Albspirit

Media/News/Publishing

Dr. Jorgji Kote: Kroacia, kjo aleate e duhur në çdo kohë!

Këtë bindje krijon kur lexon librin më të ri të ambasadorit të mirënjohur Shaban Murati, analisti ynë fenomenal i politikës së jashtme dhe diplomacisë shumëplanëshe.

Shkrimet analizë javën e kaluar mbi këtë botim dinjitoz nga dy personalitete të shquara, Zonja Arta Dade, ish ministre e jashtme  dhe ish Kryetare e Komisionit të Jashtëm të Kuvendit dhe Prof. Dr. Ksenofon Krisafi, ”padroni” i vërtetë i të drejtës ndërkombëtare në pothuajse të gjitha aspektet e saj krijojnë  lehtësi të mëdha për ne të tjerët në këtë drejtim.

Kësisoj, me pretendime shumë më modeste më poshtë po ndalem në idetë, temat, kritikat dhe sugjerimet e  Mjeshtrit të Madh, Shaban Muratit, të cilat si shumë  të tjerë, i kam ndjerë dhe i kam prekur drejtpërsëdrejti në veprimtarinë e mirëfilltë diplomatike brenda dhe jashtë vendit.

Le ta themi qysh në fillim se aleanca e duhur Shqipëri – Kroaci ka qenë dhe mbetet, siç e thekson me të drejtë autori, jo thjesht dëshirë, por  domosdoshmëri gjeopolitike për vendin tonë; për shumë arsye me sfond politik, ekonomik, diplomatik, të sigurisë dhe integrimit europian, të cilat janë zbërthyer në disa shkrime gjatë librit. Të shoqëruara me plot shembuj pikantë mbi ndihmën, konsulencën dhe solidaritetin që ka treguar Kroacia gjatë 32 viteve të demokracisë e sidomos mbas viteve 2000 në procesin tonë të anëtarësimit në NATO, në BE dhe në forumet e tjera ndërkombëtare. Vend me të cilin kemi vërtet ZERO probleme!

Gjatë periudhës 1997 – 2005, duke qenë diplomat në Bruksel dhe në Berlin isha dëshmimtar  se si Kroacia renditej praktikisht në krye të listës së aleatëve tanë, mbas SHBA-ve dhe BE-së; ajo na ofronte bujarisht ndihmën dhe ekspertizën e vyer kudo por sidomos në drejtim të integrimit europian, kryefjala e politikës sonë në ato vite, duke përfshirë Samitin e BE-së në Zagreb në qershor 2000, ku mikpritësja ishte ndër mbështetëset  më me zë të përshpejtimit të integrimit tonë europian.

Gjatë periudhës së lartpërmendur, siç i thonë fjalës “një dhe dy“ na gjeje në veprimtari të larmishme të Ambasadës së Kroacisë, biseda dhe ligjërata nga ministra të saj mbi integrimin europian. E njëjta përvojë pozitive u shfaq dhe në vitet 2006 – 2011. Gjatë asaj periudhe, si diplomat në Ministrinë e Jashtme në Tiranë, më binte shpesh rasti  të udhëtonim në përbërje të delegacioneve zyrtare të kryesuara nga ministrat e jashtëm i asaj kohe në vende europiane dhe në SHBA.

Në shumë raste ishim në veprimtari dhe takime të përbashkëta me ministren e jashtme maqedonase dhe atë kroate, e cila më vonë u bë Presidente e Kroacisë, zonja Kitarovic. Ky trinom diplomatik ministerial linte kudo mbresa shumë të mira dhe e përfundoi me sukses misionin e tij për anëtarësimin e vendeve tona në NATO; sa i takon BE-së, Kroacia u pranua më 1 Korrik 2013, ndërsa neve na u dha statusi kandidat në qershor 2014, tjetër gjë se  mbetëm prapa kryesisht për fajin tonë.

