Prof. Asoc. Dr. Zaho Golemi: RINIA ANTIFASHISTE E FSHATIT VAJZË
(Në kujtim të Delo Mystehak Sulçaj (10.6.1929-30.11.1943), dëshmorit 14 vjeçar, të ekzekutuar nga fashizmi gjerman se ishte pjesë e rinisë antifashiste të fshatit Vajzë, familje me rrënjë e degë të lidhur fort me formacionet partizane të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare; rinia antifashiste e fshatit Vajzë ishte një kontribuese me vlerë në lirinë e Shqipërisë).
Janë me qindra dëshmorë e heronj shqiptar në monumente e lapidarë. Dëshmorët e heronjtë nuk rrojnë në mermere të akullta, por në radhë të parë jetojnë në zemrën e ngrohtë e të përjetshme të popullit, jetojnë në fisnikërinë e tij. Vajza e historisë, fshat i Labërisë, i lashtësisë kaonike, i qytetërimit amant, i burrave të forte si shkëmbi, i luftëtarëve e kapedanëve të lirisë, në barikadë të parë në rreshtat kundërshtuese të pushtimeve nëpër shekuj, fshati i kapedanit e prijësit Hito Zenel Hitaj, por dhe trimave e luftatarëve të mëdhenj të luftrave për liri e pavarësi, fshati-bazë nisje nga Beuni, për luftën e Vlorës të epopesë së madhe të 1920-tës, por që u bë edhe fshat martir antifashist kundër fashistëve italianë e gjermanë. Djemtë e Labërisë ndoshta një shumicë nuk e njihnin historinë e luftrave të shqiptarëve të lexuar në historikë, biblioteka e arkiva, por njihnin fort bëmat e trimëritë e të parëve nga këngët e trashëgimia gojore e pasur. Ata ndoshta nuk kishin dijeni, për Herodotin, Tukididin, Polibin, Tit Livin, Plinin e ri, Plinin plak, Strabonin, Hans Delbrück-un, Sun Tzu-në, Marcus Tullius Cicero, Henri Zhominin, Karl Fon Klauseviç-in etj, (përjashto këtu një pakicë djemsh të shkolluar), por përtej filozofëve, historianve të luftrave, gjeografëve e gjeneralëve botërorë, njihnin mirë artin e të luftuarit shekujve, për rracën arbërore, rracë që nuk e theu gjurin, para asnjë pushtuesi. Kështu erdhi rinia e fshatit Vajzë dhe e gjithë Labërisë deri në prag të 7 prillit 1939, ditën e pushtimit nga fashizmi italian. Duke i dalë zot vatanit çeta rrëmbeu armët dhe doli në mbrojtje në Skelë dhe Bestrovë të Vlorës, sikurse ishte nga të parat fshatra që ngriti njësit guerril dhe çetë partizane të fshatit.
Në Historikun e fshatit Vajzë të shkruar nga një komision me 17 anëtarë në vitet 1970-1980, si dhe të riformatuar, rishkruar e ripublikuar nga një komision prej 13 anëtarë në vitin 2023, me rastin e 79 vjetorit të çlirimit të atdheut, në mënyrë të unifikuar shkruhet se: Rinia antifashiste e fshatit Vajzë ka qenë pjesë e gjithë formacioneve antifaqshiste të fshatit, krahinës e më gjerë. Ndërsa për Delo Sulçaj, të pushkatuar nga trupat gjermane në moshën 14 vjeçare, dhe që është në proces të hartimit të dokumentacionit, për