambasade jashtë shtetit, por ne do të flasim në telefon, apo jo?
Pyetja e tij u ngul si heshtë në mendjen time. Padurimi i tij po më mbyste. Sytë e tij kërkonin sytë e mi, të cilët i kisha fshehur aq sa mundja në ato çaste. Ngashërimi po ma shkulte kraharorin, por nuk doja të qaja në sytë e tij. Ndihesha e dërrmuar. Ëndrrat e mia ishin këputur pa mëshirë. Dashuria ma tërhiqte shpirtin zvarrë, doja të zhdukesha… Dora e tij shtrëngoi dorën time. Buzët e tij çikën faqen time të bërë prush.
Nuk do të harroj, – foli pas disa çastesh, – do flasim në telefon?
E pafuqi tërhoqa dorën lehtë. E mblodha veten aq sa munda dhe iu përgjigja:
Po, do flasim në telefon! Po përse duhej të ndodhte kështu?
Sytë e tij, oh… ata sy… nuk do ta harroj kurrë atë vështrim… Ika pa e kthyer kokën pas. Zemrën nuk e ndjeja më. Fuqitë më kishin shterrur. Edhe lotët, si për çudi një dorë e padukshme i kishte tharë.
Të nesërmen nuk ndihesha mirë. I kërkova leje prindërve të qëndroja në shtëpi. Nuk përballesha dot me njeriun me të cilin u dashurova. Nuk dija ç’të bëja tjetër. Ndjenja më thërriste, më tërhiqte ta takoja qoftë edhe për herë të fundit.
Pasditen e vonë u takuam për herë të fundit. Të nesërmen ai do të nisej në një vend të largët. Nuk dija ç’të bëja, as duart nuk i komandoja dot. Buza më dridhej, ndieja të ftohtë, fillova të dridhesha…
Ke ftohtë? – më pyeti.
Jo, – iu përgjigja shpejt e shpejt.
Ti po dridhesh! – foli duke më vështruar drejt në sy.
Vërtet? – ia ktheva, por përgjigja e tij ishte përqafimi që më ngrohu si asnjëherë në jetën time. Dy krahë të fuqishëm kishin mbërthyer qenien time. Ngrohtësia e atij përqafimi ishte paralajmërimi i mallit që do të më shoqëronte gjithë jetën. Buzët e tij çiknin ëmbël faqet e mia, gushën, ballin, buzët…”.
Nëna e vajzës u ngrit dhe filloi të ecte nëpër dhomë. Sytë që lotonin tregonin ende për mallin që nuk shuhej, që jetonte me të…
Dhe kjo statujë bijë, është dhurata e jetës sime, e dashurisë sime. Para se të nisej ma dhuroi si kujtim. Të ngjan shumë, – më tha, – të kam skalitur brenda shpirtit, ishin fjalët e tij.
Po nënë, të ngjan shumë, – foli ëmbël vajza. Nënë, nuk e ke takuar më?
Jo bijë, asnjëherë. Rrugët tona u ndanë. Morëm drejtime të ndryshme. Kështu ishte shkruar.
Ndërkohë u dëgjua zilja e derës. Vajza nxitoi të shihte. Të qeshurat mbushën shtëpinë. Ishin shoqet e saj të cilat kishin menduar t’i bënin një surprizë. Klasa e kishte zgjedhur si përfaqësuese në konkursin e letërsisë me të rinjtë e shkollave të mesme. E ëma buzëqeshte tek i shihte aq të lumtura, aq të pafajshme, aq të dlira… Rinia, mosha më e bukur në jetën e njeriut, vjen si puhizë e largohet si fllad duke lënë pas aromën e dashurisë që nuk vyshket, që nuk ndryshon as formën, as përmbajtjen e saj. Buzëqeshja e nënës bashkohej me gëzimin e vajzave të cilat qeshnin e nuk përmbaheshin. Gëzimi i tyre mbushi shtëpinë. Brenda atij gëzimi sytë e nënës dhe sytë e vajzës formonin rreze dielli që shndrisnin brenda fjalëve, gjesteve… Dashuria sundonte hirëplotë brenda çastit, momentit, kujtimeve, dëshirave duke dhuruar jetë…
16 nëntor 2023.