Nga ana tjetër, Kroacia na sugjeroi atëhere modelin më të mirë lidhur me krijimin e  konsensusi gjithëpërfshirës politik, shoqëror dhe civil për integrimin europian. Duke na treguar se vetëm me një kohezion të tillë të fuqishëm mund t’ia dilnim mbanë. Sepse, në NATO dhe në BE nuk hyn vetëm qeveria, ushtria dhe ekonomia, por gjithë shoqëria dhe Shqipëria, pra dhe opozita, media, dhe shoqëria civile.

Më konkretisht, dy vjet mbasi u shpall kandidate, më 2005 Kroacia krijoi Komitetin Kombëtar të Integrimit, i cili monitoronte gjithë veprimtarinë në këtë fushë, krahas Komitetit të posaçëm Parlamentar të Integrimit, struktura që i krijuam dhe ne sipas atij modeli; veçse ndryshe nga Kroacia, pa efektivitetin e duhur për shkak të ndasive partiake dhe politike dhe probleleve të tjera tashmë të njohura.

Përvoja ka treguar se kur ka patur përpjekje qoftë dhe të përkohshme në këtë drejtim, rezultatet nuk na kanë munguar dhe anasjelltas. Por, në rastin tonë, të keqen e kemi patur dhe vazhdojmë ta kemi shumë më shumë nga brenda se nga jashtë. Për fat të keq, edhe tani, me përjashtim të punës së mirë në nivel teknik nga Kuvendi dhe ministritë e linjës dhe nga grupet serioze të  negociatorëve, në këtë fushë kemi difektin më të madh.

Dhe nëse Kroacia ka thyer rekordin për nga shpejtësia e anëtarësimit në BE, brenda 5 vitesh nga kërkesa ( 2003 – 2008) tjetër punë se e bllokoi Slovenia plot 5 vite ( 2008 – 2013)  për shkak të mosmarrëveshjeve territoriale, ne këtë rekord e mbajmë për ritmet me “shpejtësi breshke“.

Natyrisht nuk mund të mohohen përpjekjet dhe marrëdhëniet e mira dypalëshe, të cilat pasqyrohen  dhe në librin e Ambasador Shaban Muratit. Ka vizita të niveleve më të larta, shkëmbim ekonomike dhe tregtare, etj. Por, sërish niveli i tyre nuk është në nivelin e duhur, ndërsa për një aleancë gjeopolitike as që bëhet fjalë; ndaj dhe ky shqetësim i drejtë shprehet në tërësinë  vet dhe në këtë libër.

Ca më keq akoma, perspektiva e një aleance të tillë të besueshme e të mirëpritur për paqen, stabilitetin, sigurinë dhe demokracionë në rajon dhe më gjerë u la pas dore mbas vitit 2014; nga ajo periudhë e në vazhdim, marrëdhëniet me Zagrebin u lanë në hije mbas forcimit të boshtit tonë diplomatik me Beogradin, në një linjë dhe me politikën perendimore të afrimit dhe evidentimin e Serbisë si lider rajonal.

Me të drejtë dhe me shumë shqetësim autori trajton në disa shkrime naivitetin, gabimin trashanik dhe diplomacinë e ashtuquajtur ‘qetësuese’ (appeasement diplomacy) të Perëndimit ndaj Beogradit. Me idenë e mirë fillimisht që duke e mbajtur afër dhe pse jo “me pak hatër“ e duke e përkëdhelur Beogradin, ai do të qëndronte larg Moskës dhe Pekinit dhe do të përfshihej në proceset integruese Euro-Atlantike.

Në fakt, kjo strategji fillimisht pozitive u vu në zbatim për gjithë rajonin qysh në fillimin e viteve 2000 me krijimin  e Paktit të Stabilitetit dhe me Procesin e Stabilizim – Asociimit, ku natyrisht Serbia dhe Kosova kishin përparësi.