shpallje dëshmor shkruhet: “Delo Mystehak Sulçaj, djali i Këze Shahin Sulçaj dhe vëllai i dëshmorit Mete Sulçaj; ishte fare i ri në moshë, akoma nuk i kishte mbushur të 14 vjetët, kur në një natë nëntori të vitit 1943, u kap nga gjermanët dhe u pushkatua në afërsi të Buzës së Bletës. Ai mbajti qëndrim prej burri përpara xhelatëve fashistë e bashkëpuntorëve të tyre ballistë, dhe nuk tregoi asnjë nga bazat partizane, as shokët e fshatarët se ku ndodheshin. (sipas origjinalit të “Historiku i fshatit Vajzë” të botimit të dytë, Vajzë 1980, faqe 140-141). Në historic kur i referohet “Të rinjtë e fshatit Vajzë” gjejmë të shkruhet: Edhe të rinjtë e fshatit Vajzë nuk qëndruan prapa, ata u treguan trima e të vendosur, mbushën radhët e çetës partizane të fshatit dhe të çetave të tjera të rregullta, ata ishin agjitatorë të zjarrtë për çështjen e luftës kundër fashizmit italian e gjerman, punuan pa u lodhur me rininë antifashiste të fshatit dhe luftuan me trimëri dhe shumë prej tyre dhanë edhe jetën për çlirimin e Shqipërisë. Të rinjtë e fshatit Vajzë që ranë në luftë për çlirimin e Atdheut me armë në dorë kundër okupatorit fashist e bashkëpuntorëve të fashizmit janë: Sheremet Çerçiz Çaushaj, Mete Mystehak Sulçaj, Faik Ormen Shakaj, Qendro Sadush Bellaj, Lelo Hadër Habilaj, Maliq Hadër Habilaj, Haxhi Hate Deraj, Xhepo Xhevit Shakaj, Isa Zagoll Veselaj. Pjesa tjetër e të rinjve, shumica e të cilëve u rreshtuan në radhët e çetave partizane e më vonë në batalionet dhe brigadat e Ushtrisë Nacionalçlirimtare, si dhe disa prej tyre ushtruan një aktivitet të mirë në terren gjatë gjithë kohës së luftës ishin: Pirro Rexhep Hoxhaj, Vojsava Hitaj, Donika Hitaj, Çize Bellaj, Marika Brahimaj, Tafil Sadushaj, Malo Alem Nazaj, Bino Kasaj, Xhevdet Kasaj, Remzi Begë Hanaj, Selfo Ferhati, Reshat Zagoll Bilbilaj, Maliq Sadushaj, Fuat Çerçiz Çaushaj, Hysen Brahimaj, Shamet Hanaj, Reiz Ali Brahaj etj. Aktiviteti patriotik e luftarak i popullit të Vajzës është një vepër monumentale që tregon qëndresë, burrëri, guxim, trimëri dhe besim të patundur në fitoren përfundimtare mbi okupatorët dhe bashkëpunëtorët e tyre. Ndërkohë që të rinj të tjerë antifashistë që janë ekzekutuar nga italianët e gjermanët janë në një moshë fare të re sikurse kanë qenë nëntë të ekzekutuar në fshatin Vajzë sikurse ka qenë edhe Delo Sulçaj, Ferik Zagoll Bilbilaj, etj. Gjakut të 22 dëshmorëve të LANÇ-it tashmë të shpallur Dëshmorë të Atdheut meriton të nderohet bashkë me gjakun e 10 të rënëve të tjerë për lirinë: Delo Mystehak Sulçaj, Ferik Zagoll Bilbilaj, Dalan Mehmet Kamberaj, Këze Shahin Sulçaj, Pesare Xhezo Kërroçaj, Beqir Hasho Osmani, Abdyl Hasho Osmani, Shaho Barjam Selimaj, Sadedin Sherif Hazizi, Azbi Nurçe Hitaj.
Fshati Vajzë, fshati i Ali Asllan poetit e ka larë me gjak lirinë. Kështu në fakt nuk ka 22 dëshmorë lufte të luftës antifashiste, që gjenden në lapidar, sikurse janë: Perlat Rexhepi (hero dhe dëshmor), Sadik Karafili, Rexhep Shakaj, Teki Hanaj, Lelo Hadër Habilaj, Maliq Hadër Habilaj, Isa Veselaj, Mete Sulçaj, Qëndro Bellaj, Mustafa Bellaj, Fehta Resulaj, Gani Resulaj, Faik Shakaj, Haxhi Deraj, Fehti Bora, Axhem Veselaj, Hasan Zenelaj, Zihni Rexhepi, Jetulla Kapaj, Refat Kacaj, Jonus Karemani dhe Sheremet Çaushaj. Por në fakt ka dhe duhet të shkruhen në lapidar 32 dëshmorë të Atdheut, pasi edhe të pushkatuarit janë dëshmorë në bazë të kritereve të Ligjit nr. 109/2018, datë 20.12.2018, “Për statusin e Dëshmorit të Atdheut”, neni 5 “Kriteret për shpalljen ose njohjen e statusit “Dëshmor i atdheut”, pika d). shtetasit shqiptarë të pushkatuar për pjesëmarrje në formacionet luftarake Nacionalçlirimtare apo për mbështetje të pjesëmarrësve të Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar të pushkatuar për hakmarrje nga pushtuesit nazifashistë apo bashkëpunëtorët e tyre, nga data 7 prill 1939 deri më 9 maj 1945. Që të gjithë të rënët në frontin e luftës Çlirimtare por edhe ata që janë pushkatuar e sakrifikuar për lirinë e Shqipërisë meritojnë titullin e lartë “dëshmor”.
Cili ishte Delo Mystehak Sulçaj, i cili ka hyrë në epopenë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare si “pioneri-dëshmor” i fshatit Vajzë?
Delo Sulçaj (10.6.1929 – 30.11.1943), ishte i biri i Mystehak Sulçaj nga Vajza e Vlorës dhe Këze Shahin Sulçaj me origjinë nga Beçishti i Tepelenës, (edhe nëna e tij është ekzekutuar nga fashizmi), por ishte edhe vëllai i dëshmorit Mete Sulçaj nga Vajza e Vlorës. Delua ishte lindur në Vajzë të Vlorës më 10 qershor 1929, kur vendi ynë ishte në rregjim monarkik. Delo Sulçaj, erdhi në jetë në një familje me tradita patriotike, luftarake e atdhetare. Delo Sulçaj, ishte burrëruar dhe bërë “djalë për pushkë”, siç quhej në Labëri për djemtë që u kishte “djersitur mustaqja”. Familja e tij ishte e varfër, por e ndershme dhe gëzonte respekt në mbarë fshatin e krahinën. Njihet e transmetohet në breza qëndrimi i tij para përpara pushkatimit që faktikisht ishte qëndrim i një heroi lufte, që nuk ju drodh qerpiku para ekzekutimit fashist. Delo Sulçaj u rrit në kushte të vështira ekonomike. Babai i vdiq shpejt, në vitin 1936, duke e lënë fare të vogël, në moshën 7 vjeçare. Delua me vëllezërit e tij u detyruan të punojnë hyzmeqar tek bejlerēt e Vlorës për të siguruar bukën e gojës. Vëllai i tij më i madh Gani Sulçaj, herë i burgosur nga regjimi mbretëror e herë i arratisur, nuk mund të siguronte jetesën për familjen për të ardhura. Familja e Delos u lidh shpejt dhe tërësisht me luftën, duke venë në shërbim të saj gjithçka; shtëpinë, njerëzit dhe atë pak pasuri dhe mbi të gjitha zemrat e tyre. Vëllezërit e tij Ganiu dhe Metja dolën partizanë, nëna e tij me Delon bënin shërbime të tjera si bazë e luftës antifashiste nacionalçlirimtare. Ai si një i ri antifashist, u dallua për aktivitet në shërbim të luftës çlirimtare, kryente detyra korrieri, shoqërues i partizanëve nga njëra bazë në tjetrën etj. Gjatë operacionit të 30 nëntorit 1943 dhe pikërisht ditën e teksa po zbriste nga mali i Beunit, bashkëpunëtorët e fashistëve ishin fshehur dhe diktuan zbritjen nga mali të një djali energjik por të vetmuar. Kështu Delo Sulçaj si pjesë e familjes të lidhur fuqishëm me luftën partizane e kapin në befasi tek mullinjtë e Vajzës. Sapo zbriti në rrugë dhe kur po kalonte drejt përroit u kap dhe ju dorëzua gjermanëve menjëherë. Duke marrë informacion se kush ishte dhe çfarë familje përfaqësonte, nazistët gjermanët e pushkatuan po atë ditë afër vendit që quhet “Buza e Bletës” në Vajzë. I riu guximtar, 14- vjeçari Delo Sulçaj, nuk u përkul e as ju nënshtrua nazistëve gjermanë edhe para pushkatimit duke e mbyllur jetën e tij fare të re me nder e dinjitet, si një i ri patriot antifashist i vendosur. Ai jeton përjetësisht në memorie të kombit, por që meriton të shpallet me emrin e ndritur “Dëshmor”, titull që e kanë merituar prej kohësh, bazuar në kriteret e Ligjit nr. 109/2018, datë 20.12.2018, “Për statusin e Dëshmorit të Atdheut”, neni 5 “Kriteret për shpalljen ose njohjen e statusit “Dëshmor i atdheut”. Delo Sulçaj, ra në fushën e nderit dhe ngeli I pavdekshëm, në memorien e fshatit Vajzë si dëshmor edhe pse statusi i dëshmorit vonoi juridikisht. Delua ishte vëllai i vogël i Ganiut (Sulçaj-Vajza) dhe Metes (Sulçaj-Vajza), mjaft të njohur për aktivitetin patriotike e luftarak jo vetëm në çetën e fshatit Vajzë. Mete Sulçaj ra dëshmor i LANÇ-it, ndërsa Gani (Sulçaj-Vajza) ka qenë atdhetar, luftëtar partizan, burrë shteti i shquar i Ushtrisë; që edhe pse i gjymtuar që në luftë shkroi një faqe të ndritur historie, burrërie e ndershmërie në shërbim të Atdheut.
Nëse depërtojmë në historikun e fshatit Vajzë gjejmë, se “Vëllai i madh i Delos, Gani Vajza (Sulçaj) ka qenë një ndër figurat e shquara të luftës antifashiste, komunist i vitit 1942, nga të parët në fshatin Vajzë. Delua ndoqi shembullin e vëllait të madh Ganiut. Gani Vajza, me gjithë familjen e tij, me dy vëllezërit më të vegjël, Sefer Sulçaj, Mete Sulçaj si dhe me njerkën Këze Shahin Sulçaj, Delo Sulçaj (që u ekzekutua nga pushtuesi), ai edhe me kushëririn e tij Tahir Elmazin (Sulçaj) u hodhën pa rezerva në luftën e madhe antifashiste, duke dhënë kontributin e tyre si familje dhe ai si individ. Gani Mystehaku Sulçaj u shqua për trimëri e guxim në luftë kundër okupatorit fashist dhe tradhtarëve të vendit. Në një nga luftimet ai u plagos rëndë, duke humbur dorën e majtë dhe që ngeli përjetë i gjymtuar fizikisht me zemër të fortë atdhetare dhe besnik i idealeve të çlirimit. Por edhe pse mbeti me një dorë, ai luftoi dhe u dallua në çdo beteja, si partizan dhe antifashist. Ganiu ishte gjithmonë i pari në sulm. Ai nuk merrte parasysh asnjë lloj sakrifice. Luftoi me urrejtje të pakufishme për armikun dhe ushqente një dashuri të zjarrtë për popullin dhe për Atdheun. Gani Mystehaku Sulçaj edhe pas luftës, duke shërbyer në ushtri si oficer në nivele të larta, si edhe në organet e punëve të brendshme, kreu me nder e plot sukses detyrat e ngarkuara si komandant reparti e njësie. Kolonel Gani Vajza ka ngelur në kujtesën e një plejade të gjerë ushtarakësh dhe që e kanë njohur kur ka punuar Divizionin e Mbrojtjes së Popullit në Shkodër në shumë zona të saj, Komandant i Kufirit në Peshkopi, Komandant i Repartit Ushtarak Nr.84 (Brig. Ndjekjes) Tepelenë, Drejtor në Ministrinë e Brendshme si dhe detyra të tjera në strukturat e sigurisë së shtetit dhe të burgjeve, që ngelet një figurë elitare e burrërtore që i bënte nder cdo lloj detyre, një autoritet i padiskutueshëm dhe një shtetar dinjitoz e krenar për veprimtarinë në luftë dhe në punë. Ai kurdoherë zbatoi me besnikëri e atdhedashuri gjithë detyrat që ju ngarkuan, si dhe gjithmonë ka qenë vigjilent dhe i gatshëm për të kryer çdo misión e përgjegjësi shtetërore. Gani Vajza – Sulçaj, si bir i popullit të Vajzës, si luftëtar për çështjen e madhe të Shqipërisë, mbeti si një figurë e shquar dhe shumë e dashur ndër bashkëfshatarët e tij dhe të bashkëluftëtarëve të lirisë, që ka pasar djalin Ëngjëllin që ka humbur jetën në një aksident dhe dy fëmijë të tjerë Gjonin dhe Luizën. Gani Vajza është një ndër partizanët që luftoi me një dorë sepse ishte plagosur në betejën në Radhimë kur ishte në çetën Plakë, sikurse edhe Çobo Shakaj, që ishte babai i DSh Kol. Eqerem Çobo Shakaj, (për momentin i strehuar në një shtëpi të moshuarish, në Kavajë; si i pa strehë), komisar Ago Çeli i batalionit “Asim Zeneli” dhe Elmaz Teme, (ish Sek.Parë në Tepelenë; që e dërguan dhe kryetar kooperative në Dukaj). Pleqësia e fshatit Vajzë në bashkëpunim edhe me Shoqatën Kulturore Atdhetare Vajza, me Kryesinë e Organizatës së Dëshmorëve dega e Selenicës por edhe në bashkëpunim të ngushtë me Shoqatën e Historianëve ushtarakë shqiptarë, e ka evidencuar si një ndër të rënët gjatë LANÇ-it, që plotëson plotësisht kriteret sipas ligjit për t’u shpallur me titullin e lartë “Dëshmor i Atdheut” sepse ja preu jetën në mes pushkatimi i nazifashistëve gjermanë.
Historiografia shqiptare do t’i kujtojë gjithmonë trimat dhe ata që ranë për Atdhe, që gjakun e derdhën pa kursim. Të rënët janë përjetësuar dhe trupëzuar me idealet e përjetëshme të vetë kombit, prandaj edhe kujtohet Delo Mystehak Sulçaj në tetëdhjetëvjetorin e rënies së tij. Në aspektin juridik kompetenca që i jep ligji institucioneve të shtetit shqiptar, Prefektit në të pesë pikat e “nenit 11-Komisionet vendore”, ligji nr. 109/2018, “Për statusin e Dëshmorit të Atdheut”, mundëson propozimin për Delo Mystehak Sulçaj për shpalljen “Dëshmor i Atdheut” në Komisionin Qendror të Statusit të Dëshmorit të Atdheut i ngritur pranë Ministrisë së Mbrojtjes, që besohet se është vetëm çështje kohe. Edhe pse jeta e tij ishte e shkurtër kontributi për çlirim nuk harrohet brez pas brezi dhe gjaku i bijëve të fshatit Vajzë meriton nderim e homazh si dhe lartësim në piedestalet e lirisë së kombit. Nderimi për bijtë e lirisë sikurse është edhe Delo Sulçaj është nderim që nuk është i mjaftueshëm vetëm të nderohet në një ditë sikurse është nderimi në ditën e Dëshmorëve të Kombit më 5 Maj, datë e pamjaftueshme për tu nderuar gjaku i të rënëve, as vetëm ceremonialet qendrore shtetërore me protokoll shtetëror bëjnë nderimet ceremonial zyrtare tek kryeqendra e memorialeve dhe kujtesës së kombit për dëshmorët, në kompleksin e “Varrezave të Dëshmorëve të Kombit” tek monumenti “Nëna Shqipëri”. Nderimi i të rënëve bëhet edhe më i ngrohtë dhe më mesazhpërcjellës tek familjet, organizatat, tek rinia, tek fshati ku lindi dhe u ekzekutua barbarisht dëshmori pionier Delo Sulçaj. Nderimi për të rënët ka qenë dhe do të ngelet nderim e vlerësim për identitetin e shqiptarizmës.