Këto linja të drejta ndoqi dhe politika dhe diplomacia jonë. Veçanërisht vizita e kryeministrit Rama në tetor 2014 në Beograd dhe takimi me Presidentin Vuçiç u mirëprit ngado dhe nga bashkësia ndërkombëtare. Kudo në Europë u ndje jehona pozitive e asaj vizite, shpresat e mëdha që ngjalli dhe hapat e mëvonshëm të palës sonë; veçanërisht të shanseve që u mendua se do të çeleshin sidomos për normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës.

Ca më tepër se atë vit u lançua Procesi i Berlinit me pritshmëri mëdha për afrimin dhe pajtimin Serbi – Kosovë dhe integrimin e tyre të shpejtë në BE.

Mirëpo, për fat të keq, përvoja e mëvonshme tregoi qartë se anëtarësimi në BE nuk arriti të realizojë synimet  gjeopolitike të mësipërme, duke ngjallur jo pak dyshime dhe zhgënjime. Vetë Serbia ka ngecur në këtë proces mbas 12 vite negociatash.

Problemet lindën nga tepërimi dhe hiperbolizimi i diplomacisë   “qetësuese” dmth me kulaç, por pa kërbaç për Beogradin, të cilin po e trajtonin ” si të nënës”, ndërsa Prishtinën  ”si të njerkës”. E çuditshme se si u injorua Opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë më 2010 se pavarësia e Kosovës ishte në pajtim të plotë me të drejtën ndërkombëtare; po atë vit, me mbështetjen perendimore, KiE-ja miratoi rezolutën e Dick Marty-t dhe me imponimin e tyre u krijua Gjykata Speciale për Kosovën me seli në Hagë ku  ndodhen prej vitesh liderët e UÇK-së, etj. Kësisoj, dalngadalë po tentohej të vihej shenja e barazimit midis agresorit dhe viktimës, duke e mbuluar të kaluarën kriminale serbe në emër të të ardhmes.

Për pasojë, ndryshe nga sa shpresohej, Beogradi  filloi ” t‘ia pijë lëngun dhe të hedhë vickëla“, duke abuzuar, siç di ai, me bujarinë Perendimore. Ka kohë që Serbia po  e luan me sukses lojën e saj muzikore-diplomatike  me 4 karrike – BE-në, SHBA-të, Kinën dhe Rusinë; nuk do t’ia dijë, as pas 24 shtatorit, për sugjerimet dhe truysninë e BE-së dhe të fqinjëve për t’u distancuar nga e kaluara kriminale, për t’u pajtuar me Kosovën e për ta njohur atë ndërkombëtarisht si shtet i pavarur.

Bashkohem me habinë e autorit se si diplomacia perendimore nuk po e sheh dhe nuk do ta kuptojë, lere më të bëjë sa më shpejt kthesën e duhur  se Serbia s’ka si të jetë aktor/faktor e ca më pak lider stabiliteti në rajon, kjo mbetet vetëm dëshirë e mirë; mjafton të rikujtojmë se Serbia është nismëtarja e 4 luftrave gjakatare në rajon, ndryshe do të kishte qenë i pari anëtar i BE-së nga lindja; kur në rajon ka pesha të tilla të rënda gjeopolitike si Turqia, Italia, Rumania, Bullgaria dhe Kroacia.

Mesa duket dhe diplomacia jonë, duke parë se nga anonte Perëndimi vijoi dhe më shumë theksimin e tepëruar të partneritetit gjeopolitik me Beogradin. Gjithsesi, kjo nuk do të kishte ndonjë të keqe nëse nuk do të linte në hije e nuk do të dëmtonte, me ose pa dashje Kosovën dhe nuk do të “pudroste“ imazhin demek të moderuar të  Serbisë në sytë e ndërkombëtarëve, duke paraqitur pengesë dhe gogol Prishtinën.

Mishërimi i kësaj politike të dështuar ishte bashkimi ynë me nismën «   Ballkan i Hapur » pa pyetur e pa u konsultuar me askënd.  Ballkani i (K)Hapur siç e ka stigmatizuar me të drejtë Shaban Murati lindi dhe u zhvillua si sfidë, karshillëk dhe mbivendosje e panevojshme e Tregut të Përbashkët Rajonal të BE-së dhe  Procesit të Berlinit. Absurdi ynë shkoi deri aty sa t’i bënim avokati Beogradit kudo në botë, deri në tribunën  e lartë të OKB-së, lidhur me mosvendosjen prej tij të sanksioneve ndaj Rusisë, që as vetë Vuçiç nuk e kishte menduar deri në atë pikë. Ndërsa Ballkani i Hapur u shenjtërua dhe u konsiderua si shpëtimi i Europës dhe paqes së përbotshme derisa Kryeministri Rama shpalli përfundimin e  tij.

Autori i librit nënvizon se në të gjitha këto lëvizje Kroacia ishte kundër dhe kjo duhej ta shqetësonte sadopak Tiranën zyrtare. Madje, Zagrebin mund ta kishim patur në anën tonë dhe si kundrapeshë ndaj Serbisë, siç ndodh kudo në diplomaci.

Dhe në vizitën e Kryeministrit Rama në tetor në Zagreb u pa qartë dallimi midis qëndrimeve kroate dhe tonat ndaj Serbisë dhe Kosovës. Ironia është se Zagrebi ishte dhe mbetet më pranë Kosovës dhe më larg Serbisë se sa Tirana zyrtare.  A thua se e njohim më mirë Beogradin ne se Kroacia që ka qenë në një republikë. Natyrisht që po të kishim zhvilluar konsultime të rregullta diplomatike me Kroacinë dhe të kishim nxjerrë mësimet e duhura prej saj e jo të vijonim në kokën tonë, kjo mund të na kishte ndihmuar jo pak. Dhe Kroacia është anëtare e BE-së, Serbia jo.

Po ashtu, dihet se Kroacia ka realizuar asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe Kryeministri Kurti e ka propozuar si variant të mundshëm. Përse atëhere pala jonë shkon e kërkon demek ekspertët më të mirë nuk dihet se ku, dhe nuk iu referuam projektit kroat? Do thotë dikush se Serbia nuk do ta pranonte atë variant, se dihet se ai shkon “ si macja me miun” me Kroacinë. Po, kjo ka shumë të ngjarë të ndodhte. Por, nga ana tjetër në diplomaci pavarësisht nga kjo, përdoret si taktikë që të paraqiten sa më shumë versione dhe projekte, sidomos nga vendet fqinje me përvoja të ngjashme, ca më tepër kur kanë qenë pjesë e një federate. Tjetër gjë pastaj nëse nuk do të pranohej qoftë dhe me ndryshimet e rastit. Por ama ti e parashtron atë projekt, ose të paktën anët e tij pozitive, pra “i del borxhit“ kjo është abc-ja në diplomacinë e negociatave dhe traktateve.

Mirëpo, të gjitha këto dhe të tjera vendime dhe veprime diplomatike bëhen kur ke vendosur mbi baza institucionale një partneritet të vërtetë me atë vend dhe më konkretisht me Kroacinë, çka nuk ka ndodhur as me fillimin e viteve 2000 dhe as tani.

Ndaj, Ambasadori Shaban Murati me të drejtë tërheq vëmendjen për mungesën e kësaj aleance të duhur paqësore me vlera të shumëfishta për të dy vendet tona, për proceset transformuese dhe integruese në rajon dhe më gjerë.

https://gazetadita.al/kroacia-kjo-aleate-e-duhur-ne-cdo-kohe/?fbclid=IwAR0uL3RuoOY8xm7Z9c_wXWnDYKWIIOL-m0NY8re0XJS27o4Kl6XpbB7pbSg

Please follow and like us: